Falimentimi moral i mediave shqiptare

Në vendin tonë punët e gazetarisë po shkojnë keq e më keq. Këtë e dimë jo vetëm sepse pasqyrohet në notat kritike që japin organizata si “Reporterët pa kufij” por sepse mjerimi i këtij profesioni tashmë të mbyt me kutërbimin e tij. Falimentimi moral i gazetarisë dhe medias ndaj politikës dhe biznesit ka çuar tek përçudnimi i frikshëm i profesionit fisnik. Merr cilëndo gazetë të dëshirosh, ndiz këdo ekran dhe do gjesh sesi lajmi i vërtetë (më duhet ta theksoj këtë pasi ka edhe lajme të rreme në mediat tona) lihet harrueshëm në ndonjë cep. Mendimi kritik mbytet nga mbllaçitjet politike të zëdhënsave partiakë e shtypet nën opinionet gjithnjë më obezë të oborrtarëve, të majtë e të djathtë, të tiranisë së mendimit që po kaplon shoqërinë.

Kemi përfunduar me një sistem mediatik dhe politik, i cili për t’i mbajtur shqiptarët në terrin që i përngjan errësirrës së një salle ku luhet teatër, është ndarë në dy krahë që gjoja kundërshtohen dhe debatojnë. Gazetaria televizive apo e shkruar ka mbërritur të jetë një lojë imazhesh dhe fjalësh, agjiatacion-propagandë e rëndomtë dhe e rrezikshme. Në të vërtetë shumë nga zërat publikë që shkruajnë e flasin me shumicë nuk janë veçse servilë delirantë të një sistemi i cili për të qëndruar i pacënuar ka nevojë ta bëjë të duket sikur ka debat. E në këtë mënyrë, debatet televizive nuk janë më të interesuara të zbulojnë të vërtetën por vërtiten rreth idesë shterpe se u dashkan përballur dy palët, kur fare mirë e dimë se shpesh nuk ka dy palë, pasi palët janë bërë palë bashkë.

Prandaj kemi gazeta të majta dhe të djathta, televizione opozitarë dhe televizione pushtetarë, kemi analistë që akuzojnë dhe të tjerë që mbrojnë qeverinë. Këta gjoja-polemizojnë në gjoja-debate, në një lojë hipokritësh që Frojdi e quajti “narçizizmi i ndryshimeve të vogla”. Sepse i vogël është ndryshimi mes tyre, ndryshojnë vetëm aq sa duhet që intriga e shfaqjes të ngjisë. Ndaj të përzihet stomaku me reagimet patetike pas rrahjes së Mero Bazes ku kolegët e tij, hedonistët e pushtetit, për një moment heqin buzët nga sisa e sistemit dhe bëjnë si të shqetësuar për lirinë e medias, që po vetë e kanë shitur kohë më parë. Dhe maskarada e kësaj here e atyre që autocensurohen ngahera vetëm sa pasqyron falimentimin e moralit profesional të gazetarisë.

Ky është një sistem i cili i rrëmben publikut shqiptar jo vetëm të drejtën për tu informuar, por ca më keq, prej vitesh po tenton tu mohojë qytetarëve edhe të drejtën për të menduar. Si mundet vallë të mendojë një njeri mbi çështjet që i takojnë, aq kohë sa gjendet i bombarduar nga mëngjesi deri pas mesnate nga kakofonia groteske e krijuar nga mediat e shkruara dhe televizive? Si mund të gjykosh, peshosh e të krijosh një opinion tëndin aq kohë sa koha jote shpenzohet duke dëgjuar opinionet e shërbëtorëve të sistemit, që kryejnë më së miri detyrën e tyre duke bërë diversion në çdo ekran e në çdo orë, në mënyrë që qytetari shqiptar të mendojë mendimet e tyre, me mendime të vetat të mos ketë.

