Ish-diplomati, replikë me Kadarenë: Rrëfej vizitën e Alisë në SHBA

Genc Mlloja e cilëson gafë intervistën e Kadaresë, ku thotë se Ramiz Alinë e shoqëruan 70 shqiptarë të armatosur në Nju Jork. Ai rrëfen madje, se presidenti i fundit komunist mori pjesë në samitin e OKB-së  

 

 

Nga Genc Mlloja*

TIRANË - Vizita e Ramiz Alisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rrëfyer prej shkrimtarit Ismail Kadare në emisionin “Opinion”, si një shtysë e rëndësishme në vendimin e tij për të qëndruar në Francë, ka shkaktuar mjaft polemika mes protagonistëve. “Takoj ambasadorin, e fjala e parë që më thotë, është se la nam shoku Ramiz në Amerikë, e shoqëronin 70 shqiptarë të armatosur”, - tha Kadare në intervistën e fundit, duke nxitur kështu një sërë reagimesh në media, më së pari nga ish-presidenti Ramiz Alia, e tani nga ish-diplomati në misionin shqiptar në Nju Jork, Genc Mlloja. Në një shkrim të tij, ish-diplomati Mlloja e cilëson gafë këtë pjesë të intervistës së Kadaresë, duke kujtuar më pas çfarë ndodhi në atë vizitë të Alisë në Nju Jork, ku ai ishte i ftuar të merrte pjesë në mbledhjen e OKB-së. Në këtë replikë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ish-diplomati Mlloja kujton se Ramiz Alia u shoqërua vetëm prej dy punonjësve të sigurimit amerikan dhe se mori madje pjesë aktive në Samitin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve. “Korrieri” boton sot shkrimin e gazetarit dhe ish-diplomatit Genc Mlloja, për vizitën e presidentit të fundit komunist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

 

 

 Thjesht një sqarim 

 Në gojën e një shkrimtari të mirënjohur kanë gjithmonë vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm çfarë ai shkruan në veprat e tij, por edhe kujtime dhe mbresa qofshin ato, të gëzueshme apo të hidhura. Aq më shumë ato marrin vlerë në aspektin historik, se fjala e tyre është si një vulë e çmuar, që nuk shlyhet kollaj.

Kjo është më se e vërtetë edhe për shkrimtarët e krijuesit shqiptarë, aq më shumë për z. Ismail Kadare, i cili me çmimin që sapo iu dha në Spanjë, lartësohet akoma më shumë në piedestalin e letërsisë mbarëkombëtare shqiptare dhe asaj botërore.  Si i tillë, z. Kadare gjithmonë do të ketë çfarë të tregojë dhe shkruajë dhe sigurisht asgjë, si i thonë një fjale, nuk i bie në tokë, sikurse ngjau edhe me bisedën e fundit në televizionin “Klan” në emisionin e Blendi Fevziut “Opinion”, ditët e fundit. Pjesa më e madhe e gazetave e botuan bisedën, çka domethënë që edhe numri i lexuesve ka qenë mjaft i konsiderueshëm. Dhe lexuesit, shumica besnikë të përkushtuar në vlerësimin e merituar të tij, gjithmonë i bëjnë të vetat ato që thotë e shkruan z. Kadare, i konsiderojnë si të mirëqena dhe tabu. Dhe kështu ka ndodhur me të vërtetë. Mirëpo në intervistën e fundit, pas marrjes së çmimit të madh spanjoll, duket se kujtimet e hidhura të së kaluarës në regjimin komunist dhe mbresat apo edhe pengjet që i kanë mbetur nga braktisja e vendit të tij në ato periudha të turbullta politike janë kombinuar me ndonjë keqinformacion mbi shqiptarët që kanë rastisur të kishin rastin të takojnë ish- presidentin e fundit të regjimit komunist, z. Ramiz Alia në Nju Jork.     

