“Katastrofat” sportive të vitit. Shqipëria 2009: 17 humbje!

I.

Introdukt

Në anormalitetin (sepse gjithmonë ndër ne ka një anormalitet) gjithçka kërkon të duket normale. Hare publiciteti, udhëtim i gëzueshëm në Estoni. Kuže dhe vetëm Kuže. Përditë Kuže. I përmendur orë e çast: Kombëtarja e Kuže-s, skuadra e Kuže-s, lojtarët e Kuže-s, synimet e Kuže-s, objektivat e Kuže-s. “I mjeri” ai! I përmendet emri si të ishte ai, dhe vetëm ai zoti i punëve të futbollit në Shqipëri. Mandej anormaliteti tjetër që gjithashtu kërkon të hiqet si normal: “synimet e Shqipërisë për 2012”, vit i fundoreve (finaleve) të Kampionatit Europian të futbollit, për të cilin veç Shqipëria jonë e dashtun nuk mund të ketë synime asisoji. Sepse asesi nuk arrin që me forcat që ka në zhvillimin e futbollit që zotëron, me nivelin e zhvillimit kulturoro-sportivo-ekonomiko-social në tanësi, sidomos ajo nuk mund të ketë synime apo objektiva asisoji për Euro 2012. Ka veç një lloj anormaliteti. Dhe anormaliteti më i fundit është ai që kemi dëgjuar këto dit: që trajneri Kuže të ketë thënë “se mund ta çoj Shqipërinë në fundoret (finalet) e Euro 2012”! Nëse vërtet e ka thënë, vetëm kaq do të mjaftonte që Federata Shqiptare e Futbollit ta shkarkojë dhe ne me plot të drejtë do të mendonim se Shqipëria ka një trajner që tallet. Mirëpo, jemi të bindur ndërkaq se Josip Kuže, i cili vjen prej shkollës së mirënjohur të futbollit kroat, kurr nuk mund ta thotë një gjë të tillë për Shqipërinë e cila:

 

1. Kurrnjiherë nuk ka marrë pjesë në fundoret e një Kampionati Europian apo Botëror.

2. Kurrnjiherë nuk i është afruar kësaj arritjeje të përmasave botërore.

3. Kurrnjiherë nuk është renditur më e pakta e treta në grupin e saj eliminator.

4. Kurrnjiherë nuk është matur për të qenë kryesuese e një grupi eliminator, çka do ta çonte te një turne fundor i Kupës së Europës apo të Botës.

5. Kurrnjiherë nuk ka pasur forca lojtarësh, kushtesh, financash, kulture, politike të vërtetë futbolli, për të synuar e arritur këte arritje rangu epror.

 

Sidomos kur kujton skemën e sotme që kualifikon vetëm 1 ose 2 skuadra prej secilit grup. E patë të shtunën se ç’po heq Franca, Rusia e Portugalia!...

Dhe anormaliteti që prap kërkon të duket si normal. Ai vazhdon me lajmin e fundit se kjo me Estoninë qenka ndeshja e parë, ndryshe premiera e formimit të Kombëtares së Shqipërisë për të synuar fundoret (finalet) e Kupës së Europës - Kampionati Europian 2012!

Në një kohë që e dhëna më e freskët na thotë se trajneri Kuže këte kurrsesi nuk e kishte ndeshjen e parë, po mû të 6-tën. Çka do të thotë se ai ka mbërritur që mbrenda pak muajve të jetë afër një lloj mesatareje klasike të jetëgjatësisë së një trajneri me Kombëtaren e Shqipërisë. Përshembull, Sulejman Demollari e ka drejtuar Kombëtaren vetëm 9 herë, Beppe Dossena vetëm 2 herë, Arie Haan vetëm 10 herë, Ljubisa Brocic vetëm 6 herë, Adem Karapici vetëm 5 herë, Myslym Alla vetëm 5 herë, Agron Sulaj vetëm 10 herë. Kjo do të thotë se Josip Kuže, i cili në Estoni e paska filluar punën për të “bërë” Kombëtaren e Shqipërisë, që do të na çudisë më 2012, bën pjesë sot e kësaj dite në 7 a 8 trajnerët që e kanë drejtuar disa herë Shqipërinë.

