Biberaj: Klanet hoqën nga PD njerëzit me kontribut. Pushteti po kalon majtas

Interviste

Z. Biberaj, një javë më parë u mblodh Kryesia e Partisë Demokratike, që vendosi për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 12 dhjetor. Çfarë pritet nga ky kongres?

Jemi në fillimin e fushatës për organizimin e Kongresit të Partisë Demokratike, që do të mbahet më 12 dhjetor.

Mendoj që Kuvendi merr një rëndësi të veçantë, pasi Partia Demokratike është në fillim të mandatit të dytë, kështu që çështja e parë dhe më e rëndësishme, është bërja e analizave sesi ka funksionuar Partia Demokratike gjatë këtyre katër viteve, që nga Kuvendi i fundit kombëtar, analiza e zgjedhjeve të vitit 2007 dhe e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe natyrisht hartimi i një statuti të ri sipas standardeve të Partive Popullore Evropiane.

Do të dëshiroja që analizat të jenë të vërteta, të jenë realiste, në mënyrë që të merret vesh se çfarë ka ndodhur në Partinë Demokratike, që nga viti 2005. Të analizohen edhe rezultatet e dobëta të zgjedhjeve, si të vitit 2007 ashtu edhe ato të vitit 2009 dhe natyrisht besoj se këto rezultate do të kenë edhe personat përgjegjës, në mënyrë që ne të jemi të përgatitur për të fituar zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme kurdo që të jenë ato.

Një element i rëndësishëm është edhe ristrukturimi i lidershipit të Partisë Demokratike. Duke pasur parasysh edhe funksionimin katër vjeçar, unë mendoj se ka vend për ristrukturimin e liderishipit të Partisë Demokratike.

Pra, ideja është që të kemi një rotacion elitash në Partinë Demokratike në mënyrë që të mos kemi liderë që rrinë me dekada në drejtim të sektorëve të ndryshëm të Partisë Demokratike, por të kemi një rotacion normal elitash të bazuara në vlera, të bazuara në kontribute politike, bazuar edhe në performancën qeverisëse në qoftë se këta persona kanë qenë qeveritarë, dhe e gjitha kjo e bazuar në votën e lirë, të ndershme dhe transparente, që do të realizohet gjatë kësaj kohe.

Përveç ristrukturimit të lidershipit të Partisë Demokratike, çfarë duhet të bëjë tjetër Partia Demokratike, për të rritur demokracinë e brendshme të saj?

Unë mendoj që në Partinë Demokratike, në radhë të parë, duhet të ketë një funksionim të strukturave, pra që nga seksioni, grupseksioni, nëndega, dega, Këshilli Kombëtar dhe Kryesia duhet të funksionojnë normalisht dhe jo siç ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve që forumet e partisë nuk kanë funksionuar.

Kemi pasur një përqendrim të pushtetit në duart e kryesisë së vogël, kryesi e cila nuk njihet nga statuti.

Pra, kemi pasur një përqendrim të pushtetit në mënyrë informale në shumë pak duar dhe normalisht në qoftë se janë të njëjta duar si në parti, si në Parlament, si në qeverisje, kuptohet që nuk ka kush të korrigjojë gabimet e qeverisjes.

Dihet që në çdo vend demokratik, problemi është qeverisja dhe normalisht ka një opozitë që bën opozitën e qeverisjes, por është mirë që edhe brenda forcës politike të ketë një oponencë të brendshme, në mënyrë që gabimet të mos thellohen.

Por, kjo oponencë e brendshme kërkon një ambient politik, brenda partisë, kërkon ekzistencën e një mentaliteti dhe psikologjie demokratike. Kështu që, unë kam qenë gjithmonë kundër përqendrimit të pushtetit në shumë pak duar. Jam më shumë për një frymë decentralizimi dhe bashkëpunimi në grup.

Ju kërkoni shmangien e frymës klienteliste në politikën shqiptare, a ekziston kjo frymë në Partinë Demokratike?

Po patjetër që ekziston. Ekziston fatkeqësisht në të gjitha partitë politike shqiptare. Ekziston edhe në Partinë Demokratike. Kjo frymë ekziston sepse nuk ka demokraci të brendshme, nuk ka transparencë në vendimmarrje.

