Shija e hidhur e një iftari

Në kulmin e muajit të shenjtë të Ramazanit, në dhjetëditëshit të fundit, ku adhurimet vijnë e bëhen më të shumtë dhe mbi të gjitha, në kohën kur presupozohet të jetë edhe Nata e Kadrit, më e mirë se një mijë muaj bashkë, patëm rastin të hanim një blozë të mirë fytyrës. Shija e pritjes së Natës së Kadrit, u hidhërua nga jehona televizive e një iftari, që për shumëkë do të mbetet gostia më famëkeqe e këtij muaji.

Natyrisht e kam fjalën për iftarin e shtruar nga xhamitë e Tiranës (në fakt jan vetëm dy apo tre të tilla, - dhe më saktë, janë vetëm drejtuesit e tyre, - të cilat, uzurpojnë në mënyrë informale të drejtën e përfaqësimit të të gjithë muslimanëve praktikantë në kryeqytet), iftar në të cilin morën pjesë njerëz me integritet moral tepër të cënuar, e që kanë fituar antipatinë e një pjese dërrmuese të opinionit publik shqiptar. Nga të gjitha aspektet, ky aktivitet ishte një shëmti e vërtetë. Nuk dua të gjykoj mbi sinqeritetin e tyre qofshin politikanë apo hoxhallarë, pasi nuk më intereson hesapi i tyre me Zotin. Por gjithsesi, një celebrim i tillë i politikës me fenë, për më tepër, ai i personazheve të tillë, krejt pa lidhje me njëri-tjetrin, nuk mund të kalojë pa të shkaktuar të përzjera në stomak, pa ia prishur shijen e Ramazanit kujtdo që ka dy pare mend në kokë, dhe që nuk ka kurrfarë sugjestionimi nga delire të tilla imamnore. Në fakt, nuk do ta shihnim si ndonjë problem dhe aq të madh thjesht uljen në një tryezë me ndonjë prej figurave të pranishme në atë iftar (natyrisht jo me të gjith&eumlsmiley, por prania e kamerave dhe publiciteti banal që iu bë aktivitetit, e nxjerrin iftarin nga dimensioni i tij, për ta shndërruar në një akt publik apo më mirë politik, i cili kërkon doemos vëmendjen dhe reagimin që meriton.

Së pari, shtrohet pyetja, c’punë kanë imamët tanë, të darkojnë me politikanët, për më tepër, kur as njëra dhe as tjetra palë nuk kishte ndonjë përfaqësim institucional në atë mes? Mbi të gjitha c’punë kanë “xhamitë e Tiranës” me djalin dhe vajzën e Kryeministrit? Duket si një përpjekje banale e një pale që shtiret si institucionale (duke u fshehur pas postit të imamit të xhamis&eumlsmiley, dhe një pale tjetër që nuk ka kurrfarë tagri institucional, por ka “fatin” të jetë bir pushtetari, për të qenë përfaqësuesi real i politikës së terrenit, atë që bëhet prapa kuintave. Për më tepër, në një realitet ku fëmijët e Kryeministrit, përfliten si të përfshirë abuzivisht në vendimmarrjen qeverisëse të të atit, figura jonë bëhet vërtetë mjerane. Hoxhallarët tanë në atë gosti pushtetarësh, tërhoqën vetvetiu imazhin e sekserëve, të cilët, sipas disa titujve të gazetave të përditshme, arritën më në fund të bashkojnë pas shumë kohësh dyshen e famshme të tragjedisë së Gërdecit, Berisha-Mediu. Në një kohë kur shumë intelektualë sot denoncojnë atë që ata e quajnë përfshirjen në qeverisje të familjes Kryeministrore, hoxhallarët e legjitimojnë në mënyrë skandaloze, duke marrë poza publike me “Kryeministrin” andergraund të Shqipërisë, Shkëlzenin, si për të dëshmuar se i përkasin pikërisht këtij mentaliteti klanor e bajraktar të sjelljes me pushtetin.

E gjitha kjo nuk përbën gjë tjetër vetëm se një dëshmi bashkëkompromentimi, ku palët i ofrojnë nga një favor të vockël, njëra-tjetrës. Politikanët pozojnë krahë për krahë me “njerëzit e fesë” , si për të turbulluar trutharët, e për ti bërë ata të harrojnë bëmat e tyre, ndërsa hoxhallarët pozojnë me “njerëzit e pushtetshëm” , duke u rrekur të duken edhe këta të tillë, apo të paktën për të përhapur fiktivisht idenë se “i kanë shpatullat e ngrohta”. Në thelb, të dyja palët kanë humbur kredibilitet, jashtë rrezes së tyre të veprimit: imamët në shoqërinë shqiptare, e cila e percepton si të pështirë një mpleksje të tillë me figura krejt të dyshimta dhe të përfolura të plitikës shqiptare, politikanët tek një pjesë më e shëndetshme e muslimanëve shqiptarë, të cilët kanë të paktën njohuritë elementare mbi nifakun si gjenerator sjelljesh, paturpësisht dashamirëse.

