Cmenduria e nje shteti (Botuar tek Shqip)

Cmenduria e një shteti

Nga Arbër Shtëmbari

Para pak ditësh, mediat, sollën para syve tanë ngjarjen e dhimbshme të disa Njerëzve me të meta mendore që mbaheshin lidhur me zinxhirë nga familjarët e tyre atje ku jetonin. Porsi të ishin egërsira, të lënë në harresë në një kasolle, prej vite e vitesh të tërë, këta Njerëz vuanin “dënimin” e tyre nën presionin e kushteve klimatike dhe nën mungesën e një shërbimi minimal mjekësor.

Teksa dëgjojmë të afërmit të shprehen mbi arsyet e këtij trajtimi mizor, teksa shohim hapësirën ku dhe vetë këta të afërm jetojnë (vuajnë), nuk ka sesi të mos vërejmë mjerimin e plotë të këtyre familjeve. “Paraqesin rrezik për shoqërinë” thonë ata “ndaj i lidhëm me zinxhirë”! Me gjithë degradimin ekonomik të këtyre familjeve, kuptojmë se të paktën degradimi i tyre mendor nuk ka shkuar deri në atë pikë, sa të mos kuptojnë rrezikshmërinë që mund të paraqesin një pjesë e Njerëzve me të meta mendore. Por, përballë skenës mizore që na paraqitet, shumë pyesin: “Si është e mundur të ndodhin të tilla gjëra tek ne?!”. Shumë të tjerë nxitojnë të akuzojnë familjarët si kriminelë, si injorantë e të tjera si këto.

Këto të fundit, para këtij krimi, për një cast, le t’i supozojmë si të vërteta: Familje kriminele, që torturojnë për një kohë kaq të gjatë fëmijët e tyre. Në biseda mondane ngjarja krahasohet me atë që ndodhi kohë më parë në Austri, ku një baba monstër për vite me rradhë mbajti të mbyllur vajzën e tij në bodrum. Ngjarje e tmerrshme, që bëri jehonë në të gjitha mediat botërore! Por, ndërkohë që në Austri kishim të bënim me një kriminel të mirëfilltë, një përdhunues me probleme mendore, në dy rastet shqiptare, nuk kemi të bëjmë aspak me një të tillë kategori. Tek ne, këta Njerëz me probleme mendore ishin të lidhur me zinxhirë aty në oborr para syve të të gjithëve, nga njerëz normalë. Kështu, krejt natyrshëm, i shihte familja, i shihte fisi, i shihnin miqtë, i shihnin fqinjët, i shihte i gjithë fshati, i gjithë komuniteti. E dinin të gjithë c’ndodhte me këta Njerëz të sëmurë ne vargonj. Të gjithë e dinin se po kryhej një krim. Shtrohet pyetja: si është e mundur që askush nuk reagoi për të denoncuar këtë gjë? Mirë papërgjegjshmëria e individit, që fshihet pas anonimatit që i krijon turma, po ku përfundoi përgjegjësia e personit juridik që përfaqëson Republikën tonë në këto fshatra? Nuk e dinte kryeplaku? Nuk e dinte kryetari i komunës?  A janë këta të tjerët më pak fajtorë se vetë familjet? Aspak! Madje, faji është më tepër i tyre. Pse? Mësojmë se familjarët ishin interesuar pranë qëndrave mjekësore për fëmijet e tyre me probleme shëndetësore, por askush nuk erdhi në ndihmë të tyre. Askush! Në kushtet të një varfërie ekstreme, në kushtet kur zërin e mjerimit e shtyjnë, e pështyjnë, e flakin tutje, c’mund të bënin këta njerëz përvecse të merrnin masat e tyre. T’i kërkosh përgjegjësinë këtyre mjeranëve do të thotë të hedhësh përgjegjësinë tutje e ta lësh jetime. Sepse këto familje të varfëra nuk kanë asnjë forcë, se në kushte të një degradimi final ekonomik, social, moral, ato kanë harruar kush janë, nga vijnë, pse jetojnë. Mjeranët shtyjnë ditët. Po c’ndodh me personat që duhet të përgjigjeshin për këta të sëmurë? Këta nuk shtyjnë ditët! Këta kanë poste, marrin rrogë nga shteti pikërisht për të kryer një funksion të caktuar! Dhe kanë një mision të caktuar! Por që këta funksionarë të shtetit tonë as nuk e kanë bërë dhe as nuk po e bëjnë! Është tragjike për një mjek, për një infermier, për një polic, për një komunar, të jenë në dijeni të një krimi të rëndë e të mos reagojnë. Është tragjike, sepse kjo tregon në c’pikë ka shkuar papërgjegjshmëria, në c’pikë gangrena e korrupsionit i ka ngrënë këta funksionarë duke i bërë jo vetëm të paaftë, por dhe të pashpirt!

E kur sheh këtë krim kaq të rëndë për të cilin duhet të ndihemi përgjegjës të gjithë, pyetja që na shkon ndërmend është: edhe sa Njerëz të tjerë janë të lidhur në kushte c’njerëzore vetëm e vetëm, sepse në strukturat e shtetit tonë injoranca, paaftësia, korrupsioni, imoraliteti, dhe gjithë llumi që pason janë bërë sinonim i shërbimeve normale të një shteti?

U habitëm kur pamë në media këta Njerëz të lidhur si kafshë, ndërkohë që cdo ditë ecim përkrah fëmijësh të uritur që zvarriten lakuriq në mes të Bllokut dhe askush nuk duket se habitet. A thua në ato trotuare nuk kalon asnjë funksionar i shtetit tonë?! Kur kjo ndodh në Bllok, në zemër të kryeqytetit, po c’ndodh në fshatrat më të humbur të Shqipërisë? E përse këta të fundit paskan më pak të drejtë se ne për t’u mjekuar, për t’u gjykuar drejtë apo thjesht për t’u dëgjuar nga një institucion?

Pas këtyre rasteve kaq të rëndë, strukturat e specializuara të shtetit duhet të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve që hasin vështirësi në të drejtën e tyre për mjekim dhe ndihmë sociale. Le të fillojë një plan kombëtar, që do të mund të ndërgjegjësojë strukturat e shtetit të lidhura me shëndetin publik për rolin e tyre në gjirin e komunitetit dhe gjithashtu paralelisht të informohet komuniteti mbi të drejtat që ka lidhur me shëndetin. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të mbjellim kulturën qytetare tek fëmijët që në shkollat fillore, me qëllim që nesër këta të bëhen qytetarë të ndërgjegjshëm që do t’i shërbejnë kohezionit social, që do të forcojnë solidaritetin qytetar dhe do të ngrenë ndërgjegjen kolektive përballë padrejtësisë, përballë mizorisë, përballë dhunës.

Sot, përmes ekranit,  pamë një kasolle të rrënuar nga mjerimi, ku një Njeri i imët këmbëlidhur si skllav, totalisht i humbur në skizofreninë e tij, buzëqesh. E në atë buzëqeshje të duket sikur reflektohet cmenduria e një shoqërie të tërë...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).