Dalin rezultatet paraprake të zgjedhjeve

PDK kryeson me fitore pa balotazh në pesë komuna, e ndjekur nga AAK me katër dhe LDK me tre. Në shumicën e komunave, fituese do të zgjidhet në raundin e dytë të zgjedhjeve më 13 dhjetor.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka publikuar të hënën në mbrëmje rezultatet paraprake të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, sipas të cilave Partia Demokratike ka fituar pa balotazh në pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në katër, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në tri.

Nga qendrat e mëdha LDK-ja ka fituar Prishtinën, AAK-ja Gjakovën ndërsa PDK-ja Ferizajn.

Në shumicën e komunave, fituesi i zgjedhjeve do të dihet vetëm pas përfundimit të rrethit të dytë të votimeve që mbahet më 13 dhjetor.
Katër qendrat e mëdha, Prizreni, Peja, Mitrovica e Gjilani janë në mesin e 20 komunave që shkojnë në balotazh.

Në Prizren dhe në Gjilan gara do të zhvillohet ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Pejë ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicionit AKR-LDD, ndërkaq në Mitrovicë ndërmjet Partisë Demokratike dhe koalicionit AKR-LDD.
Në komunat e reja me shumicë serbe, Graçanicë, Kllokot dhe Ranillug nuk do të ketë balotazh si dhe në komunën e Mamushës me shumicë turke.

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta tha se në numërimin e rezultateve paraprake nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

Zonja Lushta bëri të ditur se në disa qendra kanë mbetur pa u numëruar edhe disa kuti të votimit.
"Në Gllogovc nuk kemi rezultate nga 5 vendvotime, në Gjilan dhe në Fushë Kosovë nga një vendvotim, në Prishtinë nga 12, në Prizren mungojnë rezultatet nga 10 vendvotime, në Skënderaj nga 9 dhe në Vushtrri nga 2 vendvotime," tha zonja Lushta.

"Shkaku është se ka pasur parregullsi, si p.sh. paketimi nuk ka qenë në rregull, ose kanë qenë më tepër vendbanime të populluara me serbë dhe ata fare nuk kanë dalë, ose kanë munguar raportet e këshillave të vendvotimeve. Këto do të kthehen edhe një herë në rinumërim”, tha kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.

Sipas saj, votat e panumëruara nuk pritet ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Zonja Lushta tha se këto vota do të numërohen në një kohë të shkurtër, sikurse edhe votat për asambletë komunale, ndërsa nuk ka qenë në gjendje të thotë se sa është numri i votave me kusht.

Ajo tha se rezultatet përfundimtare do të publikohen sa më shpejtë të jetë e mundur.
KQZ-ja nuk ka bërë të ditur as përqindjen e votave të fituara nga subjektet politike në shkallë vendi.

'Parregullsi të vogla'

Kryetarja e KQZ-së në përgjithësi e ka vlerësuar të rregullt procesin zgjedhor, me disa parregullsi "të vogla".
"Po e konfirmoj se nuk ka pasur parregullsi aq të mëdha, të cilat kanë mundur të ndikojnë në rregullsinë e procesit të zgjedhjeve," u shpreh zonja Lushta.

Në KQZ thonë se Komisionet Komunale Zgjedhore kanë raportuar për parregullsi në disa komuna dhe të gjitha ankesat do të shqyrtohen nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa.

Megjithatë asnjë subject politik deri tani nuk ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe fituesi i zgjedhjeve do të mund të dihet vetëm pas 13 dhjetorit, kur mbahet raundi i dytë i votimeve.

PDK-ja do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave e pasuar nga LDK-ja dhe AAK-ja.

Vëzhguesit e huaj

Shefi i misionit të Rrjetit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ENEMO, Darko Alesov, në vlerësimin paraprak për zgjedhjet lokale të së djelës në Kosovë tha se ato përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare.

Zoti Aleksov vlerësoi edhe punën e KQZ-së, duke thënë se ky insititucion ishte përpjekur për mbarëvajtje efikase të procesit zgjedhor.
Megjithatë raporti i ENEMO-s vuri re edhe disa mangësi, si mospërputhje mes listave zgjedhore dhe regjistrit civil, vonesë në fillimin e punës të komisionit për ankesa dhe parashtresa, ku subjektet mund të ankimojnë rezultatet ose procedurat zgjedhore, si dhe përdorimin e përgjithësuar të votimit me kusht, që nënkupton votim jashtë vendit të banimit që për misionin ENEMO është "një koncept i pazakontë për zgjedhje lokale".
Raporti i misionit ndërkombëtar vëzhgues vë re gjithashtu edhe pamundësinë e një pjese të elektoratit për të votuar, por këtë mangësi e shikon tek situata e ndërlikuar politike, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për qëndrimet e serbëve lokalë.

Veç këtij misioni zgjedhjet i mbikqyri edhe një delegacion i Parlamentit Evropian, që kryesohej nga Doris Pack.
Zonja Pack dha vlerësim pozitiv për procesin zgjedhor.

