A/H1N1, 9 raste të reja brenda javës

Nëntë raste të reja me grip derri janë rregjistruar brenda një  jave. Shkon në  44 numri i të prekurve me virusin A/H1N1në vendin tonë. Nëpërmjet zëdhënëses Alisa Demollari, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije riaktivizimin e gripit të derrave në Shqipëri dhe shfaqjen e 9 rasteve të reja. “Pas një periudhe qetësie gjatë muajve shtator-tetor, virusi A/H1N1po rifillon të qarkullojë në  popullatë. Gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja. Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin tonë shëndetësor, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë”, - u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë. Demollari tha se, brenda disa javësh pritet të mbërrijë në vendin tonë vaksina kundër virusit A/H1N1, ndërsa u është bërë thirrje qytetarëve të bëjnë vaksinën e virusit të gripit sezonal, për  të shmangur përplasjen e dy grupeve, çka do të rezultonte tepër e rëndë për shëndetin. “Në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe Ministria e Shëndetësisë, bazuar në  udhëzimet e OBSH-së, inkurajon me forcë qytetarët ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë, e cila aplikohet falas pranë qendrave shëndetësore, për t’u mbrojtur nga gripi sezonal”, - këshillon ministria.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).