Karburantet, komandimi i tregut

Për këdo që përdor një automjet me naftë apo benzinë, cilësia e dobët e karburanteve që ble në treg, mbetet shqetësim. Shoqëruar kjo me falsifikimet e produkteve, spekulimet me çmimet e lloj-lloj manipulimesh me sasinë në distributorët e shitjes me pakicë; më tej, me ajrin e tejndotur të qendrave urbane, me mjedisin të ngarkuar veç pluhurit dhe me mbetjet hidrokarbure që na e marrin jetën çdo ditë nga pak, ndërkohë kur "të tjerët" marrin masa për reduktimin në minimum të CO2 promovojnë produktet energjetike me zero emision.

Reagim institucional ndaj kësaj situate ka pasur, por autoritetet mbikqyrëse, ku veçojmë Inspektoriatin Qendror Teknik (IQT) si përgjegjës direkt për cilësinë e kushtet tekniko-ligjore të produkteve në treg, kanë rezultuar të paaftë ne menaxhimin e situatës, herë edhe si palë me subjektet; le të analizojmë.

Qeveria shqiptare qysh në Mars të 2007 nxori VKM 147 "Për cilësinë e lëndëve djegëse Benzinë dhe Diezel". Duke përcaktuar parametrat cilësore të lejuara për këto dy produkte, ky Vendim që vazhdon sot të jetë në fuqi, në veçanti:
- përputh parametrat mjedisore të lëndëve djegëse Benzinë e Diesel me Standardin Shqiptar,

- nuk lejon më pas datës 1 Janar 2009 tregtimin e diezelit D2 (Gazoilit 0.2) për automjete e gjeneratorë, dhe jep etapat e reduktimit të përmbajtjes së ndotësit kryesor - squfurit në lëndën djegëse Diezel : nga 1 Janari 2009 në më pak se 350 mg/kg (350 ppm) e në vazhdim pas 1 Janarit 2011 në më pak se 10 mg/kg (10 ppm),
- detyron subjektet tregtuese të unifikojnë reklamimin e shitjen e produkteve në stacionet e shitjes me pakicë konform përmbajtjes maksimale të squfurit në to!

Në përpjekje së pari për të mbrojtur ajrin e mjedisin në tërësi nga ndotja për shkak të mbetjeve hidrokarbure, VKM 147 kishte në perspektivë përmbushjen e një prej detyrimeve që do të rridhnin nga nënshkrimi i MSA-së, atë të përputhshmërisë me direktivat e hershme të Parlamentit e të Këshillit të Evropës për cilësinë e tregtimit të lëndëve djegëse: Benzinë e Diezel,- ku reduktimi i përmbajtjes së Squfurit në to pas datës 1 Janar 2009 në 10 mg/kg nga shtetet anëtare, ishte kushti themelor; në këtë këndvështrim VKM 147 përmbushte kriteret për përqasjen e parametrave mjedisore të këtyre produkteve me ato të BE-së deri në 1 Janar të vitit 2011, të paktën 2 vjet më pas.
Së dyti, nëpërmjet përcaktimit të Standardeve e kufizimeve mjedisore për Benzinen e Diezelin, Vendimi u krijonte kuadrin e duhur ligjor Autoriteteve te kontrollit për të menaxhuar sasitë e tregtimin e tyre ne pikpamje teknike. Si produkte te distiluara me përbërje e sjellje kimike komplekse, të paqëndrueshme ndaj cikleve e proceseve teknollogjike deri në destinacionin fundor; ato konsiderohen si mjaft të vështira për t'u diferencuar në kosto, sasi e cilësi në depot e prodhimit apo të importit, gjatë transportit e sidomos nga konsumatori ne distributoret me pakice.

Se treti, ne automjetet e gjeneratorët, perceptimi e reagimi i publikut është më konkret se sa ndotja ambientale (!), për rrjedhim, Vendimi krijonte besim jo thjesht për përmirësimin e situatës mjedisore, por realisht për heqjen njëherë e mirë nga qarkullimi i të "të famshmit" D2 ose Gazoilit 0.2 apo "Naftës së Ballshit" siç emërtohet rëndom produkti jo cilësor vendas me përmbajtje të lartë squfuri, karboni, hiri e hidrokarbure policiklike aromatike; por dhe përzierjeve me Verxhin, Naftë bruto apo Heating oil-ve nga importi, me produkte të ngelura magazinave të botës, etj.. që për fatin e keq vazhdojnë të ndotin, të shkatërrojnë e të prodhojnë mosbesim për përmirësimin e gjendjes në tregun e karburanteve.

