Kriza e subjektit

Vështirë t’i bishtnosh kolonave për librat e rinj. Të bëjnë përshtypje lëvdatat e kritikëve për ndonjë roman që ka dalë në treg. Eshtë e zorshme të mos  i lexosh të tilla shënime në rubrikat e kulturës në gazetat tona.  Kështu, ditët e fundit, një kritik i njohur, që jeton dhe në Londër, një metropol edhe i letërsisë, kishte radhitur disa paragrafë për një prodhim të ri që gjendet medoemos në libraritë e Tiranës. Autore, një shkrimtare e re dhe premtuese.

Gjithaq, sapo mbaron së lexuari me ngazëllim kur mëson për një ngjarje të re në lëmin e letrave, sa vjen e të zë më shumë vend ideja se shkrimtarët tanë në përgjithësi vuajnë nga kriza e subjektit. Edhe botimet më të fundit janë të lidhura me diktaturën. Po ashtu, edhe shumë prej prodhimeve kinematografike. Ngjan se muza e krijuesve tanë është e zënë peng në kohë dhe ka lëshuar rrënjë më së shumti vetëm në vitet ‘45-‘90. Eshtë sigurisht një nga periudhat më dramatike të kombit, segmenti historik i deformimit të madh. I personazheve të tmerrshëm, i xhelatëve dhe viktimave. Periudhë e izolimit të pamëshirshëm. Zhvillim i pandalshëm i antishpirtërores dhe dërrmim i ndërgjegjes. Për këtë janë dashur shumë libra, romane, dëshmi, dhe veçanërisht të rëndësishme kanë qenë ditaret dhe korrespondencat. Pas lirisë, ky moment ka merituar shumë art. 

Mirëpo, mbi këtë  materie të zezë është hedhur gjithë drita e nevojshme dhe e merituar njëkohësisht. Vështirë se kemi sot të vërteta të pazbuluara rreth diktaturës, jo në kuptimin e kronikës së ngjarjeve, por në dinamikën e brendshme, të mënyrës së jetesës, të karakterit dhe sjelljes së njeriut, të së gjithë alkimisë së kombit. Paçka se një periudhë e rëndë dhe tragjike, në kuptimin artistik, ajo është tashmë e gjitha një klishe e madhe dhe lineare.

Personazhet janë të njëjtë, të strukturuar, krejtësisht katrorë. Eshtë për t’u habitur se si shkrimtarët shqiptarë ende e gjejnë subjektin dhe frymëzimin ekskluzivisht në këto vise. Aq sa të vjen të dyshosh se mund të ketë një lloj adhurimi pervers në ndonjë shtresë së koshiencës së tyre. Nuk duket të ketë më ndonjë gjë për të zbardhur në labirintet e diktaturës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që vetë Ismail Kadare, thotë se me romanin e fundit, “e penguara”, I ka dhënë fund trajtimit të temave të kësaj të kaluare. 

Nga ana tjetër, vitet që pasuan këtë të shkuar jo të largët, janë në mënyrë të njëmendët, të vrullshëm, me shumë dinamikë, me drama të forta dhe me një galeri shumë më të pasur personazhesh e kronikash. Jetë me shumë ngjyra e kontraste, me pluralitet të fortë karakteresh dhe kulturash. Kjo përzierje, është në mos interesante sa periudha e mëparshme, të paktën njësoj frymëzuese, dhe padyshim me më shumë interes për lexuesin.

Kalimet në kohë janë të pazakonta. Nga izolimi I ashpër në mbipraninë e nderkombëtarëve. Nga mungesa e informacionit në një rrëmujë dhe larmi shpesh pirate. Nga xhelatë e viktima në llaryshi njerëzish. Mashtrues pa skrupuj, politikanë që nuk kursejnë asgjë për fronin, borgjezë e pabuksa, kriminelë e viktima, ish-sigurimsa sot servilë shumë, krejt pak dinjitozë, shërbëtorë e oligarkë, nëpunës e shefa të mëdhenj, karrieristë që rrallë shkojnë larg me meritë. Ka gjithashtu fenomene të mprehta shoqërore, si emigracioni, prostitucioni, droga, etj.