Anormaliteti tjetër është se kjo skuadër e Tallinn-it, është diçka përtëritëse, duke harruar se në te luajtën 29 vjeçari Isli Hidi, 33 vjeçari Ervin Skela, 27 vjeçari Ansi Agolli, 32 vjeçari Klodian Duro, 27 vjeçari Edmond Kapllani – sa për të permendur boshtin e kësaj Kombëtareje të sotme. Pa shkuar te 26-27 vjeçarët Armend Dallku, Debatik Curri, Lorik Cana e Gjergji Muzaka. Të gjithë këta më 2012 do të jenë ose 35 vjeçarë ose rreth 30 vjeçarë. Kaq mjafton për t’u bindur se veç me fundoret e Kupës së Kombeve të Europës 2012, kjo Kombëtare Shqiptare nuk ka dhe as nuk do të ketë punë. Qoftë edhe me anormalitetin tjetër që po e quajmë “të vazos”, që ushtoi për ditë të tana në Shqipëri si për diçka normale, “vazo e katërt” apo “vazo e pestë”, që dihet, nuk kanë pikë rëndësie, sidomos për një skuadër jomëtuese si Shqipëria.

 

Pak histori

 

Kësisoji, hap mbas hapi, e ndoshta edhe më shpejt, për 2012-tën me siguri nuk do të jetë kjo Kombëtare e sotme, ose për ta thonë më saktë, ajo nuk do të mund të ketë boshtin e saj të deritashëm. Do të jetë diçka krejt tjetër nga ajo e Tallinni-t. Kjo po është normalja e anormalitetit tonë. Dhe sa për të marrë një shembull nga Estonia, mendojmë se 20, 22 apo 23 vjeçarët A.Lila, G.Lila, J. Hyka, J.Sefa, El. Bakaj, janë lojtarë mjaft të mirë dhe të rinj shpresues, por qofshim të gabuar, kemi përshtypjen se asesi ata nuk kanë stofin e një:

A.Aliaj, Sh.Ballgjini, H.Ballgjini, Berisha, Braho, Bizi, Bushi, Çeço, K.Çipi, G.Çipi, Dede, Demollari, Dinella, Dhales, Fortuzi, Frashëri, M. Gjika, Hasi, Haxhi, M.Haxhiu, S.Hyka, Jera, Josa, Jorgaqi, Kaçaj, J.Kaçi, Kasmi, Kazanxhi, A.Kola, B.Kola, Kushta, Lala, Lame, Lekbello, Lleshi, Ali Mema, Mersini, Millo, Minga, Muça, D.Muka, A.Murati, E.Murati, Musta, Myrtaj, Ocelli, Omuri, P.Pano, Pernaska, F.Ragami, R.Ragami, P.Ruci, Rraklli, F.Sejdini, Strakosha, Y.Shehu, Shllaku, Shulku, Tare, Targaj, T.Vaso, F.Vata, R.Vata, Vukatana, Xhumba, Zëri, Ziu, Zmijani, Zhega…

