Shqiperia dhe pozita e saj gjeostrategjike

Onufri (www.gjeneralmegafoni.com)

Me afrimin e stinës së ftohtë në Evropë, po shtohet nevoja për energji dhe etja për gazin e lëngshëm si lëndë e parë djegëse. Vëmendja e shteteve më të fuqishme të kontinentit plak është përqëndruar rreth projekteve për ndërtimin e gazsjellësve të cilët do ta shuajnë këtë etje. Projektet janë të shumta por mundësitë financiare, pas krizës ekonomike, i kanë detyruar qeveritë që të zgjedhin projektin më të vlefshëm, duke lënë pas dore ata më të vështirët për t’u realizuar financiarisht. Për të ndërtuar një gazsjellës ekzistojnë dy burime kryesore financiare. I pari dhe më i mundshmi është autofinancimi i gazsjellësit. Kjo ndodh kur kompania që nxjerr lëndën djegëse në treg është e interesuar që të ndërtojë vetë tubacionet e nevojshme për transportin. Operacion që ka kosto të larta financiare, por që një kompani e fuqishme nafte, psh. Gazpromi, e cila gëzon edhe mbeshtetjen shtetit rus që zotëron shumicën e aksioneve, mund të përballojë pa shumë vështirësi.

Mundësia e dytë është financimi i gazsjellësit nga një shtet ose grup shtetesh që mbrojnë interesa të veçanta ekonomike dhe gjeopolitike. Ky opsion është më i vështirë, pasi kërkon një sakrificë financiare nga shtetet që e ndërmarrin, duke qenë se nuk ka një ndërrmarje private të gatshme për ta financuar tërësinë projektit. Në këtë grup hyn edhe projekti i Korridorit të 8-të, ku interesin më të madh për ndërtimin e tij e kanë shfaqur shtete dhe jo kompani private. Më konkretisht, një interes të tillë e ka Shqipëria dhe SHBA-ja dhe më pak Italia dhe Bullgaria. Keto dy të fundit përfitojnë njësoj edhe nga ndërtimi i gazsjellësve alternativë që do të shohim të ilustruar më poshtë.
Problemi kyç i furnizimit të kontinentit me gaz mbetet varësia thuajse e plotë nga Rusia. Aktualisht, Evropën e furnizojnë dy gazsjellësa. Njëri kalon përmes Biellorusisë dhe tjetri (më i rëndësishëm) përmes Ukrainës. Burimi në të dyja rastet është Rusia. Kjo është arsyeja përse shtetet evropiane kanë filluar të shohin mundësitë e furnizimit nga pika të tjera, si psh. në Azinë Qëndrore në Turkmenistan dhe Azerbaixhan ku ndodhen rezerva të mëdha gazi, Irani dhe Iraku në lindjen e mesme apo edhe nëpërmjet vendeve të Afrikës veriore. Megjithatë, edhe këto mundësi furnizimi shfaqin probleme serioze. Problemet e Iranit me komunitetin ndërkombëtar përsa i përket ngritjes së komplekseve bërthamore për qëllime armatimi e përjashtojnë atë, të paktën përkohësisht nga projektet ambicioze evropiane. Turkmenistani ka nënshkruar një marrëveshje me Moskën për tia shitur kësaj të fundit gazin. Një lojë kjo e Rusisë, e cila nuk ka nevoje për gazin turkmen, por që synon monopolin e furnizimit të Evropës. Mbeten Azerbaixhani dhe Afrika Veriore, rezervat e të cilave janë të pakta në raport me nevojat gjithnjë në rritje të kontinentit plak.

