Shqiperia nen syrin e Sherbimeve Sekrete Britaniko-Amerikane

Shqiperia nen syrin e Sherbimeve Sekrete Britaniko-Amerikane 

Auron Tare

Shqipëria e dalë nga Lufta e Parë Botërore, ishte shumë pak e njohur në arenën ndërkombëtare, megjit-hëse aktiviteti diplomatik i fuqive të mëdha ndaj Shtetit të sapokrijuar nga rrënojat e Perandorisë Otomane ishte mjaft i dendur. Një sërë palësh ndërluftuese kishin shkelur në territoret shqiptare duke lënë pas jo vetëm gjurmët e tyre, por edhe një sërë dokumentesh mbi çështjet luftarake për të cilat ato interesoheshin. Arkivat britanike, një pjesë tashmë e hapur për studiuesit e kësaj periudhe, na informojnë se shërbimet sekrete britanike gjatë periudhës së fillimit të 1900-ës e deri më 1920-ën nuk kishin aktivitet të rëndësishëm të të njëjtit nivel me shërbimin diplomatik në këtë vend të vogël ballkanik, i cili nuk paraqiste asnjë interes të mjaftueshëm për këto shërbime. MI6 apo Shërbimi Sekret anglez e ka zanafillën e tij në vitet 1909, kur dy shërbimet kryesore të inteligjencës britanike u bashkuan për të krijuar një Shërbim më efikas ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në politikën angleze, jo vetëm në territoret koloniale por edhe në Europë. Megjithëse arkivat britanike kanë një sasi shumë të pakët dokumentacioni të kësaj kohe për Shqipërinë, mund të thuhet se ky dokumentacion është mjaft interesant. Në të ka mjaft informacione dhe raporte mbi gjendjen politike dhe ekonomike të saj, si dhe mbi përplasjet e vazhdueshme të fqinjëve për të përfituar territore apo influencë mbi politikanët shqiptarë të kohës.

Shqipëria larg shërbimeve

Fillimet e Shtetit Shqiptar përveç disa anglezëve ekscentrikë, të cilët dëshironin të njihnin më afër jetën e popullsisë malore, zakonet dhe kulturën e panjohur deri më atëherë, nuk kishin ndeshur akoma oficerët e Shërbimit Inteligjent anglez apo e njohur ndryshe edhe si SIS. Nga dokumentet arkivore të shfletuara deri më tani nuk kemi ndonjë provë të saktë për të na bërë të besojmë se Shërbimet Inteligjente britanike kishin ndonjë rrjet informacioni të ngritur deri në mesin e viteve 1920-të. Ky fakt tregon qartë se realiteti shqiptar nuk ofronte ndonjë pikëpyetje të madhe strategjike për politikëbërësit e Londrës, të cilët pas Luftës së Parë ishin më shumë të interesuar për të ndarë territoret e ish-Perandorisë Otomane të Lindjes së Mesme, territore të cilat sapo kishin dhënë edhe shenjat e para të pasurive të naftës. Ruajtja e rrugëve detare drejt kolonive të tyre ishte një preokupim mjaft i madh dhe konfliktet e shpeshta politike shqiptare nuk ngjallnin ndonjë interes të veçantë për diplomacinë angleze. Përveç ndonjë shkrimi të rrallë në shtypin britanik mbi Shqipërinë e asaj kohe, në përgjithësi publiku anglez nuk kishte ndonjë ide të qartë se çfarë ndodhte në vendin e shqipeve, i cili brenda disa viteve kaloi një periudhë të vështirë politike. Megjithëse britanikët ishin përfshirë në disa prej çështjeve të kufijve shqiptarë me fqinjët e tij, përsëri nuk mund të themi se interesi ishte në një shkallë të atillë sa të kthente vëmendjen e Shërbimit Inteligjent ndaj shtetit shqiptar. Po kështu mund të thuhet edhe për politikën amerikane, e cila si një shtet i cili akoma nuk e kishte vendosur veten në rolin e një mbikëqyrësi të pozicioneve strategjike globale, nuk kishte asnjë interes imediat mbi Ballkanin dhe në veçanti mbi Shqipërinë.

