Buxheti, sa do rriten pagat dhe pensionet

TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë projektbuxhetin e vitit 2010, i cili parashikohet që ditën e enjte të votohet në seancë plenare. Shpenzimet totale në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet të jenë në nivelin e 410 miliardë lekëve ndërsa të ardhurat rreth 361 miliardë. Sërish deficiti pritet që të jetë i ndjeshëm, rreth 50 miliardë lekë.
Sipas Bodes, edhe gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar një rritje e pagave dhe pensioneve ku më të privilegjuarat do të jenë ato të ulëtat. Pagat do të pësojnë një rritje nga katër për qind për ato të lartat deri në dhjetë për qind për pagat e ulëta. Për sa i përket pensioneve, edhe ato do të pësojnë një rritje të ngjashme. Kështu, rritja në këtë sektor parashikohet të variojë nga 7 deri në 15 për qind.
Rritje prej shtatë për qindësh do të aplikohet për pensionet e larta, ndërsa për ato të ulëtat ajo parashikohet të jetë 10 për qind. Në kuadër të barazimit të tyre me ato të qytetit, rritja e pensioneve të fshatit do të vërtitet në kufijtë e 15 për qind.
Lidhur me këtë, Bode përmendi edhe reformën që është duke u kryer në administratë për uljen e shpenzimeve nëpërmjet heqjes së shërbimit me makina për një serë funksionarësh. Sipas tij, në përfundim të saj pritet që të kursehen rreth 500 milionë lekë, të cilat parashikohet që të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Prioritetet e buxhetit te vitit 2010 janë, arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe rritja e mbështetjes sociale për shtresat në nevojë. Sipas Ministrit të Financave, në fushën e shëndetësisë parashikohet të ndërhyhet ku në fokus të mos jenë spitalet apo administrata por, pacienti.
Duke përllogaritur koston e secilit pacient në varësi të sëmundjes që ai ka do të behët edhe financimi i aktiviteteve spitalore. I gjithë ky proces do të jetë në dorë të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke rritur efektshmërinë e investimeve në këtë sektor.
Për sa i përket arsimit, prioritet parashikohet të jetë përsëri rritja e frekuentimit në të gjitha nivelet e tij, në atë bazë, të mesmë dhe të lartë. "Prioritet do t'i jepet edhe mbështetjes së arsimit profesional duke stimuluar rritjen e kërkesës për të", - tha Bode.
Fondi për programin social për vitin 2010 ka pësuar një rritje në krahasim me vitin 2009, por këtë herë do të merren masat që ai të mos keqpërdoret. "Gjatë këtyre viteve, kemi pasur një keqpërdorim të fondeve për mbështetjen sociale duke përfituar një numër i madh personash që nuk e meritojnë. Do të bëjmë të mundur që të përfitojnë vetëm ata që vërtet kanë nevojë", - tha Bode.
Njësoj si viti 2009 edhe për vitin e ardhshëm qeveria parashikon të mbajë një nivel të lartë të shpenzimeve për investime publike duke kundërshtuar në këtë mënyrë sugjerimet e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë për hartimin e një buxheti sa më realist. Ministri Bode theksoi se shpenzimet për investime publike parashikohet të kapin nivelin e 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2010 ajo parashikohet të jetë në shifrat e 6.5 për qind, një tregues ky tejet i guximshëm nëse krahasohet me ato të vendeve te tjera por më se i realizueshëm sipas Ministrit Bode.

Të dhëna
410 mld lekë shpenzimet
361 " " të ardhura
50 " " deficiti
4% rritje pagat e larta
10% " pagat e ulëta
7% " pensionet e larta
10% " pensionet e ulëta
15% " pensionet e fshatit
6.5% " ekonomike
9% e PBB-së investimet publike

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).