Ali pasha, koha dhe miti i tij

Çfarë ka përfaqësuar Ali pasha për shqiptarët dhe si ka ndryshuar në kohë profili i tij. Pse u krijua një mit rreth figurës së tij, si një ndër gjysmë personazhet e historisë së Shqipërisë. Një analizë e historianit Artan Puto me rastin e botimit në shqipe të biografisë së Fransua Pukëvilit për Ali pashë Tepelenën

Historia e Shqipërisë është e mbushur me gjysmë të vërteta dhe gjysmë personazhe. Nga shembujt që e ilustrojnë këtë mund të merrnim Sami Frashërin dhe Ismail Qemal bej Vlorën. Përse Sami Frashëri quhej edhe Shemseddin Sami? Përse kujtimet e Ismail Qemalit, babait të pavarësisë së Shqipërisë në nëntor të 1912 nuk u botuan kurrë, as gjatë periudhës së monarkisë zogiste dhe as gjatë periudhës komuniste? Përse u botuan vetëm para pak vitesh? Si ka mundësi kjo, ndërkohë që emrin e plakut të Vlorës e morën rrugë, shkolla, sheshe, vapore, filma, etj? Edhe personazhi për të cilin po flasim, Ali pashë Tepelena, nuk i ka shpëtuar paraqitjes dritë/hije. Në të vërtetë, nga pikëpamja historike, ai ka qenë shumë më tepër në hije, në heshtje ose në rastin më të mirë i keqkuptuar për arsye ideologjike nacionaliste. Sot atë e gjen në formë statuje, në tituj romanesh që ribotohen, në shishet e ujit mineral, apo edhe si specialitet i veçantë pilafi. Megjithë këtë popullaritet, profili i tij është padyshim i cunguar, edhe sepse studimet e mëvonshme e modeluan figurën e tij në atë mënyrë saqë ai mund të shihej, tekefundit, edhe si personazh "pozitiv". Nga ana tjetër, ne kemi lexuar kryesisht libra të bashkëkohësve të tij që e shihnin atë si "trim", "asllan", apo edhe si një hero romantik që ngacmonte muzën e shkrimtarëve, poetëve dhe udhëtarëve me ekzotikën e karakterit të tij. Një rol të veçantë luante edhe shpërthimi i revolucionit grek fill pas eliminimit të tij. Kjo nuk do të thotë se roli i Aliut ishte vendimtar për këtë ngjarje.

 

Të tjerë libra, si ky që kemi sot përpara, nuk duhej të binin në dorën e lexuesit shqiptar. Përgjigjen se përse ka ndodhur dhe ndodh që ky "kujdes" seleksionues të mbijetojë ende, do t'ua lëmë disa radhëve më poshtë, duke thënë fillimisht dy fjalë për Ali pashën.

 

Çfarë ishte Ali pasha në kohën e tij? Qysh në fillim duhet thënë pa mëdyshje se Ali pasha ishte një fenomen tipik osman i kohës dhe nuk ka lidhje me asnjë veprimtari në emër të ndjenjës shqiptare, apo të identifikimit me popullsitë shqiptare në kuptimin e një identiteti kolektiv, i cili motivon një veprimtari të caktuar politike, kulturore. Pjesa më e madhe e kohës në të cilën ai veproi përkoi me daljen, në pjesë të ndryshme të Perandorisë, e despotëve lokalë, të cilët u munduan të krijonin zona sa më të gjëra ku autoriteti i tyre të ishte sa më absolut. Qëllimi final ishte pasurimi dhe pushteti personal. Ana tjetër e medaljes ishin përpjekjet e Portës së Lartë për t'i vënë këta despotë lokalë tiranikë nën autoritetin e saj. Ata ngritën krye edhe në Anadoll e pjesë të tjera, qoftë më afër e qoftë më larg qendrës perandorake. Shkaku kryesor i shfaqjes së tyre ishte rënia e vazhdueshme e fuqisë ushtarake osmane, zanafilla e së cilës duhet kërkuar në fundin e shekullit të XVII. Rënia e Perandorisë solli dobësimin e autoritetit të qeverisë qëndrore mbi territoriet osmane, si edhe mosplotësimin e kërkesave të klasës së saj ushtarake për shpërblime. Kjo dukuri shoqërohet edhe me ndryshime strukturale që po ndodhnin në marrëdhëniet e pronësisë mbi tokën në Perandorinë Osmane, nga shtetërore (timaret) toka po kthehej në private (çifligjet).