Edhe pse kemi këtë minierë të diamantë, sërish shkrimtarët dhe regjisorët tanë në përgjithësi ende gërmojnë në tunelet e kromit të kohës komuniste. Kulmet historike gjithashtu nuk mungojnë. Mund të quhen të këtillë vitet e përmbysjes së monizmit dhe ardhjes së demokracisë, stinët e acarta të vitit ‘97 gjithashtu. Megjithatë,  letërsia dhe filmi prore na vijnë me parfumin e diktaturës.

Padyshim që këtu nuk kemi të bëjmë me një zbulim kopernikan. Këto tema janë trajtuar, por kryesisht me publicistikë dhe zhanret e saj. Eseja është vula mbi këto ditë. Arti po mënon të shkojë me rrjedhën e kohës, që duket sikur ka ndalur aty, tek sigurimi I shtetit.
 

14 Komente

Vështirë se kemi sot të vërteta të pazbuluara rreth diktaturës, jo në kuptimin e kronikës së ngjarjeve, por në dinamikën e brendshme, të mënyrës së jetesës, të karakterit dhe sjelljes së njeriut, të së gjithë alkimisë së kombit. Paçka se një periudhë e rëndë dhe tragjike, në kuptimin artistik, ajo është tashmë e gjitha një klishe e madhe dhe lineare.

Kjo nuk eshte e vertete! Ky eshte moskuptimi me flagrant qe me habit ne menyre te vecante sa here e ndesh.

Meqe jemi ketu, enderroj te shoh nje krijim dinjitoz (nivel romani epope do ishte great) qe te pershkruaje me art te madh jeten e nje qelize jo dramatike (jo Spac, jo Burrel, jo klon kufiri, jo zvarritje trupash) sic eshte familja shqiptare qe nuk ka bere asnje "shkelje ligjore" ne komunizem, qe zbaton rregullat etj etj per te dhene nje grafi te plote te kohes, per te kuptuar PAMUNDESINE qe ishte ne themel te sistemit. Per mua socializmi i zbatuar te ne ka qene para se gjithash nje nyje mohuese e madhe, nje "S' " vigane, por e kursyer edhe ajo, nje "nuk" pacak dhe total njekohesisht.

Jam deri diku dakord me krizen e mungeses se subjektit qe permend autori.  Megjithate mendoj se ka disa arsye pse nje numer kaq i madh njerezish te letersise percjellin komunizmin ne veprat e tyre:

1. Nevoja per te ri-vizituar te shkuaren dhe per t'i dhene asaj nje kuptim tjeter, per ta riklasifikuar ne mendje.

2. Lehtesia e ndertimit te kontekstit komunist neper romane, koherenca e gjithe elementeve socialo-ekonomike perkundrejt sfidave dhe zbrazetise se vlerave e normave qe paraqet tranzicioni. Psh. kur flet per nje familje ne komunizem konstelacioni familje eshte shume i qarte: arsimi, mundesite e punesimit, opinioni, te gjithe aspektet jane ne nje linje, ate te NUK-ut te madh qe pershkruan Emo. Nderkohe sot mendoj qe do ishte mjaft e veshtire per nje autor te ndertoje nje mini-bote apo nje sub-kulture koherente brenda shoqerise shqiptare si pasoje e games se madhe te problemeve, sfidave, mungeses se rregullit...

3. Autori permend qe sot ekzistojne mjaft problematika sociale qe mund te behen subjekt romanesh si emigracioni, droga, prostituimi. Ama, keto tema qe paraqesin me teper konflikte sociale, mund te jene shume interesante si subjekt studimesh kerkimore, artikujsh e teza masteri, apo tek e fundit tema filmash per festivalin e Berlinit, por per te bere letersi rreth tyre  eshte e veshtire. Kjo edhe sepse rrezikon te perfundoje ne nje qarje kolektive  dhe viktimizim.

Thene shkurt, mendoj qe mbase shkrimtareve u duhen ta pertypin e tretim me shume komunizmin ne veprat e tyre dhe fakti qe e bejne tregon se ende nuk jane ngopur dhe kane gjera per te thene...  pastaj bejne apo jo letersi te mire eshte tjeter diskutim.