Pra, në qoftë se vendimmarrja përqendrohet në lidershipin e çdo partie, absolutisht mund të ketë klientelizëm, mund të ketë frymë klani dhe nepotizëm, sepse në qoftë se vendimmarrja përqendrohet në 3 -4 vetë, secili prej tyre do të mbështesë klanin e vet ose grupin e vet, gjë që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë.

Kjo është një sëmundje e politikës shqiptare, mesa duket është sëmundje e trashëguar. Por unë mendoj se në një kohë, kur ka kaluar 20 vjet nga rrëzimi i Murit të Berlinit, është koha për të rrëzuar disa mentalitete dhe psikologji të cilave realisht u ka ikur koha.

Si mund të zgjidhet kjo situatë?

Çelësi është gjithmonë demokratizimi i brendshëm. Pra, në demokracinë e brendshme të kemi elementë funksionalë, të kemi një debat konstruktiv, të kemi analiza të hapura, dhe duke pasur parasysh që në parti që kemi edhe flukse të ndryshme, është mirë që këto flukse të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën, dhe jo këto flukse të shndërrohen në klane dhe pastaj të luftojnë në mënyrë të paprinciptë dhe në mënyrë të pamoralshme njëri- tjetrin. Pra, implementimi i frymës së klanit, ose siç e kam quajtur i sektit gjithmonë krijon probleme në funksionimin e çdo force politike.

Sa ka mundësi PD-ja, të dalë nga kjo gjendje?

Mundësi ka, varet vullneti i lidershipit. Nëse ka vullnet, dilet nga kjo gjendje. Por, unë mendoj që Partia Demokratike ndodhet vërtet në një moment kritik, në një pikë kritike dhe duhet të bëjë një reformim të thellë, një demokratizim të thellë të saj.

A duhet të ndahen postet partiake nga ato ministrore?

Kam qenë gjithmonë dhe jam kundër përqendrimit të pushtetit në shumë pak duar. Për hir të së vërtetës përqendrimi i pushtetit në shumë pak duar është një metodë e vjetër e regjimeve të vjetra.

Po të kujtojmë edhe historinë e ish-vendeve komuniste, kur drejtuesit e kryesorë të partisë ishin drejtues edhe në ekzekutiv, drejtonin të gjithë jetën politike, ekonomike e shoqërore të vendit duke pasur një numër të pafund funksionesh.

Unë mendoj që demokracia është një sistem, që secili duhet të zërë vendin e vet, por bazuar në konkurrencë. Lidhur me ndarjen e mandateve, unë e kam ngritur si problem, që në mbledhjen e parë të grupit parlamentar, në shtator të vitit 2005, dhe kam menduar që ndarja e mandateve do t'i shërbejë përmirësimit të punës dhe natyrisht motivimit të personaliteteve që Partia Demokratike i ka në radhët e saj.

Pra, nëse kemi një person i cili është në qeverisje, ai duhet t'i përkushtohet qeverisjes dhe vendin e tij, që ka në parti t'ia lërë dikujt tjetër në mënyrë që personi tjetër t'i përkushtohet jetës në parti.

Sot jemi pas katër vitesh dhe shohim që partia nuk ka funksionuar dhe një ndër shkaqet e mosfunksionimit të partisë është sepse kemi pasur këtë përqendrim të mandateve. Kjo gjë ka ndodhur jo vetëm në nivel qendror, por ka ndodhur edhe në nivel lokal dhe, dyert e Partisë Demokratike gjatë katër viteve si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal në një farë mënyre kanë qenë të mbyllura.

Jo vetëm për këtë shkak por edhe për shkaqe të tjera Partia Demokratike nuk pati rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e vitit 2007, kur unë kam kërkuar në atë kohë analiza të cilat nuk u bënë asnjëherë sepse ne humbën qytetet kryesore. Nuk u analizua 2007-ta dhe erdhëm në vitin 2009.

U premtua për një rezultat më të mirë sesa e 22 marsit të vitit 1992. Realisht patëm një rezultat, që nuk arritëm që të krijojmë qeverinë. Pra, e gjithë e djathta fitoi 70 mandate baras me të gjithë të majtën, që fitoi 70 mandate.

