Letërsia e shek. XX zotërohet nga provinca

Letërsia tradicionale shqipe, në të cilën shkrimtarët nacionalë, Naimi e Fishta, i kanë kryevepra “Bagëti e Bujqësi” e “Lahuta e Malcís”, nuk ka të bëjë shumë me qytetin.

Kur kësaj i shtojmë edhe idilet “Milosao” e “Mili e Hajdhia” të De Radës e të Zef Skiroit, pamja është e kryer. Nuk trajtojmë këtu qytetin si apelacion: (Krujë, o qytet i bekuar) Naimi, apo (Mori Shkodër, moj mizore); as qytetin si figurë personale; as qytetin si topos, metaforë e megametaforë. Thirrje të tilla poetike për qytetet shqiptare të farës së përmallimit, apo të identifikimit shohim tek autorët shqiptarë që nga Bogdani (Shkodra, Shkupi, Prizreni) e këndej. Nuk ka të bëjë as me kullën e kështjellën, si metafora, madje mite të identifikimit e të qëndresës. Na intereson letërsia që lidhet me qytetin si mes jetësor, si mënyrë jetese, si ndjeshmëri, mendësi, mënyrë e komunikimit dhe më thellë si ideologji e filozofi, më në fund: si kulturë qytetërimi. Mos do të thotë kjo që letërsia shqipe është provinciale për nga tematika (duke përjashtuar qytetin) dhe për nga stili, duke mbindërtuar modelet e ligjërimit popullor, apo për nga ndërtimi i personazhit, që vete sa më larg intelektualitetit, duke sipërtheksuar veprimin e përditshëm? Po format e komunikimit të veçantë, gjestet, madje të folu¬rit? Duke lënë anash fluturimet figuruese poetike, kërkimi të shpie kah proza, e cila tregon ndodhi apo përshkruan gjendje, duke kërkuar si domosdo një referencë të jashtme “reale”.

Edhe në këtë pikë të kërkimit do të takojmë të parin nismëtarin e risive të modernitetit, Faik Konicën. Me “Dr. Gjilpërën” e tij, si personazh intelektual e si vepër, Konica jep një përshkrim të Durrësit e të Tiranës të viteve ’20 të shek. XX, duke bërë më tepër një kirurgji të jetës sociale e mendore; duke diferencuar shtresimet shoqërore e mentalitetet e këtyre rretheve, për të ngritur një kritikë përmbysëse të tyre, duke pasur për bazë teorinë e tij mbi levantinizmin e qyteteve shqiptare. Në këtë vështrim Gjilpëra e Konicës, nuk dihet a ther më shumë a qep më shumë, qoftë si figurë (emërtim), qoftë si personazh. Po, por kërkimi i Konicës për Tiranën, si dhe vepra e tij “Dr. Gjilpëra” mbeten të papërfunduara.

Mundet që Poradeci (Pogradeci) i Lasgushit të ngrihet përtej një ndjeshmërie poetike, kah një mes qytetar i një metafizike jo vetëm poetike. Në anën tjetër Scodra (Shkodra) e Lissus (Lezha) të Ndre Mjedës janë më fort prerje poetike të mitologjisë (historis&eumlsmiley nacionale, si pika identifikimi, sesa letërsi e këtyre qyteteve, apo për këto qytete. Vetëm prozatorët modernë të letërsisë shqipe na ndihmojnë të hyjmë në trajtimin e vërtetë të temës. Së pari me Shkodrën e viteve ’30 të shek. XX, se Shkodra qe qytet dhe pati jetë qytetare.
Ernest Koliqi pasi zbriti nga Malësia në qytet (me letërsi) nëpërmjet veprës “Hija e maleve”, në veprën “Tregtar flamujsh” hyn në zemrën e Shkodrës, duke trajtuar qytetarinë si vlerë të trashëguar në kalim breznish njerëzore, duke kapur shtimungun e ndjesinë e shtëpisë e të oborrit, duke portretizuar e ndërtuar marrëdhëniet ndërmjet shtresa¬ve të qytetit: të tregtarit e të shkrimtarit, të gruas e të mashkullit, të idealistit e pragmatistit, të dashurisë e të interesit, të dijes autentike e të shpifjes, të kulturës, të intelektualit e të pseudointelektualit. Koliqi është në qendër dhe flet për qytetin si qendër të kulturës. Kjo qendër u jep trajtë komunikimeve të veta me rrethin dhe me botën. Në këto komunikime ka mirëkuptime dhe shumë mosmarrëveshje. Dramatikën e këtyre raporteve shkrimtari shkodran jo një herë e vë në lojë me nota gazi e hidhërim, si te tregimet “Djepi arit” apo “Bylbylat e Plepishtit”. Në thelb, Koliqi tregon e përshkruan një stil jete dhe këtë e ngre në një stil shkrimi, në art.
Të njëjtën kohë e të njëjtin qytet (Shkodrën) e bën vepër letrare Migjeni në “Novelat e Qytetit të Veriut”. Por autori i ri tashti qytetin nuk e sheh si qendër të fisnikërisë, po si qendër të tragjedisë e të mjerimit psikologjik e social. Ai vëren e flet nga periferia, nga margjina, dhe për njerëzit e margjinës, që ngatërrohen në fatin e vet, duke dashuruar qendrën, normën, por duke u përmbysur në moskuptime: dashuri të parealizuara, mashtrime, detyrime, jetë të shpifur, komunikim të maskuar; një kërkim që do të mbarojë me thirrje rezignuese për t’u hequr dorashkat. Po kështu, në “Baladën qytetëse” të Migjenit, gruaja shitet për të jetuar jetën. Pra, jeta është e përmbysur, shikuar nga margjina shkodrane e autorit të ri.