Çdo sistem totalitar ka si shenjë dalluese zëvëndësimin e brendisë me imazh, dhe të ideve me propagandë ndaj më duket se po përballemi me një totalitarizëm të një lloji të ri, i cili nuk udhëhiqet nga një njeri apo grup njerëzish, por nga një mori interesash që preferojnë të mbeten anonimë. Janë këto interesa që i zhvasin publikut jo vetëm të mirat materiale që i takojnë por edhe lirinë e të menduarit, duke diktuar temën e çdo tavoline rreth së cilës ulen shqiptarët, duke u kushtëzuar mendimet e duke cunguar botëkuptimet. Struktura media-politikë-biznes vazhdon të çirret me respekt të shtirur kur flet për për kushtetutën, zgjedhjet e lira e shtetin ligjor por në të vërtetë jemi dëshmitarë të një grushti shteti që zhvillohet ngadalë. Dhe pse shumë e shohin këtë, pak flasin për të.

Të rrallë janë opinionistët në këtë vend që kanë forcën e mendimit dhe kurajon për të sfiduar strukturën dhe sistemin mediatik që kemi. Të majtë apo të djathtë qofshin, debatuesit profesionistë, cinikë siç janë, nuk vënë asnjëherë në pikëpyetje drejtimin e vendit. Ata flasin vetëm sot për nesër, godasin një krah politik dhe i lëpihen tjetrit. Shumica e njerëzve tanë te medias nuk e kanë guximin për të vënë në pikëpyetje tabu të tilla si integrimi i vendit në BE, tutelën poshtëruese të ndërkombëtarëve, politikën e jashtme kokëulur që ky vend ndjek me fqinjët… Të rrallë e të paktë janë zërat që  flasin thellësisht e vazhdimisht për rrënimin e sistemit të vlerave, kolapsin e shëndetësisë, keqtrajtimin e natyrës, shkatërrimin e industrive që i mbijetuan diktaturës, pabarazinë klienteliste në treg, shkeljen e të drejtave të punëtorëve, harresën e jetimëve, shfrytëzimin e fëmijëve, gjendjen e mjeruar të arsimit, mungesën e punës, shkretëtira kulturore, kërcënimin e varfërisë… (kjo listë mund të zgjatet nga lexuesi, pafundësisht).

Ka ende pakëz dritë në fund të tunelit aq kohë sa ka ende disa zëra të lirë (gjithnjë e më të pakt&eumlsmiley që ngrihen për të akuzuar mbrapshtësinë e kësaj ngrehine interesash meskine. E keqja është se këta zëra shtyhen tutje, shkelmohen e mbyten për shkak se nuk i shërbejnë sistemit i cili kërkon njerëz të bindur dhe të shitur. Kërkon "njerëz me dorezë" në mënyrë që t'i kapë dhe përdorë lehtësisht. E thënë më shkoqur, zërat e lirë lihen pa bukë, shtrëngohen drejt konformimit, joshen me anë të shpërblimit, dhe në rast se asnjëra prej këtyre nuk funksionon censurohen, pasi jo vetëm që nuk janë të dobishëm për këtë teatër nihilist, por janë të rrezikshëm në atë që thonë kur akuzojnë. Duke qënë i ndërgjegjshëm se akuza ndaj sistemit mediatikopolitik ndiqet nga ngushtimi i hapësirave, mendoj se koha ka ardhur që të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë e të flasin si njerëz të lirë, të bashkojnë zërat dhe mendjet për gjetjen dhe inkurajimin e formave alternative të informimit, për ta rifituar edhe një herë të drejtën e fjalës dhe lirinë e mendimit. E për ta ribërë median në Shqipëri një mjet në funksion të së vërtetës dhe publikut.
 

48 Komente

Cfare jane keto budallaleqe!Akoma sillni vleresimin e te huajve per nje gje qe nuk do as mend as kalem,si puna e gazetarise shqiptare?

Gazetaria shqiptare eshte ne piken me te ulet qe nga 1990 dhe per kete mua nuk me duhet "Reporteret pa Kufi" por shikoj produktin.

Shikoni Shekullin dhe GSH dhe do te shihni se sa servile ndaj Rames jane.Po keshtu shikoni Muc Nanon dhe Mero Bazen dhe do te shihni ku ka perfunduar gazetaria shqiptare.

E njejta gje vlen edhe per anen tjeter.

Boll me vleresime te huajsh dhe me frazen "nje miku im i huaj tha",se late nam.

