E nesërmja: Progres apo Regres?!

1. Protesta e fundjavës mbylli ciklin e parë të strategjisë opozitare paszgjedhore. Përqasja radikale e këtij cikli, përtej veshjes parimore të kërkimit të së vërtetës për zgjedhjet është analizuar së shumti se buron nga nevoja e brendshme për rikonfirmimin e lidershipit, duke kuptuar këtu më gjerë se vetëm kryetari i PS. Shenjat e para të zbehta të kësaj qasjeje u dhanë 1, 2, 3... korrik. Përgjatë dy muajve verorë, përqasja radikale konkurroi me atë të moderuar dhe më pas e para fitoi terren dhe u zbatua në praktikë.

2. Synimet e përqasjes radikale janë arritur tashmë: i) lidershipi i ri është rikonfirmuar; ii) PS ka rimbledhur forcat dhe është rimotivuar për të bërë një opozitë energjike. Arritja e parë është kryesisht çështje e brendshme, edhe pse bllokimi i qarkullimit të elitave mund të shihet dhe si dëm publik. Arritja e dytë është një dobi bruto publike. Por kjo e dyta s‘kish se si të mos arrihej edhe me ndërrim të lidershipit, si dhe pa përqasjen radikale bojkotuese e protestuese. Ndërkaq, përqasja radikale për nevoja të brendshme ka krijuar tashmë një kosto bruto publike, e cila po merr trajtë dhe masë gjithnjë e më të prekshme: nënefektivitet i Kuvendit; një farë pasigurie politike e juridike; rikthim i pjesshëm te dyshimet ndërkombëtare mbi aftësitë e Shqipërisë për stabilitet, siguri, seriozitet. Rezultantja edhe në këtë moment është kosto neto publike, ndonëse masa e dëmit është ende e ulët.

3. Sistemi shqiptar i administrimit/arbitrimit të zgjedhjeve, i ngritur me konsensus e me përfaqësim të barabartë mes palëve, prodhoi rezultatin zgjedhor me shumë-shumë pak kontestime. Ndërkaq, në raportet e arbitrit ndërkombëtar cilësohet se zgjedhjet "...përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së", por "…nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t‘iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike..."; apo "...numërimi ishte i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 Vendet e Numërimit të Votave...." por "...nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve....". Prononcimet apo vendimet e mëpastajme politike ndërkombëtare, në pritje të përmbylljes së procesit zgjedhor dhe konkluzioneve monitoruese mbi të, tashmë janë qartë në favor të Shqipërisë dhe flasin se nga dy mënyrat shqiptare të leximit të të njëjtit raport, mënyra pozitive është ajo e logjikshmja.

4. Shumica e standardeve u arritën nëpërmjet një përqasjeje joradikale e deri diku bashkëpunuese parazgjedhore mes palëve. Për rrjedhojë, arritja e pjesës së mbetur të lartësisë maksimale të standardeve s‘ka se si të ketë nevojë për një përqasje të re tashmë radikale nga opozita. Përkundrazi, kjo pjesë e mbetur e përmirësimit të procesit zgjedhor ka nevojë për edhe më shumë urtësi, bashkëpunim dhe profesionalizëm. Përqasja radikale është e pakuptimtë edhe sikur ajo të na çonte tek i njëjti rezultat i dëshirueshëm. Përse duhet të zgjedhim mënyrën me koston më të lartë? S‘heqim dot dorë nga ky ves? Për më tepër që përqasja radikale, si për fatalitet, ka shumë mundësi të na largojë goxha më shumë, në masë dhe kohë, nga pikësynimi shoqërisht i dëshirueshëm. Ndaj edhe për kaq sa është ushtruar deri tani, kostoja bruto e përqasjes radikale opozitare ka tejkaluar dobinë bruto të kompaktësimit dhe gjallërimit postzgjedhor opozitar. Jemi tashmë në gjendjen e një kostoje neto publike. Nëse ndalet këtu, çereku i së keqes. Nëse s‘ndalet, ku do përfundojmë?

5. Por disa, me apo pa qëllime pushteti, dyshojnë dhe/ose besojnë në mënyrë të sinqertë se numërimi i votave dhe përgatitja e procesverbaleve të rezultateve të numërimit është manipuluar në një masë që cenon legjitimitetin e produktit të tyre: përbërjen e Kuvendit, dhe se ky manipulim nuk është kapur përgjatë procesit monitorues edhe nga ndërkombëtarët. Ndaj thonë këta, "e vërteta ndodhet brenda në kuti". A thua se kutitë s‘qenkan hapur, vëzhguar, numëruar dhe rinumëruar nga ushtritë e të dy palëve dhe të të tretëve e sikur kjo të ishte bërë vetëm në mënyrë të njëanshme nga pala qeveritare e fituese. Krejt e kundërta ka ndodhur. Procesi i numërimit, aty pra ku kemi dështuar më shumë në zgjedhjet e shkuara, ka qenë rreptësisht i vëzhguar në zgjedhjet 2009.

