Kronikë e një triumfi të paralajmëruar

Sezoni operistik 2009-10 i Operas së Parisit ka si protagoniste në tre vepra divën shqiptare, Inva Mula. Ajo hapi këtë sezon me një rol sa të vështirë aq edhe të pazakontë për skenën pariziane, “Mireille” të Charles Gounod, në Opera Garnier (opera e vjetër e Parisit). Pavarësisht interpretimit dhe zërit të saj të mrekullueshëm, pjesa nuk arriti suksesin e merituar për shkak edhe të snobizmit të publikut parizien që nuk mund t’i falte drejtorit të Operas, Nicolas Joël, njëkohsisht regjizor i “Mireille”, këtë zgjedhje të guximtë. Një pjesë mistrece e këtij publiku nuk ngurroi në premierë, ta fërshëllente Joël-in, pasi kishte duartrokitur interpretuesit dhe dirigjentin, vetëm se ai guxoi të hapte sezonin me një “histori provinciale”. Megjithatë, shumica dërrmuese e artdashësve dhe kritikve vlerësuan jashtë mase performancën e Invës. Për çdo shqiptar, që ndodhej para ekranit të France 3 kur u transmetua premiera, ishte tepër rrënqethëse të shihte vlersimet deri edhe të Ministrit francez të Kulturës, apo tentativën për ta quajtur Invën përfaqësuese të lirizmit francez. Tentativë kjo e “zakontë” në Francë sa herë një i huaj fiton famë botërore.

Po kjo nuk do të ishte asgjë përpara triumfit që Inva po korr aktualisht në Opera Bastille (opera moderne e Parisit) me interpretimin magjistral të Mimit në “La Bohème” të Puccini-t. Rol, të cilin Inva e ka interpretuar me sukses në skenat më të mëdha të botës. Pata fatin e madh të asistoj në shfaqjen e tretë dhe të mallëngjehem dy herë. Një herë nga interpretimi i saj, sidomos në aktin e tretë që është teper prekës, dhe një herë në fund kur i tërë publiku (2700 vet&eumlsmiley u ngrit në këmbë për të duartrokitur për minuta të tëra Invën.
Megjithëse interpretonte përkrah një emri tepër të njohur e të dashur për publikun parizien, Natalie Dessay (që i kthehej rolit të saj të parë pucinian, Musette-s), Inva shkëlqeu aq shumë sa që elozhet qenë kryesisht për të. Jo vetëm duartrokitjet në sallë por edhe titujt e kritikave ishin për të ; “Inva Mula triomphe dans La Bohème” (“Inva Mula triumfon me La Bohème&rdquosmiley
Kur e njeh personalisht Invën, dhe ke parasysh thjeshtësinë dhe mirësinë e saj, e kupton se pse të duket aq e natyrshme e prekse në interpretimin e një roli të tillë. Impresionuese për këdo ngelet bukuria e zërit dhe aftësia e saj për të ndjekur dhe unifikuar interpretimin me ngadalësimet dhe zgjatjet e qëllimshme që dirigjenti, Daniel Oren, i bën muzikës për të theksuar akoma më shumë forcën emocionuese të kësaj opere.

Unë, si të gjithë spektatorët e tjerë në sallë, patëm fatin të asistojmë në një mbrëmje disi speciale për Invën. Pa diskutim që si profesioniste ajo jep gjithmonë maksimumin në skenë, por siç do ta thoshte dhe ajo vetë, prezenca në sallë e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bamir Topi, me Zonjën e Parë, Teuta, si dhe e disa nga njerzve më të dashur për Invën, i dhanë asaj një motivim akoma më të madh. Se pavarësisht famës së saj, Inva ka ruajtur si rrallëkush lidhjet e saj me vendin dhe miqtë e saj të vjetër.

Pas një mbrëmje të tillë, ndihesh i tej mbushur me emocione, ku kënaqësia  artistike “grindet” për vendin e parë me krenarinë që ne kemi një Divë të tillë që na nderon kudo. Por “fatkeqësisht”, llogjika na shtyn të pranojmë atë që thotë një mik i saj i dashur : “Inva është tepër e Madhe, për të qenë vetëm e jona.”
 

