Lajmet Skiç: Policia Bashkiake shpërndan protestën e Opozitës

BUXHETI 2010: 87 MILJARDE LEKE HALLVE
TIRANË — Kontrolli i lartë i shtetit njoftoi ditën e premte se specialistë të këtij institucioni ndihen të shqetësuar nga shuma e madhe e akorduar për hallvë në projektbuxhetin e viti 2010. "87 miljardë lekë të reja hallvë na duket një shpenzim i ekzagjeruar." - thotë drejtori i këtij institucioni Andi Kaçkavalli. Por hartuesit e projektbuxhetit sqarojnë se shuma prej 87 miljardë lekësh do të ndahet midis llokumeve, tiramisusë, treleçes, bakllavasë dhe hallvës që administrata do të konsumojë këtë vit. "Vetëm në një iftar shteti shqiptar kosumon mbi 40 miljonë lekë hallvë," saktëson Kristaq Pordhopopulli, kështilltar në ministrinë e kulturës. Kaq është dashur që PS të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të kryesuar nga Deputeti Gramoz Ruçi, që njihet si burrë që nuk e ha hallvën."

POLICIA BASHKIAKE SHPERNDAN PROTESTEN E OPOZITES
TIRANË -- Ndërhyrja e policisë bashkiake i ka dhënë fund pasditen e djeshme protestës treditore të opozitës përpara godinës së Kryeministrisë. Të paralajmëruar disa herë për nivelin e lartë të zhurmës, protestuesit nuk u janë bindur sugjerimeve të bashkiakëve për të ulur volumin e muzikës, çka ka detyruar oficerët e Policisë së Bashkisë Tiranë të mbyllin protestën dhe të shpërndajnë mbështetësit e Partisë Socialiste të mbledhur në shesh. Mësohet se ka patur konfrontime fizike ndërmjet deputetëve socialistë dhe policisë bashkiake. "Kjo është fytyra e shtetit të dhunës që po instalon Sali Berisha", - thotë për kamerat e Vizion Plus deputeti Erion Braçe. Deputetja e Elbasanit Shegushe Ligori e ka ka quajtur ndërhyrjen e bashkisë së Tiranës për të shpërndarë protestën, "një shenjë tiranisë që ka zaptuar vendin."

RINGJALLET ENVER HOXHA
Në një konferencë të paprecedentë për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike znjusha Erla Mëhilli deklaroi se Partia Demokratike do të hyjë në bisedime për zgjidhjen e krizës me diktatorin Enver Hoxha. Shkencëtarë nga lindja e mesme, të kontraktuar nga partia Socialiste kanë kryer eksperimente të suksesshme për rikthimin në jetë të diktatorit Hoxha. "Partia Demokratike mendon se ringjallja e Shokut Enver në këtë moment kritik i shërben integrimit të vendit. Ne deklarojmë se mbetemi besnikë të unitetit të çeliktë që eksziston ndërmjet të gjtihë atyre forcave që synojnë forcimin e Atdheut. Shprehim bindjen se në këtë situatë të re, përballë sfidave, politika shqiptare do të gjejë gjuhën e djalogut që vendi të përparojë nga fitorja në fitore."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).