Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha

www.km.gov.al
29/11/2009

Pyetje: Fjalimi juaj në parlament,  në seancën e të ditës së enjte, ka shkaktuar reagime zinxhir nga opozita. A keni ndonjë koment lidhur me këtë?

Kryeministri Berisha: Unë shpreh vetëm keqardhje, sepse unë jam ndalur dhe, në mënyrë absolute, pa asnjë refleks sentimental personal, në disa akte madhore të turpshme, primitive, të pa pranueshme për çdo njeri të qytetëruar, shqiptar ose jo shqiptar, të realizuara nga kryetari i opozitës. Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare. Absolutisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë qëllim tjetër. Por zëri im, absolutisht nuk do të mund të heshtte para akteve të tilla. Në rast se një qytetar i thjeshtë do të kryente këto akte, çfarë do të thoshin këta zotërinjtë që bëjnë gjethen e fikut? Por, kur këto i kryen një personalitet publik, të derdhësh lot krokodili se nuk është shëmtia e akteve që duhet dënuar, por denoncimi i tyre, atëherë zoti të mëshiroftë shpirtin dhe normat që ke. Ne jemi shqiptar, për atë që i thotë nënës nënë, motrës motër, bashkëshortes bashkëshorte, vajzës vajzë, ato janë gjërat më të pa pranueshme. Njeriu i qytetëruar ka  filluar dallimin e tij themelor nga njeriu primitive, në radhë të parë me veshjen, fillimisht ka mbuluar pjesët e turpit dhe me vonë ka kompletuar veshjen dhe ka përcaktuar rregulla. Pra, këtu bëhet fjalë për një akt nga më makabrit, i dënueshëm në çdo vend të lirë të botës, edhe me ligje. Ka plazhe të caktuara, për arsye të caktuara, ku mund të shkosh, por jo në plazhet publike. Privatizmi është në dhomën e gjumit, në shtëpi, por ata që pretendojnë për privatizëm në plazhet publike, ata tallen me veten e tyre, sepse qytetarët e dinë këtë.

Në këtë kontekst, unë kam bërë detyrën time. Kam mbrojtur, në 10-ditëshin e luftës kundër dhunës në familje, nënën, motrën, bashkëshorten, gruan, vajzën shqiptare dhe do të vazhdoj ta mbroj, nuk ka rrugë tjetër. Ata të cilët ndajnë të njëjtin moral me zotin Rama dhe protestojnë, atyre u kërkoj të falur. Të tjerët që e bëjnë me hipokrizi, zoti i ndihmoftë, sepse hipokrizia nuk mund të shkojë deri në atë shkallë, sepse edhe ti ke motër, je bashkëshorte,  je grua, je baba, ke vajzë. Ndaj nuk mund të ndodhë kurrë. Nuk ka pozicion më fatkeq për një femër sesa prostitucioni, por edhe kjo nuk ndodh kështu. Është skllavëri e vërtetë, është gjëja më e dhimbshme, por prapë se prapë nuk ndodh në plazhe publike, siç ka vepruar kryetari i bashkisë dhe kryetari i Partisë Socialiste. Absolutisht nuk ka socialist shqiptar që e pranon këtë standard. Njeriu primitiv nga njeriu i qytetëruar, ka filluar të ndahet nëpërmjet veshjes, në fillim përmes mbulimit të pjesëve të turpit.

Pyetje: Pavarësisht se faktori ndërkombëtar i apelon opozitës për të ndaluar bojkotin, nga zoti Rama nuk ka asnjë lloj reagimi. A keni ndonjë koment lidhur me këtë?