Ardhja e Zogut në pushtet

Gjithsesi, pas krijimi të një qeverie më të stabilizuar dhe me ardhjen e Zogut në pushtet, britanikët në mënyrë mjaft periferike janë interesuar edhe për një informacion më të përgjithshëm mbi Mbretërinë Shqiptare. Shikohet një volum pak më i madh i raporteve që vinë nga Shqipëria, raporte që gjithsesi vinin nga kanalet diplomatike.
Britanikët dhe amerikanët hapën Legatat e tyre në Shqipëri në vitet 1920-të, por me sa duket nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, personeli diplomatik nuk kishte lidhje të qëndrueshme me shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kalonin nëpërmjet kanaleve zyrtare. Sigurisht që në këto raporte ka të dhëna mbi gjendjen politike, ushtarake por edhe thashethemet e Oborrit të Zogut që gjithsesi mbetën në kornizën e raporteve diplomatike. Ne këto raporte shpesh citohen edhe emrat e burimit të informacioneve, të cilët në përgjithësi janë persona pranë Oborrit të Zogut, e që kalonin informacion për diplomatët britanikë.

Ndikimi italian

Me ardhjen në fuqi të Musolinit në Itali dhe në veçanti me përpjekjen e Italisë për t’u kthyer në një superfuqi europiane, sigurisht që interesimi britanik drejt Ballkanit u rrit pasi Ballkani shikohej si një fushë logjike e ekspansionit italian. Për një periudhë kohe anglezët e shikuan Shqipërinë si një fushë logjike të influencës italiane, aq më tepër kur dihej se Mbreti Zog po binte gjithnjë e më tepër nën presionin ekonomiko-ushtarak të fashizmit. Me rritjen e influencës italiane në Shqipëri dhe penetrimit të Shërbimit Sekret italian në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare në vitet ‘30-të, kemi një prani të disa elementëve anglezë në shoqërinë shqiptare, elementë të cilët për rolin dhe aktivitetin e tyre në radhët e Shërbimit Inteligjent anglez lënë të kuptosh se ardhja e tyre në Shqipëri nuk ka qenë e rastësishme.

