Fundi i modelit ekonomik të tranzicionit

Bashkë me vitin 2009 duket se po shkojmë edhe drejt “mbylljes” së një cikli të rëndësishëm pothuajse 20 vjeçar të tranzicionit. Kemi folur e jemi përpjekur shumë për vendosjen dhe performancën e ekonomisë së tregut në Shqipëri, kemi zbatuar me rigorozitet recetat e FMN-së dhe Bankës Botërore për privatizimin e ekonomisë dhe hapjen e saj, jemi treguar maksimalisht ortodoksë në çështjen e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë, jemi fokusuar pothuajse plotësisht te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e performancës së politikave ekonomike e qeverisjes. Pra, me fjalë të tjera, kemi ndërtuar një model ekonomik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal “nga plani tek tregu”.
Por, duket se kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli po i vjen fundi, në kuptimin që shumë nga elementët dhe energjitë e tij duket se e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të ezauruara për një periudhë tjetër 10 ose 20 vjeçare në të ardhmen. Kriza aktuale ekonomiko-financiare globale më shumë se sa ndikimi direkt i saj në ekonominë apo financat shqiptare, na evidentoi dhe disa probleme kardinale: sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike ? A kemi modelin e përshtatshëm ekonomik për të garantuar ritmet e kësaj rritjeje në vitet që vijnë? A kemi një ekonomi të strukturuar me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë? Duke supozuar se efektet direkte e indirekte të krizës ekonomiko-financiare ndërkombëtare janë një ose dy vjeçare, dhe pastaj ne duhet të përballemi « me normalitetin », vlerësohet se pikërisht këtu qëndron problemi ynë më serioz. Vërtet që në 2009 dhe 2010 ekonomia shqiptare mund të ketë një rritje ekonomike më të ulët se trendi disa-vjeçar i saj, dhe kjo është « e justifikueshme » si pasojë e krizës globale, pikëpyetjet e mëdha duket se fillojnë pikërisht pas kësaj periudhe.
Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se sa do të jemi ne në gjendje që të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afat-shkurtër e afat-mesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri tani. Si do ta eliminojmë apo ngushtojmë deficitin e lartë tregtar dhe atë të pagesave? Si do ta ristrukturojmë hapësirën rurale shqiptare ku mbizotërojnë mini-fermat bujqësore?, Si do ta zhvillojmë, ristrukturojmë e modernizojmë biznesin shqiptar që akoma reflekton mjaft elementë arkaikë e informalë? Cilat janë politikat më të mira strukturore që na konvergojnë me ekonominë evropiane ku synojmë të integrohemi? Cilët do jenë sektorët që do përbëjnë « motorrin » e ekonomisë shqiptare në vitet në vazhdim?, Turizmi?, Bujqësia dhe agro-industria?, Energjia? Industria?, Infrastruktura?, Arsimi? Ekonomia e dijes?, Shërbimet?, Zhvillimi i biznesit të vogël e të mesëm?, etj. Duket se ka ardhur plotësisht koha që të jemi sa më të qartë në objektivat themelore të zhvillimit dhe modelit të rritjes për 10-20 vitet në vazhdim. Këtë mangësi e bën akoma më të rëndë edhe fakti se forcat kryesore politike janë në antagonizëm të vazhdueshëm ndërmjet tyre, antagonizëm që shprehet në qëndrimet mohuese të çdo arritjeje ekonomike reciproke dhe neglizhenca e dukshme ndaj konceptit të një « strategjie kombëtare të zhvillimit » të përgatitur me konsensusin maksimal politik e shkencor të nevojshëm dhe e respektuar nga të dyja palët.
Ndodhemi në një moment thelbësor për të diskutuar e precizuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët esencialë të saj. Mbyllja e “periudhës 19-20 vjeçare të tranzicionit” si dhe kriza aktuale ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni që në disa vite kanë qenë edhe më të larta se 1 miliard euro në vit, donacionet e shumta si vend i varfër dhe në zhvillim që kemi përfituar me shumicë, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj që kanë qenë një arterie e rëndësishme që furnizonte rregullisht ekonominë tonë, privatizimet masive që i kanë krijuar buxheteve tona luksin e të qenit në ekuilibër dhe me deficit minimal, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom” 15 vjeçar i sektorit të ndërtimit, shkarkimi i papunësisë nëpërmjet emigracionit drejt Greqisë apo Italisë, “rekomandimet detyruese” të FMN-së, etj., duket se po shkon drejt tezaurimit total ose të pjesshëm. Edhe politikat 18 vjeçare me prioritet absolut për “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar kështu mundësi për rritjen ekonomike duket se nuk mund të jenë më të vetme. Ka ardhur koha të bëjmë politika më të strukturuara, të mirë adresuara e të gjera për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike, për garantimin faktorial të qëndrueshmërisë së saj.
Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të nxitet në tre mënyra : nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik, diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja. Dy mënyrat e para gjykohet se janë më të lartë risku dhe jo shumë të qëndrueshme” në raport me të tretën. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë  e huaja, gjë që ne na pëlqen ta përmendim shpesh si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje ekonomike jo shumë reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë. Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afat-mesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Kriza e tanishme që preku rëndë sektorin e industrisë minerare, eksportet me fason,etj., është një dëshmi më shumë e këtij konkluzioni. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afat-gjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, nga shumë qendra e institucione të specializuara duhet që vendet si Shqipëria të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus.
Duke qenë se ne duam të nxisim rritjen ekonomike afatgjatë duhet të mos mbetemi vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të axhustimeve strukturore si p.sh., stabiliteti makroekonomik, thellimi i privatizimeve, hapja e liberalizimi ekonomik, por të fokusohemi maksimalisht drejt politikave prodhuese e sidomos politikave energjetike, industriale dhe agrare, të jemi të kujdesshëm me stabilitetin financiar, të jemi maksimalisht të prirur për futjen masive të teknologjive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe biznesit tonë, të kemi realisht në fokus zgjerimin e kapitalit human dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive e territorit në “kontributin dhe përfitimet nga rritja ekonomike. Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti shumë i konsiderueshëm tregtar, treg ushqimor i varur dukshëm nga importet, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësisë territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, etj., nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe efiçente.
Kolona vertebrale e këtij ndryshimi duhet të jetë biznesi privat, ristrukturimi dhe modernizimi i tij. Por, ky objektiv duket shumë larg arritjes së tij po të kemi parasysh gjendjen aktuale të tij. Është e vërtetë që ne kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë shumë politika favorizuese “për përmirësimin e klimës së biznesit” apo “lehtësimin e presionit fiskal ndaj tij”, por vetëm kaq duket se nuk mjafton. Ajo që është shqetësuese është “cilësia” e këtij biznesi, është brishtësia dhe në mjaft raste “amatorizmi” i tij. Mjafton ti referohemi disa prej indekseve më të rëndësishëm ndërkombëtarë për ta sintetizuar këtë tablo. Kështu për shembull, sipas “Indeksit të konkurueshmërisë globale 2009” që publikohet nga Forumi Ekonomik Botëror kur është fjala për “shpenzimet për kërkim-zhvillim nga ana e biznesit” jemi renditur të 126 nga 133 vende të marra në studim. Po kaq problematike duhet gjendja edhe po ti referohemi treguesit tjetër të “sofistikimit të biznesit”, tregues që krijon garancinë për zhvillim apo shpreh dobësitë e bizneseve në një vend. Jemi në vend të fundit në botë në treguesin “bashkëpunimi biznese-universitete”, ndërkohë që në elementin “zhvillimi i klasterave” rezultojmë të 130, tek “sasia dhe cilësia e ofertës lokale”, pra e prodhimit të brendshëm për të cilin flasim kaq shumë se duhet ta mbështesim me politika e masa konkrete, rezultojmë në vend të 110 dhe 116. Këtu mund të shtojmë dhe elementin e “përshtatjes me teknologjitë e reja” në të cilin jemi në vend të 105-të. Në këtë sens shkon dhe publikimi i fundit nga ana e Bankës Botërore i indeksit mbi ekonominë e dijes. Jemi klasifikuar në vendin e 93 nga 135 vende të botës duke rezultuar mbrapa Paraguait, Kubës, Ishujve Fixhi, Mongolisë, Xhamajkës, etj., si dhe të fundit në Ballkan larg Serbisë që është e 53, Maqedonisë që është e 58-ta. Është e qartë se edhe ky indeks i rëndësishëm na evidenton edhe njëherë situatën shqetësuese të cilësisë së ekonomisë shqiptare dhe dobësive strukturore të faktorëve të rritjes ekonomike.