Pra, ne nuk ishim në gjendje që ne të krijonim një qeveri vetëm me aleatët tonë tradicionalë ose natyralë. Kështu që u detyruam të bënim një koalicion, jo të natyrshëm me LSI-në, e cila është një forcë e majtë politike dhe, po vihet re që pushteti gradualisht po kalon nga e djathta tek e majta sepse LSI-ja ka marrë më shumë pushtet sesa ka vota në nivel republike dhe sesa ka mandate deputetësh.

Kështu që janë një sërë shkaqesh që kanë sjellë në këto rezultate dhe unë mendoj që është momenti për të analizuar të gjitha këto shkaqe, në mënyrë që të bëjmë përmirësimet e mundshme në rifreskimin e lidershipit të Partisë Demokratike sepse kemi anëtarë të kryesisë së vogël të cilët kanë humbur në qarqet e tyre ose në atë pjesë ku kanë zhvilluar fushatë, kanë bërë premtime të tjera, kanë pasur rezultate më të dobëta, kanë krijuar probleme edhe me zgjedhjet. Kështu që, unë mendoj së një pjesë të përgjegjësisë e ka kryesia e vogël e cila nuk ka arritur të ketë rezultate, të cilat vetë i kanë paraqitur.

Çfarë problemesh ka pasur në Partinë Demokratike gjatë fushatës elektorale, që nuk arriti të krijojë e vetme qeverinë, por u detyrua të bëjë koalicion me LSI-në?

Natyrisht do të ketë kohë për të analizuar situatën deri në Kongres. Po mendoj se ka pjesë të qeverisjes që nuk kanë funksionuar gjatë këtyre katër viteve. Kemi pasur edhe një politikë përjashtimesh brenda Partisë Demokratike, sot fatkeqësisht në grupin parlamentar, nuk janë personalitete të kësaj partie, themelues të Partisë Demokratike me kontribute 20 vjeçare që janë përjashtuar për arsye të një vendimmarrjeje klienteliste, klanore dhe bazuar në një mentalitet të vjetër të përjashtimit të atyre që mendojnë ndryshe.

Edhe fushata mendoj nuk është zhvilluar në nivelin që duhet. Unë mund të kujtoj që në Tiranë, Partia Demokratike pothuajse nuk ka zhvilluar fushatë fare, flas për strukturat lokale. Në Tiranë nuk kemi pasur rezultatin që kemi pritur, po ashtu edhe në qarqe të tjera.

Gjithësesi unë mendoj që do të jetë koha për të analizuar rast pas rasti, në mënyrë që ne të shkojmë në Kongres me një analizë reale. Unë jam ithtar i bërjes publike të problemeve për të bërë korrigjime dhe jo i mbylljes së problemeve sepse në qoftë se problemi mbyllet gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur.

Si duhet bërë ndarja e posteve ministrore nga ato partiake, a nevojitet një lloj balancimi apo ndarja duhet të bëhet në mënyrë kategorike?

Unë jam për ndarjen kategorike të posteve, normalisht me përjashtim të kryetarit të partisë i cili mund të jetë edhe Kryeministër. Askush tjetër nuk mund të ketë dy poste ose dy mandate dhe kjo vlen si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Sepse nëse kemi të njëjtët persona si në grupin parlamentar, si në qeverisje, ashtu edhe në parti, kush do të bëjë oponencën brenda partisë dhe pushteti përqendrohet në 3- 4 duar dhe ne e pamë rezultatet e këtij përqendrimi gjatë katër viteve, që sapo kanë kaluar. Pra, unë jam për një ndarje kategorike me përjashtim të kryetarit të partisë i cili është edhe Kryeministër.

Kështu e kanë edhe Partitë Popullore Evropiane, që kryetari i partisë kur fiton bëhet Kryeministër ose President, varet nga sistemi politik. Asnjë post tjetër nuk mund të jetë i dubluar. Unë jam për funksionimin e partisë, për funksionimin e qeverisë dhe të grupit parlamentar.

Janë tre institucione, që kanë lidhje shumë të ngushtë me njëra- tjetrën, por unë do të dëshiroja që të mos ishin e njëjta gjë. Një element i rëndësishëm i kontrollit të qeverisjes është grupi parlamentar.

Por në qoftë se janë të njëjtët persona si në parti, në qeveri dhe në grupin parlamentar atëherë kush do ta kontrollojë qeverisjen. Unë mendoj që është momenti për të reflektuar. Kemi kërkuar konkurrencë brenda partisë. Sot nuk ekziston konkurrenca brenda partisë.