Në këte krahasim të shpejtë, me disa prej protagonistëve tonë të nja katër dekadave pjesëmarrje në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian dhe Botëror, kurrsesi nuk duam të mohojmë të tashmen, sepse për shkaqe që i kemi përimtuar kushedi sa herë, dihet që Shqipëria sot ka Kombëtaren më moderne të saj. E pra as që na shkon ndërmend që të fetishizojmë një të shkueme të largët apo të afërt, çka do të thotë përshembull, se kurr nuk na shkon ndër mend të themi se Kombëtarja më e mirë e Shqipërisë është ajo e para 63 vjetëve e 1946 edhe pse na dha titullin e vetëm të derisotëm, atë të Kampionit të Ballkanit. Kurrsesi! Vetëm kërkojmë të krahasojmë jo në një anormalitet të mundshëm, por në normalitet, se çfarë cilësie kishin gjithë këta lojtarë në kohën kur kanë luajtur (me gjithë dështimet e vazhdueshme të formacioneve të viteve të tyre në turnetë europiano-botëror&eumlsmiley, që për mendimin tonë qëndrojnë më lart se këta të rinj, jo pa të ardhme, të cilët u shfaqën në stadiumin modern të Tallini-t. (Ende Shqipëria nuk ka një stadium të tillë e edhe qysh këtu ndoshta do të mund të fillonte një lloj synimi, qoftë edhe ëndërrimtar, për një Europian apo Botëror).

Ndërkaq, e vërteta është se këta lojtarë të sotëm, kjo Kombëtare e sotme, e cila ka përparësinë që përbëhet prej djemsh, të cilët luajnë në shtete të huaja, të një futbolli tejet më të zhvilluar se Shqipëria, edhe falë punës së trajnerëve të huaj, në këto vite ‘2000, kanë thyer disa “rekorde” të përfaqësimeve të mëparshme. Dhe mjaft emra të këtyre protagonistëve janë në rreshtimin emëror që sapo paraqitëm dhe e shihni që nuk mohojmë të sotmen përderisa në emërorin tonë krahasues të një elite talentesh të kombëtarasve shqiptarë, kemi përfshirë edhe protagonistë të tillë të një kthese të sotme si A.Aliaj, Bushi, G.Çipi, Hasi, Haxhi, D.Muka, E.Murati, Myrtaj, Rraklli, Strakosha, Tare, F.Vata, Xhumba, të cilët luajtën një rol të madh mû në rritjen e viteve ‘2000. Çka tregon edhe një herë se nuk jemi mohues të së tashmes. Vetëm se kërkojmë që me gjykimin normal të dukurive dhe punëve, të luftojmë anormalitetin publicistik e të mendimit teorik (vërtet, a kemi një të tillë?) të trajtimit të Kombëtares së Shqipërisë, e cila nuk ka bazë të trajtohet si një synuese a mëtuese për në fundore të Kupës së Europës apo të Botës, duke ia mveshë madje këte eufori parashikimi deklaratave ende të pavërtetuara të një Briegel-i, një Haan-i apo një Kuže-je.

 

Kombëtarja 2009

 

Estonia e Tallinn-it, e barabarta jonë (kuptohet në futboll, sepse për të tjerat është krejt tjetër: është anëtare e BE-së dhe ka 12.000 USD për krye, nga 2800 që ka Shqipëria), vërtetoi se Shqipëria do të mbesë po ajo: në rritje graduale, në synime kryeultë e modeste renditjeje dhe vetëm me një synim të arsyeshëm dhe normal: të ndikojë në emrin e mirë të futbollit në Shqipëri dhe Europë, të kthehet në një interpretuese tërheqëse e një pjesë të mirë të ndeshjeve të saj, qoftë dhe me të mëdhejtë. Dhe mbi të gjitha, të jetë e aftë që sidomos në fushën e vet, të mposhtë të barabartin, çka ende nuk e ka arritur. Dhe mû këtu qëndron stepja e saj, apo dhe hapat mbrapa, çka befas e paraqiti edhe ky vit 2009.

Në kuptimin që u përpoqëm të shtjellonim, na duhet të harrojmë 2012-tën, ngaqë ky vit futbollistik nuk ka punë me Shqipërinë. Ai ka punë me Anglinë, Gjermaninë, Francën, Holandën, Italinë, Spanjën, Serbinë, Danimarkën, Portugalinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Rusinë, Turqinë, Ukrainën. Pa u zgjatur më tej, e pakta edhe me nja 15 shtete të tjerë, të cilët me futbollin janë dukshëm mbi Shqipërinë.