7 Komente

Per fryme popullsie, Shqiperia eshte vendi qe ka marre me shume ndihma humanitare se cdo vend tjeter krahasuar me ato te Evropes lindore. Po keshtu edhe per kredite e buta. 

Ndihmat nga emigracioni, si ne asnje vend vend tjeter te Europes lindore, kane qene relativisht konstante per 20 vjetet e kaluara dhe llogariten reth $0.5mld  ne vit (~1/5 e GDP existuse). 

Asnje nga vendet e Europes lindore nuk ka poziten gjeografike dhe pasurite minerare te Shqiperise. 

Po tani? Jane vende te europes lindore qe vendosin per fatet e Shqiperise, ndersa Shqiperia diskuton ende "mbylljen e një cikli të rëndësishëm të tranzicionit 20 vjeçar"

 

Per fryme popullsie, Shqiperia eshte vendi qe ka marre me shume ndihma humanitare se cdo vend tjeter krahasuar me ato te Evropes lindore. Po keshtu edhe per kredite e buta.

Gjekundi nuk je. Na kane ndihmuar, po, por kur ben krahasimet, na sill ndonje shifer te keqen; qe te pakten neve te na "diferencoje kualiteti" i Civicit.

Serbia pas bombardimit nga NATO mori 5 miljarde dollare ndihma, dhurate. Ka firmosur marreveshje dhe me FMN per ndihma dhe kredi te reja qe shkojne te miljardat, ndoshta ende nuk ka nje shifer te sakte... - s'ka rendesi kjo, lexo me poshte¬

Para 5 ditesh, ne Bujanovc , mu ne kufi me Kosoven, Boris Tadic peruroi hapjen e bazes ushtarake me te madhe te Serbise qe ka kushtuar gjithsej 1.5 miljarde (billion, melearde, 1 500 000 000 $) dollare.

E ti krahason akoma ndihmat? Ata kane leke per te hedhur ne mes te urise, e ti krahason ndihmat per fryme barkthatesh???

po, por kur ben krahasimet, na sill ndonje shifer te keqen; qe te pakten neve te na "diferencoje kualiteti" i Civicit.

The economist. Shifra nu ka (si mbaj mend)

O Civico,

Nese ti psh do te kishte si qellim ne jete te vidhje dhe te pasuroheje me pa te drejte a nuk do te te interesonte ky modeli egzistues ekonomik? E  pra kjo klase politike e tille eshte, prandaj pa e permbysur nuk mund te pretendojme per te ndryshuar modelin ekonomik.

 "....Jemi në vend të fundit në botë në treguesin “bashkëpunimi biznese-universitete”, ndërkohë që në elementin “zhvillimi i klasterave” rezultojmë të 130,.."  

Gje qe tregon se ne si komb, presim gjithmon qe disa gjera te na i zgjidhi shteti, nderkoh qe duhet te jene inisiativat private ato qe duhet te ndikojne ne permisimin e struktures se punes dhe te teknollogjive.  

 

" ....Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të nxitet në tre mënyra : nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik, diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja.... Dy mënyrat e para gjykohet se janë më të lartë risku dhe jo shumë të qëndrueshme” në raport me të tretën. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, gjë që ne na pëlqen ta përmendim shpesh si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje ekonomike jo shumë reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë. Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afat-mesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Kriza e tanishme që preku rëndë sektorin e industrisë minerare, eksportet me fason,etj., është një dëshmi më shumë e këtij konkluzioni. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afat-gjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, nga shumë qendra e institucione të specializuara duhet që vendet si Shqipëria të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus...."

Une do te shtoja se vetem e para borxhet) eshte me risk (me rreziko) dhe jo shum efikase per Shqiperine e vogel. Natyrisht jo krejtesisht e mohueshme, por e kontrrollueshme dhe me sa me pak borxhe. E dyta, eksportimi i mineraleve dhe tekstileve, (biles çdo produkti te tepert) eshte gjithmon e mire, sepse perveç punesimit e rritjes se PBB, sjell valute ne tregun shqiptar (gje qe rrit perseri PBB) sepse me ate valute blen teknollogji te re (pika e trete e z. Adrian). çdo luhatje qe mund te vihet re nga oshilacionet ne tregjet nderkombetare, mund te sfumohet/zbutet nga teknollogjia e re (pra rritja e cilesise) dhe çmimi pakez me lire (megjithse produkti ne Shqiperi, me ate krah pune duhet te dali patjeter me kosto me te ulet se produktet perendimore apo dhe lindore).  

Per blerjen e teknollogjive te reja (si per energji, perpunimin e produkteve bujqesore dhe agro-kulturore, per infrastrukture), Para shum viteve (1991-2000) i kam meshuar zerit per nje emigracion sa me te shumte te shqiptarve, edhe si nje mundesi per shkarkimin e papunesise (siç e permend dhe ketu z. Adrian), si e vetmja mundesi per hyrjen e valutes ne Shqiperi. Si hap i dyte ishte zhvillimi i turizmit (2000 e me tutje) e infrastruktures, gje qe do te shtonte fluksin e hyrjeve e per pasoje edhe te valutes, e cila do t'sherbente per blerjen e teknollogjive te reja, teknollogji qe do te shtonte eksportin e produkteve (gje qe fatkeqesisht Shqiperia nuk po e ben me ritmin e duhur dhe nuk po perfiton nga marrveshja MSA, ku produktet shqiptare kane te drejte te hyjne pa taksa ne tregun Europian).  Me shume produkte fut/eksporton Maroku drejt Europes, qe nuk ka nenshkruar marrveshje MSA me EU, se sa Shqiperia qe ka nenshkruar marrveshje dhe qe ndodhet me afer me Europen.   

O Civico,

Po deshe, si i gjindshem qe je, kur te kesh kohe, ne cilesine e anetarit te Bordit te Mbikeqyrjes se BSH, na shkruaj ndonje gjo  per aresyet qe BSH vazhdon te kreditoje qeverine e shqiperise, megjithese e ka te ndaluar me ligj! A di gjo Saliu pasi ai nuk mund te pranoje qe te shkelen ligjet. Apo ju e boni kete gje pa dijenin e qeverise dhe kreut te saj?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).