"Do it yourself" filozofia e hipermarketit - Praktika edhe në Shqipëri

Investimeve gjermane në Shqipëri i është shtuar së fundi dhe hapja e një hipermarketi të konsorciumit Praktiker. Me një investim rreth 20 milion euro ky emër i njohur sjell në tregun shqiptar filozofinë "ndreqe vetë".
 

Rreth 7 km në periferi të Tiranës është hapur hipermaketi Praktiker. Për atë që ka vizituar më parë objektet e këtij emri në Gjermani ose jashtë saj bie menjeherë në sy se është në të njëjtat standarte të formës dhe përmbajtjes. Arredimi i brendshëm i seksioneve, ngjyrat, dekorimi, sinjalistika dhe ndarjet e jashtme etj. Si nja nga 4 sipërmarrjet më të fuqishme të ndërtimit në Europë, Praktiker, performon në mënyrë uniforme në cdo filjal të saj. Ajo është e spikatur në aplikimin e filozofisë së ofrimit të shërbimeve dhe produkteve për klientin me kredon"Do it yourself", ose siç thuhet në shqip "Bëje vetë".

Për Michael Arnold, anëtar i Bordit Drejtues të Praktiker prezenca në Shqipëri është një nevojë e konsumatorit vendas, për cilësinë dhe standartin gjerman. "Unë dëshiroj që t'ju premtoj sot se ne do të bëjmë gjithçka që t'i përmbushim të gjitha kërkesat dhe pretendimet tuaja. Kushtet për këtë janë të favorshme. Ne ju ofrojmë klientëve tanë këtu në Tiranë jo vetëm një gamë të gjerë asortimentesh me më shumë se rreth 35 mijë të tilla. Por ne gjithshshtu sjellim këtu dhe një cilësi shërbimi të nivelit gjerman. Sjellim teknologjine dhe përvojën gjermane", thotë Arnold.

Loritan Prespa, është adminstrator i kompanisë shqiptare "Prespa", e cila ka bashkëpunuar me Praktiker për hapjen e hipermarketit në Tiranë. Ai thotë për DW-në se në ngritjen e këtij objekti kanë punuar rreth 500 punëtorë shqiptarë, por dhe specialistë vendas dhe të huaj. "Bashkëpunimi me Praktiker nisi nga dëshira e mirë për të sjellë në Shqipëri kompaninë serioze dhe me eksperiencë dhe për të sjellë një frymë të re dhe për të ndihmuar edukimin e klientëve. Por dhe për të ndikuar sadopak në punësimin e njerëzve. Periudha e ndërtimit ishte parashikuar të zgjaste diku tek 24 muaj. Por në fakt ndërtimi zgjati vetëm rreth 10 muaj, nga fillimi deri në fund".

Shqipëria vendi i 10-të në Evropë me hipermaket Praktiker

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Ilir Meta e përshkroi si një lajm të mirë për ekonominë e vendit ardhjen e Praktiker-it gjerman. "Prezenca tregon jo vetëm oportunitetin që ofron tregu shqiptar, por dhe është konkretizim i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve", iu tha Meta të pranishmeve në ceremoninë e hapjes zyrtare të hipermarketit. "Me krenari mund të them se prezenca e konsorciumit Praktiker tregon që vendi ynë po konsolidon tregjet e mallrave dhe të shërbimeve dhe i ka të gjitha mundësitë për tu shdërruar në një oaz ekonomik në rajon për kompanitë më prestigjoza të Europës", deklaroi zëvedëskryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta. Sipas tij qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për ta përmirësuar edhe më tej klimën e biznesit, si një ftesë direkte dhe konkrete për të afruar sa më shumë kompani dhe firma serioze.

Ambasadori Gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, kujtoi se mbërritja e Praktiker në Shqipëri është vazhdë e disa investimeve dhe angazhimeve të tjera të biznesit gjerman. "Edhe për konsumatorin shqiptar ky është një hap përpara. Ky investim i shkëlqyer gjerman është pjesë e një trendi të investimeve gjermane këtu në Shqipëri", tha ambasadori. Ai përmendi modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", investimet në sektorin farmaceutik, në portin e Durrësit, prezencën e grupit mediatik WAZ, ndërtimin e një qëndre të madhe të biznesit në periferi të kryeqytetit etj.

"Praktiker Group" me qendër në Kirkel (Saarland) e nisi operimin me hapjen e hipermarketeve në fund të viteve 70 dhe që atëhere në Gjermani janë rreth 340 të tilla. Por flamuri i Praktiker valvitet dhe në Greqi, Bullgari, Hungari, Luksenburg, Poloni, Rumani, Turqi, Ukrahinë. Oferta e Praktiker ka të bëjë me produkte dhe shërbime që përfshijnë ndërtimin, rikonstruksionin, riparimin e shtëpisë dhe objektet e saj, vegla për kopshtari, mjete për hobet dhe kohën e lirë etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi Vilma Filaj-Ballvora

10 Komente

yyyy....kush e di me sa minus do dalin vitin e pare ata smiley

 

Ne 700 fjale ketu me lart, s'mora vesh çfare do te bejne keta. A shesin, a blejne, a rregullojne, çfare dhe si, keto nuk i interesojne Mukes por thjesht te na infektoje diten me llafe kot. E nejse, suksese (as qe e kam idene per çfare).

Nga katalogjet e shperndara keta duken se do jene konkurrues vecse vendin e kane zgjedhur ca si teper larg per nje qytet si Tirana.