Agjentët britanikë në Shqipëri

Në këtë rast do të veçoja AUBREY HERBERT, një aristokrat anglez i cili ishte oficer i Shërbimit Inteligjent Ushtarak me qendër në Kajro. Herbert, djali i dytë i Erlit të 4-t Carnavon, (vëllai i tij Lordi Carnavon ishte zbuluesi i famshëm i Varrit të Faraonit egjiptian, Tutenkhamun), vinte nga një familje shumë e pasur dhe kishte një eksperiencë të madhe në Lindjen e Mesme. Oficer i Zbulimit Ushtarak fliste disa gjuhë, përfshirë këtu edhe arabisht, por edhe shqip. Herbert u angazhua shumë në fatin e Shqipërisë para dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe dosja e tij ka një sërë raportesh shumë interesante mbi gjendjen e Shqipërisë para viteve 1920, por si mik i sinqertë i Shqipërisë ai nuk duket se ka pasur ndonjë tentativë për të krijuar një rrjet informacioni me karakter politik.
S. Clarke, një person shumë enigmatik pasi fati i tij tragjik dhe vdekja e parakohshme na bëjnë të spekulojmë mbi qëllimin e tij të vërtetë në interesin që tregoi mbi Shqipërinë e Jugut. Arkeolog i cili sapo kishte fituar një bursë studimi në Shkollën Britanike të Athinës, kishte hyrë në Shqipëri në fund të viteve 1920. S.Clark, përveç interesimit të tij mbi arkeologjinë shqiptare mund të ketë qenë me mision zbulimi. Ditari i tij personal përmban në detaje shumë të dhëna që kanë karakter ushtarak, topografik, ekonomik të të gjithë zonës së Jugut të Shqipërisë. Në ditarin e tij personal, i panjohur për publikun deri më sot ka pasazhe të qarta, të cilat u referohen shënimeve të tij për raporte më të zgjeruara mbi viset e Jugut shqiptar. Clark vdiq mjaft i ri në një aksident në Athinë dhe shënimet e tij me sa duket janë shfrytëzuar nga një arkeolog tjetër, i cili më vonë do të bëhej një prej autoriteteve më të rëndësishme të arkeologjisë britanike, Nicholas Hamond. Nicholas Hamond, filohelen tradicional, njohës i mirë i Epirit dhe një personalitet i njohur i arkeologjisë angleze, ndjek itinerarin e Clark dhe viziton gati të njëjtat vende në fillim të 1930-ës. Shënimet e tij të hershme kanë shumë të dhëna topografike me interes ushtarak dhe siç do të shikohet edhe më vonë nga zhvillimi i ngjarjeve, Hamond është ngarkuar me mision nga Shërbimet Sekrete për të hyrë në Shqipëri gjatë periudhës së okupimit fashist. Emrin e Hamond do ta hasim më vonë në një sërë raportesh që ai i dërgonte Zbulimit anglez nga Greqia.
Gjithsesi shërbimet angleze filluan të kishin një informacion paksa më të mirë kur në fund të viteve 1920, Mbreti Zog për të krijuar një forcë profesioniste ushtarake mori në shërbimin e tij 12 ish-ushtarakë britanikë.
Britaniku në krye të xhandarmërisë shqiptare
Gjeneral Majori Sir Jocelyn Percy, një ish-ushtarak karriere, pasi kishte luftuar në shumë vende të kolonive britanike ishte larguar nga ushtria për t’iu kushtuar biznesit të tij privat. Kishte jetuar për disa vjet në Kanada, ku kishte provuar pa sukses të krijonte një fermë bujqësore. I rikthyer në Londër në mesin e viteve 1920, me të marrë propozimin e Mbreti Zog për t’u vënë në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, erdhi në Shqipëri së bashku me një dyzinë oficerësh të cilët ai i rekrutoi vetë në Angli. Sir Jocelyn Percy pati një karrierë shumë të rëndësishme në krye të xhandarmërisë së Zogut dhe ishte një figurë që megjithëse italianët nuk e donin në detyrën që kryente, gjithsesi e respektonin për profesionalizmin e tij. Sir Jocelyn Percy gjatë karrierës së tij ushtarake kishte pasur shumë kontakte me një sërë departamentesh të ushtrisë britanike. Mesa duket nga dosja e tij, ai nuk ka pasur marrëdhënie me SIS apo Shërbimin e Zbulimit ushtarak anglez gjatë ushtrimit të detyrës së tij në radhët e xhandarmërisë shqiptare. Por gjithsesi në fundin e viteve ’30-të, kur influenca italiane ishte tashmë në kulmin e saj edhe në radhët e ushtrisë shqiptare, Sir Jocely Percy ishte në kontakt të vazhdueshëm me Zyrën sekrete MIR, një degë e Shërbimit të Zbulimit Ushtarak, e cila ishte krijuar për të kryer sabotime dhe lufte jo konvencionale. Mesa duket Sir Percy kishte dhënë informacione me karakter ushtarak mbi mundësitë e italianëve për të sulmuar Jugosllavinë apo edhe Greqinë. Sir Jocelyn Percy për një farë kohe ishte konsideruar si një kandidat potencial për të drejtuar përpjekjet britanike të 1941 për të infiltruar një mori agjentësh në Shqipëri, por mosha e tij e madhe nuk e lejonte për t’i hyrë një aventure të re.
Kolonel Dayrell Oakley-Hill, një prej zëvendësve të Gjeneral majorit Percy, në komandën e Xhandarmërisë Shqiptare do të ishte në fakt një prej kontakteve më të rëndësishme të SIS në radhët e ushtrisë shqiptare. Kolonel Oakley-Hill ishte një admirues i shqiptarëve dhe mesa duket, koha që ai kaloi në Shqipëri e kishte bërë atë më të afërt me vendin ku ai shërbeu për më se 10 vjet. Lëvizjet e tij në të gjithë Shqipërinë e bënin atë një burim të rëndësishëm për informacion me karakter ushtarak. Në ditarin e tij të botuar pas vdekjes, ai është kujdesur që rolin dhe kontaktet që ai kishte me Shërbimin Sekret anglez të lihen në një farë mënyre jashtë faqeve të ditarit, por në fakt nga dokumentet arkivore shikohet qartë se ai ka luajtur një rol parësor sidomos në fundin e ’39-ës dhe fillimin e viteve ’40-të në skemën e SIS në Shqipëri. Koloneli Oakley-Hill do të ishte në fakt një prej aktorëve kryesorë të përpjekjeve të Shërbimit Sekret britanik për të rekrutuar dhe infiltruar një numër eksponentësh anti-italianë dhe për të filluar një lëvizje anti-italiane në Prill të 1941-it. Po kështu në dosjet e shërbimit të zbulimit anglez në këtë periudhë dalin emrat edhe të dy ushtarakëve të tjerë të xhandarmërisë së Mbretit Zog, Kapiteni Robert Cripps dhe Major Barbrook, të cilët do të shërbenin edhe më vonë në planet e anglezëve në krijimin e një fronti anti italo-gjerman në Ballkan.

