Diplomat s'vlejnë asgjë, por asgjë s'vlen sa diplomat

Diplomat s'vlejnë  asgjë, por asgjë  s'vlen sa diplomat

 



Nga Arbër Shtëmbari



Hapja e kaq shumë auditorëve u shërben pushtetarëve që kanë dështuar në politikat e punësimit të të rinjve, pasi duke i hedhur të rinjtë auditoreve universitare pa kurrfarë orientimi për të ardhmen,  mundohen t’ua zgjasin sa më shumë kohën e studimeve këtyre të rinjve për të evituar kështu kërkesën për punësim.

 



Shumë vite më parë, diploma e maturës për cdo gjimnazist, paraqiste rezultatin e punës konkrete dhe të mundit 4-vjecar. Ajo diplomë tregonte nivelin e duhur me kulturë të përgjithshme që i lejonte më pas gjimnazistit të përqafonte studimet universitare. Në ditët e sotme, përvec mbrëmjes së maturës, që festohet për efekt emocional, diploma e maturës në vetvete nuk paraqet më ndonjë gëzim. Ajo konsiderohet si një prag i rëndomë që gjithkush mund ta kalojë. Prindërit nga ana tjetër, duket sikur pak duan t’ja dinë se c’ndodh realisht me bagazhin e njohurive të fëmijëve të tyre, sepse e rëndësishme është të mbarosh « me të gjitha dhjeta ». Por, do të gaboheshim nëse do të mendonim se kjo e fundit, « me të gjitha dhjeta », do të justifikonte regjistrimin në një nga universitet e vendit. Të përfundosh studimet me notën maksimale, normalisht tregon një farë ekselence , por a i përgjigjet kjo notë maksimale përgatitjes reale të të rinjve shqiptarë të vlerësuar nga kjo notë? Banalizimi i notës maksimale dhe ushtria e atyre që përfundojnë « me të gjitha dhjeta » bëhet po aq absurde sa dhe klisheja tjetër e atyre me notën më të ulët kaluese apo të njohur ndryshe si « pesanjosët ». Nota kaluese, a nuk është banalizuar po aq, sa dhe nota maksimale ? Pra, pak nga pak kemi standartizuar një handikap në arsimin tonë, ndaj dhe nuk është për tu habitur kur sheh se si shumë të rinj pa pasur nivelin e duhur arsimor  mund ti kënaqen privilegjit se me një dorë para (apo një mik të fortë) dhe ata mund të vazhdojnë shkollat e larta.

Janë me mijëra cdo vit studentët që regjistrohen në universitetet shqiptare, në ata shtetërorë dhe në ata privatë. Ndjekja e studimeve universitare nga një marrje përgjegjësish për karakterin e vështirë që tregojnë këto studime, tek ne është kthyer në mani, në modë. Kaq e thjeshtë është bërë kjo punë ! Ndërkohë që diploma e maturës është eklipsuar totalisht, gara për të forcuar ekonominë simbolike të kulturës, tashmë zhvillohet në sfera më të larta të kapitalit kulturor, në atë të diplomave universitare, diplomave të masterave, pse jo dhe të atyre të doktoraturave.