6. E gjithë rrjedha e ngjarjeve dhe rezultateve paraprake deri nga fundi i datës 30 qershor, fliste pozitivisht. Entuziazmi i majtë ishte edhe më i lartë se ai i djathtë këto dy ditë të numërimit. Vlerësime mjaft pozitive për zgjedhjet u dhanë nga të dy kampet. Kutitë e përzgjedhura në mënyrë rastësore po tregonin një fluktuacion të shpeshtë të rezultatit, i cili binte ndesh me rezultatet e sondazheve dhe exit-polls lidhur me masën e diferencës mes votave të palëve, gjithsesi jo me kahjen e tyre. Asnjë dyshim i arsyeshëm nuk u ngrit dhe as s‘mund të ngrihej mbi manipulimet zgjedhore përgjatë votimit dhe në dy ditët e para të numërimit.

7. Pretendimet filluan të ngriheshin në momentin kur rezultati, që nga mesdita e së martës, u projektua qëndrueshëm në 70:66:4. Në pasditen e së martës e në vijim filloi loja numërore e kutive të fundit. Tensioni u ngrit edhe më shumë të mërkurën, më 1 korrik, me shpalljen e koalicionit të mundshëm PD:LSI. Humbi shpresa për një rezultat të tillë që do ta mbante PS në lojën për krijimin e një qeverie koalicioni apo teknike. Të enjten ndodhi konflikti në Fier. Vazhdoi me një proces të tensionuar ankimor dhe rinumërimi të kutive të mbetura.

8. Deri më sot, në diskutimin politik e publik mediatik nuk kam dëgjuar a lexuar ndonjë shpjegim serioz si mund të jetë kryer manipulimi në votim, në numërim e në ankimim, me efekte kumulative neto pozitive, në masë të mjaftueshme e në njërin drejtim, që të mbështeste këtë dyshim kaq të madh e të rëndë të opozitës mbi produktin zgjedhor. Kushdo që do të ofronte shpjegime të arsyeshme nga dyshuesit e sinqertë, do të ishte i mirëpritur. Variantet që shtrohen e diskutohen nëpër kafene a mbledhje politike më duken fantastikisht qesharake. Kam dëgjuar nga këto para dhe pas zgjedhjeve. Ky lloj dyshimi a besimi më kujton shprehjen "E shoh që është mulli me erë, po uji nga i vjen"?

9. "Urtësia fillon me logjikën" thotë një fjalë e urtë. Hetimi parlamentar është një proces me elementë të fortë të procesit penal. Hetimi kërkon arsye të mjaftueshme për t‘u ndërmarrë. Në fakt, për qëllimet e përmirësimit të sistemit të ardhshëm zgjedhor do të kishte mjaftuar edhe një proces vlerësimi dhe analize logjike. Se mos kërkon shumë analizë përfundimi se duhet kaluar te komisionet jomilitante dhe te numërimi apo edhe votimi elektronik. Por ja që jo të gjithë janë logjikë. Kërkohet hetim parlamentar. Kërkesa për komision hetimor është e pamohueshme, edhe pse mund të mos ketë fort arsye. Por, te komisioni hetimor mund të kishim arritur edhe pa qasjen radikale të opozitës. Nëse deputetët e opozitës do të shkonin në Kuvend që në shtator, sot, në fundin e nëntorit, komisioni do të ishte ngritur edhe pa dashjen e mazhorancës, ndërsa elementët materialë dhe proceduralë të hetimit do të ishin mirëpërcaktuar qoftë edhe me një aktivizim të Gjykatës Kushtetuese në rast mospajtimi mes palëve për ndonjë nga këto aspekte. Opozita s‘jep shpjegime pse nuk ndoqi këtë rrugë të sigurt, por ndoqi bojkotin dhe protestat. As dyshuesit e sinqertë nuk shprehen për këtë.

10. Kërkesa opozitare për hetim parlamentar deri tani është artikuluar në terma tepër-tepër të përgjithshëm. Të pyetur mbi elementët thelbësorë të hapësirës dhe metodës së hetimit, drejtuesit e opozitës ose nuk përgjigjen, ose nuk dinë të përgjigjen, apo japin përgjigje nga më të ndryshmet mes tyre. Mazhoranca ka pranuar kohë më parë hetimin parlamentar me spektër të gjerë hetimor deri në kufijtë e kushtetutshmërisë si dhe në cenim të së drejtës së saj ligjore, pra t‘i japë opozitës shumicën e komisionit. Në kushtet e një kërkese të paqartë, edhe përgjigjja është dhe duhet të jetë e kufizuar. Lëshimet në paqartësi mund të jenë po aq të rrezikshme për kushtetutshmërinë, sa kërkesat e paqarta. Askush nuk ka tagrin të japë konsensus tej përcaktimeve kushtetuese. Pa një proces hetimor kushtetues, s‘mund të ketë një rezultat kushtetues. Hapësirat dhe metodat hetimore kërkojnë një shtjellim të plotë dhe të qartë paraprak nga opozita kërkuese në radhë të parë, nga mazhoranca pranuese në radhë të dytë dhe nga institucionet apo publiku gjithashtu. Bëhet fjalë për një terren ku kushtetutshmëria dhe anti-kushtetutshmëria ndahen nga një fletë e hollë e ku probabiliteti për devijim në drejtim të gabuar është mjaft më i lartë se ai për në drejtimin e duhur.