Studiuesja “enigmatike”

Megjithatë, figura më interesante e cila gjatë viteve 1920 dhe të ‘30-ta do të jetë pjesë e historisë së Shërbimit Anglez në Shqipëri, do të ishte studiuesja britanike, Margaret Hazluk. Hazlluk kishte studiuar në Akademinë Elgin si dhe Universitetin e Aberdeen dhe Kembrixh, duke qenë një prej grave të para në Angli që kalonin dyert e këtyre universiteteve prestigjioze. Gjate një udhëtimi studimi në Anatoli më 1911, kishte takuar arkeologun anglez Frederick Hasluck, i cili ishte një nga studiuesit e rëndësishëm të Shkollës Britanike në Athinë. Frederick Hasluck dhe Margaret martohen më 1912 dhe vendosen në Athinë.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore çifti Hazluk përveç studimeve arkeologjike të cilat i kishin vendosur ata në një nivel të lartë profesional midis botës akademike, kishin punuar për Zbulimin Britanik duke qenë një nga pikat e ndërlidhjes dhe informacionit që kishin britanikët në Greqi. Nuk dihet se kush nga çifti Hazluk ka qenë personi i cili ka pasur kontakte i pari me Shërbimin Anglez. Dokumentacioni i zbuluar në arkivat britanike konfirmon se çifti Hazluk kishte shërbyer gjatë gjithë periudhës së luftës për shërbimet e inteligjencës britanike. Mesa duke nga këto dokumente, në mënyrë të tërthorët del se edhe lidhjet e Znj.Hazluk me Shërbimin Inteligjent Britanik kanë qenë të afërta edhe pas periudhës së Luftës së Parë. Pas vdekjes së të shoqit më 1920, Znj Hazluk iu dedikua përfundimisht punës së saj në çështjet etnografie dhe kulturore të Ballkanit duke ndërmarrë udhëtime të shumta në Maqedoni, Greqinë e Veriut dhe në veçanti Shqipëri. Në vitin 1923 ajo vendoset përfundimisht në Shqipëri dhe udhëton gati në të gjithë vendin për të mbledhur përralla, fabula, histori të vjetra apo botani. Vendoset përfundimisht në Elbasan ku edhe blen një shtëpi të vogël, e cila akoma edhe sot qëndron në këmbë shumë pranë mureve të Kalasë së Elbasanit. Është paksa e vështirë për të vërtetuar rolin e saj të vërtet për gati 16 vjetët që ajo kaloi në Shqipëri. Puna në drejtim të etnografisë, numizmatikës apo çështjeve të tjera shqiptare që ajo bëri me përkushtim për të gjithë kohën që ishte në Shqipëri, e vendosin atë në radhët e pionierëve të çështjeve albanologjike. Gjithsesi kontaktet e saja në të kaluarën me Shërbimin Inteligjent Britanik nuk kishin se si të mos lindnin dyshimet se puna e saj nuk ishte vetëm etnografia. Është e vështirë të provohet me dokumentacionin që deri më tani është në dispozicion nëse Hazluk ishte agjente aktive me mision në Shqipëri apo jo, por ne s’e marrim parasysh se Zyra Sekrete e Mbretit Zog e kishte në vëzhgim të vazhdueshëm si dhe Shërbimet Inteligjente Italiane e kishin në listat e tyre primare si një agjente aktive, atëherë mund të supozojmë se Znj.Hazluk është personi për të cilën referohet në dokumentin HS7/150 të arkivit britanik se “kontakti kryesor i SIS në Shqipëri është një grua”.