Që prej rënies së diktaturës, popullsia shqiptare, që dikur ishte e mbërthyer masivisht në klasën punëtore dhe pjesërisht në atë të mesme intelektuale, është polarizuar fuqishëm. Mund të themi pa frikë, se tani kemi një kastë të pasurish të lidhur me industritë dhe financat, kemi një klasë të mesme superiore (kuadro dhe intelektualë), kemi një klasë të mesme inferiore (një pjesë e të punësuarëve në shërbime, tregtarët e vegjël dhe të mesëm) dhe kemi dhe një klasë popullore punëtorësh dhe fshatarësh. Diploma e tetëvjecares dhe ajo e shkollës së mesme, dikur një ideal për fëmijët e klasës punëtore, sot nuk paraqet të njëjtin ngazëllim. Ata inspirojnë për të hyrë në universitete dhe mospranimi në kuotat e studimeve universitare shndrrohet në një dramë familjare. Ndërkohë, për fëmijët e klasave të mesme, diploma e universitetit është pragu i normës, kurse ideali i tyre është projektuar tek diploma e një masteri dhe, si për të krijuar Dallimin (sipas Burdjesë) me të tjerët, mundësisht ata dëshirojnë të bëjnë një master jashtë shtetit. Sistemi i ri pra ka inkurajuar familjet shqiptare të shtresave më të ulta, të shtyjnë fëmijët e tyre drejt auditoreve universitare me shpresën për tu ngritur një shkallë më lartë në hierarkinë e klasave sociale. Kështu, klasa punëtore ngjitet drejt asaj të mesme, ajo e mesme, duke mos pasur kapitalitin e duhur ekonomik, përpiqet atëherë të kapitalizojë sa më shumë kulturë për të kapur shtresat më të larta të klasës së mesme duke ju afruar klasave të pasura. Por në fakt ata mbërthehen në kufinjtë e klasave të pasura dhe vihen në shërbim të tyre. Klasat e pasura nga ana tjetër, që zotërojnë kapitalin ekonomik, po investojnë tek fëmijët e tyre duke i regjistruar në shkolla e universitete me famë jashtë vendit, që ata të pasurohen me kapital kulturor, pikërisht me atë kapital që në më të shumtën e rasteve, prindërve të tyre u mungon.

Qeveritë e dekadës së fundit, kanë trumpetuar gjithandej suksesin e tyre në fushën e arsimit, sidomos me hapjen (lexo : shumëfishimin) e universiteteve të rinj në disa qytete të vendit dhe sidomos hapjen e atyre privatë. Në fakt, hapja e kaq shumë auditorëve u shërben pushtetarëve që kanë dështuar në politikat e punësimit të të rinjve, pasi duke i hedhur të rinjtë auditoreve universitare pa kurrfarë orientimi për të ardhmen, pushtetarët mundohen t’ua zgjasin sa më shumë kohën e studimeve këtyre të rinjve për të evituar kështu kërkesën e sotme për punësim. Kjo është edhe një nga arsyet pse shkollat profesionale janë zhvilluar kaq pak në Shqipëri në këto vite, pasi koha e studimeve të tyre është më e shkurtër dhe formimi i tyre manual inspiron direkt për një vend pune. Këtë, pushtetarët janë përpjekur ta evitojnë duke i lënë në harresë këto shkolla dhe duke propaganduar fort arsimin universitar. Kjo do të thotë të mos kesh vizion për të ardhmen ! Të  mos përpiqesh ti japësh sot zgjidhje problemit të punësimit duke keqorientuar breza të tërë që po ngjeshen në masë njëri pas tjetrit në shkolla e universitete, kjo do të thotë, që një ditë, do të kemi një fluks të papërballueshëm të rinjsh të diplomuar që do të duan të punësohen, por që do ta kenë këtë gjë të pamundur. Nuk është habi, që nesër do të shohim me mijëra të diplomuar të punësuar në punë të pakualifikuara ose akoma më keq, « me diplomë në xhep », por të papunë. Frustrimi do të jetë edhe më i madh.

