Votat u grabitën për pushtetin e Familjes

Sot fillon protesta jonë që nuk mbaron pa fituar të drejtën që të shohim votën tonë. Të dashur miq që keni ardhur sot këtu, sepse besoni në një Shqipëri të shqiptarëve dhe jo të pushtetarëve! Qytetare e qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, që sot jeni me sy te ky bulevard, sepse shpresoni në një Shqipëri ku shteti i të gjithëve nuk mund të jetë shërbëtor pushtetit të disave!

Të gjithë ju që e doni Evropën këtu, në Shqipërinë tonë, dhe që jeni të gatshëm të luftoni deri në fund, për liritë e të drejta që gëzon çdo qytetar evropian, duke filluar nga liria e të gjitha lirive, e drejta e të gjitha të drejtave, zgjedhje të lira e të ndershme si kudo në Evropë, më lejoni t’ju them bindjen time:

Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të dalim sot këtu!

Fati i kësaj beteje është në zemrat tona! Fati i kësaj beteje nuk varet nga dëshira apo vullneti i satrapit të zgjedhjeve në Shqipëri!

Fati i kësaj beteje varet nga kuraja jonë për të luftuar për lirinë e votës dhe barazinë e para ligjit, nga vendosmëria jonë për të mos u tërhequr, përballë çdo presioni e padrejtësie që do na bëjnë në këtë rrugë, ku jemi me të drejtën e Zotit e të ligjit!

Fatin e kësaj beteje nuk e dikton dot një pushtet i korruptuar e korruptues që buron nga vjedhja e votës së popullit!

Fatin e kësaj beteje do ta diktojë e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli për t’u ngritur në këmbë, kur ligji shkelet me këmbë, e drejta që ka njeriu në demokraci për ta kërkuar me forcë lirinë e votës së tij, e drejta që ka çdo shqiptar e shqiptare sot për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit e të korrupsionit elektoral. Ne duam të shohim votën tonë.

Ne duam të hapim kutitë e votave tona.

Ne duam ta çlirojmë votën tonë nga presioni deformues i shtetit të bërë njësh me pushtetin.

Ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse ne, shumica e popullit, nuk kemi vendosur për të! Në qoftë se Sali Berisha do ta mbajë forcërisht mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta hapim pambarimisht valën e protestës së popullit mbi Shqipëri, do t’i bëjmë kudo thirrje popullit të mbrojë votën e vet, do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovranitetit të popullit.

Ne nuk kërkojmë të përmbysim me dhunë një pushtet të dalë nga dhunimi i votës, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet.

Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti, njëherë e mirë dhe kurrë më të mos përzihet me një betejë elektorale për llogari të pushtetit.

Kërkojmë që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm që lidhet me to, të hetohet nga parlamenti për të mos u përsëritur kurrë.

Në radhë të parë duke hapur kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë!

Mospranimi për të hetuar në parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke i dhënë opozitës të drejtën të hapë kutitë para popullit, është jo vetëm prova e frikës së madhe nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do të mbrojmë, pa frikë e as lodhje, në këtë betejë mes së shkuarës që ka marrë peng pushtetin dhe së ardhmes që mbahet peng në kutitë e 28 qershorit.

Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve dhe, për pasojë, edhe në mbylljen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri për kushedi për sa e sa vjet të tjera.

Sepse nuk mund të ketë nesër zgjedhje të lira e të ndershme me Sali Berishën në pushtet, nëse sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhje.

Kush shqetësohet nga mungesa jonë në parlament, duhet ta kuptojë se ne jemi edhe më të shqetësuar për këtë mungesë, e cila nuk është asgjë tjetër veçse dëshmia e një demokracie të rënë në boshllëkun e mungesës së standardeve në zgjedhje.

Në boshllëkun e mungesës së barazisë përpara ligjit.

Në boshllëkun e mungesës së ekuilibrave kushtetues mes pushteteve të pavarura që janë marrë peng në një dorë njëri pas tjetrit.

Ne jemi saktësisht po ata që e kthyen parlamentin e Shqipërisë në vendin e dialogut dhe konsensusit, dhe bëmë për vendin çka opozita nuk e kishte bërë asnjëherë në këto vite pluralizëm.