E tash edhe më thellë në temë.

Në fillim të këtij viti kemi thënë se më 11 shkurt 2009, Kombëtarja e Shqipërisë, do të luante ndeshjen e saj më të rëndësishme në 46 vjet të pjesëmarrjes për kualifikimet europiano-botërore: Maltë – Shqipëri.. E kemi thënë këte sepse ecuria kapriçioze e shortit të Grupit 1, mbas barazimit zâmadh të Shqipërisë me Portugalinë, na çonte te ndeshja e rradhës që ishte pra, ajo me Maltën. Këmbëngulnim se ajo ishte ndeshja më e rëndësishme që kishte zhvilluar ndonjëherë Shqipëria për Kupën e Botës. Arsyetimi ishte krejt i thjeshtë: nëse Shqipëria fitonte në Maltë, ngjitej në krye të Grupit 1 të “SOUTH AFRICA 2010”! Dhe të gjitha përkimet do të ishin të “të herës së parë” që mund të ndodhnin mbas një fitoreje me Maltën e cila do të bënte të mundur:

 

... Që për herë të parë në histori, Shqipëria, mbrenda një gare kualifikuese të Kupës së Botës e madje edhe të Kupës së Europës, të ngjitej dy herë në krye të Grupit të saj kualifikues.

... Që për herë të parë në histori, Shqipëria të bëhej kryesuese e Grupit të saj kualifikues mbas 5 ndeshjeve të zhvilluara.

... Që për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës kualifikuese për një Botëror apo Europian, Shqipëria të kryesonte Grupin.

... Që për herë të parë në histori, Shqipëria të kishte golaverazh pozitiv mbas 5 ndeshjeve.

... Që për herë të parë në histori, Shqipëria të kishte fituar mesatarisht 1 pikë për ndeshje (me sistemin e 2 pikëve për fitore).

... Që për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës, Shqipëria të shndërrohej në mëtuese midis një bashkësie të përbërë e pakta prej katër shteteve të cilët futbollin e kishin një shkallë apo disa shkallë mbi Shqipërinë: Danimarka, Portugalia, Suedia, Hungaria!

 

Mirëpo, dihet, më 11 shkurt 2009 ndodhi Malta – Shqipëria 0-0, që shkatërroi pa mëshirë përsiatjen tonë optimiste, po kaq “normale” edhe ajo, në anormalitetin e saj.

Dhe me 7 pikët në 10 ndeshje, Shqipëria u shtang në situatën më të ulët të katër edicioneve të fundit të saj, e drejtuar me trajnerë të huaj. Befasia e këtyre 7 pikëve në 10 ndeshje është rënia e saj në këto katër edicione kur ajo ndërkombëtarizoi dhe modernizoi drejtimin teknik të saj.

Duke iu kthyer shifrave dhe statistikës kemi thënë ndërkaq, se pamja ishte kjo:

 

KE 2004: 37.50 përqind sukses (G.Dossena, H.P.Briegel)

KB 2006: 37.50 përqind sukses (H.P.Briegel)

KE 2008: 37.50 përqind sukses (O.Baric)

KE 2010: 30.00 përqind sukses (A.Haan, J.Kuže)

 

Kujtoni tash edhe një herë për një çast fitoren 6-1 të miqësores me Qipron për të kuptuar se deri në çfarë shkalle mbërriti euforia. Mbas kësaj ndeshjeje Shqipëria e mbylli 1-1 me Danimarkën në Tiranë. Mandej? Mandej u shkatërrua 4-1 me Suedinë në Solna të Stokholmit! Ndërsa Qipro me plot 8 lojtarë të humbjes 1-6 të Tiranës, fitoi 4-1 me Bullgarinë dhe deri 11 minuta para mbarimit kryesonte 2-0 me Italinë - Kampionen e Botës në fuqi – në fushën e kësaj të fundit.