Përgjegjësi për këtë keqmenazhim kanë dhe institucionet arsimore që sakrifikojnë cilësinë jo vetëm për shkak të shantazheve që politika u bën, por dhe si pasojë e përpjekjeve personale të disa personaliteteve të këtyre institucionve që arsimin e kanë shndërruar në industri dhe mundësi pasurimi personal në kurriz të humbjes së cilësisë. Ky fakt është dhe më i rëndë në arsimin privat. Në shumë prej tyre, me gjithë përkushtimin që kanë shumë profesorë të rinj apo të vjetër bien viktima të padronëve të institucionit arsimor privat për të cilin ata punojnë. Shumë shkolla dhe universitete private kanë humbur gjithë frymën për të cilën ata janë krijuar duke u shndërruar në sfilata mode dhe sallone makinash luksoze të studentëve që i frekuentojnë. A mundet një profesor i këtyre institucioneve privatë të ngelë një student që nuk e ka nivelin për të kaluar në stadin tjetër të studimeve ? E ka të vështirë ! Buxheti i këtyre institucioneve arsimorë  privatë  nuk është i mjaftueshëm që këto institucione të mund të zhvillojnë një shkallë përsosmërie. Pasi studenti është një klient që ka paratë dhe pikërisht paratë e tij financojnë mbijetësen e institucionit arsimor privat dhe janë këto para burimi i rrogave të profesorëve. Por gjithashtu këto para bëhen edhe burimi i korrupsionit shpirtëror të tyre. Në pamundësinë për ti dhënë vlerësimin adekuat këtyre studentëve « me lek », por aspak të interesuar për studimet, kompromentohet edhe vetë puna e pedagogëve dhe cilësia e studimeve. Përfundimi është tragjik : nga auditorët del një injorant me diplomë, e sipas parametrave shqiptarë të punësimit, atij, si i biri apo shoku i dikujt, diploma i jep mundësinë të justifikojë punësimin e pamerituar në poste kyce të sektorëve të zhvillimit të vendit.

Diploma e shkollës së mesme dhe asaj të lartë janë institucione, evolucioni i të cilave reflektojnë dhe evolucionin e shoqërisë. Ta pranojmë, në vitet e tranzicionit që po kalojmë, cilësia e institucioneve shqiptare që formojnë të rinjtë shqiptarë ka rënë shumë. Duke u përpjekur të zhduknin inspirimet ideologjike të teksteve të mëparshme, hartuesit e teksteve të sotëm nuk arritën dot të krijojnë një bazë të qëndrueshme për brezat e sistemit që jetojmë. Kjo ndoshta dhe për faktin se hartuesit e teksteve mësimorë të ditëve tona, i përkasin një brezi që u formuan në një periudhë të ngjeshur nga skema ideologjike. Këta persona që pretendojnë se janë « të pastër » ideologjikisht prej së shkuarës moniste, në fakt thjesht kanë ndërruar padron, por dozën ideologjike e mbartin ende. Nga një anë fshijnë cdo gjurmë të së kaluarës totalitare, në anën tjetër, në mënyrë aspak të rastësishme, si në tekstin e Historisë 12, i thurin lavde pushtetarëve aktualë dhe me tone absurdo patetike dizinformojnë nxënësin apo studentin mbi ngjarje të caktuara. Mungesa e seriozitetit të këtyre teksteve është e theksuar. Ndërkohë që në përbajtje duhet të gjenim punë profesionale, teksa i lexojmë, na duken gati si slogane të një kohe të shkuar, ku Enver Hoxha zëvendësohet me Sali Berishën dhe komplotistët zëvendësohen me opozitën e majtë. Kulti i diktatorit dhe piketimi i armiqve të tij, jo vetëm vazhdon të jetë i pranishëm, por për fat të keq, po mbillet dhe në mentalitetin e brezit të ri.

Përgjegjësit kryesorë të arsimit në Shqipëri, duhet të kalojnë përtej bindjeve partiake, duhet të formulojnë tekste profesionalë të hartuar në ekipe dhe duhet të konsultohen edhe me studentë të diplomuar jashtë vendit që mund të sjellin eksperiencën e tyre në dobi të arsimit tonë. Arsimi është një pikë themelore të cilit i duhet dhënë rëndësia e duhur dhe për të cilin duhet punuar me seriozitet pasi është pikërisht kjo fushë që përgatit brezat e rinj. Se populli e thotë bukur : C’të mbjellësh, do të korrësh !

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).