Ne jemi saktësisht po ata që morëm të gjitha përgëzimet e merituara nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për dialogun e konsensusin që arritëm në parlament, duke lehtësuar rrugën e mbetur të Shqipërisë drejt NATO-s dhe duke dëshmuar aspiratën tonë për një politikë të re shqiptare larg konfliktit të sherrit tradicional me synim integrimin e plotë në BE.

Ne jemi saktësisht po ata që dhamë gjithë energjinë tonë pozitive për të pasur më në fund një Shqipëri, ku vota hidhet po aq lirisht sa në një vend anëtar të NATO-s dhe numërohet po aq ndershmërisht sa në çdo vend të BE.

Ne jemi sot në rrugën e protestave dhe jo në rutinën e debatit parlamentar, sepse jemi po ata që ishim.

Jemi saktësisht po ata që kërkonim dhe kërkojmë, sot më shumë se kurrë, një politikë të re shqiptare.

Jemi saktësisht po ata që besonim dhe besojmë, sot më shumë se kurrë, se Shqipëria evropiane është një amanet i vjetër, që s’mund të tradhtohet duke pranuar të zvarritemi pa mbarim, kur Evropa fluturon pa ndalim.

Jemi po ata që deshëm dhe duam, sot më shumë se kurrë, që e keqja e madhe që i është futur këtij vendi duke mos e lënë të zgjedhë lirisht as parlamentin e as qeverinë e tij,duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Ne sot më shumë se kurrë nuk mund t’i tradhtojmë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar, me sakrifica të pashembullta, demokracia e atyre vendeve që gjithë jetën, dikur fshehtas e më pas haptas, i kemi parë me admirim si shembull për Shqipërinë dhe kemi dashur e duam t’i arrijmë.

Për ato vlera e parime, për lirinë e fjalës dhe të drejtën e votës së lirë në radhë të parë, plot ndër ne këtu u përfshinë në lëvizjen kundër diktaturës komuniste që në kohën kur Sali Berisha ishte ende një sekretar i rëndomtë dhe servil me emër i atij regjimi gjakatar.

Sot më shumë se kurrë ne nuk mund të presim që ky palo diktator i vogël, me delirin e vjetër për pushtetin personal e me oreksin e ri për paratë e popullit, të na garantojë me dëshirën e tij liri e të drejta, për të cilat rrëzuam 20 vjet më parë monumentin e diktatorit të madh.

Për lirinë e fjalës dhe të drejtën e votës së lirë, në botën ku jetojmë, po edhe në Shqipërinë tonë, janë martirizuar jetë të pafundme njerëzish, janë sakrifikuar në liri e të drejta familje e gjenerata të tëra, janë bërë e bëhen sakrifica të mëdha e të vogla, që i bashkon të gjitha nevoja e pazëvendësueshme e njeriut për dinjitet.

Sot më shumë se kurrë ne nuk mund të pranojmë që këto liri e të drejta që janë tonat, janë të secilit prej nesh, janë dinjiteti i çdo njeriu dhe shprehja e barazisë së të gjithë njerëzve në demokraci, të shkelen nga pushteti i radhës e të relativizohen si në të gjitha radhët kur prej 20 vjetësh na thuhet “që zgjedhjet ishin më të mira se të tjerat, por prapë nuk ishin si duhet të ishin”.

Jo, nuk ka një mungesë lirie më të mirë sesa një tjetër mungesë lirie!

Dhe sot ka vetëm një arsye që Shqipëria të mos ketë akoma zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane:

Arsyeja është Sali Berisha!

E dini pse zgjedhjet kanë dalë jashtë standardeve? Pse kartat e identitetit nuk u bën në kohë? Pse listat patën parregullsi? Pse kriminelët janë lëshuar rrugëve nga burgjet? Pse arka e shtetit është bërë rrush e kumbulla elektorale? Pse presioni shtetëror mbi zgjedhësit ka arritur kulme si kurrë më parë? Pse njerëzit e opozitës janë flakur e flaken përditë në rrugë nga puna? Pse kutitë janë marrë peng? Pse nuk hyn opozita në Kuvend? Pse Shqipëria po bëhet përditë shqetësim për miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë?

