Historishkrimi dhe kritika e historisë

Kushte të ndryshme historike doemos sjellin një preokupim dhe intensitet të ndryshëm jo vetëm në përjetimin e historisë, por edhe në shkrimin e saj. Procesi i legjitimimit të shtetit kombëtar dhe më pas atij komunist nëpërmjet studimeve... historike dhe komoditeti që i ofronte studiuesve shqiptarë angazhimi vetëm me tema të historisë  kombëtare, padyshim që inspiroi një numër serioz studimesh, por nga ana tjetër la pas një historiografi shkencore me një trashëgimi problematike, e cila sidomos për brezat e komunizmit dhe ato të tranzicionit nuk është e lehtë të braktiset, pasi, më së shumti, duhet që autorët të hedhin poshtë vetveten. Megjithatë është po aq i vërtetë edhe fakti se çdo etapë e historishkrimit në Shqipëri është marrë me problemet më madhore që i shtroi përpara momentumi historik apo që i kërkoi pushteti politik.
 Mbi bazën e shkallës së njohjes dhe përdorimit të burimeve dokumentare, historiografia shqiptare dallon periudhën e shkrimeve parashkencore (gjysma e dytë e shek. XIX - 1945), kur shkruhej duke e paragjykuar atë çka kishte ndodhur në të kaluarën dhe librat hartoheshin duke mos iu referuar dhe burimeve primare historike, dhe më pas periudhën e shkrimeve shkencore (1945), kur filluan jo vetëm të përdoren burimet dokumentare dhe kronikale, por edhe të mbahej qëndrim ndaj tyre.
Vështruar në prizmin ideologjik, në historiografinë shqiptare dallojmë katër periudha të mëdha: e para, periudha kur shkrimet për historinë më tepër se ambicie shkencore mbartnin shqetësimin e formëzimit dhe të ngjizjes së vetëdijes nacionale (gjysma e dytë e shek. XIX - 1912). Kjo periudhë nuk pati diversitet mendimi, pasi historishkrimi duhej të përmbushte një qëllim të vetëm dhe të unifikuar. E dyta, kur shkrimet për histori mbronin dhe legjitimonin shtetin e pavarur shqiptar, të cilit jo një herë iu kërcënua ekzistenca (1912-1945). Më shumë se sa diversitet, mendimi në shkrimin e historisë, kemi një nivel në rritje të cilësisë së shkrimit të saj.
E treta, kur shkrimet për historinë përmbushnin një detyrë të diktuar nga politika zyrtare (1945-1990), ndaj nuk mund të bëhet fjalë veçse për një qëndrim unik, madje pa tentativa për të devijuar nga linja e përcaktuar; dhe e katërta, kur shkrimet për historinë janë vetëm një prej treguesve të situatës kaotike dhe tranzicionit intelektual që po kalon shoqëria shqiptare (1990). Tashmë gëzojmë diversitet mendimi në shkrimin e historisë, por niveli shkencor i shkrimeve është tejet i diskutueshëm.
 Deri në vitin 1945 ndikimi i ideologjisë nacional-romantike në shkrimin dhe përdorimin e historisë më shumë se njohje e rrymave dhe literaturës bashkëkohore perëndimore, ishte reagim i historiografisë shqiptare ndaj kushteve politike të kohës brenda dhe jashtë vendit. Veprat e para të mirëfillta shkencore të para Luftës II Botërore, përveçse reflektojnë prejardhjen dhe formimin e autorëve, nuk janë të çliruara tërësisht nga notat nacionaliste. Me këtë shpjegohet edhe fakti se para vitit 1945, kur historiografia shqiptare ende nuk ishte futur në korniza të forta ideologjike, momenti dhe konjuktura e caktuar politike, e brendshme apo e jashtme, përcaktuan karakterin dhe dimensionet e studimeve; madje duke shkuar më tej mund të themi se, më shumë se format moderne të shkrimit historik, ishte tema historike ajo që përcaktonte formën dhe dimensionet e shkrimit historik.
Por edhe regjimi komunist iu drejtua nacionalizmit. Vetëm se nacionalizmi në fjalë, për nga objektivat që synonte të realizonte, nuk i ngjante fare atij të shek. XIX dhe atij të para Luftës II Botërore. Regjimi komunist i mbetur mes dy botëve për t’ia “shpjeguar” popullit situatën e vështirë ku kishte rënë, për të ngritur lart moralin dhe, pse jo, për t’i zgjatur jetën vetes, mori si shembull aktet heroike me karakter popullor që “fshiheshin” në histori. Në këtë mënyrë regjimi komunist shpresoi të konservonte mbështetjen e masave duke shpresuar tek ringjallja e ndjenjave kombëtare.