Do te replikoja por nga komenti yt kuptoj se nuk e ke lexuar fare shkrimin.

E vertete,e lashe qe sa lexova referimin e "Reportereve pa kufi"

Pse mer vetem Mediat me te shkrume ?

Po RD themelin e shpifjeve dhe faren  e injorances qe mbolli ne Shqiperi , ku e late ? Po Shijak Tv e harrut ? Dhe te gjitha produkte te konceptit te MIXHES mbi te "shtypmen e lirume zotnije" qe e ka prure median ne kete gjendje sot .

E mer Gim kur dilshe lagjes tu bertit me 92 ....

"Ndizni degjeneratoret . Shifni Shijakun se ka filma me qejf  sone . Shifni dhe lajmet e Vokshit ke Tirona  ma pare . Kane ardhe hoxhallaret dhe priftat me pare te modhe "

Nje dru i shtrember i vendosur ne fillim nuk e mba dot shume kohe stiven. Duhet rrezuar me cdo kusht "druri i shtrember' dhe ngritur nje stive e re. Me dhimbje por e vetmja rruge!

Si mund të gjykosh, peshosh e të krijosh një opinion tëndin aq kohë sa koha jote shpenzohet duke dëgjuar opinionet e shërbëtorëve të sistemit, që kryejnë më së miri detyrën e tyre duke bërë diversion në çdo ekran e në çdo orë, në mënyrë që qytetari shqiptar të mendojë mendimet e tyre, me mendime të vetat të mos ketë.

I nderuar Blendi! Sherbetoret e sistemit, specia me e ndyre e races njerzore ne liri, (sepse ne diktature te gjithe jane servitore) kane zaptuar edhe kete hapsire lirie (hapsire relative e lirise fale fshehjes pas nickeve sepse  jam i bindur se edhe kjo faqe survejohet ) Ne kete faqe sherbetoret e sistemit  vijne ne emer te lirise se mendimit por me misionin i zi te vrasjes se mendimit te lire. Askush nuk e ka monopolin e se vertetes dhe,  ne kete kuptim te gjithe, pavaresisht nga pozicioni dhe bindjet politike, jane te lire te shprehin ate qe mendojne, te mbrojne pikepamjet  e tyre dhe dialogojne me te tjeret. Por kur ne kete hapsire lirie msyjne agjitatoret agresive te pushtetit te cilet kane si mision vetem riprodhimin stoik te  komunikatave  qeveritare , kjo eshte perdhosje e lirise dhe  dhune ndaj perpjekjeve per te menduar si qytetare te lire. 

Duke qene i ndergjegjshem se kritika ndaj sistemit mediatikopolitik ndiqet ngushtimi hapsirave, mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë e të flasin si njerëz të lirë, të bashkojnë zërat dhe mendjet për gjetjen dhe inkurajimin e formave alternative të informimit, për ta rifituar edhe një herë të drejtën e fjalës dhe lirinë e mendimit. E për ta ribërë median në Shqipëri një mjet në funksion të së vërtetës dhe publikut.

Per te bere kete revolucion duhen siguruar tre premisa :

-nje grup njerzish te cilet te jene te imunizuar nga deshirat e paperballueshme  te "homos economicus" (produktit me shkaterrimtar te shoqerise se konsumit,)  per para, luks, pushtet dhe konfort,

-mjete  financiare jashte kanaleve qeveritare dhe burimeve te pista te parase,

-dhe...heronj ...kete specie qe tashme i takon historise.

Mund te dukem pak pesimist por pesimisti eshte nje realist i informuar.

 

Blendi me pelqeu shkrimi per tematiken qe ngre por si menyre te "menduari" le shume per te deshiruar!

Problemi  qe ky shkrim ngre eshte shume domethenes dhe i rendesishem per shoqerine shqiptare por menyra se si eshte parashtruar problemi eshte shume i vrazhde per tu lexuar dhe kuptuar.