Sepse Sali Berisha pushtetin e popullit e ka vënë në shërbim të interesit ekonomik të familjes së tij, dhe ky interes bie ndesh si nata me ditën me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri!

Zgjedhjet e lira e të ndershme u minuan për të ricikluar pushtetin e familjes që kontrollon qeverinë për llogari të saj dhe votat e popullit opozitar, të majtë e të djathtë, u grabitën për të ricikluar pushtetin abuziv mbi pronat publike e private të shqiptarëve, pushtetin abuziv mbi arkën e shtetit të vënë në shërbim të pushtetit, pushtetin abuziv mbi drejtësinë që po bie përditë e më turpshëm në gjunjët e pushtetit, pushtetin abuziv mbi mediat që me hir a me pahir janë kthyer nga ana e pushtetit për të verbuar shikimin e njerëzve, mu si ato pasqyrat e fëmijëve kur i drejtohen diellit.

Votat e popullit opozitar, të majtë e të djathtë, u grabitën për të vazhduar prerjen e faturave shumëmilionëshe në euro që zyra e një vajze në Tiranë pret leje të firmosura nga babai i saj. Që quhet Sali Berisha. I njëjti Sali Berishë që si kryeministër sillet si njerk i keq me faturën e kompensimit të 100 herë premtuar dhe po aq herë gënjyer të të përndjekurve politikë, të cilët, megjithëse i ka çuar edhe vetë personalisht në internime, ka 20 vjet që i nëpërkëmb me rrena.

Votat e popullit opozitar, të majtë e të djathtë, u grabitën, për të vazhduar batërdinë me një euro apo me hiç fare mbi lumenjtë, kodrat e pyjet, zonat turistike apo të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Votat u grabitën për të thithur të gjitha prurjet e korrupsionit të koncesioneve për hidrocentrale, që në fakt shiten e rishiten në një treg të zi letrash zyrtare të kontrolluar nga sekserë e klientë të pushtetit të familjes.

Votat u grabitën për të thithur të gjitha prurjet e korrupsionit të koncesioneve për fabrika çimentoje apo leje për gurore që fryjnë kacek xhepin e familjes në pushtet që e lënë trok arkën e shtetit dhe që mbjellin re të zeza në qiellin e së ardhmes së këtij vendi, duke ndotur në mënyrë të pandreqshme mjedisin ku jetojnë shqiptarët.

Votat u grabitën për të thithur të gjitha prurjet e korrupsionit për koncesione mostrash energjitike, që refuzohen në BE si të papajtueshme me standarde të popujve të Evropës, por që në Shqipëri mirëpriten si vlerë e shtuar për arkën e pushtetit të familjes.

Votat e popullit opozitar, të majtë e të djathtë, u grabitën për të tjetërsuar deri në fund, në dëm të interesit të përbashkët dhe vetëm në interes të familjes në pushtet, jo vetëm të drejtën tonë të përbashkët të pronësisë mbi lumenj, kodra, pyje, bregdet e laguna, por edhe të drejtën mbi prona private, të shumë e shumë pronarëve të ligjshëm sidomos në bregdet, ku asnjë metër katror nuk kthehet pa u marrë vesh me pushtetin e familjes.

Votat e popullit opozitar, të majtë e të djathtë, u grabitën për të tjetërsuar përfundimisht edhe të vërtetën tragjike të shpërthimit vrastar të Gërdecit, ku është përfshirë drejtpërdrejt familja në pushtet dhe ku pushteti i familjes është në rolin e varrmihësit të së vërtetës që di gjithë Shqipëria, që di Presidenti i Republikës, që di Prokuroria e Përgjithshme, që di çdonjëri nga gjykatësit e përfshirë në operacionin e shpëtimit të Fatmir Mediut, i cili e mban peng Sali Berishën me ato që di, dhe të dy bashkë, njëri si kryeministër dhe tjetri si ministër i Mjedisit, me siguri nuk do harrojnë ta mbulojnë me një fushë të gjelbër sporti varrin e përbashkët, që u hapi 26 shqiptarëve të pafajshëm, korrupsioni i pushtetit të familjes që qeveris Shqipërinë.