Une do shtoja edhe arsyen qe berja mode e ketyre temave mund te jete e lidhur edhe me faktin se kjo eshte e vetmja teme me te cilen nje shkrimtar shqiptar qe nuk quhet Ismail Kadare, mund te terheqe vemendjen e botuesit te huaj. Suksesi (relativ) i disa shkrimtareve shqiptare jashte me te tilla tema eshte karem edhe per te tjeret. Shqiperia eshte akoma ekzotike per boten dhe komunizmi shqiptar e ben akoma me ekzotike. (Interesante, se fundi po lexoja qe nje fenomen i tille verehet edhe ne Spanje; tek brezat e rinj te shkrimtareve mbizoteron tematika e diktatures se Frankos; gje qe ka cuar edhe ne nje mosinteresim te shtepive botuese jashte Spanjes per ta perkthyer; gje qe ka cuar dhe ne nje mosinteresim te lexuesit jo spanjoll per te lexuar edhe ato qe perkthehen.)

 

Jam dakort edhe une, pjeserisht, me argumentin e autorit. Por mua, me duket, se problemi me i madh nuk eshte kriza e subjektit sesa mungesa e vertetesise ne letersine shqipe. Perpjekja per te shkruar letersi per letersi. Arsye perse letersia shqipe te tingellon sterile, dydimensionale, me personazhe qe nuk te depertojne. Te merzitshme dhe monotone edhe kur perpiqen te jene groteske.

 

mirmengjes heteroglossia smiley, jam shume dakort me kete;

"Ama, keto tema qe paraqesin me teper konflikte sociale mund te jene mjaft interesante si subjekte studimesh kerkimore, artikujsh e teza masteri, apo tek e fundit subjekte filmash per festivalin e Berlinit, por per te bere letersi rreth tyre paraqesin mjaft veshtiresi..."

puna eshte se mua, nuk eshte se me kane ardhur ne maje te hundes temat me komunizem,  por fakti se ato kane nje stereotip  te vetem personazhi kryesor

smiley Miremengjes Flo!

Jam dakord me ty, menyra si vine personazhet nga komunizmi eshte po aq e thate sa vete komunizmi! Une do doja te shihja personazhe me shpirt, te rinj te thjeshte me konfliktet e tyre te brendshme, enderrat e tyre per te ardhmen, justifikimin shoqeror mbi ndalimin e seksit para marteses, bursen e paracaktuar per fizike apo gjeologji....

po te shikosh neper filmat e asokohe, kane qene disa personazhe te ashtuquajtur "negative" si psh "pepini" tek dueli i heshtur apo mirush kabashi tek "dora e ngrohte" "bisht qeni qe bisht qeni do mbetesh", personazhe shume interesante zbavites e te vertete, kjo sepse autoret vetem tek te tille personazhe kane patur liri ne ndertimin e karakterit,

por krejt e kunderta ndodh tani, qe autoret jane vertete te lire, tani mua me duken si te mberthyer me pranga

Post traumatic stress disorder smiley Te gjoret! e kishin pergatitur veten per te kaluar gjithe jeten nen ate regjim, jo te gjithe mund te adaptohen me ndryshime kaq te medha!  

Cfare shkrimi i ceket!

Se pari, asnje pergjithesim ne kete shkrim nuk evidentohet me shembuj konkrete. Se dyti, sentencat e tipit 'trancizioni ndjell me teper interes se diktatura' jane ne rastin me te mire nje renditje rastesore e fjaleve per te formuar fjaline. Se treti, dhe ajo qe me irriton me shume sepse e projektoj me gjere ne brockullnajen shqiptare, i vetequajturi qendrim 'kritik' me fjale si 'subjekti' dhe 'kriza', apo 'autori' dhe 'diskursi', apo 'ontologjia' dhe 'epistemologjia', po perdoret kaq shpesh por kaq dobet nga kaq shume gishterinj hemorragjike, sa nuk po lene hapesire per mendimin mirefillte kritik shqiptar.

Kush ua jep ketyre te drejten te flasin nga poltrona per letersine shqiptare? Nje shetitje ne panair? Dhe perse botohen keto percartje?

heteroglossia diten e mire smileypo iki une, meqe te pershndeta ne mengjes smiley

 Me duket(pasi se konfirmoj dot) se autori  ndonese lehtesisht trajton lenden perberese te letersise tone bashkohore qe lidhet me vitet 45-90, nuk ka si qellim paresor analizen e kesaj pjese te letersise. Por, e perdor dominim e saj ne treg si nje tregues te punes se varfer (ne volum gjithsesi) qe behet sot mbi trajtimin e te tashmes. 