Praktiker,cilesi e padiskutueshme,gjithmone nqs eshte ajo qe eshte ketu,por e shtrenjte.

E njoh mire qe kur u hap me 1992 ne Athine. Cmimet shume te favorshme, asortimentet pafund ne te gjitha-gjitha fushat. Pashe broshuren ne Tirane dhe cmimet ishin po ato qe jane ne Athine. Per te mos u keqkuptuar, cmimet e Praktiker jasht jane nga me konkurueset.

P.sh. 1 tv 32' Toshiba Rezga shitesh 44.900 lek (350eur), kur ende qarkullonin ne Tirane "okazioni" ose "oferta" e Euronics per nje tv te ngjashem, me 54.900 nga 59.900 qe e kishte patur.

Ajo qe di eshte qe shume mjeshter (zanatallinj, ustallare) ketu ne Athine, nje pjese te madhe te veglave dhe materjaleve i blejne ne Praktiker. 

Pewr mendimin tim,qe besoj se njoh nivelin e cmimeve ne Tirane,  eshte nje zhvillim shum pozitiv per ekonomine e vogel te cdonjerit. 

Me vjen keq qe nuk ke kuptuar asgje nga Praktiker ose nuk ke te besh fare me ato qe tregeton ai hipermtrket pasi je vetem nje viizitor ne te.

Edhe une e njo ate lloj hipermarketi qe nga 92 ne Athine e Selanik. Mallrat dhe ideja e shitjes se tyre eshte per nje klient amator dhe jo kerkeses cilesore por te asaj "mbaro pune e shiko per nje tjeter". Koncepti i tyre "beje me forcat e tua" ka rene sot, pasi njeriu eshte aq i zene sa koha kushton me shume se malli. ( kuptohet nese je i zene me pune produktive)

Une te jap shembullin e veglave elektrike te markes "Bosch". Aty tregetohen vetem ato ne ngjyre jeshile  te cilat tregojne qe jane per amatore, sepse "Bosch" tregeton profesionalet me ngjyren blu. Juve ju duken cmimet e lira por krahasimi duhet te behet po me ato mallra te asaj cilesie te cilat tregetohen ne dyqane te tjera. Pra "Bosch"-in jeshil e gjen ne dyqane te tjera me cmim me te lire se atje, ndersa profesionalin ai nuk e tregeton.

Krahasimi i aparatit tv nuk qendron, sepse perkrah cmimit te tij duhej te vendosje edhe karakteristikat si psh. kontrasti, rezolucioni etj.

Megjithate i urojme ecje te mbare dhe  themi qe ka vlera per ne, pasi futet ne tregun e konkurences dhe te diapazonit te larmishem te llojit dhe cilesise.

A mund ta di edhe une se cfare eshte ky hipermarketi?

A mos valle jemi ne nje shoqeri e qelbur megallomane, brenda thellesise se shpirtrave fshihen stereotipet frojdiane te madheshtise?

Popull, qe dikur kishte nje mbret, te cilit nuk i mjaftonte thjesht Madhni ose Madheri, por donin ta therrisnin Naltmadhni apo Lartmadheri.

Seriozisht dua ta di, se cfare dreqin eshte hipermarketi ne Shqiperi?

Mbaj mend qe ne Tirane ka patur disa ndertesa qe u thonin Markata (kishte tek 21shi, tek Rruga Bardhyl e me rradhe dhe ne krahasim me dyqanet e tjera ishin goxha te medhaja. Pastaj na u hapen disa dyqane qe vetequheshin Supermarkete, te cilat nuk e kalonin madhesine e nje apartamenti dhome e guzhine.

Pastaj me ra rasti gjate nje vizite ne Tirane te hyja ne nje nga keto hipermarketet. Asgje me teper se dicka e madhesise se nje supermarketi te madhesise se mesme ne ndonje qytet gjerman. Edhe dikush perpiqej seriozisht te me mbushte mendjen se si keto "hipermarkete" si ne Tirane nuk kishte ne asnje vend te botes.

Kam hyre shpesh tek Praktiker ketu ne Gjermani, malli jo me shume cilesor se disa dyqane te te njejtit lloj ketu ne Gjermani, kam parasysh ketu BAUHAUS, apo marken tjeter Max Bahr, e cila prej disa vitesh i perket Praktiker-Gruppe. Edhe vete filozofia e biznesit te Praktiker-Gruppe eshte, qe Max Bahr qendron per cilesine e larte, kurse Praktiker vete eshte discounter.

 se shpejti do keni & nje Lowes & nje HomeDepot.

 Deri ne 95% te artikullit nuk po e kuptoja se per çfar behej fjale, çfare shisnin a çfar sherbimesh ofronin, mirpo asgje veç superlativa pa shkruar asgje konkrete. Veç kur vjen rreshti i fundit ku shpjegohet se per se sherbente ky hipermarket/superpazar.  

"....Oferta e Praktiker ka të bëjë me produkte dhe shërbime që përfshijnë ndërtimin, rikonstruksionin, riparimin e shtëpisë dhe objektet e saj, vegla për kopshtari, mjete për hobet dhe kohën e lirë etj..." 

 Ky ishte rreshti i fundit, qe shpjegonte konkretisht diçka. Si duket artikulli ishte kryekeput reklam se sa informacion, per vet faktin se dhe mallrat qenkan te dobta, siç u permend ketu dhe nga komentatoret. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).