11. Kaq kosto dhe risqe publike jo vetëm deri më sot, por edhe në javët në vijim! Dhe për çfarë? Vetëm për çështje të brendshme të opozitës. Po nëse do kemi të bëjmë me interesa më të forta se kaq? Mund të parashikojmë kosto publike edhe më të larta të mundshme nga aksioni radikal opozitar. Gjithsesi, për sa kohë aksioni mbetet në hapësirën e veprimit kushtetues, radikalizmi është i dëmshëm, por i ligjshëm.

12. Radikalizmi opozitar shpejt do të përfundojë te synimi i zgjedhjeve të parakohshme. Këto janë zgjidhje ekstremale në rrethana tepër të veçanta. Zgjedhjet e parakohshme nuk justifikohen nga humbja e durimit, edhe kur zgjedhjet pararendëse janë humbur me diferencë të ngushtë. Opozita duhet të dijë të vetëpërmbahet për 4 vite, deri në garën e ardhshme. Deri atë ditë, ka shumë gjëra që mund të bëhen së bashku me mazhorancën. Kjo kohë do të jetë edhe një shans për opozitën e re, që të mësojë se ç‘është shteti. Pa kaluar klasën për këtë cilësi, në rrethana të tjera të njëjta, zor se kualifikohet fituese edhe në 2013-ën. Në 3-4 vitet e ardhshme duhet që motori shqiptar i integrimit të punojë në kapacitet të plotë për të kapur lartësinë e pranueshmërisë në BE. Ndaj ka nevojë për sjelljen bashkëpunuese e kontribuuese të të gjithëve. Radikalizmi i paarsyeshëm opozitar sjell regres, opozitarizmi aktiv dhe bashkëpunues sjell progres.

5 Komente

Me gjuhen e statistikave do thoja 'skewed' por mund te themi edhe biased, biased, biased!

Erdhi nje nga mashtruesit me statistika ,se te parin e tij e ka ne Qeveri .Po cfare thote ? Ja le te mundohemi pake te kuptojme se ku e ka zbuluar "radikalizimin" e  problemit te hapjes se kutive ne baze te radikalizimit te programit partiak ? smiley

Per ta kujtuar me nje krahasim te vogel fillorist do ti japim nje shembull te vogel , mjaft te vogel nga cila fushe qe te desheroje , sidomos e fermentimeve ,    .....por qe te hjete me i qarte le te kuptoje :

Cfaredo lengu te vesh ne zierje ai vec avullon , ndersa po i vure KAPAK siper sado fort ta sigurosh ai SHPERTHEN ! Dhe si zbulus i fendeve te medha qe eshte sidomos te radikalizmave ai do te dije te ndaje kush eshte KAPAKU i kesaj Historie te thjeshte qe po radikalizon situaten.

Po cfare thote konkretisht...

1-4 na pergatit se do na cqaroje. Tek 5 nxjerr shpaten nga mylli . Pika gjashte hedh poshte piken pese . Te 7-ta na ben me dije se po e ekuilibroj situaten dhe....erdhi e teta deri ne ameshim . Bjeru Sali Berisha heu bre Kjo lloj tufe e servileve moderne qe i qajne hallin Memedhembjes , s'paska te sosur ne vend . Te peshtire !

O Sali malumi. Leri Sofizmat . Lexo letrat e popullit ca te hapura e ca me pika . Po te shpallin MBRET ! Per ca "palo kuti"  heziton ti " ? Hapi dhe nderohu edhe ne sy te Shqiptareve , pa i trashur muhabetete e pa u futur peshtytesit analiste qe shfrytezojne rastin per tu cfaqur te "ditur" e na mbyten me servilizem. Po te nxjerrin bojen edhe tye me sinjale pavdekshmerie e dekrete si TRASHEGIMTAR i VETEM i LIGJOR i SHQIPERISE

Progres apo Regres ?

 

S'e di per neser, po sot ishte as regres, as progres!

Ishte thjeshte repo! smiley

C'paska ndodhur qe keta te Topit po i dalin kunder Edvinos?

Progres per ty qe je pasuruar nga mbeshtetja qe i ben qeverise dhe me financimet qe mer nga donatoret e koruptuar dhe regres per kete popull pa fat dhe pa intelektuale te vertete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).