 

Despotët lokalë si Ali pasha ndikuan që ta çonin më tej procesin e transformimit të pronësisë shtetërore osmane mbi tokën në pronësi private. Këta sundimtarë lokalë synonin një shkëputje dhe pavarësi më të madhe në veprimet e tyre nga Sulltani duke gllabëruar pronat shtetërore. Një pavarësi më e madhe nga qendra do të thoshte më pak detyrime financiare ndaj Sulltanit, pra më tepër pasuri vetjake, dhe më tepër pushtet politik.

 

Rënia ushtarake e Perandorisë ndodh në një kohë kur rriten interesat politikë të Fuqive evropiane, kur përvijohen më mirë edhe interesat e tyre tregtare ndaj zotërimeve osmane, dhe rrjedhimisht ka një rritje të transaksioneve dhe të nevojës për monedhë.

 

Shfaqja e këtyre ajanëve, derebejve (despot&eumlsmiley u ndikua edhe nga tiparet e politikave osmane të pushtimit. Politika tradicionale osmane e qeverisjes mbështetej fort te negocimi i pushtetit të saj me aktorët lokalë. Në më të shumtën e rasteve, Porta nuk ndiqte politikën e zhdukjes së aristokracive vendase kur fuste nën autoritetin e saj territore të reja. Në varësi të situatave, kryesisht për shkak të shtrirjes së saj të konsiderueshme gjeografike në tre kontinente, Porta e Lartë ndiqte kryesisht taktikën e kooptimit, të integrimit të aristokracive feudale vendase në strukturën shtetërore osmane, duke u siguruar këtyre të fundit pushtetin lokal dhe statusin e tyre të privilegjuar social. Kur Perandoria ishte në zenitin e fuqive të saj këta aktorë lokalë nuk kishin mundësi të shfaqnin prirje të theksuara autonomiste.

 

Fundi i tyre në vitet 1820 për Aliun dhe në vitet 1830 për Bushatllinjtë nuk erdhi papritur. Ai ishte rezultat i politikave reformiste centralizuese të Sulltan Selimit III dhe kryesisht të Sulltan Mahmudit II që u formuluan dhe filluan të zbatohen në Perandori qysh në fillim të shekullit të XIX. Ato do të finalizoheshin më vonë me shpalljen e reformave centralizuese të Tanzimatit në vitin 1839 nga Sulltan Abdylmexhidi. Sulltanët osmanë menduan se duke adoptuar modelin e shtetit të centralizuar perëndimor do t'i vinin fré rënies së Perandorisë dhe do të sillnin më pranë qendrës periferitë e shtetit perandorak. Politikat e tyre centralizuese nuk do të lejonin më ekzistencën e despotëve të fuqishëm lokalë si Ali pasha apo Bushatllinjtë.

 

Si trajtohen në studimet historike bashkëkohore figura të tilla si Ali pasha? Duhet thenë se shpjegimi i figurave osmane të natyrës së Ali pashës i referohet si konceptit të zotit feudal, ashtu edhe atij të banditit. Në këtë pikë Aliu paraqet ngjashmëri të mëdha me kolegët e tij që operojnë në territorin e Anadollit, mu në zemër të Perandorisë gjatë gjysmës së parë të shek. XIX. Zakonisht këto figura ishin pjesë e aristokracisë rurale të provincave, të cilat në sajë të emrit të familjes, zotësisë për të krijuar një shpurë ndjekësish, dhe mbi të gjitha përmes ushtrimit të brigandazhit, sulme ndaj karvaneve, djegje të fshatrave që nuk pranonin të paguajnë haraçe për ta, eliminim i familjeve të tjera lokale që mund të ishin rivale, arritën të ngrinin në këmbë pushtete gati të pavarura nga qeveria qendrore osmane.

 

Kjo edhe falë shkathtësisë individuale dhe instiktit për t'u orientuar në rrjetin e ndërlikuar klientelist të provincave osmane të kohës.