"Kosova ka treguar se ka arritur nivel të pjekurisë dhe se mund të bindë disa vende të tjera që ta shikojnë pozitivisht dhe ta njohin Kosovën. Ndoshta disa presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë," tha zonja Pack.

"Sikur të ishin zgjedhje të këqija atëherë kjo nuk do të ishte e dobishme. Prandaj mendoj se ky rezultat është i dobishëm," tha zonja Pack.
Ashtu si dhe misionet vëzhguese, edhe diplomatët e huaj në Prishtinë, kanë vlerësuar procesin zgjedhor të së djelës në zgjedhjet lokale, që ishin të parat që organizoheshin nga autoritetet vendore pas pavarësisë.

11 Komente

"Sikur të ishin zgjedhje të këqija atëherë kjo nuk do të ishte e dobishme. Prandaj mendoj se ky rezultat është i dobishëm," tha zonja Pack

Prit tani kur te ngrihen disa ( pa emra ne kete rast) e te fillojne te shajne zonjen Pack si e shitur te Serbi, se me rregullitreshi deri sa Zj Pack ka shpallur zgjedhjet te rregulta pa tjeter keto zgjedhje i kane sherbyer Serbise. smiley

 

Seriozisht urime popullit dhe politikaneve te Kosoves.

Bravo Kosova, ia kaloi Shqipërisë

Kosova eshte Shqiperi...Kjo eshte fitore per te gjithe shqiptaret dhe le te shpresojme se edhe Edi e Sala mesojne dicka...Po mos u mashtroni prej disajnit te ketyre zgjedhjeve edhe bash krejt se kemi shume probleme e pune...Si thoshte Isa Boletini: Un' jom mir' kur osht Shqipnia mir'!

Perpara Kosova! Gjith shqiptaret jan me ju.

Mos u habisni. Lajmet se zgjedhjet ishin korrekte ne Kosove jane kamoflazh per sy te nderkombetareve. Ka regjistrime te vjedhjeve te votave me THASE te cilat jane transmetuar neper disa media te kosoves.

Sa per ilustrim. Shtypja dhe transporti i fletevotimeve jan shtypur nga nje kompani e cila eshte regjistruar si biznes 16 dite pasi e ka fitu tenderin! Dmth ka pas shume parregullsi, e keto cfar ju i degjoni ne media jane genjeshtra te gjitha. tung

 Epo telash jemi na shqiptarët. Si  i thonë asaj fjalës: Mos me pasë bisht, ia ngjesim, me pasë, ia hjekim.

Si more i thua kamuflazh një procesi shembullor për kushtet tona? Sigurisht që incidente ka pasur. Shumë janë denoncuar. Edhe më shumë nuk do të merren vesh kurrë. Mirëpo votimin dhe rezultatin nuk e konteston askush, përveç asaj Mimozës së lazdruar që paska menduar që e ka fitoren e sigurtë.

Sidoqoftë, demokracia është një proces i vazhdueshëm, e nuk është akt i një çasti, që të mund të themi që nga sot e tutje do të sillemi si në Skandinavi. Edhe për shumë kohë në vendet tona do të kemi nevojë t'i përmirësojmë zgjedhjet, porse më e rëndësishmja është që të pranohet ndershëm humbja dhe të dorëzohet pushteti.

Këtë do të duhej ta kuptonte edhe Edi Rama që e bëri vendin e vet gazi i botës.

Cfare do me thene 'lazdruar'?

Zt. Tomaras,

Une ju kuptoj plotesisht se cka doni te thoni, po kam bindjen se nuk po ndodh edhe anasjelltas.

Sipas jush vjedhja e votave nuk perben krim?

Provo imagjoni nje skenar te tille ne noj vend ku aplikohet demokracia e mirfillt! E din cfar ndodh kur vjedhet vullneti i popullit?

Mimoza K. nuk e konteson zgjedhjet, zgjedhjet po kontestohen nga tere qyteti i Gjakoves, edhe ajo e ka perkrahjen e krejt Kosoves se po mbron demokracine e vullnetin e qytetarit edhe zgjedhjet duhet te perseriten!

Ajo po i tregon Kosoves se vullneti i popullit nuk i nenshtrohet mashtrimeve e shantazheve te asni krimineli mafiozi a naj komandanti te rruges!

Rreziku qe perben ky mashtrim i vetvetes eshte mundesia e trazirave hiq me larg se pranvera.

Sa per ilutrim, mllefi i qytetareve po shfaqet - sot ka pas shprethime bombash ne Gjakove dhe protesta qe shume kollaj do shendrrohen te dhunshme!

Nese ne pretendojme se duam edhe besojm ne demokraci te qendrueshme, atehere ajo demokraci duhet te jete e mirefillt.

Sa mire qe po levizin punet ne Kosove , keshtu po qe ja vlen ...se u lodhen kosovaret duke u marre gjithe diten me potitiken e Shqiperise ...u be vertet  monotone....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).