Kryeministri Berisha: Ne mbetemi të hapur. Opozitës i kemi bërë ofertën tonë që është e sinqertë, është shumë e ndershme. Por kam bindjen më të madhe se teza ”nuk na duhen ndërkombëtarët sepse do të qeverisim vet”, është quint esenca e botëkuptimit, qëndrimit, mendimit të mafies, të klanit mafioz  që zoti Rama drejton. Zotëri; të thuash sot se “nuk më duhen ndërkombëtarët”, në një kohë kur nëse nuk do votonin 27 qeveri ndërkombëtare, ty nuk të pranohej ftesa për anëtarësim në BE, ndërkohë që anëtarësimi në BE është projekti ëndërr i 94 për qind të shqiptarëve, në qoftë se ti nuk i do ndërkombëtarët, shqiptarët  i duan dhe mezi presin heqjen e vizave, e cila është tërësisht në duart e ndërkombëtarëve. Dje vizitova disa familje. Njëra prej tyre po më shpjegonte se çfarë tmerri ishte vdekja e një familjari, për djalin e tij në emigrim, që nuk erdhi dot për shkak të vizës. Është e vërtetë që çdo fatkeqësi, kur ti nuk ke mundësi të gjendesh në familjen tënde, të rëndon dy – tre herë më shumë. Por marrim edhe një aspekt tjetër. Unë jam Kryeministër dhe më vijnë kërkesa nga familjarë të sëmurë, të cilëve fëmijët e tyre janë të gatshëm t’ua përballojnë të gjitha shpenzimet, por këta nuk shkojnë dot për shkak të një vize jashtë shtetit. Unë u takova me Kryeministrin grek Papandreu, ku në Greqi janë rreth 1 milionë shqiptarë, të cilët mezi presin të lëvizin të lirë, pa viza, nuk do të kenë më asnjë lloj problemi, as leje qëndrimi kaq apo aq kohe, nuk do të detyrohen më të trokasin në zyra për të marrë lejen e qëndrimit, sepse duhet të kthehen brenda një date të caktuar në Greqi, Itali, apo diku tjetër.

Thënia “nuk na duhen ndërkombëtarët”, ndodh sepse mafia ka vetëm interesa kriminale. Cilat janë këto interesa? Janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurrencës, etj. Mirëpo këto gjëra kanë marrë fund. Ne kemi shpallur si përparësi absolute; “darët e ligjit” për dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat e mafies. Dhe unë sërish u them atyre që i trishtoi kjo fjalë, në rast se nuk ndiheni mafioz, mos protestoni ndaj kësaj, sepse në këtë shprehje është fjala ligj pas. Unë them “darët e ligjit”. Kam thënë “gërshërët e ligjit” për zyrtarët që fusin duart në xhepat e qytetarëve dhe e kam faktuar këtë. Po them tashmë “darët e ligjit”për bosët e mafies dhe anëtarët e klanit mafioz.

Sigurisht, ju duhet ta dini se në Tiranë është e vendosur mafia më e rrezikshme në Ballkan dhe në Europë. Ne bëmë betejë me Aldo Baret, bëmë betejë me Lul Berishët e të tjerë, por kam pasur një vështirësi shumë të madhe që ka qenë mafia e Tiranës. Dhe dua të rrëfej këtu dhe t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve se, në rast se unë jam detyruar tani t’i përparësoj gjërat, kjo jo se unë kam pasur lëkundje të vullnetit tim për të luftuar mafien, kurrën e kurrës. Por kam pasur një qëllim madhor, qëllimin e parë të karrierës sime politike, pas rikthimit në vitin 2005 në pushtet. Sigurisht, e kam konsideruar gjënë më të madhe anëtarësimin e vendit në NATO, gjënë më të madhe liberalizimin e vizave, e me radhë. Por mbi të gjitha, kam konsideruar detyrën time më madhore zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Për të bërë këto më duhej me çdo kusht që Edi Rama të hynte në zgjedhje. Edi Rama nuk donte kurrë të hynte në zgjedhje. Ju jeni dëshmitarë se çfarë bëri në vitin 2007. Mirëpo mua ma kishte “thyer njëherë vazon”, duke mu larguar nga zgjedhjet 2 orë para, në vitin ’96. Nuk ishte çështja personale, por ishte çështja  e vendit, çështja e juaj, çështja e çdo qytetari shqiptar. Ndaj unë, e dija se ky zotëri, çdo qëndrim timin do ta përdorte për të mos u futur në zgjedhje. Ju mund të më thoni se punë e madhe po nuk futej ai në zgjedhje. Përse ti paske toleruar këtë mafie? Jo, ishte gjëmë e madhe nëse ai nuk futej në zgjedhje.  Atëherë çfarë bëra unë? Unë zgjodha sovranin. Mendova me veten time që kjo është një betejë. Në kushtet dhe rrethanat kur ai u bë kryetar i PS-së, së, nëse do merresha me mafien që e rrethonte dhe që do t’i binte edhe atij direkt, ai do të bënte çdo gjë tjetër, por nuk do të hynte në zgjedhje. Absolutisht. Ai ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të mos hyrë në zgjedhje. Por edhe unë, kam bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme që ai të hynte në zgjedhje. Unë u jam shumë mirënjohës qeverive të vendeve mike për presionet e jashtëzakonshme që kanë bërë në momente të caktuara. Sepse, për çdo gjë, ai ishte i gatshëm të largohej nga zgjedhjet. Mirëpo, ai më thyente vazon, e cila më ishte thyer njëherë në duar prej tij. Ajo përbënte një goditje shumë të rëndë për demokracinë shqiptare. Nëse ju do të ndiqni procesin e kartave të identitetit, do të vini re se ai çdo javë nxirrte kërkesa të reja, të cilat unë nuk ia plotësoja asnjëherë plotësisht, jo sepse më kushtonin gjë, por sepse nëse do ta bëja këtë, ai do të listonte kërkesa të tjera, të palidhura me zgjedhjet, vetëm për të mos hyrë në zgjedhje. Unë ndiqja gradualitetin, duke ia plotësuar pjesërisht, ashtu siç bëra edhe me kodin, ku i thashë; shkruaje si të duash. Sërish do i them shkruaje.