Pushtimi italian dhe SIS

Invazioni italian drejt Ballkanit më 7 Prill 1939 nuk e ndryshoi sadopak politikën e jashtme britanike në drejtim të Shqipërisë apo edhe vendeve të tjera rreth saj.
Raportet e fundit të dërguara nga Legata Angleze në Shqipëri tregojnë se ushtria shqiptare bëri një rezistencë vetëm në Durrës kur një numër ushtarakësh humbën jetën në përpjekje me italianët.
Interesant është raporti i Atasheut Ushtarak të Marinës Britanike me qendër në Romë, i cili raporton se dëshmitarët i kanë konfirmuar se “italianët kanë humbur rreth 400 vetë gjatë zbarkimit në Portin e Durrësit”. Është kjo një shifër e ekzagjeruar apo jo, akoma nuk e dimë, pasi raportet zyrtare italiane konfirmojnë humbjen e vetëm 12 ushtarakëve gjatë zbarkimit në Durrës. Gjithsesi ky Raport nuk ka përse të mos merret parasysh kur shikojmë se Atasheu Ushtarak i Marinës Britanike kishte ardhur vetë në Durrës për të mbledhur informacion menjëherë pas zbarkimit të ushtrisë italiane. Ndoshta arkivat e Shërbimit Sekret Italian do të hedhin një dritë më të qartë mbi rezistencën e vërtetë që u bë në Durrës në 7 Prill të 1939-ës.

Forcimi i Gjermanisë

Është e kuptueshme se në kushtet e një Gjermanie shumë të rëndësishme në planin ushtarak, askush në Europë nuk do të donte të shkonte në luftë me aleatin e saj Italinë fashiste vetëm për të mbrojtur çështjen e një vendi të vogël dhe të parëndësishëm si Shqipëria në atë periudhë. Megjithëse shtypi europian dhe ai britanik i kushtuan faqen e parë këtij pushtimi, pakkush kërkoi që Qeveria Britanike të ndërhynte ndaj këtij pushtimi. Qeveria Britanike nuk dëshironte në asnjë mënyrë të provokonte ndjenja anti-britanike nga italianët, të cilët nëpërmjet kanaleve konfidenciale kishin shpallur neutralitetin e saj ndaj një konflikti të mundshëm britaniko-gjerman. Britanikët kërkonin me çdo kusht të ruanin kontrollin e Kanalit të Suezit si dhe rrugëve të saj në kolonitë e Lindjes së Mesme dhe një konflikt me Musolinin do t’i kërcënonte seriozisht këto pika strategjike pasi Italia kontrollonte në një mënyrë apo një tjetër rrugët detare të Lindjes. Për këtë arsye Qeveria Britanike kishte dhënë urdhër specifik të gjitha agjencive të saj, përfshirë edhe Shërbimet Sekrete, se në asnjë mënyrë nuk duhej të planifikohej ndonjë ndërhyrje anti-italiane në rajonin e Ballkanit. Për sa Greqia ishte jashtë planeve pushtuese të Italisë, britanikët nuk kishin asnjë arsye për të dëmtuar neutralitetin e premtuar nga italianët. Sipas dokumentacionit të Foreign Office, letrave private dhe dëshmive të botuara nga një numër personash të përfshirë në ngjarjet e pragluftës së Dytë Botërore, kuptohet qartë se politika britanike për Ballkanin ishte ajo e ruajtjes së një neutraliteti sa më të qëndrueshëm për të mbajtur larg çdo interes gjerman në këtë rajon, si dhe mundësia e krijimit të një fronti Ballkanik i cili do t’i qëndronte invazionit të mundshëm gjerman.
Fakti që anglezët nuk protestuan mbi pushtimin e Musolinit në Shqipëri në Prillin e 1939, tregon qartë se Foreign Office i kishte mbetur besnik kësaj politike.

