Arsimi, kriter themelor për vlerësimin e qeverisë

Ka një mënyrë mjaft të  thjeshtë dhe efikase për të parë nëse një qeveri punon me vizion afatgjatë për qytetarët e vet, apo nëse thjesht menaxhon status quo-në pa e vrarë shumë mendjen për të ardhmen. Ky kriter themelor i përgjegjshmërisë lidhet me investimin në arsim. Franklini thoshte se investimi në arsim paguan gjithnjë interesat më të larta. Mirëpo çdo qeveri gjendet në fakt në mes të presionit për të zgjidhur hallet e momentit dhe atij për të investuar për të ardhmen. Cila është situata në Shqipëri?

Qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm në disa aspekte: p.sh. reforma Pollo që eliminoi krejtësisht korrupsionin në pranimin në universitetet publike, liberalizimi i tregut të arsimit privat, vënia në funksionim e procesit të akreditimit, megjithëse në mënyrë të njëanshme vetëm për privatët. E megjithatë mbetet shumë për t’u bërë. Madje kemi pasur edhe ndonjë hap prapa.
Fatkeqësisht sot për sot debati humbet shpesh nëpër problematikën e momentit, duke harruar vizionin afatgjatë. Kështu p.sh. vëmendja fokusohet krejtësisht mbi problemin e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit Publik të Tiranës, që nuk kanë ndërtesë të tyre për momentin, për kriteret e futjes në DND, lëshimet në cilësinë e diplomave në ndonjë shkollë private, korrupsionin, etj. Këto probleme nuk janë të parëndësishme dhe duhen marrë shumë seriozisht, mirëpo nuk janë as të vetmet e as më të mëdhatë. Ato nuk duhet të eklipsojnë nevojën për një vizion afatgjatë për zhvillimin e arsimit.
Nga ana tjetër edhe zgjidhjet që ofrohen vuajnë pjesërisht nga e njëjta prirje e fokusimit tek e tashmja ose nganjëherë edhe sipërfaqësorja. P.sh. zgjidhja universale që u përvijua në debatin elektoral për arsimin ishte rritja e buxhetit për arsimin; zgjidhja e preferuar e politikanëve pa ide, që mendojnë se problemet në një sektor zgjidhen thjesht duke shtuar paratë. Por a është e mjaftueshme thjesht rritja e buxhetit? Studime të ndryshme vërtetojnë sot se një masë e tillë është natyrisht e dobishme, por aspak e mjaftueshme. Nuk mjafton vetëm të kesh më tepër para, por duhet edhe t’i menaxhosh më mirë. P.sh. nuk mjafton vetëm të rrisësh rrogat e mësuesve dhe pedagogëve, por duhet edhe t’u krijosh kushte të mjaftueshme pune. Nuk mjafton të riparosh ndërtesën e Shkencave Sociale, por duhet të krijosh edhe një bibliotekë. Nuk mjafton të shpenzosh më tepër para për studentët shqiptarë, por duhet edhe t’i ndash ato në mënyrë të barabartë mes tyre, duke mos dalluar studentët e publikut nga ata të privatit, sikur të ishin disa të nënës e disa të njerkës.
Sot për sot, gjendja e arsimit është relativisht paradoksale. Qeveria kërkon cilësi nga universitetet publike, ndërkohë që autonomia e tyre është e kufizuar. Po ashtu qeveria premton vazhdimisht mbështetje të plotë për arsimin privat, ndërkohë që bllokon investimet dhe zhvillimin në këtë sektor me futjen dhe zbatimin e Tatimit për Vlerën e Shtuar-së (TVSH-s&eumlsmiley. Kjo TVSH është një tatim i dyfishtë, sepse të gjithë këto familje paguajnë një herë taksa, një pjesë e të cilave shkojnë për arsimin publik prej të cilit nuk përfitojnë, ndërsa pastaj paguajnë edhe TVSH-në shtesë, ose privohen prej mundësisë së investimeve të reja në rastet kur shkollat private vendosën ta paguajnë TVSH-në vetë pa ia kaluar studentit. Institucionet e arsimit privat shkollojnë aktualisht dhjetëra mijëra nxënës e studentë. Nëse nuk do të ekzistonin këto institucione, mund të përfytyrohet sesi do ta përballonte arsimi publik kërkesën dhe trysninë e këtyre dhjetëra mijëra familjeve për shkollim. E megjithatë, qeveria jo vetëm që nuk i mbështet këto institucione, por përkundrazi i ngarkon edhe me TVSH-në, njësoj si të ishin restorante apo dyqane tregtare, përkundër nevojës