Si shume shkrime "akuzuese" ne mediat shqiptare dhe ky shkrim "lufton" me "mullinjte e eres". Flitet te marresh "cilen do gazete" flitet per "tirani mendimi" flitet per "oborrtare", flitet per "zedhenesa" qe mbysin me mbllacitje mendimin kritik, flitet per "analiste qe akuzojne dhe te tjere qe mbrojne qeverine" flitet per "kolege te Mero Bazes, hedonistet e pushtetit per nje moment heqin buzet nga sisa e sistemit dhe bejne si te shqetesuar per lirine e medias qe po vete e kane shitur kohe me pare". 

Flitet e flitet por asgje konkrete nuk thuhet. Kush jane gazetat qe cilen do te marim ne dore? Kush eshte Tirani qe po udheheq Tiranine e mendimit? Kush jane zedhendesat partiak qe mbysin mendimin kritik? Kush jane oborrtaret? Kush jane koleget e Mero Bazes qe kan shitur lirine e medias kohe me pare?

Shoqeria shqiptare ka nevoje per "Muckrakers" dhe jo per "Ashtu ne pergjithesi" Nje shprehje e urte thote "nje pune gjysem e bere eshte nje pune e pa bere" Ne rastin e ketij shkrimi une do ta ktheja ne nje Akuze gjysem e bere eshte nje Akuze e pabere!

Pershendetje Miqsore nga NY

 

Flitet e flitet por asgje konkrete nuk thuhet. Kush jane gazetat qe cilen do te marim ne dore? Kush eshte Tirani qe po udheheq Tiranine e mendimit? Kush jane zedhendesat partiak qe mbysin mendimin kritik? Kush jane oborrtaret? Kush jane koleget e Mero Bazes qe kan shitur lirine e medias kohe me pare?

Ja dhe nje fermer qe do te behet francezsmiley Keto pyetje jane me spec, se po u mor vesh pergjigjja e nuk dalin te afermit e tu ne rruge me sfurqe i bie qe te mos jene as fermere: thjesht bujkrober.

 ka shume gazeta dhe shume liri. shtypi jone pluralisto - demokratik eshte akoma i vogel ne moshe, (si ai djali i vogel i pabindur) duhet rrah qe te mesoj detyrat e shtepise. vetem nepermjet shpulles  e ka te sigurte permiresimin. 

Jam dakord me ty kur citon Stalinin dhe thua qe liria e fjales ka kufirin te thana. Ta mbajme nen hyqem kete popull-malukat, derisa te formohen e te behen te gjithe kenveshtrimsa. Vetem atehere, kur te arrihet uniformiteti i nivelit te larte, do te kemi mundesi te shprehim kenveshtrimin tone. Deri atehere shpulla. Pa gjyq. O tempora, o pisces sine aqua!

Ah edhe nje gje: nje strukture si me siper eshte pershkruar nga Makiaveli te "Princi" dhe Stendahl te "Manastiri i Parmes". Ne lufte kunder kesaj strukture gjithmone duhet nje 'i brendshem'. Nje oborrtar i penduar dmth. Deri tani s'di te kem degjuar ndonje emer te tille. Se kjo kala vetem nga brenda merret, e jo me yrysh 'kamunistash'.

 

...kush e degjoj F.Cupin dje tek TCH....si ka mundesi nje njeri i tille te jete gazetar!!!!!....personalisht e vleresoj nje shkrim apo gazetar konkretisht per shkrimin.....turpi i djeshem ishte Cupi dhe Cili......

Blend .

Gazetari i detyrohet ETIKES.

Bisnesmeni i detyrohet LIGJIT.

Kur vejne kuror gazetari me bisnesmenin , s'ka ETIK, s'ka LIGJ.

Lum ai qe mer pjese ne dasmen e tyre.

Chapachuli dmthsmiley

turpi i djeshem ishte Cupi dhe Cili......

Në vendin tonë punët e gazetarisë po shkojnë keq e më keq. Këtë e dimë jo vetëm sepse pasqyrohet në notat kritike që japin organizata si “Reporterët pa kufij” por sepse mjerimi i këtij profesioni tashmë të mbyt me kutërbimin e tij.