Rikthehet interesi britanik në Shqipëri

Interesimi serioz i Shërbimeve inteligjente britanike ndaj Shqipërisë e ka fillesën e tij rreth qershorit të 1940-ës, kur Franca kapitulloi përpara armëve gjermane. Për të kuptuar interesimin e befasishëm të SIS për Shqipërinë në radhë të parë duhet kuptuar politika britanike në Balkan dhe në veçanti në Jugosllavi dhe Greqi. Anglezët e kuptuan fare mirë se tashmë situata europiane po ndryshonte me shpejtësi. Italianët sapo kishin filluar përgatitjet për të sulmuar Greqinë dhe këto përpjekje tregonin qartë se Musolini nuk do të mjaftohej vetëm me pushtimin e Shqipërisë, por me anë të forcës do të donte të ndryshonte Hartën Ballkanike. Britaniket të cilët jo më pak se një vit më parë kishin qenë për ruajtjen e një neutraliteti ballkanik, tashme po mendonin ndryshe. Në fakt, nga dokumentacionet mjaft sekrete të cilat sapo janë hapur për studiuesit, shikohet qartë se nëpërmjet përgjimeve telefonike dhe rrjetit të informimit që britanikët kishin në Romë, ishte bërë e mundur që të kuptohej qartë se Musolini ishte gati të mbështeste një konflikt të mundshëm të gjermanëve me anglezë. Për një kohë të gjatë liderët e Partisë Fashiste ishin munduar me çdo kusht që të ruanin një lloj neutraliteti ndaj angleze, duke bërë një paqe të heshtur mbi zonat e tyre të influencës. Por kapitullimi i Francës i dha të kuptojë Musolinit se ai duhej të ishte përfundimisht në krahun e Hitlerit si triumfatori i një Europe të re. Ndryshimi i politikës italiane ndaj britanikëve bëri të mundur që të ndryshonte edhe politika angleze ndaj Ballkanit. Për britanikët, ruajtja me çdo kusht e influencës së tyre në Greqi si pozita strategjike kyçe në Mesdhe, i bëri ata që ta shikonin sulmin italian si një kërcënim serioz të influencës së tyre. Po kështu planet italiane për Jugosllavinë e bënin të vështirë ruajtjen e një lloj koalicioni ballkanik midis Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë në rastin e një konflikti me gjermanët.

