Një apel publik për arsimin e lartë

Domosdoshmëria e modernizimit dhe reformimit të sistemit të arsimit universitar në Shqipëri

Sistemi universitar shqiptar po përballet aktualisht me sfida të shumta. Përballë tij qëndrojnë objektiva dhe detyrime jetike për vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ky sistem duhet të jetë në gjendje të absorbojë kërkesat masive gjithnjë e në rritje për të ndjekur universitetin; duhet të përballojë sfidën e modernizimit dhe përmirësimit cilësor; duhet të gjejë ekuilibrin e nevojshëm dhe vendosur barazinë e reciprocitetin ndërmjet sistemit universitar publik e atij jopublik; duhet të gjejë rrugë e mundësi të reja për të gjeneruar e tërhequr financimet e domosdoshme; duhet të jetë i hapur dhe në dispozicion të një vlerësimi ndërkombëtar e sipas kritereve ndërkombëtare për cilësinë e ofertës së tij; duhet të jetë sa më atraktiv për burimet njerëzore cilësore e të motivuara në sferën akademike; duhet të ketë një shkallë sa më të lartë të autonomisë së funksionimit dhe drejtimit në të gjitha sferat e aktivitetit të tij; duhet të mbyllë ciklin e zbatimit të "Kartës së Bolonjës" dhe të jetë sa më i integruar me gjithë sistemin universitar evropian e atë ndërkombëtar, etj.

Në këtë këndvështrim e përballë këtyre sfidave thelbësore, ne mendojmë dhe njëkohësisht bëjmë një apel publik për konceptimin dhe zbatimin e një reforme tërësore në arsimin e lartë universitar shqiptar, reformë që përveç angazhimit dhe vullnetit politik të domosdoshëm, i cili, tashmë, ekziston dhe është shprehur në shumë raste, kërkon dhe një përfshirje sa më të gjerë të të gjitha strukturave akademike universitare në vend, kërkon angazhim të shoqërisë civile dhe mendimit të avancuar bashkëkohor, kërkon kooperimin e ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfitimin nga eksperienca pozitive e mjaft vendeve të tjera në këtë fushë.
Aspektet më të rëndësishme ku duhet të synojë kjo reformë mendojmë se janë: 

- STANDARDE TË CILËSISË SË UNIVERSITEVE DHE RENDITJE E DIPLOMAVE:
Është jetike dhe urgjente të kryhet një proces i vlerësimit të jashtëm, ose ai që njihet ndryshe si "RENDITJE - RANKING".
Ky proces duhet të jetë i besueshëm, i paanshëm, i realizuar nëpërmjet një agjencie apo institucioni të specializuar ndërkombëtar, me qëllim vlerësimin dhe klasifikimin e të gjithë universiteteve shqiptare publike dhe jopublike, në përputhje me kritere e standarde sa më afër atyre më cilësore ndërkombëtare. E gjithë kjo do ta bënte më të qartë vlerën dhe cilësinë e çdo universiteti dhe diplome në
Shqipëri, do t'i orientonte më drejt studentët dhe prindërit në përzgjedhjen e tyre, do t'i jepte më shumë mundësi tregut të punës në seleksionimet e tij; do të orientonte më mirë politikat publike për zhvillimin e arsimit të lartë; do t'i jepte më shumë mundësi alokimit cilësor të investimeve e projekteve të zhvillimit në drejtim të universiteteve; do të diferenconte më qartë vlerën dhe përmbajtjen e çdo diplome universitare në Shqipëri.

Kjo transparencë dhe ky vlerësim do ta garantonte shpejt shoqërinë mbi atë se çfarë po ndodh në sistemin tonë universitar, pas këtij zgjerimi të shpejtë në sasi dhe shtimit të numrit të universiteteve dhe shkollave të larta.
- AUTONOMI REALE DHE VETËMENAXHIM PËR UNIVERSITETIN PUBLIK:
Universiteti publik, stafet akademike kanë nevojë për autonomi reale dhe substanciale, kanë nevojë për hapësira vetëmenaxhimi për të motivuar stafet, për të çliruar energjitë dhe potencialet e pedagogëve dhe studentëve.
Niveli i autonomisë financiare është ende shumë larg, ndaj ka nevojë urgjente që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë, duke i dhënë hapësirën më të madhe të mundshme dhe lirinë stafeve akademike dhe drejtuese të universitetit publik, në mënyrë që këta të përcaktojnë vetë kuotat, tarifat, investimet për kërkimin shkencor, duke futur sa më shumë të ishte e mundur në universitetet publike mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu në sistemet universitare më të avancuara në botë.