Po në këtë dekadë, Sterjo Spasse në veprën “Pse?!”, duke krijuar alteregon, Gjon Zaverin, jep intelektualin e vetëpërjashtuar, apo të përjashtuar nga rrethi, që do të duhej të ishte qyteti i Korçës. Një dramatikë e veçantë e ndeshjeve të botëve kundërshtuese mbrenda një ambienti që mundohet të krijojë jetën qytetare. Këtu zgjidhja është vetëvrasja, për të shenjuar një perspektivë të humbur, të mbyllur. Pra, bota e madhe nuk mund të hyjë në botën e vogël, kur nuk ndodh e kundërta. Edhe Haki Stërmilli me “Sikur t’isha djalë” tematizon jetën qyte¬tare (Dibër-Tiran&eumlsmiley, ku levantinizmi konician ka prekur thellë jetën qytetare e jetën individuale të përthyer në botën e brishtë të femrës, që klithmën e vet mund ta përkthejë vetëm në lutje e në vaj. Pra, qyteti këtu merr trajtën e ambientit që mbyt individin.

Musine Kokalari në veprën “Siç më thotë nënua plakë”, tanimë si autore femër në një botë të patriarkalitetit, jep një pamje të brendshme të Gjirokastrës. Autorja rrëfen të rrëfyerën, gjuha e shprehja bëhen esencë identifikuese. Origjinaliteti mbështetet në mënyrën e komunikimit, që është mënyrë e jetesës dhe e portretit të kësaj jete. Gjirokastra e Kokalarit do të duket një paramodel për qytetin e thashethemes, që do të bëhej karakteristikë e mëvonshme për këtë qytet dhe qytete të tjera shqiptare, ku fjala e përfolur e mund të dhënën e faktin.