Dihet sesi zhvillohet konkurrenca, më shumë ka emërime sesa zgjedhje. Unë jam për konkurrencë brenda partisë që kandidatët që dëshirojnë për poste të ndryshme të kenë platformat e tyre, të kenë mundësinë për të bërë fushatë elektorale dhe në fund të fitojë kandidati më i mirë.

Unë mendoj se nuk ka gjë më të rëndësishme për anëtarët e Partisë Demokratike sesa të votojnë për lidershipin dhe në këtë 19 vjetor të themelimit të PD-së dhe në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit të është momenti më i mirë që ne të reflektojmë dhe t'u rikthejmë anëtarëve të Partisë Demokratike atë që ua kemi mohuar gjatë këtyre viteve.

Pra, anëtarët e Partisë Demokratike të kenë të drejtën në zgjedhjen e lidershipit të tyre.

Ju jeni për zgjedhjen e lidershipit nëpërmjet formulës "një anëtar një votë". Pse mendoni se duhet zbatuar kjo formulë?

Mendoj se është formula më demokratike, demokratizon parti, nxit konkurrencën e lirë dhe transparente brenda partisë, motivon anëtarësinë e partisë dhe është formulë që përdoret në SHBA dhe në Partitë Popullore Evropiane.

Ne realisht e kemi pasur të implementuar në statut, por nuk është zbatuar. Pa analizuar se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre katër viteve, mendoj se është momenti që ne ta implementojmë në statut dhe të fillojmë direkt zbatimin që më 12 dhjetor.

Cila ka qenë arsyeja që nuk është aplikuar kjo formulë deri më tani ?

Natyrisht, në qoftë së shmang rregullat e demokracisë, shmangen parimet e demokracisë, krijohen kushte për të mbështetur klane për një frymë klienteliste, për një frymë nepotike, që ka ekzistuar vazhdimisht në politikën shqiptare.

A mendoni se kjo formulë do të sjellë mosrikonfirmimin të lidershipit aktual në krye të PD-së?

Unë jam që ne të vendosim rregullat e lojës. T'i vendosim parimet dhe pastaj të futen në garë, kush mendon se e meriton.

Mendoj se statuti nuk bëhet për persona dhe nuk duhet bërë për persona, sikurse një ligj që nuk bëhet për persona dhe nuk duhet bërë për persona, sepse kam parë që gjatë këtyre 10 viteve shpeshherë statuti por edhe ligji bëhen për persona të caktuar. Nuk jam për këtë ide. Ligji është tjetër gjë. Statuti është tjetër gjë, personat janë tjetër gjë.

Analiza
Do të dëshiroja që analizat të jenë të vërteta, të jenë realiste, në mënyrë të merret vesh se çfarë ka ndodhur në Partinë Demokratike që nga viti 2005. Të analizohen edhe rezultatet e dobëta të zgjedhjeve, si të vitit 2007 ashtu edhe ato të vitit 2009 dhe natyrisht besoj se këto rezultate do të kenë edhe personat përgjegjës, në mënyrë që ne të jemi të përgatitur për të fituar zgjedhjet e lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme kurdo që të jenë ato.

Funksionimi i partisë
Kemi pasur një përqendrim të pushtetit në duart e kryesisë së vogël, kryesi e cila nuk njihet nga statuti. Pra, kemi pasur një përqendrim të pushtetit në mënyrë informale në shumë pak duar dhe normalisht në qoftë se janë të njëjta duar si në parti, si në Parlament, si në qeverisje, kuptohet që nuk ka kush të korrigjojë gabimet e qeverisjes. Dihet që në çdo vend demokratik, problemi është qeverisja dhe normalisht ka një opozitë që bën opozitën e qeverisjes, por është mirë që edhe brenda forcës politike të ketë një oponencë të brendshme

Gabimet në PD
Sot jemi pas katër vitesh dhe shohim që partia nuk ka funksionuar dhe një ndër shkaqet e mosfunksionimit të partisë është sepse kemi pasur këtë përqendrim të mandateve. Kjo gjë ka ndodhur jo vetëm në nivel qendror, por ka ndodhur edhe në nivel lokal dhe, dyert e Partisë Demokratike gjatë katër viteve si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal në një farë mënyre kanë qenë të mbyllura

Kryesia e vogël
Kemi anëtarë të kryesisë së vogël të cilët kanë humbur në qarqet e tyre ose në atë pjesë ku kanë zhvilluar fushatë, kanë bërë premtime të tjera, kanë pasur rezultate më të dobëta, kanë krijuar probleme edhe me zgjedhjet. Kështu që, unë mendoj së një pjesë të përgjegjësisë e ka kryesia e vogël e cila nuk ka arritur të ketë rezultate, të cilat vetë i kanë paraqitur.