Por tani unë kam bërë detyrën time, kam bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kam bërë zgjedhje të vlerësuara nga e gjithë bota. Në radhë të parë, këto zgjedhje i kanë bërë qytetarët shqiptarë, por edhe unë si qeveri kam dëshmuar vullnetin tim. Duke thënë gjithë këto, nuk do të thotë se unë nuk jam i ndjeshëm ndaj rolit të opozitës. Jo, jam shumë i ndjeshëm ndaj rolit të opozitës, por opozita është në momentin e saj më fatkeq në histori. Katër aventurierë, të dalë jashtë parlamentit nga sovrani, mbajnë 64 deputetë të votuar jashtë parlamentit. Sigurisht që ne do të marrim vendimet tona. Duhet ta kemi të qartë këtë gjë. Ne do të zbatojmë Kushtetutën. Në qoftë se këta zotërinj marrin përsipër të dhunojnë çdo ditë Kushtetutën, sepse janë pa betim, nuk e kanë bërë këtë, lexoni nenin e Kushtetutës. Është mirë që t’i hetoni gjërat dhe t’ua thoni shqiptarëve. Kushtetutën ne do ta zbatojmë. Ata që duan të bashkohen me këta 4-5, të cilët i ka ndëshkuar sovrani që i nxori me 0.3 për qind apo 0.9 për qind, le të bashkohen. Ka shumë të tjerë që duan të hyjnë në parlament. Duke qenë tërësisht të hapur, duke mos dashur aspak të ndikojmë në përbërjen e grupit parlamentar të ardhshëm të PS-së, ne do të zbatojmë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ky zotëri, për një qeveri, një parlament që e njeh si legjitim gjithë bota, thotë jo. Atëherë ne do të vazhdojmë procesin.        

Pyetje: Kjo do të thotë që do të zëvendësohen emrat ekzistues?

Kryeministri Berisha: Jo nuk do të thotë kështu. Do të thotë që parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojnë Kushtetutën. Unë uroj që të vijnë të gjithë në parlament, por nëse ka ndonjë që do të qëndrojë me liderët sterilë për sa u përket votave, le të qëndrojë me ta. Është zgjidhja e tij, jo e imja. Por Kushtetuta dhe ligji, në mënyrë absolute, do të zbatohen. Ata janë të mirëpritur ashtu siç janë.

Pyetje: Ju thatë se më parë  nuk mund të ndërhynit për të ndaluar lidhjet punisto-mafioze. Çfarë do të ndodhë sot, ka deklarata të forta, por si do të veproni?