Ismail Kadare me veprat “Kronikë në gur”, “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar” i ka ngritur një monument letrar qytetit të Gjirokastrës. Te romani “Kronikë në gur”, duke kryqëzuar pamje të pazakonshme me ngjarje të jashtëzakonshme, të para të gjitha nëpërmjet pikëvështrimit të botës infantile që piqet duke njohur qytetin e vet dhe botën e përplasur në të, autori ka krijuar variantin e qytetit të paradokseve në kohë e në hapësirë. Aq më tepër kur kjo procedurë njohjeje e vetënjohjeje ka kaluar nëpër sensibilitetin personal. Por, kjo nuk ngjet me Tiranën. Në shkrimet e po këtij autori, Tirana, me urbanët e me zhurmën, nuk i ngjet aspak kohës së shkrimit, ajo është Tirana virtuale e autorit. Një ëndërr qytetëse që ikën nga reali¬teti, edhe pse tashti nuk është më sensibilitet, por ideologji e përparimit, për t’i përngjasuar ky qytet një qyteti të madh. Anton Pashku në tregimin “Kënaqësitë e Megapolisit”, qytetin e madh e paraqet si një traumë dhe antitraumë njerëzore. Duke nxjerrë cilësinë e parë të këtij qyteti të madh agresivitetin, dhunën. Pra, kemi të bëjmë me përmbysje konceptuale të qytetit si kozmopolitizëm. Në anën tjetër, asnjëherë nuk ka provuar ta kthejë në letërsi qytetin e fëmijërisë së vet, Prizrenin. Sepse, në esencë ai mbetet hasjan, edhe kur shkruan dhembjet universale. Ashtu si mbetet rugovas Azem Shkreli me romanin e vet “Karvani i bardhë”, duke përshkruar të bëmat e Dyl Mehmetit si rugovas, duke përshkruar pamjet e Rugovës, me një gjuhë shqipe të mjelë në ligjërimin popullor të Rugovës. Po ashtu si krijon literaturën e krahinës së vet Nazmi Rrahmani me romanin “Malësorja”, duke krijuar heroinën e vet virtuale morale, e cila, me mirësinë e durimin e vet, e mund vrazhdësinë e botës së egër mashkullore, ku zotëron zakoni e gjaku. Të tillë do ta shohim dhe romanin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës, edhe pse në mënyrë më të ndërliqshme përthyen jetën e myzeqarit e të kosovarit, gjithnjë me përshkrime të stilizuara të situatave dramatike jetësore. Kërkimi ynë u soll në rreth në një ekskurs të shpejtë të letërsisë (prozës) shqipe mbrenda një shekulli, sa për të riprovuar që kjo letërsi zotërohet nga provinca, mbindërtimi popullor, heroi provincial. Përpjekjet e modernëve për të kapur misterin e qytetit kanë marrë pamjen e përkryer vetëm tek e tek, për aq sa kapin jetën e ndërliqshme shpirtërore e mendore, që do të shfaqet me personazhin intelektual si aktor e aktant letrar. Po të provohej e kundërta, do të hynim në fushën e jetës qytetare virtuale e të letërsisë virtuale shqipe. Një provë e letërsisë dhe e qytetit do të bëhet duke lexuar tregimet për Shkodrën të Koliqit (“Gjaku&rdquosmiley e të Migjenit (“Studenti në shtëpi&rdquosmiley. Variacionet e raportit të qendrës (Qytetit) me provincën, pamjet e jetës së qytetit dhe paragjykimet e provincës për këto pamje, lakmia për jetën qytetëse dhe gërditja prej saj, janë artikuluar në tregime të Ernest Koliqit e të Millosh Gjergj Nikollës. Vetëm se gjithë këto tema e nëntema, artikulohen si qëndrim i kryepersonazhit (nëpërmjet intencës së auto¬rit). Doda, protagonisti i tregimit “Gjaku” të Ernest Koliqit dhe Nushi, protagonisti i tregimit “Studenti në shtëpi” të Migjenit janë intelektualë dhe vizioni i qytetit të Shkodrës ndërtohet nëpërmjet vizionit të tyre. Për nga natyra duhej të pritej që të dy të jenë heronj të meditimit, dhe në vepra të hyjnë si karaktere të formuara. Doda i Koliqit cilësohet me aktivizëm, që merr trajtën e transformimit të shoqërisë nëpërmjet dijes e kulturës. Mirëpo, në vepër, karakteri i tij zbulohet, sprovohet, dhe ai nuk mund të dalë nga rrethi i një fati të pathënë nga fryma e Kanunit. Doda, pra është një intelektual i qytetit, me origjinë nga provinca. Dhe këtu qëndron kompleksiteti dhe tragjiciteti i veprimit dhe i pësimit të tij në vepër. Nushi i Migjenit është njeri i pësimit. Ai vëren, nuk flet, heton se si përmbysen një nga një tabutë apo vlerat e deklaruara të jetës në ndeshje me ekzistencën e fatin personal të njeriut. Nushi e di se vlerat morale të deklaruara janë vetëm maska të cilat duhet të bien përpara tronditjes më elementare të libidos e të ekzistencës elementare. Pra, Nushi vrojton si çmaskohet një shoqëri, ambient e jetë. Po shohim si lakohet filozofia e veprimit dhe e pësimit e intelektualëve shkodranë në faqet e kësaj letërsie, duke pasur për kontekst një relacion ende të pandërtuar ndërmjet Shkodrës e Provincës së saj, i cili lëkundet ndërmjet pëlqimit e mohimit. Kjo jep shenjat letrare, që Shkodra e viteve ‘20 e ‘30 të shek. XX është një qytet që prodhon apo pretendon të prodhojë një kulturë të re (si normë sjelljeje e jetese) dhe një qytet në të cilin jeton fuqishëm mendësia provinciale. Tregimi i Koliqit, “Gjaku” e tregimi i Migjenit “Studenti në shtëpi”, me situatat e situimet jetësore, me lakimet e fateve njerëzore, vetëm sa plotësojnë vijat e trasha të ideve autoriale (të përçuara te protagonistët) për të krijuar relievin e jetës qytetare. Kjo bëhet, madje, nëpërmjet prosedeut të episodeve të zgjedhura për të përforcuar idenë. Përndryshe prosedetë e këtyre shkrimtarëve për Shkodrën dallohen shumë te vepra të tjera. Koliqi nënvizon fisnikërinë, Migjeni pamjen e mjerimit social e shpirtëror. Mbetet e hapur çështja: sa mund të ketë fisnikëri të shpirtit e kulturë aty ku ka mjerim të trupit e luftë për mbijetesë, qoftë në qendër, qoftë në periferi.