 

Karakteristikë ka qenë mizoria e paskrupullt në zhdukjen e kundërshtarëve, duke mos u ndaluar as edhe përpara anëtarëve të familjeve të tyre. Përsa i përket Aliut ai përdorte pa asnjë dallim si elementin grek të zotërimeve të tija të paligjshme, ashtu edhe atë shqiptar. Aliu shfrytëzonte pa kurrëfarë problemi prelatët ortodoksë të Artës, sikurse derebejtë myslimanë të Anadollit mbështeteshin te prelatët e krishterë armenë. Kushti i vetëm ishte dobia që ata kishin për konsolidimin e fuqisë së pashait dhe vjelja sa më e frytshme e taksave në favor të tij.

 

Për shkak se pushteti i tyre nuk ishte sanksionuar nga Sulltani ata konsideroheshin si njerëz që janë jashtë ligjit. Në këtë pikë Porta e Lartë ndoqi politika koniukturale. Ndonëse qëllimi final i saj ka qenë gjithmonë eliminimi i plotë i këtyre satrapëve, asaj kur i leverdiste, do të thotë kur e kalkulonte se ishte më me interes t'i përdorte se sa t'i zhdukte, u jepte vulën e ligjshmërisë autoritetit të tyre duke i njohur përkohësisht si kajmekamë, pashallarë, etj. Nga ana e tyre, edhe këtyre despotëve u interesonte të kishin këtë vello ligjshmërie, sepse kjo e bënte pushtetin e tyre edhe më prestigjioz në sytë e popullatave lokale. Kjo është trajektoria e karrierës zyrtare e këtyre figurave, të cilët, ndonëse kishin mbi shpatulla titujt pasha, shpesh herë e linin kokën në tepsinë e Sulltanit, që i merrte si trofé dhe simbol të rivendosjes së autoritetit të tij mbi provincat rebele.

 

Çfarë ka përfaqësuar Aliu për shqiptarët? Aliu për shqiptarët ka shërbyer më shumë si mit, siç është parë në përmasa më të mëdha edhe figura e Skënderbeut. Gjatë kohës së Lëvizjes Kombëtare profili i tij nuk ka qenë i njëjtë. Intelektualë të ndryshëm të kohës së Lëvizjes Kombëtare në shekullin e XIX dhe fillimshekullin e XX e shikonin Aliun nën prizme të ndryshme në varësi të mesazhit që donin të artikulonin. Kur ishte fjala për të ngritur lart virtytet e udhëheqësve shqiptarë një vend të rëndësishëm zinte Skënderbeu dhe në disa raste Aliu shërbente si antipod i liderit kombëtar. Pra, një figurë që nuk i përshtatej dimensionit kombëtar sepse nuk shikohej si përfaqësues i gjithë shqiptarëve, por i interesave të tij personale në jug të Shqipërisë. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu.

 

Në ligjërimet e intelektualëve të tjerë shqiptarë një temë e rëndësishme në fund të shekullit të XIX ka qenë edhe dallimi midis gjëndjes së tokave shqiptare në Perandori para dhe pas periudhës së Tanzimatit (1839-1876). Periudha para reformave centralizuese të Tanzimatit shpesh herë merrej si periudha e dominimit të elementit shqiptar në tokat shqiptare, kurse ajo e pas reformave si vendosja e elementit të huaj osman në krye të qeverisjes të popullsive shqiptare, pra rritje e "shtypjes së huaj". Në këtë rast Aliu shërbente si shembull i rolit të elementit shqiptar në Perandori, i përpjekjeve për të krijuar zotërime të pavarura, në kuptimin edhe të sfidës që shqiptarët i "shpallën" Portës së Lartë me synimin final për të pasur një ekzistencë politike të mëvetësishme. Me pak fjalë Aliu shërbente si një lloj legjitimimi historik, si një precedent "shqiptar" për të justifikuar kërkesat e veprimtarëve të shqiptarizmit të fundit të shekullit të XIX për të kërkuar autonomi nga Porta e Lartë.

 

Në periudhën e komunizmit Aliu dukej se hynte mirë si në modelin e shpjegimit marksist të procesit të krijimit të kombeve, ashtu edhe brënda kornizës së ideologjisë nacionaliste që mori hov më të madh në studimet historike sidomos pas prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në 1960.