Vonesat në ngritjen e shtetit shqiptar dhe problemet me të cilat u përballën viset shqiptare para Luftës II Botërore vonuan procesin e profesionalizimit dhe institucionalizimit të studimeve historike, ndryshe nga ato të vendeve ballkanike që këtë problem e zgjidhën kohë më parë. Duhet vënë në dukje se fillesat e ndarjes së studimeve historike me karakter thellësisht rrëfimtar nga ato profesionale me karakter kritiko-shkencor duhen kërkuar në fillim të viteve ‘20 të shek. XX; por gjithsesi amatorizmi, si stil dhe metodë e të shkruarit të historisë kombëtare, u zëvendësua nga të shkruarit shkencor vetëm pas Luftës II Botërore.
Ndërsa studimet modeste historike në periudhën e Mbretërisë Shqiptare ishin fryt i zhvillimit intelektual dhe deri diku
“të lirë” në vend, niveli mediokër i historiografisë shqiptare gjatë periudhës komuniste ishte një nga aspektet e krizës intelektuale në vend. Këtu duhet nënvizuar fakti se Shqipërisë nuk është se i mungonin kapacitetet intelektuale, por kornizat shtrënguese që kishte vënë regjimi nuk lejonin zhvillimin intelektual tej caqeve politikisht të përcaktuara.
Ndërsa kanë munguar pothuajse tërësisht gjatë periudhës komuniste, shkrimet historike në gjuhë të huaj në historiografinë shqiptare ka qenë më së shumti prezente në mes viteve 1910-1920, kohë kur shqiptarët ishin duke luftuar për të mbajtur në këmbë shtetin e tyre dhe duke parashtruar kërkesa për njohje ndërkombëtare. Botimet e Lumo Skëndos në frëngjisht, të K. Dakos, F. Nolit, F. Konicës dhe, më së fundi të S. Skëndit në anglisht, edhe sot nga studiuesit e huaj që nuk dinë shqip mbeten burime të rëndësishme referimi. Medievisti i njohur francez, A. Ducellier, qysh në vitin 1967, duke bërë fjalë për rëndësinë që kanë botimet në gjuhët ndërkombëtare të komunikimit dhe sidomos në kushtet e një historiografie të një vendi të vogël, ngriti një shqetësim të drejtë. Ky shqetësim me kalimin e kohës u shndërrua në një problem prej së cilës historiografia shqiptare do të vuajë shumë edhe në ditët e sotme. Arsyeja kryesore e mungesës së botimeve në gjuhë të huaja ka qenë e natyrës ideologjike. Vetizolimi nga bota dhe kontaktet shumë të kufizuara me shkollat dhe qarqet shkencore ndërkombëtare ishin shkaqet që përcaktuan edhe nivelin e njohjes së gjuhëve të huaja nga studiuesit shqiptarë.
Gjithsesi sundimi absolut i gjuhës shqipe në shkrimin e historisë shqiptare pati dy efekte të forta negative: së pari, në një masë të konsiderueshme forcoi karakterin lokal të historiografisë shqiptare dhe nivelin profesional të studiuesve shqiptarë dhe, së dyti, siguroi mosnjohjen e saj në nivel ndërkombëtar, madje edhe në rastin kur bëhej fjalë për vlera që meritonin të njiheshin dhe promovoheshin edhe jashtë Shqipërisë.
Këtu një rol të madh luan edhe shkolla jonë, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet e vetmja qendër që prodhon masivisht kandidatë për shkencëtarë në fushën e historisë. Mësimi i historisë në shkollë sot duhet t’u ofrojë nxënësit dhe studentit krijimin e aftësive intelektuale për të analizuar dhe për të interpretuar në mënyrë kritike fenomenin historik, dhe duhet ta pajisë atë me rrugët e perceptimit të drejtë të problemeve dhe të vlerësimit të llojshmërisë kulturore të tyre.
Gjatë periudhës komuniste shkencat sociale shqiptare ishin tërësisht të mbyllura nga ndikimet që mund të vinin nga jashtë. Një situatë e tillë, ku studiuesit shqiptarë dinin shumë pak mbi atë se çfarë bënin kolegët e tyre në botë, patjetër që solli konservimin e vlerave kombëtare, madje në shumë raste duke i paraqitur ato si krejt origjinale dhe krejt të ndryshme nga ato të fqinjëve. Vetëm duke u ngritur në nivelet që kërkon koha dhe duke konkurruar me historiografitë e vendeve të tjera, studiuesit shqiptarë dhe veprat e tyre do të vlerësohen ndërkombëtarisht. Vetëm atëherë ata do të arrijnë të balancojnë “ndikimin e fuqishëm” të studiuesve të huaj që shkruajnë për Shqipërinë.