Konkurrenca në PD
Kemi kërkuar konkurrencë brenda partisë. Sot nuk ekziston konkurrenca brenda partisë. Dihet sesi zhvillohet konkurrenca, më shumë ka emërime sesa zgjedhje.
Unë jam për konkurrencë brenda partisë që kandidatët që dëshirojnë për poste të ndryshme të kenë platformat e tyre, të kenë mundësinë për të bërë fushatë elektorale dhe në fund të fitojë kandidati më i mirë.
Unë mendoj se nuk ka gjë më të rëndësishme për anëtarët e Partisë Demokratike sesa të votojnë për lidershipin dhe në këtë 19 vjetor të themelimit të PD-së.

4 Komente

 Autori apo i intervistuari, nuk e ka keq, perkundrazi e ka mire, por me ujqerit e politikes, veshtire te ndryshosh diçka ne drejtim te demokratizimit te partise. Intervista ishte e shkelqyer, veç dyshoj ne demokratizimin e asaj partie me Buall Mavrine ne krye, i cili ka 19 vjet kryetar partie. 

 Nuk e di pse po me kujtohet konferenca e PD te pallati kultures (viti '94 ne mos gaboj) kur kokpalaret me xhupa te zinj fishkellenin me te madhe nga rradhet e fundit kedo kandidat qe paraqiste rrezik per bacen.

Shume vite kane kaluar qe atehere por pak gjera kane ndryshuar...... 

 E paska nxjerre dhe PD-ja nje Maqo Lakror per kongres.

Epo te japesh 1 kilometer interviste per PD-ne dhe te mos permendesh asnjehere Berishen? Mua me duket se Piperi nuk ia ka idene se per cfare po flet.

O Biberonaj, ke zgjidhje konkrete ti mo apo bjeri t'i biem se i biem bukur, duke dashur te na dalesh sa me diplomat???

Ke nje Berishe ne krye te PD-se, ai eshte ne maje te kalit, ai eshte i vetmi njeri qe ka karrige aty. Karrigja pra, eshte e zene. nese do te ulet dikush tjeter, duhet me pare te ngrihet Berisha. Berisha nuk ngrihet. Pike.

Jo po duhet te behemi njerez te mire, jo po partite e tjera keshtu, jo po behet nese... perpelitesh kot si peshku ne zall.

Po nuk u hoq Berisha, nuk i hapet rruge demokratizimit te PDse. Po u hoq Berisha, duhet patur mire parasysh qe te mos ulet dikush tjeter si Berisha. Ata qe kane sherbyer per kaq vjet nen topet e Berishes, nuk ka sesi te mos jene si Berisha, se deshe s'deshe, kur pastron peshk, te pakten era peshk do te te vije, nuk ke nevoje te jesh peshk vete.

Demokratizimi i PD-se behet vetem me largimin e Berishes. Pike. Nuk ka zgjidhje tjeter sado te mundohesh. Te presesh me shpresen se nje dite Berisha do te ndryshoje, dmth te jesh i pergatitur edhe per eulogjine qe do mbash ne varrimin e tij pas nja 200-300 vjetesh(!sic!), se vetem atehere ka per te ndryshuar ai. Dhe ketu po flasim per personalitet dhe karakter, e jo thjesht dorezimin e nje tesere partie sic beri Berisha me partine e tij dhe idealet e tij te shtrenjta proletare.

Jo po keshtu, po ashtu, jo po sikur te ndodhte kjo... jo po sikur te ndodhte ajo,,,, demokratizimi i PDse ndodh kur PDja te jete demokratizuar, e jo po dhe partite e tjera keshtu-ashtu, e terciverrci qe me nje fjale permblidhet ne "nuk ja kam idene fare!".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).