Britanikët e jugosllavët

Diplomacia britanike po punonte mjaft për të krijuar një pakt të tillë midis vendeve ballkanike, por me sa duket politika vendase e bënte këtë synim mjaft të vështirë.
Gjithsesi një pjesë e politikës jugosllave e dinin se me pushtimin italian të Shqipërisë, dhe infiltrimin gjerman në Hungari, situata e tyre ishte mjaft e vështirë dhe për këtë arsye një pjesë e shërbimit jugosllav bashkëpunoi ngushtë me britanikët. Ky bashkëpunim do të ishte edhe një prej fillimeve të interesimit serioz te MI6 (SIS) ndaj Shqipërisë, duke shfrytëzuar rrjetin dhe kontaktet që jugosllavët kishin vendosur në Shqipëri gjatë periudhës së Mbretit Zog. Me ndryshimin radikal në politiken europiane, lidershipi anglez kuptoi qarte se një luftë me Gjermaninë naziste ishte e pashmangshme. Në këtë kohë Shërbimet Sekrete Britanike iu nënshtruan një riorganizimi për t’u përshtatur me situatën e re që pritej të ndodhte në Europë. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë së Luftës me dekret të posaçëm krijoi një forcë të re e cila do të përfshinte disa seksione dhe në veçanti Seksionin e Luftës jo konvencionale, e cila do të përfshinte spiunazhin, sabotimin dhe në veçanti ndihmën për popullsitë lokale në krijimin e një lufte guerile ndaj ushtrisë së rregullt gjermane. Ky shërbim i ri, i krijuar nga ministri i Ekonomisë së Luftës, Hugh Dalton do të hynte në histori si e famshmja S.O.E Operacionet Speciale Ekzekutive. SOE që në fillimet e saj do të hynte në lojë me plane gati diametralisht të kundërta me politikën tradicionale të Foreign Office. Në krye të saj u vendosën oficerë të rinj, të cilët ishin të etur për aksione në prapavijat armike. Shumica e tyre ishin të rinj, të dalë nga shkollat elitare angleze apo nga repartet speciale dhe lufta guerile ishte një tërheqje mjaft e madhe, por edhe një mundësi për t’u ngjitur në shkallet e karrierës ushtarake. Një pjesë e madhe e oficerëve të parashutuar në Ballkan, të cilët luftuan dhe jetuan me popullsinë vendase, kanë lënë kujtimet dhe ditarët e tyre, të cilët janë një dritare e shkëlqyer për të kuptuar më mirë mentalitetin e oficerëve britanikë ndaj vendeve ku ata shërbyen. Kujtimet dhe ditarët janë gjithashtu një kronikë e detajuar e jetës së oficerëve britanikë në malet e Ballkanit, si dhe detaje të rëndësishme mbi politikën e disa prej liderëve të mëvonshëm të lëvizjeve komuniste apo nacionaliste në Ballkan.
(Vijon nesër)

 

5 Komente

shume interesante keto shkrimet e auronit

Auron,

numizmatikës

Lef Nosi ka qene nje nga me te medhenjte e asaj kohe per kete. Jam i sigurte qe e di, sic jam i sigurte qe i ke degjuar thashethemet e saj ne Elbasan. Ne kohe te Vekes asaj shpise i thonin shpija e angleskes dhe ishte kopesht femijesh deri vone, ndersa perseri mbas `90 ra ne duart e nje cifti anglezesh ( te pakten deri para pak kohesh ). Kjo shpija ishte vetem 300 m ne vije ajrore nga nje shkolle fetare me shume nam ne rajon e me gjere. Shume te huaj qe ishin numizmatike te medhenj ja befen ne ato kohe ( e kam fjalen per kete shkollen qe ishte pasqyruar ne nje dokumentar televiziv te RAI-it&nbspsmiley . smiley

Dhe thone qe Lef Nosi, pervec se ishte i pasur dhe me kulture te madhe , ishte dhe burre i pashem. smiley

I here tjeter flasim se tani sa me erdh nje ftese per dreke dhe as qe e mendoj se mund ti them jo smiley

me intereson cdo lloj informacioni qe mund te keni per Margaret Hazlluk dhe Lef Nosin.  Nganjehere historite e treguara dalin edhe ne dokumentacione te kohes. Hazlluk nuk ka diskutim qe punonte per Shebimin anglez por ne se lexon dokumentat e saj del si nje person qe e donte shqiperine me shume se  disa prej atyre qe kishin lindur ne shqiperi.

 

nejse me thuaj ne se ke ndonje info. e di qe shtepia eshte ne duart e nje cifti anglez te fese.  ne fakt ajo nuk la femije dhe shtepia i takon shtetit anglez

Margaret Hasluck, aka Fani (pseudonimi i luftes). 

Auron, subjekt interesant.  Po pres vijimin dhe pastaj do komentoj smiley.

PS: Ne dhjetor 2009 del nje liber i ri: "Our Woman in Albania; The life of Margaret Hasluck, scholar and spy."

Faleminderit MOnda

 

po e di pasi e kam lexuar ne doreshkrim

 

a

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).