 

Determinizmi ekonomik është baza mbi të cilën mbështetet shkenca marksiste në analizën që i bën ndryshimeve epokale në shoqërinë njerëzore. Në këtë pikë procesi i krijimit të kombeve, kalimi nga etni, kombësi në komb, lidhet me lindjen e sistemit kapitalist, ose thënë ndryshe me krijimin e një tregu të madh kapitalist që intensifikon marrëdhëniet njerëzore. Në këtë drejtim ajo që ndodhi me Aliun, zgjerimi zotërimeve të tij, është marë edhe si krijim i një tregu më të madh shqiptar, si një proces i mëtejshëm bashkimi i tokave shqiptare dhe si një hap drejt krijimit të kombit shqiptar. Lihen fare pas dore me këtë rast se cilat ishin motivet e veprimtarisë së Aliut, fuqizimi i pushtetit dhe rritja e pasurisë vetjake, dhe se cilat ishin identitetet kolektive më të fuqishme të asaj kohe, të tilla si ato krahinore dhe fetare.

 

Si mit nacionalist Aliu mund të shërbente si një shembull se Shqipëria kishte nxjerrë përherë nga gjiri i saj figura të shquara në luftën dhe rezistencën ndaj Portës së Lartë. Meqënëse periudhën e dominimit osman ne e kemi parë kryesisht si një "natë të zezë", si një përballje shekullore shqiptar-turk, nuk kemi qenë në gjendje të shpjegojmë edhe kompleksitetin e marrëdhënieve midis pushtetit qëndror osman dhe periferive të tij në Ballkan e gjetiu. Ndonëse Aliu ishte një figure shumë plastike që mund të futej në disa kallëpe ideologjike, libri i Pukëvilit na ndihmon për ta parë atë në rolin që i rri më për shtat, atë të satrapit mizor e djallëzor që falë edhe një zgjuarsie natyrale të pazakontë arriti të bëhej një figurë e njohur në këtë anë të Ballkanit në fillim të shekullit të XIX.

 

Duhet theksuar se periudha e komunizmit ka qenë edhe periudha kur është krijuar një komb shqiptar në kuptimin modern to fjalës. Krijimit të këtij kombi i parapriu mbretëria zogiste dhe pastaj shteti komunist me propagandat e tyre nacionaliste, me krijimin e figurave historike që do duhej t'u jepnin dinjitet kombëtar shqiptarëve të shekullit të XX. Dinjiteti ndërtohet mbi baza më të shëndosha kur ai mbështetet mbi "fakte historike", mbi figura të njohura historike "shqiptare". Pikërisht kjo nevojë për t'i gjetur një legjitimitet historik procesit të krijimit të kombit shqiptar, të homogjenizimit kulturor të shqiptarëve, të kombëtarizimit të mendësisë së tyre, përmes një kulture zyrtare nacionale, përmes personazhesh "heroikë shqiptarë", siç ndodhi më shumë gjatë komunizmit, nuk lejoi që figurat historike të shiheshin në kompleksitetin e tyre. Ato duhej të shiheshin thjesht si shqiptarë që jetë e mot kishin menduar vetëm e vetëm për Shqipërinë.

 

Në këtë kushte nuk mund të ndodhte që kujtimet e Ismail Qemalit të botoheshin në shqip kur ai në to flet më shumë për besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane dhe shfaq një identitet të qartë të nëpunësit perandorak, nuk mund të flitej edhe aq shumë për Shemseddin Samiun, si gazetar osman gjatë periudhës së Krizës Lindore (1875-1878), si mendimtar mysliman reformator, por edhe si një intelektual shqiptar që ndihet edhe pjesëtar i kombit turk, duke dhënë një ndihmesë tepër të rëndësishme për standartizimin e gjuhës moderne turke. Në atë kohë këto figura duhej të visheshin vetëm me kostum kombëtar shqiptar dhe kompleksiteti i figurave të tyre nuk duhej të shqyrtohej fare. Rënia e komunizmit, ndonëse e ka bërë më të fragmentarizuar ligjërimin mbi kombin shqiptar, nuk i ka shuar pasionet nacionaliste dhe dëshirën për të "shpikur" një histori sa më dinjitoze shqiptare. Mesa duket ne ende kemi nevojë që Aliun ta shohim si një lab të fortë e dinak, si njeri që përdorte të gjitha mjetet e mundshme për t'u pasuruar e gllabëruar ("vyrtyte" mjaft të çmuara këto në kohën e sotme), si një shqiptar që i bëri karshillëk Sulltanit, si një provë e mosnënshtrimit të shqiptarëve në shekuj.