për mbështetjen e këtij sektori jetësor. Në këto kushte TVSH-ja për arsimin privat, ose bie në kurrizin e gjithë atyre familjeve që dërgojnë fëmijët në këtë sektor me shpresë për një cilësi më të mirë, ose bie në kurrizin e investuesve duke frenuar apo bllokuar investimet dhe zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm. Dhe nuk është fjala për një numër të kufizuar. Sa për shembull, në qytetin e Fierit, këtë vit janë hapur shumë më tepër klasa të reja në shkollat 9-vjeçare të arsimit privat se në ato publike. Të gjithë këta dhjetëra mijëra prindër (dhe studentë në rastin e universiteteve) janë votues të cilët presin që vota e tyre të ketë një kuptim dhe të vlejë edhe për lehtësimin e barrës së tyre, si dhe për rritjen e cilësisë që marrin në institucionet private. Një nga arsyet përse kanë votuar për njërën apo tjetrën parti ishin edhe premtimet e shumta për heqjen e TVSH-së dhe trajtimin e barabartë të studentëve të privatit dhe publikut. E megjithatë aktualisht, 13 vjet pas hapjes së shkollës së parë private në Shqipëri, arsimit privat mbetet tërësisht i diskriminuar, gjë që e pranon publikisht edhe vetë qeveria.
Qeveria ka premtuar disa herë heqjen e TVSH-së për arsimin privat dhe sipas të gjitha gjasave ajo mund të hiqet së shpejti nëse qeveria dhe kryeministri vendosin të mbajnë fjalën. Megjithatë problemi nuk do të zgjidhej me eliminimin e këtij diskriminimi ndaj arsimit privat. Një reformë e thellë e arsimit në Shqipëri do të duhej të ndërmerrej me sytë nga e ardhmja. Vende me transformime ekonomike të suksesshme si Irlanda e kanë ndërtuar boom-in e tyre spektakolar brenda pak vitesh, pikërisht dhe kryesisht përmes reformave të thella, serioze dhe afatgjata të sistemit arsimor. Rritja e cilësisë së shkollimit ka dy efekte themelore dhe jetësore për ekonominë: së pari, ajo rrit sasinë dhe cilësinë e burimeve njerëzore (ose të kapitalit njerëzor) dhe së dyti, përmirëson procesin e përcjelljes së informacionit brenda ekonomisë dhe shoqërisë. Nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm pa një sistem arsimor serioz që plotëson nevojat e ekonomisë për kapitalin njerëzor. Populli e thotë akoma më thjeshtë: më mirë të dish, sesa të kesh.
Shumë prej vendeve me nivelin më të lartë arsimor aktualisht, kombinojnë subvencionimin e barabartë të studentëve (dhe jo shkollave) me kreditimin me kushte të përshtatshme. Duke mos subvencionuar shkollat, por përfituesit e tyre pra studentët, shteti siguron barazinë e përfituesve, duke ua lënë në dorë të zgjedhin vetë nëse duan t’i shpenzojnë paratë e marra nga taksat në shkolla publike ose private. Kjo do të nxiste një konkurrencë reale, të ndershme dhe jashtëzakonisht të frytshme mes shkollave publike e private, natyrisht shoqëruar me një nivel më të lartë autonomie për shkollat publike, për të cilat kërkesa për cilësi më të lartë duhet paraprirë me mundësi më të mëdha vetë-menaxhimi. Në plot vende të tjera me arsim të zhvilluar, shteti garanton kreditë që studentët marrin në bankat private, duke mundësuar shlyerjen e tyre pas përfundimit të shkollës dhe gjetjes së një pune.
Në deklarimet e tyre publike ministri i ri i arsimit dhe vetë kryeministri kanë bërë të qartë ndjeshmërinë e tyre ndaj nevojës për një reformë të thellë të sistemit arsimor. Dilema mbetet nëse kjo reformë do të eklipsohet nga problematika afatshkurtër, do të mbetet premtim, apo do të mund të bëhet përparësi e njëmendtë dhe e pashmangshme dhe jo thjesht deklarative.

3 Komente

Ja edhe nje artikull qe pasqyron nivelin e shkollave tona (si edhe te artikullshkruesit natyrisht)

Nuk e dije qe ne Shqiperi paguan TVSH per arsimin qe merr? Nese je ne nje universitet privat, kur ben pagesen paguan dhe TVSH per shtetin qe e quan arsimin mall qe tatohet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).