Amerika është mbështetësi kryesor i rrjeteve alternative të gazit, sepse i druhet një varësie të plotë të Evropës nga Rusia, deri aty sa është e gatshme të sponsorizojë vetë njërin nga këta gazsjellës që mban emrin Nabucco dhe kalon nga Azerbaixhani, duke përfshirë shumë shtete të tjera si Gjeorgjia, Turqia, Bullgaria, Greqia (dhe Shqipëria degëzim) për të përfunduar në brigjet e Italisë jugore dhe në Evropën Qënrore. Pra pjesë e Nabucco-s për të cilin shtyn Uashingtoni është edhe Korridori i 8-të. Sidoqoftë, për këtë të fundit mbetet vështirësia kryesore e shfaqjes së vullneteve politike dhe ekonomike të shteteteve të përfshira.
Në krahun tjetër, Moska është gjithmonë një hap përpara. Gazsjellësat që kalojnë nga Ukraina dhe Biellorusia nuk jane fort të sigurta dhe këtë e dëshmon më së miri kriza e dimrit të kaluar, ku si rezultat i mosmarrëveshjeve të Gazpromit me këto dy shtete, Evropa rrezikoi të mbetej në të ftohtë ndërsa Rusia me arkat bosh. Kështu shpjegohet fillimi i ndertimit të dy gazsjellësve të tjerë. “North” dhe “South Stream”. Njëri anashkalon Biellorusinë dhe Poloninë për të mbërritur ne Gjermani dhe shtetet e tjera të Evropës veriore dhe tjetri mënjanon Ukrainën për të furnizuar Evropën Jugore. Ky gazsjellës jugor është edhe konkurenti i drejtpërdrejtë i Nabucco-s që mbështetet nga SHBA-ja. Loja për zotërimin e burimeve dhe furnizimin me gaz është e hapur.

Është gjithashtu e qartë që Shqipëria në këtë lojë superfuqish nuk ka dhe nuk mund të ketë peshë të madhe. Por distancimi i qeverisë Shqiptare nga AMBO, ecila financon pjesërisht projektin e Korridorit 8 dhe që mund t’i bashkangjitet si degë projektit më të madh Nabucco, nuk kuptohet se çfarë përfitimesh i sjell vendit. Gjithashtu, afrimi i menjehershëm me Gazpromin mbetet akoma më enigmatik. Projekti “South Stream” i këtij të fundit e anashkalon plotësisht Shqipërinë në favor të Greqisë, paçka se qeveria na e shet si me interes edhe për Shqipërinë. Politika e jashtme e Tiranës është inekzistente dhe nismat e rralla që ndërmerr Shqipëria, ose janë qesharake ose habisin ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndaj edhe kjo lëvizje, sado e papërfillshme në lojën e madhe ndërkombëtare të gazit, nuk duhet të na lerë indiferentë por duhet të na revoltojë të paktën për mungesën e transparencës së shtetit.

 

 

12 Komente

Rama sapo paska thene per ceshtjen e kufirit me Greqine, qe kjo eshte nje ceshtje qe politika duhet te degjoje e pastaj te flase.

Shpresoj te bej keshtu me te vertete. Ketu luhen jo pak fatet e nje kombi, dhe eshte mire qe si ai e si Berisha te jene pak me te qete e me te matur me vendimet qe do marrin per kete ceshtje sepse luajne trashegimine historike te tyre.

Nese kemi 20 vjet qe vazhdojme e themi per cdo gje "faji i komunizmit" mund te kalojme 20 vitet qe vine duke thene "faji i kufirit".

Megjithate duhet te pranoj qe edhe njerezit e thjeshte shpesh jane teper te vegjel per ti kuptuar tamam keto lojra. Kur luan Moska me Washingtonin per te tjeret pak vend ka.

SouthStream eshte nje projekt rus qe, sipas shume kongresmeneve dhe analisteve ne Washington DC, nuk eshte gje tjeter pervec se nje rrethim energjitik i vendeve te NATO-s nga Rusia. Ceshtja eshte aq pikante sa Amerikanet i kane propozuar NATO-s qe cdo lloj shantazhi energjitik ndaj NATOs te konsiderohet si akt lufte.

Nabucco konsiderohet si kunderpergjigje ndaj SouthStream. Sic shikohet nga harta, Greqia dhe Serbia kane rene dakord me Mosken per SouthStream. Me marrjen e territorit nenujor prej SHqiperise, Greqia jo vetem demton Shqiperine financiarisht (pasi Shqiperia nuk vjel te ardhura prej Southstream-it), por ne fakt demton NATO-n.

kot nje pyetje Qafiro,meqe puna qenka kaq e koklavitme,atehere pse nuk nderhyn SHBA-ja qe marreveshja te mos ratifikohet?

Ja te ta jap une pergjigjen, sepse eshte marreveshje dy-paleshe Shqiperi-Greqi.

Politika nuk ka perse te ndihet inferiore ndaj Greqise tani qe Shqiperia eshte anetare e NATOS, prandaj te mos e zbus muhabetin, nuk ka perse tja jap ujrat Greqise, sepse sido qe te vij muhabeti ne te ardhmen, bathet duken mire per Shqipetaret, mjafton qe te ecim me rrjedhen e ndryshimeve, e vetmja qe ndjen nevojen e nxitimit per marreveshje te tilla eshte Greqia.