Kryeministri Berisha: Jo se nuk mund të ndërhyja si Kryeministër, sepse mund të ndërhyja, por kisha një vetëdije të thellë se, midis përballjes me mafien e egër të kryeqytetit, që e kryeson kryetari i bashkisë  - dhe unë do të sjell faktet më flagrante për këtë, kam premtuar – dhe angazhimit të forcës së tij politike në procesin zgjedhor, e dyta ishte interesi i çdo shqiptari. Zgjidhja ime ishte kjo; të bëj çdo gjë që zotëria të mos arrijë ta thyejë për së dyti vazon, siç e theu Gramoz Ruçi në vitin 1996. A e dini ju që Gramoz Ruçi, pasi bëri bojkotin, është larguar me rroba grash për në Greqi, apo jo? Ai është veshur me fustan grash, prandaj unë thashë atë ditë për të ”ky është një qen i rrahur”, sepse burri që ikën me rroba grash, nuk bëhet më kurrë burrë. Se ai nuk zgjodhi të vishte as fustanellën, por zgjodhi minifund. Është i fotografuar, por është pjesë intime dhe nuk e nxjerrin.

Pra, nuk doja të më ndodhe më ajo situatë. E kapërceva dhe e them me sinqeritet se është një nga arritjet e jetës sime politike dhe, për këtë, u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që më ndihmuan, sepse ndoshta vetëm do ta kisha shumë të vështirë. Unë faktova para gjithë botës karakterin e zgjedhjeve, sepse nuk kisha asnjë qëllim tjetër, veçse zgjedhje të lira, të cilat i bëmë bashkërisht. Kontributi është i qytetarëve shqiptarë, është një përpjekje e jashtëzakonshme. Tani mister kutia thotë: Jo. Por, unë nuk mund të pranoj të marr në shqyrtim vendimin e Gjykatave, sepse, ju jap fjalën e nderit se, ai pas kësaj do të kërkojë lirimin e Aldo Bares. Po. Ju nuk i dini se si i kanë emrat aty brenda. Pas saj, do të kërkojë lirimin e këtij apo atij. Por, në mënyrë absolute, këto janë të vlefshme për të mos u pranuar, për çdo çmim dhe unë kurrë nuk do të pranoj.

Pyetje: Ju thoni se kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i PS-së, drejton mafien  Tiranës...?

Kryeministri Berisha: Mafien më të rrezikshme. Kthehuni pak pas në kohë. Kur kam qenë në opozitë, kam deklaruar se kjo është lavatriçja më e madhe e parave në Ballkan. Të jeni të bindur se e kam bërë me bindjen time më të thellë. Unë e di se secili prej jush mund të më thotë se çfarë bëre ti katër vjet. Por mos harroni një gjë, ndodhën disa procese, se shefi i lavatriçes së parave të pista dhe i mafies së kryeqytetit, u bë kryetari PS-së. Ju ftoj të bëni një investigim, mos hezitoni, sepse është në interesin tuaj dhe të vendit.  Akti i parë në vitin 2006, ka qenë që ai ka  kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo është e dokumentuar. Ai e bëri me qëllimin e vetëm për të më treguar mua se procesi elektoral është mburoja ime dhe, në qoftë se ti mban pikëpamjet që ke pasur, harroje se unë hyj në zgjedhje. Kurse unë kisha zgjedhjet si mekanizmin themelor të një shoqërie të lirë dhe duhej t’u faktoja shqiptarëve se cili ishte Sali Berisha për zgjedhjet, i cili kishte bërë zgjedhje në korrik 2002, i kishte humbur dhe i kishte pranuar, kishte humbur referendumin dhe e kishte pranuar. Në 96-ën ia thyen vazon, sepse u larguan 2 orë para.

Pyetje: Shpesh ju thoni se nuk jeni ju ai që do të zgjidhni kryetarin e opozitës, ndërkohë që ai është i zgjedhur tashmë. Tjetra që ju thoni është se ai është kryetari i mafies që Tiranës, etj. Por, në rast se ftesa juaj është e sinqertë për bashkëpunim me opozitën, me kë do të bashkëpunoni nga PS?

Kryeministri Berisha: Së pari, duhet të dini diçka. Unë kam bërë dhe bëj zero interferencë në një forcë tjetër politike, cilado qoftë ajo. Dhe këtë gjë e kam faktuar. Nuk dua të ndërhyj në forcat e tjera politike, as në PS e në asnjë forcë tjetër politike. Së dyti, aq sa jam i vendosur të bashkëpunoj me opozitën, aq jam i vendosur të luftoj mafien. Zotëri: Vazon që theve në vitin ’96, nuk e thyen dot tani, sepse ai skenar ishte tmerrësisht i diskretituar, tani Shqipëria ishte në kushte të tjera. Sali Berisha, në dritën e diellit, i dha Edi Ramës  carta bianca-n për të gjithë reformën zgjedhore. Nuk është se unë nuk kisha ekspertizën dhe forcat për ta bërë, por e dija se ai do të largohej.