Meqenëse kam qenë një ndër punonjësit e misionit shqiptar në atë periudhë, kur z. Alia erdhi në Nju Jork, e ndjeva si detyrim moral që t’i them dy apo tri gjëra, sikurse i kam parë dhe dëgjuar unë atje dhe jo nëpërmjet një të treti, siç i ka ngjarë z. Kadare, i cili citon ish-zyrtarë të Ministrisë së Jashtme franceze të asaj kohe dhe botuesin e tij. Aq më shumë, kjo ngasje m’u shtua këto ditë, duke qenë në Nju Jork, ku dashje pa dashje m’u dha rasti të takoj bashkatdhetarë, që kanë qenë dëshmitarë të atyre viteve. Domosdo që është gafë të thuhet se shqiptarë të armatosur, e jo pak por një “kompani” e mirë prej rreth 70 vetash të diasporës paskan shoqëruar z. Alia në Nju Jork. Për saktësim, dy punonjës sigurimi amerikan ishin në dispozicion të shoqërimit të z. Alia, veç shoqëruesit të tij nga Shqipëria. Po ashtu, vizita në SHBA e z. Alia nuk ishte vetëm një takim me diasporën shumë të nderuar shqiptare, të cilën z. Kadare e ka pasur për nder ta takojë gjate viteve 1990 për t’u folur për veprat dhe mendimet e tij. Thjesht për rifreskim të kujtesës, z. Ramiz Alia mori pjesë në samitin e organizuar nga OKB për të drejtat e fëmijëve, ku ishin të pranishëm edhe kryetarë të tjerë shtetesh. Mbajti edhe një fjalim në sesionin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi disa takime në selinë e OKB-së dhe mund të them se nuk kemi dëgjuar nga trupi diplomatik e përfaqësues të shtypit ndërkombëtar në atë kohë, që vizita të quhej një gafë apo blof. Përveç kësaj, dua të shtoj se pjesë e diasporës që takoi z. Alia ishin i ndjeri z. Antoni Athanas, At Arthur Liolini e shumë e shumë atdhetarë të tjerë të vërtetë shqiptarë, që nuk e kishin mendjen tek armët, por tek e mira e Shqipërisë. E diçka tjetër: restoranti i famshëm i të ndjerit A. Athanas, “Pier 4” në Boston, ka qenë sofër e ngrohtë për të gjithë shqiptarët e të gjitha bindjeve politike, në pushtet apo opozitë, në çdo kohë sa ai ishte gjallë. Dua të shtoj këtu, se pas Ramiz Alisë, “Pier 4” dhe z. Athanas me miqtë e tij pritën të ndjerin Pjetër Arbnori, i shoqëruar nga ne me të gjitha respektet, edhe pse ishte në opozitë si drejtues i Partisë Demokratike. Çdo gjë e thënë më sipër niset nga synimi i mirë për t’i shërbyer të vërtetës, ashtu sikurse e kam parë të ketë ndodhur.

 *Gazetar,

Ish-diplomat në Misionin Shqiptar në Nju Jork  

 

 

Intervista

 

Kadare: Vendimi për t’u larguar në

Francë dhe vizita e Alisë në SHBA

 

-Ju u larguat në atë kohë në Francë me të gjithë familjen. Si ishte e mundur kjo?

Kjo ka qenë kështu, unë jam përgatitur gjashtë-shtatë muaj për të ikur, do të gjeja rastin, se nuk ikja dot kollaj. I kam dërguar fjalë botuesit tim, vajzën e kisha për studime dhe i ka treguar të vërtetën. Babai do që të vijë në Francë, por do një ftesë shumë këmbëngulëse. Pasi ftesat, është vërtet që unë kam udhëtuar shpesh, por edhe në shumicën e ftesave refuzoheshin, duhet të bënin një ftesë të tillë që të ishte e parefuzueshme, e sajuar, që të ftohet bashkë me të shoqen. Botuesi im pastaj, gjithmonë nëpërmjet vajzës, arrita t’i them që të vinte vetë, ndoshta të arrinte ta merrte për një vizitë tjetër, ta merrte vetë, të vinte me gruan. Ai erdhi me gruan. Ishte koha kur Ramiz Alia ishte gati të shkonte në Amerikë, vëmendja e të gjithë shtetit shqiptar ishte drejtuar te vizita e Ramiz Alisë në OKB. Ishte lëkundja e fundit, që të mos i prish punë, e kam menduar këtë gjë, e them me sinqeritet, e dija këtë gjë. Unë erdha në Francë, që në fund të shtatorit dhe do të prisja këtë vizitë.