Une mendoj se thjesht sakte bukur, mjafton vetem qe te mos blihen politikanet tane, dhe te mos e shesin me pare ne dore Shqiperine, koha do punoje per shqiptaret, jo per greket, edhe  hunj pa tru te kemi ne krye. Eshte e garantuar, vetem tradhetia mund ti prishe pune Shqiperise sot, nuk ka me asnjelloj presioni te mundshem te vij nga Greqia, as hyrja ne BE nuk varet me nga Greqia, biles sido qe te vij muhabeti do te jete vet Greqia qe do doje me insistim hyrjen tone ne BE. E ardhmja duket shume qarte, edhe gjera qe duken sot te pamundura kan per te ndodhur shume shpejt mendoj une, ne nje ark kohor disa-vjecar.

 

Ps. Karta e fundit qe i ka ngel greqise te luaje me shqiptaret eshte njohja e pavaresise te Kosoves, qe ne fund te fundit edhe sna plas shume e njohu apo jo nje shtet qe ne thelb eshte anti-shqiptar.

Shqiperia eshte anetare e NATOS, prandaj te mos e zbus muhabetin, nuk ka perse tja jap ujrat Greqise,

Eepo ja qe ja dha.

Une i dhash opsionet qafo, i ke te garantuara. Ashtu sic e dija muhabetin e South Stream para se te dilte ne lajme, ashtu edhe e di qe e vetmja qe i intereson nxitimi i marreveshjes eshte Greqia, e cila ne anen e saj te mbledh vehten mire per uraganin qe po i kanoset smiley

Kemi akoma pak shprese, nuk eshte ratifikuar marreveshja. Priten me ankth te tjera firma o qafo.

Fantazma e dyshimit do na lodh ne edhe per shume kohe (se bashku me varferine jane pasojat e diktatures qe kaluam )

Le te mendojme nje moment se qeveria e ka premtuar apo firmosur kete marveshje  sepse ka peshuar rendesine e hyrjes ne NATO  ,KOSOVEN apo dhe MSA .si me te rendesishme dhe ka vendosur ne kalendar pas ketyre arritjeve kete marveshje duke ju dhene shansin faktorve te tjere te ndikojne deri ne anullim te kesaj marveshje .Duke filluar nga opozita ,parlamenti ,opinioni publik me reagimet e ndryshme .

Keshtu bene dhe Greqia :Qeveria bene politik pro BE  &USA  dhe paralel ka nje linje popullore pro -otodokse  pro -ruse apo serbe .

Keshtu i arrin synimet me mire ata ,le ti kopjojme fqinjet tane shkathet .

Nuk dihet cfare ka rezervuar e ardhmja per ne dhe rajonin tone ,por me probleme te tilla do ndeshemi dhe duhet te pergatitemi per zgjidhjet qe i pershtaten sistemit ku jemi futur .

 

 

 

me fjale te tjera, ti thu qe nuk do miratohet?

Qeveria bene politik pro BE  &USA  dhe paralel ka nje linje popullore pro -otodokse  pro -ruse apo serbe. Keshtu i arrin synimet me mire ata ,le ti kopjojme fqinjet tane shkathet 

Shum interesante, ndonse si teme e kemi rrahur dhe me perpara. Artikulli na jep te dhena te reja qe se bashku me komentet, na japin nje pasqyre me te plote rreth asaj qe perflitej. Se si do rrjedhin ngjarjet, kjo varet nga fuqia e atyre investitorve qe i kane gati leket.

Ne figuren e dyte, shihet se kalimi i gazit nepermjet korridorit 8 eshte me i liri, pra me kosto te lire, dhe shpresoj qe europianet ta mbeshtesin.  

rastesisht ky artikull u botua ne internet nje dite para se gazeta shqiptare te nxirrte lajmin mbi kembimin e gazsjellesit me otranton. po behet politike e madhe dhe nuk marrim vesh gje fare. kalohe nga A-ja te H-ja kthehemi prape te A-ja duke kaluar nga Y-ja dhe nuk marrim vesh sesi behet te gjitha keto kalime.... mos valle shqiperia po behet superfuqi dhe ketyre taneve u kane hypur manite e madheshtive...?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).