--------------

(kontekst)
Qyteti si mënyrë jetese e ideologji në letërsinë shqiptare

Është një lidhje e natyrshme ajo e çdo njeriu me vendin ku ka lindur, apo me atë ku jeton. Aq më tepër krijimtaria e një shkrimtari nuk mund të kuptohet pa këtë marrëdhënie. Shumë herë ndodh të jetë fshat, apo provincë, por mund të jetë edhe qytet. “Letërsia dhe qyteti” titullohet konferenca shkencore ndërkombëtare e organizuar përgjatë dy ditëve në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Departamenti i Letërsisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe Letërsisë. Një konferencë interesante, ku u mor në analizë raporti që shkrimtari ka me qytetin, mënyrën se si ai e shikon, si një njeri që e jeton atë, apo që e shikon së jashtmi, që e sheh si një qendër zhvillimi, të lakmueshme nga provincialët, apo si një qendër problematikash sociale. Studiues jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe Franca e Italia, sollën shembuj nga letërsitë e vendeve të tyre dhe nga shkrimtarë të njohur. Nuk ishin të paktë ata studiues që morën si shembull tipik të lidhjes së shkrimtarit me qytetin, Ismail Kadarenë, i cili në disa prej veprave të tij tregon një lidhje organike me qytetin e lindjes, Gjirokastrën. Kështu, prof. Dr. Bashkim Kuçuku solli kumtesën “Qyteti-personazh te “Kronikë në gur”, prof. Dr. Shaban Sinani “vetëdije qytetare në një vepër të I. Kadaresë”, Viola Isufaj, “Qyteti dhe qytetërimi modern në veprën e Kadaresë”. Të tjerë studiues iu referuan autorëve të tjerë, apo periudha të caktuara. U mor si shembull vepra e Lasgush Poradecit, i lidhur paszgjidhmësisht me Pogradecin, Ernest Koliqi me Shkodrën, qytetërimi modern në veprën e Fatos Kongolit. U mor në analizë prania e qytetit në letërsinë e viteve ’30, apo ’60-’80, të shekullit të kaluar. Nuk mungoi edhe një vëzhgim i raportit të shkrimtarit dhe përkthyesit, si “banorë të së njëjtit qytet” nga përkthyesja Mirela Kumbaro e përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri, etj. Një kumtesë interesante mbajti prof. Dr. Sabri Hamiti, mbi raportin mes provincës dhe qytetit, sipas të cilit, më së shumti në veprën letrare të autorëve shqiptarë mbizotëron provinca dhe qyteti shihet më së shumti së jashtmi. Ai mori në analizë një sërë shkrimtarësh, që nga Konica me “Doktor Gjilpërën”, tek Poradeci, Migjeni, Pashku, Kadare, Xoxa, etj.
 

8 Komente

hmmm... c'jane keto ndarje idiote qytet fshat province !!!!

nese edhe letersia do ndahej ne kategori te tilla,kaq paragjykuese, athere po qe do i kishte ardhur fundi njerezimit...

O Admin, sipas teje kjo eshte gazetari? Cfare te kushtonte ta fusje te letersia?