-Ramiz Alia ka thënë që ju e përcollët në aeroport...

S’është e vërtetë, është absurde, unë kam qenë në Paris në atë kohë, kam ikur në shtator. Është një fantazi, ose është një transferim i kujtesës së gabuar të tij. Nuk besoj se e bën me ndonjë qëllim, por është fare absurde. Para një muaji kam qenë në Paris dhe prisja mbarimin e kësaj vizite. Thosha që, nëse ky merret vesh më në fund me amerikanët, unë s’po i prish punë, do të kthehem në Shqipëri, s’ka nevojë të iki.

-Pra, ju e kishit dilemën që mund të ktheheshit?

Absolutisht, deri në ditën e fundit. Ka bërë vizitën në Amerikë dhe prisja me padurim rezultatin. Rezultati ishte ky: takoj ambasadorin, e fjala parë që më thotë është se la nam shoku Ramiz në Amerikë, e shoqëronin 70 shqiptarë të armatosur. I thashë: “More, je në vete apo si, çfarë janë këta shqiptarë të armatosur, apo nga entuziazmi”? Po çfarë është ky vend që lejuaka shqiptarë të armatosur të shoqërojnë presidentin. Pyeta pak botuesin, që pyeti në Ministrinë e Jashtme, ishte gafë e gjitha, ishte një blof. Vizita ishte një takim me diasporën, ishte për të hedhur hi syve.

-Dhe ju morët vendimin për të qëndruar në Francë?

Absolutisht, menjëherë të nesërmen, sapo e dëgjova këtë gjë, ishte e fundit lëkundje e imja. Nuk kam dashur t’i krijoj telashe vendit tim.

-Si ndodhi?

Unë shkova menjëherë të nesërmen bashkë me time shoqe dhe dy vajzat. E dinin ata të ministrisë që u kam thënë se kam ndërmend, por ndoshta do të shikoj.

-Ishte e informuar Ministria e Jashtme?

Ishte e informuar, sepse botuesi im ishte një personalitet kulturor, shumë i famshëm në Paris. Kanë lidhje me shtetin, jo për t’i shërbyer shtetit, por për t’i shërbyer interesave të Francës. Dhe i kam lajmëruar menjëherë, nuk kisha asnjë lëkundja. Na ka pritur vetëm ministri i Jashtëm. Janë bërë dokumentet në Ministrinë e Jashtme, kanë ardhur të policisë, të prefekturës për të bërë dokumentet atje, i kanë bërë urgjent dhe unë jam larguar.

Marrë nga “Opinion”.

9 Komente

Po cfare pergenjeshtrimi ben o Mlloja? Cila eshte gafa e Kadarese sipas Mllojes apo redaksise qe ka botuar artikullin e Mllojes?Kujt ia ben pergenjeshtrimin Kadarese apo ambasadorit ? Sepse Kadare  citon cfare i ka thene  ambasadori  dhe nuk e shpik  vete  ate punen e kompanise me te armatosur. Per me teper Kadare  shpreh mosbesimin dhe e qesendis  ambasadorin per fjalet qe thote.

Cfare manie per te manipuluar ne menyre teper teper te trashe lexuesit!!!

Hedh nje budalla nje gur ne uje dhe cohen 100 budallenj te tjere per ta nxjerre. Leqe e lexuam 2 here shkrimin te perseritur si rraketake qe te duket i madh; po cfare shkrimi... as nje faqe artikull dhe deng eshte me gafa ne shkrim. Po si nuk mesuan njehere te shkruajne shqip more aman!!! U dh**fshin e u befshin moot jalla; palogazetare!