Për ta, për familjet e tyre të rivrara në kalvarin poshtërues më të turpshëm gjyqësor në historinë e pluralizmit, si edhe për asnjë shqiptar tjetër, që do të kërkojë drejtësi e barazi para ligjit në kundërshtim me interesin e familjes në pushtet, nuk do të ketë asnjë shans, nëse ligji nuk do të rivendoset për gjithë popullin opozitar, duke pranuar hapjen e kutive të votimit dhe duke i ridhënë lirinë zgjedhjeve në Shqipëri.

Kur një ligj i shkruar e zeza mbi të bardhë, i miratuar me konsensus, dhe i hedhur në kosh nga administratorë e gjykatës zgjedhorë që duhet të shkojnë përpara drejtësisë, nuk zbatohet për një popull të tërë opozitar, të majtë e të djathtë, të përfaqësuar në parlament nga 65 deputetë, si mund të zbatohet ligji për një qytetar të zakonshëm, për një familje a një grup shoqëror?

Kush mund ta gjejë në Shqipëri të drejtën e vet, kushtetuese e ligjore, kur kjo e drejtë i mohohet partisë më të madhe politike në vend, i mohohet një koalicioni të tërë partish përtej të majtës e të djathtës që ka më shumë vota se koalicioni në pushtet, i mohohet një populli të tërë që fatkeqësisht, por edhe shumë gabimisht shihet nga familja në pushtet si një turmë njerëzish të painteresuar për lirinë e fjalës e të drejtën e votës së lirë?

Si mund ta lejojmë ne, që të gjithë pa dallim, dhe pavarësisht shumë gjërave që mund të na ndajnë e dallojnë nga njëri-tjetri, që të durojmë kokulur pabarazinë e plotë para ligjit dhe të qëndrojmë si spektatorë të duruar përpara kësaj gjendjeje të padurueshme të demokracisë, të shtetit të së drejtës, dhe të ekonomisë familjare të çdokujt që nuk është kushëri apo ushtar i familjes në pushtet?

Sot ne jemi një NE e madhe, sepse kjo betejë është beteja e të gjithë atyre që nuk hyjnë te ne-ja e familjes në pushtet.

Kjo është një betejë për të gjithë ata që nuk duan të sundohen e të kontrollohen në jetë dhe në punën e tyre nga pushteti i Familjes që kërkon ta kthejë atdheun tonë të përbashkët në një skemë të mbyllur, ku vota e popullit nuk vlen më.

Kjo është beteja e Shqipërisë që do të ndahet njëherë e përgjithmonë nga zgjedhjet e deformuara përmes fuqisë abuzive të shtetit të bërë njësh me pushtetin.

Kjo është beteja mes së ardhmes dhe së shkuarës që vazhdon.

Ne nuk ndalemi përpara asgjëje, e askujt në kërkim të së drejtës tonë.

Miq të mi, duke ju falënderuar për ardhjen këtu, duke falënderuar qindra-mijëra nëpërmjet ekraneve, duke ju kërkuar që të rezistojnë, dua ta mbyll, duke ju bërë thirrje të gjithëve, që të firmosni projektin e një grupi ekspertësh, për t’ju drejtuar një populli të tërë, që kërkon hetimin e atyre zgjedhjeve, që u deformuan padrejtësisht. Kjo është vetëm hapja e një sezoni protestash në çdo shesh e në çdo rrugë të Shqipërisë. Ne nuk do të ndalemi përpara asgjëje dhe askujt në kërkimin e së drejtës tonë, sepse e drejta jonë as nuk shitet dhe as nuk negociohet.

1 Komente

Bravo Edi. Kesaj rradhe me ka pelqyer ne te gjitha... pervec ne faktin qe me vete mban akoma ciliminj qe i kane buzet me qumesht si Erion Veliaj.

Kur te kuptoje qe nje turme te tere, me pensioniste dhe njerez te te gjitha moshave, nuk u drejtohesh dot t'i frymezosh apo t'i drejtosh qofte dhe shpirterisht, duke perdorur kalamaj, atehere do te merrej seriozisht nga te gjithe.

Rroft Berisha, posht Enveri, se ky Rama desh na theri!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).