Qe te sqarohem edhe une pse e solla artikullin:

1- sepse tregon qe edhe shqiptaret mund te flasin me referenca;

2- sepse flet per nje ceshtje qe merr vemendje maksimale tek peshku, qyteti vs. provinca, ne aspektin e perfaqesimit te qytetit ne letersi, per te kaluar tek riprodhimi i tij, zhvillimi i tij, etj.;

3- sepse sherben si nje mini-antologji;

4- sepse tregon qe ne Tirane zhvillohen konferenca per gjera aq interesante sa letersia dhe qyteti;

5- per te rene apo mos rene dakort me autorin, isha kurioze nese na sillte njeri vepra qe i ka anashkaluar Habiti dhe qe do t'a ndryshonin argumentin e tij;

6- per te shtruar pyetjen: kur nuk shkruhet per qytetet, a kemi qytete?

smiley

me te mira

dhe dicka tjeter

ata qe shkruajne e dine mire qe "provinca" ne letersi mund te behet ndonjehere shume here me "sharmante" se metropoli, i cili ndonjehere duket teper "i thate" per t'u "shtrydhur" ne nje veper letrare

 

sa per perdorimin tend te fjales 'idiot', ndoshta do te vije nje dite qe neper konferenca te referohet per 'idiotizmin e ndasise qytet-province', por deri atehere, rodi jone eshte peshku.

ti kur shkruan per autobuzin, per shembull, e sigurte qe nuk po shkruan per provincen. por nga ky tregim tek letersia per qytetin duhet nje kapercim, dhe ceshtja eshte 'a po behet kjo' dhe 'cfare historie ka berja e kesaj'.

Nuk me duket se ne kete rrafsh 'qyteti' hyn ne mes si per te antagonizuar provincen apo fshatin. Besoj se diskutimi per qytetin eshte me i pergjithshem dhe ka te beje edhe me faktin se, ne mos gabohem para 1-2 vjetesh popullisia urbane ne bote kaloi 50%, dhe tendencat tregojne se njerezit do te vazhdojne te shperngulen per ne qytet. E ne kete kontekst, edhe shume prej diskutimeve akademike, politike, konfliktet sociale do te zhvillohen ne qytet, ashtu sikur edhe arti, letersia dhe filizofia mund te vendosen ne kete terren. Stili urban i jeteses nuk pretendon te diskriminoje ate rural ne asnje nga disiplinat.

Ne lidhje me temen, mbase arsyeja pse letersia shqiptare e sotme nuk eshte vendosur ende ne qytet eshte se qytetet tona jane ende ne formim e siper, teper te ndryshueshme, pa tipare te konsoliduara dalluese qe mund t'i ndaje nga njeri-tjetri e qe mund ti rezistojne kohes... Ky eshte thjesht mendimi im i paelaboruar ende mjaftueshem.

 "per te rene apo mos rene dakort me autorin, isha kurioze nese na sillte njeri vepra qe i ka anashkaluar Habiti dhe qe do t'a ndryshonin argumentin e tij"

 

tropizma, c`hynte Hatibi ketu?

E lexova artikullin dhe m`u duk me interes per mini-antologjine e siperpermendur. Gjithashtu, ka plot argumenta me te cilat ja vlen te merresh, por nga kumtesa nuk arrita te kuptoj tamam c`deshironte autori, meqe edhe shembujt e sjella nga ai per te ilustruar "mesin qytetes" te letersise shqiptare, shume shpejt sikur zhvleresoheshin nga po ai vete.

p.s. - c`do te thote "e nderliqshme?"

miremengjes my dear lost,

interesant zinxhiri i gabimeve frojdiane - SaBri HaMitin une e bera HaBiti, e ti me pas e bere HaTiBi.

edhe mua m'u duk i nxituar HaMiti, por mendoj se ky duhet te kete shkruar nje sere artikujsh qe i trajtojne individualisht apo ne grupe me te vogla autoret, dhe tek ky artikull permbledh perfundimet. ekziston edhe mundesia qe ne konference te jene trajtuar shume nga veprat individuale, dhe hamiti ben nje permbledhje te ketyre. megjithese ndaj pershtypjet e mahitit, do te me duhej te merresha me tekstet ne fjale per te mund te thene me shume (i wish i was taking a lit class).

gogla me sugjeroi qe e nderliqshme = e nderlikuar.

ah, dhe po humbet ca takime Historike smiley ne tirane ne keto kohe te nderliBshme.

betohem qe edhe pas sqarimit tend, prape Hatibi e lexova heren e parafundit smiley

nderliqshme, s`po me pelqeka fare. e lakadredhme me mire.

(to lose is losttextly) - s`ke c`i do hix ato lit klasat.

nderflasim, riccheza smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).