Thjesht eshte si pune shitje te artikullit.

Kadare qesendis "besnikerine" thernies se ambasadorit, keta e marrin dhe e vendosin si te Kadarese. E shtremberojne sipas direktives qe u jep Ramizi, i cili ose eshte matufjepsur ose kerkon ta kaloje me dhelperi situaten e dokumentacionit te 90-tes, si risk per ndonje fillim shembje te ngrehines se manipulimit te historise.

Konspiracion heeee!

Genc Mlloja nuk e ka lexuar intervisten e Kadarese me vemendje; Kadareja thote qe ambasadori jone ne France i ka thene qe R. Alia shoqerohej nga 70 shqiptare te armatosur.

Z. Mlloja thote "Për saktësim, dy punonjës sigurimi amerikan ishin në dispozicion të shoqërimit të z. Alia, veç shoqëruesit të tij nga Shqipëria."

Cfare ka harruar te pergjigjet eshte se sa shqiptare te armatosur e shoqeronin R. Aline. Mund te ishte vetem nje i deklaruar zyrtarisht e 69 te padeklaruar; te gjithe e dine qe "keshilltaret ekonomike e politike" te asaj kohe mund te mbanin dhe ndonje kobure ne valixhe; ushtri e popullit ushtar smiley

Para disa vitesh ne gazeta doli nje lajm qe ambasadat tona (me duket ne Prage dhe ne Budapest) kane pasur arme te depozituara qe do perdoreshin ne rast rreziku e qe ju kishin krijuar probleme personelit te mepasem pasi nuk dinin ku ti conin.

Po ku ka patur sume ambasadori te flase ashtu ne prani te nje servili te pushtetit per presidentin e vendit o aman... Sado ta njihte Kadarene ambasadori; gjithsesi nje fare frike ka qene gjithmone atehere... kishin njerezit frike nga vellai i tyre, jo me nga Kadareja!!! E si u shprehka ashtu??? Nuk i besoj asnje fjale.

Pastaj, kush eshte ai idjot qe, sado guxim te kete, e beson, me tru ne koke qe ne Amerike munde te shoqerohesh nga banda te tilla te armatosura!!! Keto jane idjotesi te uleta fare... edhe Ahmedinaxhadi qe ben Satanin engjell dhe Ameriken supersatan, shkon me nje shoqerues te thjeshte!!!

anbefakinlivebell.

Meqenese nuk shoh asgje me vlere ne intervisten e Kadarese, per ata qe e kane ndjekur te plote, a eshte thene ndonje gje me teper? Apo thjesht nje kafe ne opinion?

Ah, ne fakt ne fakt me pelqeu ajo puna e paqme e botusit per interesat e Frances.

Kadarese i duhen var lesht kur del jasht stanit ne tij ashtu si Ramizit i duhen var lesht oll-tugedher.

Keto ping-ponget e detajeve te parendesishme duhen kaluar me sa me pak debat.

IK jep interviste dhe nuk flet para kooperatrivisteve te fshatit te PD-se. Duhet me pase kujdes kur merresh me thashetheme te "mireinformnuarish" ne France se cfare ndodh ne USA  ,qe lene koken per ti thene nje te vertete Kadarese smiley.

Ik edhe si fakt per te perligjur 70 te armatosurit duhet te gezohet qe paska zbuluar grupe te armatosurish qe levizin lirisht neper USA edhe brenda OKB dhe keta QEKAN shqiptare qe luftojne e mbrojne ceshtjen e Frontit Demokratik brenda USA-s.

Me kete prurje do te thoja se z. GENCI eshte treguar mjaft korrekt dhe shume serioz e me kulture duke e ruajtur Kadarene qe me e vogla do te ishte nje njoftim : 

Kadareja merret  me thashetheme si plakat e Gjirokasteres 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).