9 Komente

U pa puna do e ndajme dhe Inven pjese-pjese. Nuk po del qe nuk po del nje I MADH shqiptar 24-karatsh. Po tani, kush eshte me i MADH nga keta VIP qe te dime si ti rendisim kur te vij puna te tregojme se sa te medhenj jemi. Sa e madhe eshte kjo psh ne france po ta krahasosh me mmmmmmmmmm Ismail Kadarene?

Lis,

se pari, te kam shuuuuuuuumeeeeee zili qe ke qene ne salle dhe ke pare e ndjere "dal vivo" emocionet e nje zeri te mrekullueshem!

Se dyti, me vjen shume keq qe ne ne TR duhet te bejme sikur kenaqemi me kengetaret lirike qe nga nuk vijne e interpretojne ne TOB, kur kemi artistet tane qe vlejne shume e shume me teper se ca te huaj te tjere.

Se treti, nisur nga pervoja ime e mbremshme me "Salomene", qe ishte gjermanisht, me ngrihen nervat, qe ata qe merren me perkthimet e libreteve, mire qe nuk perkthejne tekstin e plote, por edhe permbledhjen e akteve e bejne per faqe te zeze, ne vend te Gjon Pagezorit, shkruanin Johan Pagezori dhe ne rastin me te keq Jokanan...

Se katerti, u plevitosem e na hyri tartakuti ne palce... Kjo quhet te besh "sakrifice" per qejf, ose qejfi te ben te hash kumbulla te tharta...

Se pesti... nuk po e vazhdoj me se po shkoj te ul nervat.

Opera duke ngrire se ftohti ?

Yes, i tried that in TOB with Norma last year smiley

E parekomandueshme per njerez qe vuajne nga laringu, bajamet apo qe thjesht ftohen kollaj. Ose merrni ndonje jastek ngrohes me bateri ta vini poshte prapanices smiley

 

opo, Norma ia vlente, se kur te kendonte Eva Golemi "Casta Diva"-n s'ta ndjente hic per te ftohtin, se te behej mishi puckuriza-puckuriza nga zeri i saj, por ajo e mbremshmja s'ishte gjekundi.... Vetem Gjon Pagezori ishte shume i mire, e mbante skenen, edhe pa u duk fare ne skene.

une te ftohtin ne tob do ta kuptoja vetem si tentative per te theksuar nxehtesine e pjeses, e cila, e bukura salome, mbreme i kishte lene xixat brenda ne partiture, e partituren ne vjene, e nuk ngrohte as sa shkrepsja e andersenit.

ne fakt lizander shkrimin tend e mendova edhe une gjate shfaqjes se djeshme, dhe mu kujtua bohema e tobit qe kam pare perpara nja 6 vjetesh. ne ate rast mund te them qe ngrohja e ambjentit duhet te ishte bere per te krijuar te njejtin kontrast, per te theksuar ngricen e dores se vogel, o mimi.

(duartrokitje per interpretuesin e gjon pagezorit, i cili me kujtoi gjithashtu inven me interpretimin si vokal si skenik, e te cilit s'ia morem dot vesh as emrin smiley )

O Turing, eshte thene ne sencin artistik ajo e fundit, jo ne sencin e kombesise (ate s'ja heq dot njeri Inves)

S'kemi ç'i bejme, duhet ta pranojme qe jemi shume te vegjel (per nga kushtet siç i pershkruan shume mire Ana) per ta pasur Inven vetem per vete. Xhanem nuk ka asnje artist te madh qe t'i perkasi vetem nje publiku.

Sa per kuriozitet, me i papami eshte Antoni, çuni i Inves. Kur e nigjo tu fol shqip, jo vetem nuk meno se ka lind jashte Shqiperie, po ke bindjen se ka jetu tere jeten ne Tirone. Jo vetem qe flet me zhargon, po flet edhe krejt natyrshem. Gje shume e rrale te femiejt e lindur jashte apo te ikur te vegjel qe u vjen me natyrshem te flasin gjuhen e vendit ku jetojne. 2 ore e gjys ne tavoline nuk i ka dale nje llaf frengjisht. BRAVO!

iii guce mfal qe t'kam qujt lizander, e kisha nga serioziteti i muhabetit smiley

paska qene gjith peshku n'opera, jalla jalla smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).