Mû këta shembuj të të ashtuquajturve “të vegjël”, i takon të ndjekë Shqipëria, e cila gjithnjë na detyron të përsërisim se “është e vogël, e vetmadhështia nuk i shkon”. Dhe se ajo që mendojmë se duhet të bëjë kjo Shqipëri hap mbas hapi, vit mbas viti, edicion mbas edicioni është mënjanimi i largësisë së madhe që e ndan me shtete kësisoji. Për Botërorin 2010 largësia e Shqipërisë me kundërshtarin më të afërt, edeh ai një i eliminuar, qe më e largëta në katër edicione e fundit: plot 11 pikë më pak nga Hungaria që u rendit e 4-ta.

Siç e kemi thënë, Shqipëria është thjesht e 41-ta në Europë për këte edicion kualifikimesh europianobotërore. Edhe ky fakt rrëzon për tokë mëtimet e vetmadhështisë për EURO 2012. Dhe se Estonia e Tallinn-it, kurrsesi nuk është një fillim drejt një buje që kurrsesi nuk na shkon.

 

Si guxojmë

 

Interesantja është se si guxojmë dhe ëndërrojmë EURO 2012, duke i mveshur zërit të trajnerit, të sendërtuar prej një “alogjike” se “janë mundësitë për ta kualifikuar Shqipërinë për EURO 2012”.

Mbi ç’themele mund të guxojë e 41-ta e Europës të rendë me vrap mbas mëtimeve të tilla anormale, që s’ka normalitet që t’i përpijë? Dhe si mund të shkojmë plot gëzim e kënaqësi në Tallinn të Estonisë, e cila gjithashtu na ka lënë mbrapa për Kupën e Botës 2010 e të merremi për ditë me rradhë me paraskenën e një zhurme e buje që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, deri aty sa t’i japim formën e një fillimi tepër të rëndësishëm? Kur fjala është thjesht për një ndeshje miqësore pa ndonjë vlerë të madhe, pa mundur kështu Federata Shqiptare e Futbollit të realizojë një ndeshje të vetme miqësore me një skuadër më të sprovuar, apo të madhe, europianoperëndimore.

Si ia arrin për shembull, Azerbaixhani të zhvillojë ndeshje miqësore me Turqinë dhe Spanjën? Si ia arrin për shembull, Bjellorusia të zhvillojë ndeshje miqësore me Argjentinën? Si ia arrin për shembull, Qipro të zhvillojë ndeshje miqësore me Serbinë dhe Zvicrën? Si ia arrin për shembull, Estonia të zhvillojë ndeshje miqësore me Portugalinë? Si ia arrin për shembull, Gjeorgjia të zhvillojë ndeshje miqësore me Rumaninë? Si ia arrin për shembull, Liehtenstejni të zhvillojë ndeshje miqësore me Sllovakinë? Si ia arrin për shembull, Luksemburgu të zhvillojë ndeshje miqësore me Belgjikën? Si ia arrin për shembull, Malta të zhvillojë ndeshje miqësore me Republikën Çeke? Si ia arrin për shembull, Mali i Zi të zhvillojë ndeshje miqësore me Hungarinë? Dhe kulmi: si ia arrijnë për shembull, Ishujt Faroe të zhvillojnë ndeshje miqësore me Portugalinë?

E gjitha kjo retorikë dhe kakofoni e mërzitshme çuditërisht mbetet kryefortë përballë një problemi të madh, në fund të fundit, edhe për lëvizjet gjeopolitike të Kombëtares së një shteti, që përveç të tjerave kërkon edhe të integrohet. Mirëpo, ne kemi filluar të besojmë se Kombëtarja e futbollit është pronë dhe çështje vetëm e Federatës së Futbollit, e cila prej vitesh ka një shkëputje sensacionale me qeverinë, me shtetin, me mjedisin intelektual dhe kulturor, në thelb me tanësinë e marrëdhënieve të saj shpirtërore, estetike, sportive, të flamurit e himnit po e po.