Zgjedhjet u bënë dhe morën një certifikim si kurrë më parë. 20 mijë komisionerë të PS-së, 510 vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, qeveritë e të gjitha vendeve të lira, me mesazhet e mbështetjes së fuqishme për Kryeministrin e vendit, Parlamenti Europian, me rezolutën e tij, në mbështetje të kësaj qeverie dhe të këtij vendi për procesin e heqjes së vizave, 27 ministra të jashtëm të vendeve anëtare që pranuan, morën vendimin më historik në historinë e marrëdhënieve midis vendeve. Deri më sot ju keni dëgjuar me qindra herë t’i kërkohet opozitës të marrë vendet në parlament. Europa dhe bota e kanë të qartë që atë po e mbajnë peng interesa mafioze. Zotëri, nuk ke dëgjuar dhe nuk mund të dëgjosh kurrë një njeri që të thotë; shkel mbi vendimet e Gjykatave dhe nëpërmjet komisioneve parlamentare heto vendimet e gjykatave. Jam i hapur të hetojmë çdo vendimi tjetër, përveç vendimeve të Gjykatave. Kam pasur rastin të takoj eksponentë të së djathtës e të majtës evropiane, kryetarë shtetesh, qeverish, ministra të jashtëm, pa përjashtim, pavarësisht nga spektri. Çdo njëri prej tyre më ka thënë se kjo nuk mund të bëhet, nuk mund të dilet mbi vendimet e gjykatave. Edhe pse, unë kam bindjen se po të mund të bëhej, po të mos ishte vendimi i gjykatës, unë fitoja një mandat tjetër.

Mediat kanë mbajtur një qëndrim të shkëlqyer dhe jua them këtu me lavdërimin më të madh, sepse ato kanë qenë dëshmitarët më të ndershëm të procesit zgjedhor me raportet e tyre. Kështu keni qenë gjithnjë, ka pasur vetëm ndonjë moment para disa vitesh, ku ndonjë zë tek – tuk  i shkëputur thoshte “le ti vjedhin votat kur nuk i mbrojnë”. Por kjo praktikë ka qenë shumë e kufizuar. Në tërësi, gazetarët e këtij vendi kanë dhënë një kontribut – do të thosha historik, në procesin zgjedhor dhe përmirësimin e tij në këtë vend. Merrni dhe shihni arkivat tuaja, arkivat e 28-29-30 qershorit, të procesit të numërimit. Por ai do të bëjë një “brain washing”, të shpëlajë trurin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe të wach dog-ut ndërkombëtar e të thotë jo për Fierin. Por drejtësia është bërë dhe nuk mund të kem asnjë pretendim, pasi unë kam rënë dakord me të që, të gjitha kundërshtitë, do të zgjidhen me komision lokal, komision zonal, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Gjykatën e Apelit. Nuk mund të shkoj dot më tutje. Kjo është e gjitha. Unë nuk kam shkuar dot më tutje, as kur raportet ndërkombëtare kanë faktuar se më janë marrë mandate, edhe kur parlamenti ka qenë si parlament që nuk paraqiste vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Megjithatë, nuk më ka shkuar kurrë mendja të kërkoj shqyrtimin e vendimeve të gjykatave. Nuk shkohet deri këtu. 

9 Komente

"Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare"

Hmm, mire qe i keputet barku per keto femrat ketij, po per Gregorin te birin, e Edit, i cili nuk ka faj fare ne kete histori a mendoi ndopak ky?? ?

A mendoi ndopak se cfar traume mund te jete nje fjalim i tille, ( makaber) per nje adoleshent ende te paformuar???

flo ka kap thelbin e ceshtjes. jam dakord qe jeta private e rames te investogohet deri ne 1fare pike, po djali ska faj qe i ati esht politikan e te degjoje gjera te tilla

Pushteti i pakufij i konceptuar fare thjesht e pa ekuivoke si nje "Vazo". - "lexojeni, shperndaheni dhe mos ja dorezo armikut".