Por.., gjatë vitit 2008 Kuvendi ratifikoi kontratën e shitjes së 85 % të aksioneve të ish-shoqërisë shtetërore ARMO Sh.a. në favor të "Amra Oil" Sh.a. dhe një konsorciumi ku kompania shqiptare "Taci Oil International Trading" Sh.a. zotëron paketën kontrolluese. Pra dy rafineritë e vetme në vendin tonë (KPTHN - Ballsh e UPN - Fier) kaluan nën administrim privat. Në vijim, si ortak i shoqërisë "Taçi Oil", qeveria kreu modifikimin e parë të VKM-së 147 në Korrik 2008 nëpërmjet nxjerrjes së VKM 1110. Thelbi i VKM 1110 ishte përjashtimi i produktit lëndë djegëse Diesel prodhuar nga rafinimi i naftës bruto prej vendburimeve brenda vendit nga detyrimi kohor që VKM 147 vendoste për përmbajtjen e squfurit në të.

Pra, më 1 Janar 2009 ARMO Sh.a. do të vazhdonte të tregtonte lëndë djegëse Diezel me kodin 27101945 në nomenklaturën e mallrave (d.m.th. Gazoilin 0.2 të prodhuar në rafinerinë e Ballshit me përmbajtje squfuri 2000 ppm) deri në fund të vitit 2009. Vetëm më 1 Janar 2010 do të fillonte prodhimin e Diezelit 350 ppm.

Plotësimi i kushtit të direktivave komunitarë për përmbajtjen e squfurit, shtyhej edhe për një vit, pra deri më 1 janar 2012. Ndërkohë më 03.12.2008 IQT me anë të një shkrese drejtuar shoqërive të tregtimit me shumicë, u bënte të ditur ndalimin e tregëtimit të Diezel D2 (S SH 31:1997) importi për automjetet rrugore e gjeneratorë pas datës 1 Janar 2009! Pra, këtyre të fundit u lejohej të importonin vetëm Diesel D1 (S SH EN 590) me kod 27101941 në nomenklaturën e mallrave.

Vendimi në fjalë, pavarësisht i justifikuar nga një motiv për mbrojtjen e prodhimit vendas, përbënte një situate monopoli qoftë dhe të përkohshëm por të pamatshëm në tregun e karburanteve. Ai u kontestua gjatë e fuqishëm nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve. "Dorashka" më në fund i mbeti Autoritetit të Konkurrencës, i cili vlerësoi situatën e kufizimit të konkurrencës ne tregun e karburanteve e me 30 Dhjetor 2008 vendosi t'i rekomandojë KM shfuqizimin e VKM 1110.

Qeveria e mori në konsideratë dhe më 14 janar 2009 doli me VKM 52 e cila shfuqizoi VKM 1110 por jo thelbin e vendimit : Diezeli 0.2 i prodhuar në rafinerinë e Ballshit nga nafta bruto nxjerrë prej vendburimeve të vendit, me përmbajtje squfuri 2000 ppm do të vazhdonte të tregtohej deri në fund të vitit 2009; aspekti mjedisor i direktivave komunitare-afati i përputhjes së përmbajtjes së squfurit maximal 2200 ppm në Diezel të prodhuar nga kjo rafineri do të mbetej 2012-ta!

E reja e VKM 52 nga VKM 1110 ishte se : duke pranuar pozicionin dominues të ARMO Sha-subjekt privat i privilegjuar dhe për të amortizuar reagimin e pritshëm të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, qeveria vendoste : ARMO ta shiste Diezelin 0.2 në treg vetëm nëpërmjet subjekteve të tjera tregtare me shumicë (ku një prej tyre ishte vetë "Taci Oil", pronari kryesor i ARMO-s) me çmime të negociueshme kushte të njëjta e transparente!