Ndërsa gjatë periudhës komuniste kishim vetëm një historiografi zyrtare, e diktuar nga ideologjia sunduese, pas vitit 1990 nuk kemi asnjë tentativë serioze për të krijuar pluralizëm të vërtetë në ide dhe qasje as nga individë dhe as nga institucione. Një situatë e tillë vjen ngaqë edhe ata që pretendojnë se janë të aftë të krijojnë një tezë alternative nuk arrijnë të konkurrojnë, madje edhe me tezat zyrtare. Mendimi dhe tezat alternative synojnë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të çlirojnë historinë nga mendimi historiografik “zyrtar”. Ato janë të domosdoshme, megjithëse sot ne nuk i kemi. Edhe në se do ta kishim patjetër që ai do të ndeshej fort me presionin e shtetit, i cili shkrimin e historisë gjithmonë kërkon ta konsiderojë si një monopol të vetin.
Pyetja se çfarë është historia, për nga përdorimi dhe për nga kuptimi, kur shndërrohet në pyetjen se për kë porositet historia, atëherë ajo shndërrohet në një vegël problematike. Kjo është vija e demarkacionit, e cila po u kalua e bën historinë një shkencë “të rrezikshme”. Në ditët e sotme historia është laboratori i shkencave sociale; është shkenca sociale më “gjithëpërfshirëse”, ndaj dhe të gjithë pretendojnë t’i fusin hundët duke harruar se historia është dhe duhet të mbetet shkencë. Shkenca e historisë në një vend, në se nuk lidhet me autoritetin shkencor që përfaqëson të vërtetën, duke qëndruar mbi qeveritë dhe politikën që ndryshojnë dita me ditë, ajo atëherë do të ngatërrohet gjithmonë me çështjet dhe trajtimet emocionale.
Nga ana tjetër, një ndryshim politik nuk ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme mbi aspektet praktike të profesionit të historianit, si për shembull mbi çështjet e teorisë, metodologjisë dhe stilit të të shkruarit. Megjithatë, periudhat e autokriticizmit janë periudha reflektimi dhe të ndryshimeve të dëshiruara. Shkenca e vërtetë ka dimensionin e saj njerëzor dhe human, por e tillë ajo nuk mund të jetë në se nuk i dedikohet religjionit të saj, që është religjioni i së vërtetës.
Veprat që historianët shkruajnë duhen lexuar për të mësuar të vërtetat që kanë ndodhur në të shkuarën dhe për të marrë një prognozë për të ardhmen. Librat e shkruar nga historianët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë elementë esencialë në krijimin e kulturës elitare të një shoqërie.
Megjithëse qasjet kritike moderne janë shprehje dhe cilësi të vetëdijes së çliruar shoqërore, nuk duhet lënë pa theksuar edhe fakti që historiografia është e pamundur të shkëputet nga mjedisi social dhe intelektual i vendit që e jetëson atë. Gjithsesi është dhe do të jetë faktori kohë ai që do të kërkojë studiues të një kapaciteti të ndryshëm nga ai i sotmi, madje do të transformojë vazhdimisht edhe perspektivat e studimit dhe qasjeve në fushën e mësimit dhe shkrimit të historisë.
 * Studiues në Institutin e Historisë,
pedagog në Universitetin Evropian të Tiranës.

4 Komente

Historine duhet ta shkruajne historianet jo politikanet, fatkeqesisht te ne shumica e historianeve jane te politizuar.

Shkrim bajat! ne 10 fjale 20 jane fjale te huaja te perdorura me debilllekun me te madh!

Ne fakt historografia jone njihet shum-shume pak nga qarqet perendimore, qe edhe kur njihet -nganjehere- njihet me syzet e serbeve dhe te grekerve. Mendoj se botimi i historografise shqiptare nga lashtesia deri ne mbarim te luftes se dyte boterore, te botohet ne 4 gjuhet kryesore si fillim, ne anglisht, frengjisht, spanjisht dhe arabisht. Me pas mund te perkthehet ne  3 gjuhet e tjera si, kinezçja, gjermanishtja dhe rusishtja.  

Shkrim bajat! :0

I shkruar ne menyre konfuze , teper i paqarte se cfare do te thote duke u paraqitiur nga nje bajataxhi smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).