Fier, "Taçi Oil" zmbraps tatimorët

Drejtuesit: Tatimet kanë marrë vendim për të na hequr aktin e bllokimit

Gati një javë pas urdhrit të bllokimit të dy uzinave të përpunimit të naftës në Fier dhe Ballsh, të cilat administrohen nga kompania "Taçi Oil", vihen re shenjat e para të "zmbrapsjes"
së tatimorëve. Fakti vihet re jo vetëm me mosvijimin e aksioneve tatimore për të bllokuar mjetet që furnizohen me naftë dhe nënprodukte të saj në Uzinën e Përpunimit të Fierit dhe në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, por edhe nga funksionimi normal i punës në këto uzina. Ndërsa pritej që dita e shtunë të shënonte mbyllje përfundimisht në të dy uzinat, qysh nga mesdita e djeshme mes drejtuesve dhe punonjësve të dy uzinave është përhapur informacioni se bllokimi i inspektoratit tatimor do të hiqet. Ndërkaq, drejtues teknik të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier janë shprehur për gazetën "Shqip" se që nga mesdita e së premtes drejtuesit më të lartë të kompanisë "Taçi Oil" u kanë komunikuar vartësve të tyre se akti i bllokimit të tatimorëve do të hiqet dhe se puna do të vijojë pa asnjë presion. Pikërisht kjo deklarohet edhe nga drejtori i UPN-së dhe KPTHN-së, Bledar Myftari, i cili ka thënë se: "Na kanë komunikuar jo për motivin, por për të qenë të sigurt se nuk do të ketë më asnjë bllokim tatimor dhe se puna do të vijojë normalisht si më parë".

Me gjithë vendimin e bllokimit të dy uzinave, që u ekzekutua mesditën e së dielës së kaluar, për asnjë moment nuk është ndërprerë puna në të dy uzinat.

Situata u bë kaotike gjatë momentit të parë të vendosjes së shiritit tatimor dhe një ditë më parë kur nisën protestat e punonjësve, por gjithçka shkoi në normalitet dhe vijoi si më parë. Të shtunën në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier kishte vetëm një sasi të vogël bitumi, i cili pritej të zhvendosjes drejt pikave të shitjes në Përrenjas dhe Vlorë, ndërsa mësohet se puna në këtë rafineri ishte në funksion të plotë. E njëjta situatë ka vijuar gjatë kësaj jave edhe në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ku po vijohet të përpunohet naftë dhe të magazinohen jo vetëm produktet, por edhe nafta bruto.

Po ashtu as prokuroria e rrethit dhe nuk është deklaruar për paditë e kryera nga dega tatimore për 38 punonjësit dhe drejtuesit e "Taçi Oil", për të cilët janë depozituar padi për dëmtim të vulave tatimore. Kujtojmë se dy ditë më parë kreu i "Taçi Oil", Rezart Taçi, ka deklaruar se kompania që ai drejton nuk ka asnjë borxh dhe situata do të normalizohet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).