Si kushdo qe ka mberritur ne fund te balances psikike edhe Berisha me bukurite qe leshon cdo dite ne fakt na tregon pa e kuptuar ai vete dhe mjaft qarte se cilat jane motivimet dhe instiktet e tij prej shpellari. Me fjalet e tij  mund te kuptosh qarte se cili eshte thelbi i logjikes dhe menyres sesi mendon e vepron mendja e mbrapshte e bizantine e Tij -       " -Mirëpo mua ma kishte “thyer njëherë vazon”, duke mu larguar nga zgjedhjet 2 orë para, në vitin ’96. Nuk ishte çështja personale, por ishte çështja  e vendit, çështja e juaj, çështja e çdo qytetari shqiptar. Ndaj unë, e dija se ky zotëri, çdo qëndrim timin do ta përdorte për të mos u futur në zgjedhje. Ju mund të më thoni se punë e madhe po nuk futej ai në zgjedhje. Përse ti paske toleruar këtë mafie? Jo, ishte gjëmë e madhe nëse ai nuk futej në zgjedhje.  Atëherë çfarë bëra unë? Unë zgjodha sovranin. Mendova me veten time që kjo është një betejë. Në kushtet dhe rrethanat kur ai u bë kryetar i PS-së, së, nëse do merresha me mafien që e rrethonte dhe që do t’i binte edhe atij direkt, ai do të bënte çdo gjë tjetër, por nuk do të hynte në zgjedhje. Absolutisht. Ai ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të mos hyrë në zgjedhje. Por edhe unë, kam bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme që ai të hynte në zgjedhje. Unë u jam shumë mirënjohës qeverive të vendeve mike për presionet e jashtëzakonshme që kanë bërë në momente të caktuara. Sepse, për çdo gjë, ai ishte i gatshëm të largohej nga zgjedhjet. Mirëpo, ai më thyente vazon, e cila më ishte thyer njëherë në duar prej tij. Ajo përbënte një goditje shumë të rëndë për demokracinë shqiptare. Nëse ju do të ndiqni procesin e kartave të identitetit, do të vini re se ai çdo javë nxirrte kërkesa të reja, të cilat unë nuk ia plotësoja asnjëherë plotësisht, jo sepse më kushtonin gjë, por sepse nëse do ta bëja këtë, ai do të listonte kërkesa të tjera, të palidhura me zgjedhjet, vetëm për të mos hyrë në zgjedhje. Unë ndiqja gradualitetin, duke ia plotësuar pjesërisht, ashtu siç bëra edhe me kodin, ku i thashë; shkruaje si të duash. Sërish do i them shkruaje."

 

No comment...

Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare.

D'accord...por SHUME VONE dhe PA VLERE!

Gjithe reagimi i pasketajme tregon se PD eshte kompleksuar keqas pas marrezise se KryeKreut ne parlament.  Dhe ne vend te heshtin per ta lene te kaloje  e harrohet si shume  "ububu" te tjerat te ketij lloji, dalin neper  faltore te tjera te medha e te vogla e bertasin per te na mbushur mendjen se nuk eshte e vertete qe Berua eshte cmendur, por gjithe PD dhe anetaret e saj, jane befas te revoltuar e te shqetesuar se cfare "monstre" e drejton Partine Socialiste.  Ata tamam tamam, jane shume te shqetesuar per PS ...jo per lajthitjet e vogla te  "engjellin"  qe udheheq vendin.

e kuptojne keta njerez ne cfare derexheje gjenden...

 

 

 

 

 

 

bashkepunimin do ta beje  per te miren e venit,per te miren e venit do bashkpunoj ene me djallin ,rroft sala smiley hahahahah

Na drejton nje kafshe!!! smiley 

Une do doja te dija se nga cilat gazeta dhe televizione jane keta gazetaret qe i kane drejtuar keto pyetje kaq hard-ballish Mjeshtrit! smiley

Dhe, dhe, a jane keto te tera pyetjet qe i jane drejtuar Atij ?

"Nuk ka pozicion më fatkeq për një femër sesa prostitucioni, por edhe kjo nuk ndodh kështu. Është skllavëri e vërtetë, është gjëja më e dhimbshme, por prapë se prapë nuk ndodh në plazhe publike, siç ka vepruar kryetari i bashkisë dhe kryetari i Partisë Socialiste."

Ik moj llapaqene, se le nam.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).