Shqipëri-Turqi, "markë" unike për të eksportuar drejt BE-së

Palët kanë riformuluar regjimet doganore për lëndët e para

Sikurse është bërë zakon kohët e fundit, duke mos njohur publikun, qeveria shqiptare ka miratuar një tjetër marrëveshje, kësaj here me Turqinë. Pakti i firmosur mes dy palëve, më 30 korrik 2009, prek marrëveshjen tregtare, e cila kishte hyrë në fuqi në maj 2008, por për shkaqe të ndryshme nuk kishte funksionuar. Pas disa tratativash, të dyja qeveritë ranë dakord për të bërë një marrëveshje të re, e cila do të zëvendësojë aktualen, ndaj së cilës shumë biznese e kundërshtojnë. Qeveria shqiptare e miratoi ndryshimin e marrëveshjes tregtare më 18 gusht, por nuk e publikoi. Në të njëjtën datë u miratua edhe heqja e vizave me Turqinë, por ndryshe nga marrëveshja, vendimi u bë publik. Në parim, marrëveshja e re tregtare prek çështjen e produkteve të origjinës dhe certifikimin e tyre me Eur 1. Pasi janë shqyrtuar të gjitha variantet, nisur nga ankesat e shumta të biznesit dhe pasaktësi teknike, qeveria shqiptare aprovoi të bashkëngjiste në marrëveshjen tregtare një shtesë, (Protokolli 2), që trajton regjimin doganor për lëndët e para të të dyja vendeve. Sa u takon tarifave doganore, vendimi nuk jep sqarime, por qartëson se marrëveshja e re është koherente me atë të Bashkimit Europian dhe me MTL-të e rajonit.
"Si Republika e Shqipërisë dhe Republika e Turqisë janë vende që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe duke qenë se nevojitet një harmonizim i të gjitha marrëveshjeve të tregtisë, si ajo me BE-në, CEFTA-n, EFTA, në negociim, ashtu dhe ajo me Turqinë, u vlerësua e domosdoshme për t‘u ndryshuar", thotë qeveria në relacionin që shoqëron vendimin e datës 18 gusht.
Thelbi i ndryshimit ka të bëjë me mallin e certifikuar Eur 1, pa të cilën nuk përfiton reduktim takse doganore. Tregtarët shqiptarë e blinin mallin në vende të shtrenjta të BE-së, vetëm se produktet ishin me Eur 1, kurse me Turqinë veprohej ndryshe. Madje, në shumë raste importuesit shqiptarë janë ankuar për çmime të larta reference doganore, që nuk i përputheshin realitetit. Tashmë me marrëveshjen e re, palët kanë rënë dakord që produkti i përpunuar me lëndë të parë të marrë nga Shqipëria ose Turqia mund të eksportohet drejt Bashkimit Europian.
"Pa këtë harmonizim nuk mund të përfitohet nga akumulimi diagonal i origjinës, jo vetëm për eksportet tona drejt Turqisë, me lëndë të para, të importuara nga Bashkimi Europian, por, më e rëndësishmja, nuk mund të eksportohen produkte drejt BE-së, me lëndë të para, të importuara nga Turqia", thekson marrëveshja e re. Ministria e Financave e ka pasur të vështirë të raportonte efektin financiar nga rishikimi i marrëveshjes tregtare, por shton se, "zbatimi i rregullave të reja të origjinës do të ndihmojë, veçanërisht, eksportuesit shqiptarë, për të përdorur lëndë të para si nga Bashkimi Europian, edhe nga Turqia, në proceset e tyre prodhuese dhe, më tej, t‘i eksportojnë kudo".
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është një marrëveshje asimetrike, që do të thotë se mënyra dhe shkalla e liberalizimit është e ndryshme. Kështu, eksportet e produkteve industriale shqiptare drejt Turqisë nuk gjejnë më tarifa doganore, menjëherë me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, ndërkohë që importet e produkteve industriale turke në Shqipëri, për disa produkte industriale të ndjeshme (sensitive) do t‘i nënshtrohen reduktimit të tarifave doganore, duke shkuar në eliminimin e tyre në fund të një periudhe tranzitore prej 5 vjetësh. Lidhur me produktet bujqësore, palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës kuota tarifore, për të cilat tarifa doganore do të jetë 0 (zero), kurse të gjitha importet e tjera do t‘u nënshtrohen tarifave normale doganore.

1 Komente

Me ne fund, turqit dhe shqiptaret u zgjuan dhe e kuptuan se mund te perfitojne nga taksa zero qe EU (nepermjet marrveshjes MSA) ka dhene per mallrat shqiptare. Ne fakt dhe marrveshja CEFTA , qe bashkon vendet e Ballkanit dhe disa vende rrotull e ka me duket nje klauzol te tille ku mallrat te levizin me takse zero, ndermjet ketyre vendeve qe jane organizuar rreth paktit CEFTA. Duke qene se shqiptaret nuk prodhojne, dhe turqit prodhojne, nuk eshte çudi qe nga kjo marrveshje dy paleshe, te perfitojne me shume turqit.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).