Pra, Trop, nese sdo ta quaje analize quaje verejtje. Pshemell, themi u zbardh sepse "doli" dielli dhe ne pergjithsi elementi "drite" hyri ne boten tone, pa bere nje analize mbi efektin qe kendi i rrezatimit diellor ka ne aftesine tone deshifruese.

chene, me shkurt, une do te kisha dashur subjektet e 15-20 romaneve dhe librave me poezi te prodhuara se fundmi ne shqiperi apo nga shqiptare ne menyre qe minimalisht te kishim nje mbeshtetje faktike mbi kete lloj pretendimi, qe s'paskesh subjekt. meqenese pretendimi ishte i autorit te artikllit, barra e proves i bie atij. une mund te kem opinion te ndryshem, por nuk kam kohe dhe s'e kam as projekt t'i mbush mendjen edit qe e ka gabim (mire do te ishte si projekt, po te kerkoja nje te tille).

Trop, eshte teze e vjeter kjo e mungeses se subjektit. Me perpara quhej ose u quajt letersi mesatare dhe ka nxit goxha debat ne shtypin letrar te kohes ; Gazeta Drita. Aso kohe mund te thuhej qe ishin te tjera qellimet nga te sotmet, por ne thelb behej fjale per artin revolucionar.

Me duket sikur e rilexoj ate analize te shekullit te kaluar, sikunder gjej optimum pohimin e Qoses per letersine shqiptare. Jane pohime te pavarura por qe bashkohen diku. Ndryshimi sipas meje qendron ne faktin qe tani nuk gjykohet me letersia por emrat qe e bejne. Ceshtje biznesi apo pune piedestali kete nuk e ndaj dot.

 "....Vështirë se kemi sot të vërteta të pazbuluara rreth diktaturës, jo në kuptimin e kronikës së ngjarjeve, por në dinamikën e brendshme, të mënyrës së jetesës, të karakterit dhe sjelljes së njeriut, të së gjithë alkimisë së kombit. Paçka se një periudhë e rëndë dhe tragjike, në kuptimin artistik, ajo është tashmë e gjitha një klishe e madhe dhe lineare..."

Ketu nuk jam dakort me autorin. Piksepari, ka akoma te verteta rreth diktatures, te mirat dhe te keqia. Se dyti, ne kuptimin artistik ka mangesira te karaktereve, jo te gjitha llojet e karaktereve kan dale. 

 

"....Personazhet janë të njëjtë, të strukturuar, krejtësisht katrorë. Eshtë për t’u habitur se si shkrimtarët shqiptarë ende e gjejnë subjektin dhe frymëzimin ekskluzivisht në këto vise. Aq sa të vjen të dyshosh se mund të ketë një lloj adhurimi pervers në ndonjë shtresë së koshiencës së tyre..." 

Ndoshta autori e ka fjalen per nje liber ku flitej per ca pede, qe shke....  midis tyre neper galeri, liber qe dhe mua mu duk si i porositur, jo dhe aq i vertete.  

 

"....Nuk duket të ketë më ndonjë gjë për të zbardhur në labirintet e diktaturës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që vetë Ismail Kadare, thotë se me romanin e fundit, “e penguara”, I ka dhënë fund trajtimit të temave të kësaj të kaluare..." 

Duket qe autorin e shqetesojne librat kundra diktatures. 

 

"....Edhe pse kemi këtë minierë të diamantë, (autori a ka fjalen per kohen e tranziscionit-shenimi i im) sërish shkrimtarët dhe regjisorët tanë në përgjithësi ende gërmojnë në tunelet e kromit të kohës komuniste..." 

Gje qe tregon se ka akoma tema apo histori per tu treguar. Kete gje, siduket autori nuk do ta pranoje. Eshte e vertete se temat e tranziscionit qe autori propozon, jane vertet interesante, mirpo dhe ne kete kohe karakteret njerzore mbeten po ato, veçse ndryshon tema. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).