Ne vendin tone jo vetem punet e gazetarise po shkojne keq e me keq. Por edhe ato te arsimit, shendetesise, sigurise, drejtesise, sherbimi civil....... etj etj. Keshtu ndodh kur vlerat zevendesohen me antivlera, ku po te jesh i ndershem dhe punetor e "ha", kur periodikisht specialistet ne administrate zevendesohen me militante, ku ligji perthyhet e perdridhet si te jete rasti. 

A nuk patem para ca kohe nje diskutim per pranimet ne universitetin e Vlores? A nuk po shohim lloj lloj injorantesh me titulla Master, apo politikane hajvane me nga dy e tre diplloma? Gjithe kjo race e te paaftesh sigurisht qe do vazhdoje te gjeje rrugen e vet te tregu i punes. Per hir te ngjarjeve te fundit, sot po diskutohet gazetaria, por problemi eshte shume here me i thelle e me i mprehte. Ai ka te beje me te ardhmen e shoqerise shqiptare.

Shume e drejte patriot. Ne nje mendim qendroj. Edhe diku ne nje shkrim per Bazen e gaetarine, kam shkruar qe nuk mund te pritet pasterti ne gazetari kur ajo ushqehet nga biznesi, biznesi ushqehet ne lidhje koorreale me politiken e politika eshte shembulli me i keq i shoqerise ne semundje.

Mendimi tim eshte se nese kjo shoqeri nuk i jep drejtim vehtes duke filluar me shkollen qe permbledh edhe edukimin ne te, dhe pastaj me shendetesine qe kuron trupin por edhe shpirtin, nuk ke si kerkon per pasteri e ndershmeri ne jurisprudence, ne politike e me pas ne mardhenie biznesi.  Bota qe ne duam te shkojme e me zor po na merr ne aneksin e saj, e ka filluar me keto dy shtylla. Druri i shtrember themi,nuk ka si drejtohet me pas, kur eshte rritur. Fillojme me degjenerimin ne shkolla, persosim humanizmin e te behemi njerez, e pastaj teknike, shkronjesa(qofshin gazetare a shkrimtare), por edhe drejtues te mire do te mbjellesh.Pse jo edhe ne biznes. E pastaj vjen politika si persosmeri e shoqerise ne drejtim dhe vizion.

Mediat nuk jane vecse nje ingranazh i mekanizmit kompleks te shoqerise sone.

Une mendoj se jo vetem ato, per shoqeria jone ne teresi eshte sot moralisht dhe kulturalisht e falimentuar.

(A nuk varemi ne plotesisht nga "e moralshmja", "e ligjshmja", "e drejta" qe vjen nga jashte? A nuk e pranojme si te mireqene, e pa kushte, cdo "te vertete", sugjerim, ndikim qe na vjen nga "Perendimi", "Europa", apo bota ne pergjithesi?

Kjo varesi nenkupton pikerisht dorezimin e shoqerise sone, paaftesine e saj per tu perballur me ritmet e zhvillimit qe imponon koha dhe vendosjen e saj, per rrjedhoje, nen tutelen e nderkombetareve.

Keshtu p.sh., ekonomia dhe politika jone, dy shtyllat kryesore mbi te cilat qendron ngrehina e shtetit, ne mos diktohen, monitorohen nga afer nga nderkombetaret, te cilet japin ok-in perfundimtar per te gjitha ceshtjet kryesore.)

Ne kete kontekst, beselidhja e njerezve te moralshem, te forte e te pavarur me duket edhe mua nje domosdoshmeri. Por do ta shtrija thirrjen publike ne te gjitha fushat e shoqerise sone, pasi mendoj se problemi nuk eshte i qarkshkruar vetem ne media.

 

 

 

 

 

Sa na jane merzitur keto shkrimet e koheve te fundit ku jepen nga ANAListet shqiptare problemet e Shqiperise (gje qe di ti thote edhe femija) e me pas nuk jepet asnje zgjidhje ose jepet ndonje zgjidhje filozofiko-revolucionare-proletare e vari teneqen muhabete pa buke.

 problemi eshte se zgjidhjet jane radikale dhe nuk i pelqen njeri (shumica). 

zgjidhja psh, eshte diktati ndaj shtypit. çensura e tij (siç behet tek ky blog). sepse nuk ka si te kete shtyp te mire ne nje vend me ekonomi te keqe, me nivel te ulet. duhet ngrejt ekonomia njehere qe te ngrihet pastaj edhe shtypi me te gjitha te tjerat qe e shoqerojne. 