 

Pukëvili e vendos më mirë Ali pashën në kontekstin e kohës së tij. Nga ana tjetër libri i Pukëvilit nuk duhet të merret si një vepër "objektive", që na tregon të "vërtetën historike", për vetë faktin se këto koncepte janë shumë relative dhe nuk ekzistojnë të ngurta siç i imagjinojmë ne shpesh. Pukëvili si aktor i kohës kur jetoi ndikohej nga interesa të caktuara politike të shtetit që përfaqësonte, Francës, ishte mbrujtur me kulturën e kohës, d.m.th. romantizmin që ishte "shkaktari" kryesor i "zbulimit" të kombeve të Evropës juglindore, grekëve në radhë të parë, duke bërë edhe lidhjen e tyre me Greqinë antike, dhe së fundi ishte një perëndimor i cili e shihte "Orientin" si një bllok politik e kulturor më inferior se Evropa.

 

Libri i konsullit francez, përkthyer më mjeshtëri nga Ardian Klosi, i vjen në dorë lexuesit shqiptar me shumë vonesë, pikërisht se ai nuk i thurrte lëvdata Aliut për bëmat e tij. Por ai ka vlerën e padiskuteshme se na lejon ta shohim Aliun në një dritë më të besueshme dhe padyshim më interesante.

1 Komente

Pikërisht kjo nevojë për t'i gjetur një legjitimitet historik procesit të krijimit të kombit shqiptar, të homogjenizimit kulturor të shqiptarëve..........siç ndodhi më shumë gjatë komunizmit, nuk lejoi që figurat historike të shiheshin në kompleksitetin e tyre. Ato duhej të shiheshin thjesht si shqiptarë që jetë e mot kishin menduar vetëm e vetëm per Shqiperine.

 

>Po eshte e vertete qe Historia ne mjaft raste eshte vene ne sherbim te ideologjise , eshte seleksionuar, retushuar por  kur vjen puna per vleresimin e A.P.Tepelenes, ideologjia zyrtare e kohes nuk u binte aq fort fanfarave dhe Aliu asnjehere nuk u vendos ne panteonin e me te lavdishmeve te kombit.Arsyeja ka qene pikerisht  kompleksiteti i tij si tiran mizor dhe kryengrites ndaj Portes se Larte. Populli e kish regjistru ne kujtesen e tij per bemat dhe gjemat.

Ka dy fakte per mosglorifikimin ekstrem te figures se APT:

- E.Hoxha i referohet teper rralle, i ikte, i largohej sespe "lavdia bashke me mizorine" i prishte gjumin,

-Ne mos gaboj nuk ka asnje shkolle  apo rruge te humbur diku me emrin e A.p.T. Edhe ky eshte tregus.

Apo oburraaaaa,  hajt t ja rrasim mkomunizmit gjithcka, edhe per  mushkat qe nuk pillnin...

 Ndonëse Aliu ishte një figure shumë plastike që mund të futej në disa kallëpe ideologjike, libri i Pukëvilit na ndihmon për ta parë atë në rolin që i rri më për shtat, atë të satrapit mizor e djallëzor që falë edhe një zgjuarsie natyrale të pazakontë arriti të bëhej një figurë e njohur në këtë anë të Ballkanit në fillim të shekullit të XIX.

Pukevili llogariste interesat e Frances aty ne oborr dhe nga ky kendveshtrim e nxin dhe katranos figuren e Aliut duke sfumuar  aftesite e tij shetformuese dhe synimet me frymezim nacionalist.

Pra Aliu nuk eshte nje hero puronacionalist per nga qellimet por as thjesht nje kacak dhe gjaksor qe vriste thjesht nga sadizmi dhe egoja e tij per pushtet. E verteta eshte midis.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).