Fullani: Duhet ndryshuar modeli i zhvillimit ekonomik

Edhe pse në dukje, kriza ekonomike duket e kaluar, sërish shenjat e saj janë evidente në sistemin monetar shqiptar. Guvernatori Fullani e tregoi dje qartë, në takimin me bizneset më të mëdha të vendit, se sistemi bankar po vuan akoma për likuiditete. “Sistemi bankar ka ende mungesa likuiditeti ndërsa ekonomia botërore mbetet e dobët”. Në fakt tema e takimit me biznesin, ishte një farë leksioni për prioritet dhe ndryshimin e modelit ekonomik. Guvernatori e tha qartë, se modelit të deritanishëm, tranzitor, të zhvillimit të biznesit duket se po i vjen fundi. Ai kërkoi ndryshimin e politikës së investimeve nga biznesi shqiptar dhe strukturës së kursimeve dhe kredive që marrin konsumatorët, pra qytetarët.

Modeli i zhvillimit
Këshilla e guvernatorit ishte e qartë. Shqipëria duhet të përcaktojë një strategji të re zhvillimi, kjo që nga politika e deri te vetë bizneset. “Me gjithë arritjet, personalisht gjykoj se modeli i zhvillimit të vendit ka nevojë për modifikime dhe përmirësime, të cilat duhet të synojnë rritjen e eficiencës dhe te qëndrueshmërisë së tij”. Fullani renditi tre arsye të forta pse ky ndryshim është imediat.

“Së pari, përfituesit kryesorë të rritjes ekonomike kanë qenë konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërkohë që ekonomia shqiptare nuk ka arritur ende të krijojë një sektor eksporti konkurrues, të aftë për të gjeneruar të ardhura të qëndrueshme valutore të cilat do të mundësojnë ruajtjen e balancave të jashtme ekonomike. Së dyti, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësi strukturore, të cilat tkurrin konkurrencën e saj në tregjet ndërkombëtare të produkteve dhe të kapitalit. Disa nga problemet më akute i referohen nevojës për përmirësimin e edukimit dhe zhvillimin e infrastrukturës, në të gjitha dimensionet e saj. Të dy këto probleme frenojnë tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbajnë mbrapa zhvillimin e vendit. Së treti, dhe në nivel më mikro, eficienca e përdorimit të fondeve të ekonomisë duhet përmirësuar. Kjo nënkupton nevojën për përmirësimin e sistemeve të drejtimit dhe të kontrollit të bizneseve private, rritjen e aftësive parashikuese dhe analitike, si dhe rritjen e transparencës së tyre.” Për këto tre arsye, Fullani kërkoi nga bizneset dhe vetë bankat, një diversifikim të politikave të tyre të investimeve.

Për bizneset
“Duke u kthyer te bizneset dhe kredia për investime, portofoli i së cilës përbën edhe 2/3 e kredisë totale të sistemit bankar, mesazhi im është në thelb i njëjtë: rritni horizontin kohor të vendimmarrjes dhe të investimeve tuaja dhe mbështetini ato në analiza e plan-biznese të detajuara. Ajo që dua të theksoj është se ky mesazh duhet të perceptohet më me urgjencë nga ana juaj, pasi ju dispononi resurset e nevojshme financiare dhe njerëzore për të qenë më të kujdesshëm në huamarrje dhe në investime.

Ka ardhur koha që bizneset shqiptare të shmangin sjelljen në grup, ku një ide biznesi ndiqet në mënyrë pothuajse automatike nga biznese të tjerë, pa studiuar madhësinë e tregut, avantazhet konkurruese, shkallën e ekspertizës, apo eficiencën financiare të përdorimit të fondeve, sipas të gjitha hallkave në të cilat duhet të kalojë një vendimmarrje e kujdesshme. Tendenca e kohëve të fundit për diversifikimin e bizneseve shqiptare është një gjë e dobishme në parim, por ajo nuk duhet bërë në dëm të specializimit dhe uljes së eficiencës, apo aq më pak pa kryer analizat makroekonomike dhe sektoriale.”

Për qytetarët
“Duke qëndruar te konsumi familjar, Banka e Shqipërisë fton të gjithë agjentët ekonomikë të jenë më largpamës dhe realistë në planet e tyre të konsumit dhe të kursimit. Kjo ftesë nuk nënkupton tkurrjen e konsumit dhe as ndryshimin e preferencave për të, por thjesht vendosjen e tij në kontekstin e planeve afatgjata që barazojnë të ardhurat me shpenzimet në nivel familjar. Përtej dimensionit kohor, siç jemi përpjekur vazhdimisht të tërheqim vëmendjen, kredimarrësit duhet të jenë të kujdesshëm edhe në monedhën e marrjes së kredisë. 

Kjo do të thotë që mbrojtja më e mirë për ta do të ishte përputhja e monedhës në të cilën përftohet kredia me monedhën në të cilën kanë të ardhurat. Në një këndvështrim më pragmatist, kjo këshillë mund të reduktohet në një thirrje për një konsultë më të ngushtë me sistemin bankar dhe agjentët e specializuar të tregut financiar”.

 

9 Komente

 Rekomandimet e guvernatorit te BQ, nuk mu duken keq, perkundrazi ishin mire dhe ne kohen e duhur. 

shikoni dhe kete videon ne balkanweb: http://bw.balkanweb.com/TV/index.php?id_...

eshte me troc dhe me qarte. Po thuhet qe keshtu nuk vazhdohet me, por duhet te gjejme nje model zhvillimi. Deri tani kemi ecur me remitanca, ndihma, kredi te buta, etj. Ka patur pak ndihmese ne sektore si sherbimi dhe ndertimi, por duhet te mendojme me shume per sektore qe do te rrisnin exportet dhe qe do te krijojne te ardhura me te qendrueshme

Thua valle  Fullani te jete opozita e vertete ne Shqiperi?

Së dyti, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësi strukturore, të cilat tkurrin konkurrencën e saj në tregjet ndërkombëtare të produkteve dhe të kapitalit. Disa nga problemet më akute i referohen nevojës për përmirësimin e edukimit dhe zhvillimin e infrastrukturës, në të gjitha dimensionet e saj. Të dy këto probleme frenojnë tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbajnë mbrapa zhvillimin e vendit

Pa harruar zgjidhjen e problemit te pronave gjithashtu, dhe sigurish stabilitet politik qe Shqiperise me ngjarjet e fundit duket qarte se i mungon.

Puna eshte qe une nuk besoj se ne e kemi nje model ekonomik. Ah, te thuash duhet ti jepet fund anarshise ne ekonomi dhe duhet te ndertojme /kemi nje model ekonomik ndoshta edhe mund te qendroje. Sidoqofte ai/Fullani do beje mire ti mbylle rubinetin financimit te deficitit buxhetor nepermjet emetimit abuziv te lekut!

Ka patur pak ndihmese ne sektore si sherbimi dhe ndertimi, por duhet te mendojme me shume per sektore qe do te rrisnin exportet dhe qe do te krijojne te ardhura me te qendrueshme

Po mir ato paret e shpenzuara nga konsumatori tek sektori i sherbmit, nga kane ardh kur sektori primar o berrnut? Money laundering anyone?smiley

kronika e ka thene shume qarte: deri tani kemi ecur kuturru, dhe emigracioni dhe bumi ekonomik boteror na ka ndihmuar, megjithese rastesisht. Nje ore e me pare na duhet nje model i mirefillte ekonomik, dhe kjo vjen nga guvernatori, qe si figure here here mund te jete me i rendesishem se kryeministri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).