Dhe Shqipëria, e cila qysh nga 2005 zhvillon ndeshje miqësore me Azerbaixhanin, Lituaninë, Gjeorgjinë, Maqedoninë, Estoninë (gjithnjë me “demokracitë popullore” Shqipëria) e mandej paksa me kalibrat e vegjël perëndimorë si San Marinon, Malta, Lietenstejni apo Qipro! Përjashto vetëm një ndeshje me Poloninë më 2008.

E kemi pa me vëmendje ndeshjen me Estoninë. Vështirë t’i ketë shërbyer Shqipërisë për kah cilësia e kundërshtarit, për kah agonizmi i futbollit, për kah rezultati, për kah provimi, për të cilin asesi nuk jemi të bindur se e kanë fituar për 2012-tën Hidi e A.Lila, Vila e Lika, Sefa e Bakaj, apo dhe të tjerët, ndonëse asnjëri prej tyre nuk e vishte për herë të parë fanelën e Kombëtares.

A ishte një katastrofë për futbollin kombëtaras viti 2009, siç kemi mbititulluar shkrimin tonë?...

Do të takohemi të martën e ardhshme…

6 Komente

katastrofè pèr futbollin kombètar viti 2009?? ....unè do ta quaja mè mirè normalitet,nuk èshtè se kemi qenè ndonjèher mè mirè se kètè vit..kèshtu qè nuk pèrbèn katastrofè..thjesht kemi mbetur nè vend numèro, edhe pèr shumè vjet tè tjerè kèshtu kemi pèr tè mbetur...lojtarèt e "rinj" qè janè afruar pranè  kombètares shqiptare nuk i kanè akoma mundèsitè tè zèvendèsojnè "pleqtè" e sotèm,dhe kèsaj nuk ka çfarè i bèn as tranieri e as perèndia..pèr tè tjerat shkrimi mè pèlqeu!!!p.s. hallall ato emrat qè ke pèrmendur mè sipèr nè shkrim...

po nje pellembe vend sa jemi nuk mund te pretendojme te kemi sport me nivel

 

a eshte me kollaj te gjesj 12 ljatare te hajrit ne nje popullsi 60 milionshe apo 3 milionshe (e qe eshte i ngordhur per buke) ?

Booooooooo ene n'futboll Tema o "jashte loje" komplet!

Po mire mer Besnik po per çar u desh gjithe ky çarçaf? Po pse me nuk e dime ne se ku jemi? Amon o burre i dheut se nuk e di akoma a do kualifikohet per ne boteror nen-kampionia e botes, komtarja e Afrikes, e jo mo ta kemi ne kete bindje. Po edhe ne fushe per te shit kumlla nuk do zbresim.

Kuzhe ka meriten qe i ka dhene grupit nje fryme pozitive, per te tjerat do shofim. Po ti je qe je pse s'na thu se çin deshe qe te bohej trajner i komtares qe t'i bime shkurt. Jo per gjo po o film i vjeter ky i qellimeve te ketyne artikujve.

Ky nuk thote qe kemi ekip po dashka qe te jete edhe i mire pale.

 Megjithse nuk jam ne korent te futbollit shqiptar, me keto qe lexuam nga komentatori dhe analisti i futbollit shqiptar, z.Dizdari, eshte per te shprehur keqardhjen per vdekjen e futbollit shqiptar. Federata e futbollit shqiptar, duhet te investoje tek brezi i ri, nese do rezultate per te nesermen. 

 Nuk je ne cfare??? Korent???

Sidoqofte ne Shqiperi ka vdekur sporti jo vetem futbolli. Sme duket e drejte te investohet vetem tek futbolli nderkohe qe ka shume sporte te tjera ne te cilat kemi mundesi reale te shkelqejme

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).