Mund të humbin pushtetin

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Feith ka deklaruar të shtunën se serbët e Kosovës rrezikojnë të humbin pushtetin lokal nëse marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Gjatë administrimit të UNMIK’ut, megjithëse serbët nuk dilnin në votime, administratori i OKB’së emëronte kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Feith ka thënë se nëse ka bojkot nga ana e serbëve, nuk do të ketë emërim të përfaqësuesve serbë në postin e kryetarit në komunën e Shtërpcës dhe Artanës.

“Po, ky është një rrezik serioz, këtë e kemi dëgjuar të themi nga kandidatët nga Shtërpca se mund të ndodh kjo nëse nuk dalin mjaft njerëz nga pala serbe. Natyrisht, komuniteti serb do të jetë mirë i përfaqësuar në asambletë komunale, por mund të ndodh që të mos e marrin postin e kryetarit të komunës. Ky rrezik pra ekziston, por, sërish po e përsëris, rregullat janë rregulla, dhe secili serb do të duhej të dalë dhe të votojë”, ka thënë Feith në një intervistë për Radion serbe B92.

I pyetur se a do të jenë të vlefshme rezultatet e zgjedhjeve nëse vetëm një numër i vogël i serbëve merr pjesë, Feith ka thënë se “dalja e tyre në zgjedhje nuk do të jetë e vogël”.

“Sapo kam pasur një takim me të gjithë liderët politik serbë dhe kandidatët e iniciativave qytetare dhe kam ndjenjën se ekziston një interesim për pjesëmarrje në zgjedhje”, ka thënë Feith, për Radion B92.

Ai ka sqaruar se çfarë përfiton komuniteti serb në komunat e reja me shumicë serbe.

“Ekzistojnë një numë i gjërave të rëndësishme që kanë të me shumë komuna. Shumë nga to tani kanë rastin të themelohen në bazë të konfiguracionit të ri kadastral me të drejta autonomie. Do të kenë privilegjin e lidhjes me Beogradin dhe Serbinë në mënyrë që të sigurojnë resurse për arsim, shëndetësi. Ky do të jetë rast që të sigurohet që komuniteti serb thjesht të vazhdojë mënyrën e vet të jetesës dhe të ruajë trashëgiminë e vet kulturore dhe fetare”, ka thënë Shefi i ICO’së.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare u kanë bërë thirrje të vazhdueshme serbëve që të dalin në zgjedhjet e nëntorit. Nga ana tjetër, edhe Beogradi zyrtar ka shpeshtuar thirrjet që serbët të bojkotojnë këtë proces sepse organizohet nga institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Që nga vjeshta e vitit 2001, pas sugjerimeve nga Serbia, shumica e serbëve nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet kosovare, edhe pse të organizuara nga OSBE dhe UNMIK’u.

1 Komente

Pa u njohur ligjerisht pavaresia e kosoves nga OKB keshtu do te shkoje ceshtja serbeve ne kosove.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).