- KRIJIMI I KUSHTEVE TË BARABARTA PËR KONKURENCË PËR UNIVERSITETET PRIVATE:
Vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, qofshin këto publike ose jopublike, në raport me të gjitha standardet cilësore dhe kërkesat e legjislacionit shqiptar që mbulon fushën përkatëse dhe në mënyrë të veçantë, trajtimi e vlerësimi i të gjithë universiteteve si "të mira publike" me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit.
Të gjithë universitetet, publike dhe jopublike, duhet të jenë në kushte të barabarta për të fituar studentin, pa u diskriminuar, si ka ndodhur deri tani, duke filluar nga elementi "çmim i studimeve".
Ky mekanizëm konkurrues do ta bëjë universitetin shqiptar në tërësi që të rrisë shpejt cilësinë dhe të reagojë shumë më shpejt ndaj kërkesave të tregut. Heqja e TVSH-së në arsimin jopublik; pjesëmarrja publike në projekte e financime në përputhje me strategjinë dhe objektivat e integrimit dhe zhvillimit të vendit edhe në sektorin universitar jopublik; rritja e autonomisë vendimmarrëse financiare të universiteteve publike dhe krijimi i çdo hapësire të mundshme ligjore për sigurimin e të ardhurave suplementare dhe tërheqjen e financimeve të ndryshme nga ana e tyre, etj.
Kjo kërkon nga universitetet private ushtrimin e përgjegjësive shoqërore, si dhënia e bursave, mbështetja e kërkimit shkencor dhe në këtë drejtim mund të inkurajohet shndërrimi i këtyre institucioneve drejt formave juridike "jofitimprurëse", si një nga mënyrat më të mira për të realizuar funksionin publik të këtyre institucioneve.

- RIKONCEPTIM THELBËSOR I MËNYRËS SË FINANCIMIT TË ARSIMIT TË LARTË DHE ROLIT TË SHTETIT:
Jo thjesht duhet të rritet investimi publik në arsim, por duhet të ndryshojë mënyra e shpenzimit të parave publike në sistemin e arsimit të lartë.
Rikonceptim dhe reformim thelbësor i mënyrës dhe logjikës së financimit të universiteteve, duke kaluar nga koncepti dhe praktikat e financimit plotësisht dhe vetëm të ofertës (d.m.th., universiteteve publike), në konceptet dhe praktikat e financimit dhe të kërkesës, pra studentëve, pa dallim nëse ata janë përdorues të shërbimit publik apo jopublik të arsimit të lartë.
Do të jenë studentët ata që duke zgjedhur fakultetet dhe universitetet, do të bëhen faktorë nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare.
Vendosja e një "çmimi" të drejtë dhe të arsyeshëm për studimet e larta universitare, në mënyrë që të shtohet sensi i përgjegjësisë individuale, familjare e kolektive ndaj arsimit të lartë universitar; në mënyrë që nga të gjithë, formimi universitar të konceptohet e pranohet si një investim cilësor në rritjen e aftësive profesionale dhe futje më e shpejtë e më cilësore në tregun e punës.

- ADRESIMI I ELEMENTEVE SPECIFIKE TË ARSIMIT TË LARTË:
Shoqëria, përmes qeverisë, duhet të vijojë të mbajë shumë përgjegjësi në arsimin e lartë, në funksion të elementëve specifike që ka ky sektor, si aksesi në arsimin e lartë i shtresave sociale, ruajtja - profilizimi- konsolidimi i universiteteve rajonale si faktorë të zhvillimit rajonal, mbështetja publike për degë me rëndësi strategjike apo degëve dhe profesioneve që kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, por që nuk janë fort të preferuara për studentët.

Ndaj, ka nevojë për rikonceptim të rolit dhe mbështetjes publike ndaj universiteteve, duke i dhënë prioritet mbështetjes me bursa, apo financime të llojeve të tjera, të studentëve të ekselencës dhe përgjithësisht ata me rezultate shumë të mira; studentëve me nevoja të evidentueshme sociale; studentë që vijnë nga grupe sociale të margjinalizuara; studentëve që ndjekin degë e specializime me interes kolektiv; studentëve që zgjedhin degë të domosdoshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik e social të vendit, por që nuk janë të privilegjuara nga tregu për momentin; studentë me talente të veçanta, etj.

Mbështetje të veçantë publike të duhet të kenë edhe ato departamente e fakultete që janë lider në adoptimin e inovacioneve akademike e shkencore, që përhapin teknikat dhe teknologjitë e reja në të gjitha fushat; që janë të lidhura e kanë ndikim të dukshëm në zhvillimin e biznesit, prodhimin e dijeve të reja bashkëkohore, që konsiderohen degë strategjike e me rëndësi kombëtare, etj.
Në këtë kuadër, duhet të studiohet mundësia që universitetet rajonale të orientohen e specializohen më mirë, në funksion të kërkesave rajonale, duke krijuar pole specifike kompetencash në fushat më me interes të rajoneve ku ato janë vendosur apo do të vendosen në të ardhmen.

Prof. Dr. Dhori Kule, Rektor, Universiteti i Tiranës;
Prof. ass. Dr. Adrian Civici, Rektor, Universiteti Europian i Tiranës;
Prof. Dr. Agim Kukeli, Rektor, Universiteti "Aleksandër Moisiu", Durrës.

3 Komente

Eshte e mbushur me gabime drejtshkrimore dhe formatimi. Akademiket jane "very annal" per kesilloj gjerash dhe me te drejte. Fundja per arsimin e larte po flitet apo jo? 

Cfare problemesh ka arsimi i larte ne Shqiperi?

Pse EDHE nje reforme tjeter?

Pse duhet ndryshuar skema e financimit?

Ai paragrafi i pare nuk i jep pergjigje ketyre pyetjeve, ndersa paragrafet e tjere duken si direktiva pleniumi.

Zgjidhja eshte e thjeshte: Shqiperia nuk ka nevoje per mijera e mijera hajvane me dipllome, por per nje grup elitar qe te dije si dhe ku ti drejtoje turmat hajvane. 

Është jetike dhe urgjente të kryhet një proces i vlerësimit të jashtëm, ose ai që njihet ndryshe si "RENDITJE - RANKING".


E kush do e perdori kete informacion? Dhe pse?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).