shtetet si ne me ekonomi te rrenuar, pas luftes se dyte boterore, psh spanja dhe greqia kane kaluar nga idete komuniste ne diktature (ushtarake) borgjeze, (ne itali dhe france kjo u krye tre-kater vjet si popujt me te kulturuar qe jane), deri sa u liberalizuan e demokratizuan vetevetisht. 

liria e shoqerise sjell roberine e individeve. prandaj dhe nuk e pranojme. duhen bere sakrifica qe te ket perparim. po asnje nuk do te sakrifikoje nga e tija. vetem nga te tjeret e kerkojme kete.

Ne lufte kunder kesaj strukture gjithmone duhet nje 'i brendshem'. Nje oborrtar i penduar dmth. Deri tani s'di te kem degjuar ndonje emer te tille.

Ne fakt ka mundesi qe Mero Baze (qe i dalcin floket kacurrel), te jete nje nga keta oborrtare te penduar.

Ho mer Macok? Njish apo dysh?

e me pas nuk jepet asnje zgjidhje ose jepet ndonje zgjidhje

Urime Blendid per shkrimin cilesor qe ka sjell te peshku. Eshte mendim i cili pasqyron ne vija te trasha realitetin tone. Me ra ne sy fjala MASKARADE e perdorur shume shpesh nga Edi Rama dhe e risjell ne kete shkrim. Kjo te ben te mendosh se Blendi mbeshtet Edi Ramen. Ky eshte thjesht aludim.

Nje verejtje qe do i beja ketij shkrimi eshte perngjasja me nje sistem te mundshem totalitar qeverises ne vendin tone. Mendoj se eshte disi e egzagjeruar.

Blend, shkrimi me pelqeu por desha te te bej nje pyetje.A te vjen megjithe mend keq ty personalisht qe Merua hengri dru.

Mua me vjen keq edhe kur rrifet nje qen, keshtu qe pergjiegja ime "po" nuk thote asgje per te shenuar.

Blend me vjen mire qe te vjen keq kur rrihet nje qen,por te lutem shume nuk eshte Merua ne nivelin e nje qeni,qeni eshte besnik.

Blendo, shkrimi i mirë, je shumë elokuent, por për mua do të kishte më shumë vlerë një listë e gazetarëve dhe analistëve që konsideron se ia vlen të lexohen se sa artikulli. Duke i lënë anonimë, përfundojnë të gjithë në një kazan.

Qafir kerkoj ndjese per injorancen po nuk e mora vesh ate punen e fermerit qe do te behet frances! A mund te ma shpjegosh me pak fjale po pate mundesi??

Pershendetje te sinqerta

Blendi,

Nga artikulli me dukesh i cdekurajuar. Mos! Vazhdo se po te marrim - lexojme seriozisht. Per ta dobesuar pak argumentin tat:  cdo njeri eshte pak a shume i opinionuar. Keq apo mire, varet kush e gjykon. Gazetaret nuk bejne perjashtim. Pastaj, cdo problem, fakt, incident mund te trajtohet ne me shume se nje menyre. Varet cfare syzesh vesh. Ti e di vete: MSNBC liberal, FOx news conservative, etc.  Por sa me shume te vesh ne dukje lidhjet financiare, konfliktet e interesit etc, aq me shume i bie kredibiliteti ketyre gazetave. Kete bej ti si gazetar etik dhe i mire qe je. konkurenca-tregu i ideve funksionin, perndryshe ti nuk do shkruaje keshtu si po shkruan sot. Une per vete lexoj cdo fjale te Fatos Lubonjes.

Qendro Optimist!

Nga artikulli me dukesh i cdekurajuar.

Une per vete lexoj cdo fjale te Fatos Lubonjes.

I see...