Kushtet, megjithë përfshirjen në to edhe detyrimit të ARMO-s për të raportuar çdo muaj të dhënat ne Autoritetin e Konkurrencës, shprehin qartë vështirësinë për ta kontrolluar subjektin me status "një burim prodhim-furnizim" me akt nënligjor.
Në këtë situatë të favorshme, ARMO Sh.a. shpejt dominoi tregun e shumicës, duke përfituar edhe nga rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare mbi 75 USD/fuçi gjatë vitit në vazhdim, kompania aplikoi çmime të ulëta, duke nxjerrë gati jashtë loje kompanitë e tjera që ndërkohë, importonin Eurodiezel cilësor 10 ppm.

ARMO Sh.a. shfrytëzoi momentin legal të favorshëm dhe avancoi në projektet afatgjate duke pretenduar ne dy-tre muaj arritjen spektakolare : atë të prodhimit e hedhjes në treg të produktit më të ri D1-10 ppm ose Bludiezel të markës shqiptare e duke reklamuar nxjerrjen së shpejti të Bludiezelit 0 ppm; pa transparencë për të treguar njësitë e reja teknologjike apo kushtet teknike që dhanë këtë rezultat, pa asnjë informacion të detajuar e analitik, qoftë dhe nga IQT.

Duke shmangur Drejtorinë e Standardizimeve si Agjenci e specializuar për markat e reja, IQT bëri të vetin këtë emërtim dhe duke e miratuar si produkt "autentik", ua serviri Shoqates se Shoqërive të Hidrokarbureve me kërkesën që ta pranonin, duke e evidentuar atë si të tillë në tabelat e stacioneve të tyre të shitjes me pakicë (!).

Synimi qe i qartë: kthimi i Bludozerit nga emërtim maqedonas komercial në standard shqiptar për Diezelin 10 ppm (i tillë emërtohet produkti përkatës i rafinerive të shoqërisë Italiane AGIP). Megjithë kërkesat e ligjshme të Shoqatës drejtuar IQT-së për t'u pajisur me Certifikatën e mallit ofruar nga ARMO, nuk u afrua një e tille, përkundërvënie, produktet që tregtoheshin të paidentifikuara, shpesh fare pa faturë shoqërimi.

Një pjesë e mirë e këtyre shoqërive, sidomos ato me kapital vendas, të gjendura nën presionin e autoriteteve dhe kohezioni i ulët brenda Shoqatës, në përgjithësi u pajtuan me situatën dhe reduktuan importet e tyre në pritje "të kohëve më të mira".

Të joshura prej çmimit, ato gjithnjë e më shumë preferuan të blenë dhe shesin produktet Diezel të ARMO-s e më pak ato të importit. Vetëm 2-3 shoqëri, kryesisht me kapital të huaj si Alpet, Global Petroleum etj.., kane vazhduar të tregtojnë vetëm Eurodiezel importi.

Në distributoret e këtyre të fundit nuk është pranuar as të reklamohet Bludiezeli e të shitet Diezel Ballshi por vetëm Eurodiezel importi 10 ppm! Megjithatë Shoqata nuk e ndërprerë luftën ligjore, duke ankimuar VKM 52 nëpër shkallët përkatëse deri në Gjykatën Kushtetuese.

Përqendrimi i aktivitetit prishi raportet në treg e një nga pasojat rezulton përkeqësimi i cilësisë së karburanteve e manipulimi me sasitë.

Kushtet e tregtimit që VKM 52 i vuri ARMO-s, ashtu siç parashikohej nuk arritën të administronin situatën monopol. Edhe Vendimi 107 i Autoritetit të Konkurrencës i datës 23 Prillit 2009 për marrje të dhënash nga "Taçi Oil" Sh.a. lidhur me një hetim të thelluar në treg për këtë qëllim, duket se nuk ka ndikuar.

Më 24 Korrik 2009 Gjykata Kushtetuese nëpërmjet Vendimit nr. 24, shfuqizoi VKM 52 me arsyetimin se cenon Kushtetutën e RSH dhe MSA-në! Por, marrëdhëniet e krijuara në tregun e karburanteve nuk kanë ndryshuar; qeveria nuk ka avancuar nëpërmjet ndonjë akti të ri nënligjor, e ARMO sh.a. vazhdon të përfitojë në kohë duke komanduar tregun.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).