Me pelqeu shume shkrimi qofte per temen qe trajton, qofte per menyren se si eshte shkruar. Uroj qe te ngjalli ndonje lloj debat midis njerezve te medias ose me sakte, midis opinionisteve. Eshte e cuditshme, por sa here qe permenden fjalet "opinionist" dhe "shqiptar", ne te njejten kohe, me vjen nje lloj ndjenje perzierje stomaku. Kete nuk e shkruaj aspak per t’i ofenduar, por eshte realisht cfare ndjej.
 
Mendoj se do te ishte me e ndershme dhe shume me fisnike per opinionistet tane, qe per te mbajtur ekonomikisht veten dhe familjen e tyre te kryenin nje profesion tjeter, persa kohe qe makthi i mbijeteses do te ishte nje shantazh i vazhdueshem mbi veprimtarine e tyre profesionale aq sa do ta devijonte ate, dhe nje kercenim qe do ta vinte kete te fundit ne nje pozicion konflikti interesi me vlerat universale njerezore dhe me vlera te tjera te perfituara pergjate shekujve te egzistences tone, gjithmone nqs. ndonje grimce ndergjegjeje ka mbetur ende tek keta njerez.

Çdo sistem totalitar ka si shenjë dalluese zëvëndësimin e brendisë me imazh, dhe të ideve me propagandë…

Kjo ishte teper e dukshme pergjate fushates se fundit elektorale dhe ne nje fare menyre shenoi nje lloj kulmi apo rekordi ne kete drejtim.

... po përballemi me një totalitarizëm të një lloji të ri, i cili nuk udhëhiqet nga një njeri apo grup njerëzish, por nga një mori interesash që preferojnë të mbeten anonimë.

Pra ketu nuk kemi te bejme me nje teori konspiracioni, por me nje realitet shume te dallueshem e  te verifikueshem ku nuk ka vetem nje dore, por shume duar. Ku nuk ka vetem nje pergjegjes, por shume pergjegjes. Ne nje fare menyre behet fjale per nje menyre te menduari te devijuar qe eshte bere pjese e botekuptimit dhe rrjedhimisht edhe te veprimeve te individit dhe individeve.

Nuk duhet harruar ama, qe e gjithe kjo te konsiderohet ne nje moment te dyte, edhe ne nje kontekst global.

shkrim i shume i mire, sidomos permendja e matesve nderkombetare te shtypit, qe kohet e fundit duket askush nuk do tja dije se cfare ndodh me shtypin ne shqiperi.

pse nuk eshte per t'u sh'kurajuar???

mua per vete po me mbarohen arsyet perse duhet te vazhdoj ta dua ende kete vend

Avash ti!

Jo po mbathja dhe leja zvarranikeve! smiley

te them te drejten, nga dita ne dite, po me mbushet mendja te iki  njehere e pergjithmone nga shqiperia

"Te iki njehere e pergjithmone". Te njejten gje mendoja edhe une heren e pare kur ika nga Shqiperia. Pas nje muaji doja te kthehesha. Me kishte marre malli per gjithcka.

Mund te zgjedhim qe ta perballojme problemin, ne pozitat tona modeste apo jo modeste. Ose mund te zgjedhim qe ta evitojme e t'ja mbathim si frikacake.

Secili prej nesh ka racionin e vete te pergjegjesise per gjendjen e realitet ku po jetojme, fale atyre qe ka bere apo qe nuk ka bere. Secili prej nesh ka pergjegjesine dhe mundesine per ta permiresuar ate.

heteroglossia1

ja nje shembull konkret;

kur shkoj blej fruta  te shitesja poshte pallatit, qellon gjithmone qe bie nje kg fiks

dhe shitesja pulit syte pergjysem me keqardhje te dukshme dhe me thote: "po je e drejte moj te keqen nena", njelloj si nje mjeke qe te konstaton nje semundje te pasherueshme smiley

 

 

hahaha, te kuptoj shume mire... Po keto duhen marre hareshem e me shaka flo, ndyshe nuk i dilet. Ndersa une, po te dyqani poshte pallatit, sa here mundem refuzoj qeset qe ti japin sikur po te bejne nder.  Nje mbasdite isha me te mira i them me te qeshur shitesit arsyen (per te mbrojtuar mjedisin pra).  Ai u habit i teri dhe me te vertete tha, 'gjynah, gjithe kjo goce harxhon kohen me keto gjera'.....

c'te te them tjeter!

Nënë moj do marr një udhë, moj nëna ime.

Epo do kaloj malet me gurë, moj nëna ime.

Nuse pse kaq larg më shputë, moj nëna ime.

Epo do më marrë malli shumë, moj nëna ime. ... smiley

 

 

ku je ti spiritus? jam shkrire me ato bejtet smiley

olsib, eshte nje shprehje qe perdoret rendom ketu ne shqiperi

"gjynah i shkreti eshte i drejte/ndershem" mjafton te degjosh kete shprehje te mbrapshte per te zberthyer gjithe filozofine e kombit tone

 

 

"gjynah i shkreti eshte i drejte/ndershem" mjafton te degjosh kete shprehje te mbrapshte per te zberthyer gjithe filozofine e kombit tone

Po kjo nuk eshte nje filozofi e lindur qe ne kohrat e kohrave dhe e bashkangjitur perjetesisht me konceptin e shqiptarit.

Kjo eshte nje filozofi e imponuar dhe e instaluar, ne nje menyre apo tjetren dhe si e tille i ka te gjitha gjasat qe te c'instalohet.

 

Pastaj edhe ky koncepti i "te ndershmit" (qe me thene te drejten s'besoj se egziston ne bote nje i tille), me duket nje cike si shume pasiv.

Oh, ky koncepti viktimist i ndershmerise abstrakte dhe pasive. (sepse kur e citojme ate shprehje me duket sikur gjykojme vetveten edhe si te ndershem).

 

Sillu mire me te miret dhe keq (e me zgjuaresi) me te keqinjte ose thjesht evitoji.

Zoti te ka dhene duar e kembe, goje e intelekt, per te vepruar.

Perdori!

smiley

 

Ciao, ciao! Ika tani!

ama c'qenkemi kuptuar

po c'lidhje kam une ketu ore, shembulli ishte i pergjithshem, po une i rash nga kina per te te thene qe nuk ndryshohet dot gje ne kete vend !!!!

fola dhe une

 

Ky është një sistem i cili i rrëmben publikut shqiptar jo vetëm të drejtën për tu informuar, por ca më keq, prej vitesh po tenton tu mohojë qytetarëve edhe të drejtën për të menduar.

Blendi, me pelqeu shume shkrimi. Ndoshta pas kesaj qe ndodhi, do te kete nje inkurajim te nje debati me te frytshem mes strukturave te ndryshme per moralitetin dhe funksionimin e shumices se medias ne Shqiperi.

Besoj se ne kete gje e kemi dhe pak vete ffajin: etja jone per te ditur se c'po ndodh perreth nesh, nga shume tv te ndryshme na ben me te hapur ndaj ketij problemi.

Po Blend, 'Mbreti eshte lakuriq' dhe kjo duhet thene. Ceshtja eshte kush duhet t'ia thote kujt... aty ngec une.

 Blendi, une do te sjell kukurecet , ti veren, per vitin tjeter. 

pershendetje te gjitheve.   mendoj se duhet te biem dakort per nje gje, diskutojme per rrahjen e nje gazetari apo per lirine e medias.

une mendoj se jane dy gjera  qe  pergjitesisht nuk kane lidhje me njera tjetren. Une mendoj se mero baze, edhe pse u rrah, ishte i lire te thoshte dhe te tregonte ate qe ai mendonte apo ate qe ai e supozonte si te vertete.

Rezart taci nuk mund ti hiqte lirine meros, mund te bente kete qe beri, dhe tani do te vendosi gjykata  se si jane zhvilluar ngjarjet.

rrahja e nje gazetari eshte si c'do rrahje tjeter, nuk e kuptoj pse i duhen dedikuar kaq kohe. g

azetaret duhet te shohin pak me shume brenda vetvetes..aty me duket se mungon ne te vertete liria

Kemi përfunduar me një sistem mediatik dhe politik, i cili për t’i mbajtur shqiptarët në terrin që i përngjan errësirrës së një salle ku luhet teatër, është ndarë në dy krahë që gjoja kundërshtohen dhe debatojn,,,,

...ketu mendoj se fshihet fajtori...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).