Por ajo që na intereson mbi të gjitha, është imazhi moral i dëshmuar në sytë e njerëzve të thjeshtë, tek sa shohin klerikët të shtrohen në gosti në të njëjtën sofër me njerëzit më të përfolur të pushtetit të sotëm, me ata që zëvendësuan denjësisht “mamuthët” e dikurshëm të korrupsionit. Sic duket, imamllarët tanë e kanë të vështirë të kuptojnë se të ulesh në iftar me një person mbi të cilin rëndojnë akuza për jetët e 26 njerëzve, të humbura në një aktivitet kriminal, nuk është dhe aq e shëndetshme për imazhin publik. Kjo do të thotë që ose nuk u bëjnë përshtypje ato 26 jetë njerëzish, ose nuk u bën përshtypje përfshirja në trafiqe të tilla të tipit mafioz, ose se imamët sapo kanë mbërritur nga ndonjë planet tjetër dhe nuk ia kanë idenë se cfarë ka ndodhur në këtë vend gjatë këtyre viteve, dhe se njerëzit me të cilët po darkojnë po i shohin për herë të parë. Ndoshta dikush, i verbuar nga hipnoza imamnore, mund të thotë se nuk ka një vendim gjykate që të vërtetojë inkriminimin e ish-ministrit Meidu në këtë histori. E vlerësoj, natyrisht një puritanizëm të tillë metodologjik në qëndrime (ndonëse duket krejt naiv), por në një rast të tillë ai të paktën duhet të mbetej abstenues dhe jo të përfshihej në akte legjitimimi, të cilat ndikojnë vetëm në rehabilitimin e figurave të tilla. Nëse do të kishte një akt, që do ti kishte hije “xhamive të Tiranës”, do të ishte bashkimi i zërave të tyre me banorët e Gërdecit, të cilët kërkojnë zbardhjen e së vërtetës dhe prangosjen e fajtorëve. Përkundrazi, akti i tyre për të “bekuar” me corbë iftari njerëz të veshur me pushtet që i shmangen drejtësisë, më tepër se pastrim për të ndoturit, përbën helmim të vetë corbës sonë. E gjithë kjo, është vërtetë e turpshme, dhe duhet thënë se imazhi ynë si muslimanë është nxirë shëmtueshëm në këtë aktivitet.

Megjithatë, imazhi ynë mbetet i tillë edhe pa Mediun në iftar. Thjesht dëshmia banale e servilizmit klerikal ndaj pushtetit politik, është një anekdodë e vjetër e stërkonsumuar dhe mjaft neveritëse për njerëzit. Përulja e petkut të klerikut, përballë “jakave të bardha” të pushtetit përbën xhestin më të trishtueshëm të mungesës së dinjitetit njerëzor. E gjithë kjo, nën siglën “xhamitë e Tiranës” ngjan si një tentativë për ta kapërdirë turpin duke e shpërndarë atë tek të gjithë. Ky kompromentim rreket të përfshjë këdo, edhe atë muslimanin e thjeshtë që as ia ka idenë këtyre punëve, por që, i mësuar të jetojë me dinjitet në thjeshtësinë e tij, zë cepin e vet të safit në xhami, duke mos dashur t’ia dijë për angazhimet kardinale të imamllarëve. Kriza e përfaqësimit të shoqërisë muslimane në Shqipëri, ka kohë që ka sjellë dukuri të tilla të trafikimit të statuseve shoqërorë. Kjo ka sjellë në një masë të madhe njëfarë bathorizimi të përfaqësimit publik të shoqërisë muslimane dhe grupeve të ndryshme brenda saj, fenomen i cili karakterizohet nga informaliteti dhe kaosi autoritativ në cdo skaj të ligjërimit publik të Islamit.

E gjithë sa u tha, bëri që iftari më i shëmtuar i këtyre netëve të shtrohet në natën më të bukur dhe më të bekuar për të gjithë muslimanët. Dëshira për tu bërë protagonist dhe për tu shfaqur në publik i ka bërë shpesh muslimanët shqiptarë të përdorin publicitetin e tyre banal për të vrarë intimitetin e adhurimeve më të rëndësishme fetare. Sot iftari, dje miting-namazet e Bajramit, më parë ka pasur ide që e njëjta gjë të veprohej edhe në faljet e namazit të natës, duke i shndërruar në miting-kijame krejt pa lidhje me natyrën e tyre intime... Natyrisht, kompleksi i inferioritetit që vjen nga të ndjerit i vogël dhe pa peshë, ka rrezik të shndërrohet në obsesion, i cili të shtyn të bëhesh qesharak. Nevoja për t’u shfaqur përkrah “të fortit” është një element tipik i një kompleksi të tillë. Ndryshe, si mund ta shpjegojmë faktin kur shohim se pikërisht ata që shfaqen cdo darkë në Shijak TV duke folur për madhështinë e Allahut dhe të kësaj feje, i qurraviten disa njerëzve, dinjiteti i të cilëve është seriozisht dhe masivisht i vënë në dyshim. Si mund ta shpjegoj ndryshe faktin që ata që flasin nëpër hutbe se i gjithë pushteti i takon Allahut, dhe që isnpirojnë xhematin me modelet qeverisëse të dëshmuara nga kolosë të tillë të moralit si Ebu Bekri, Omeri, Uthmani apo Aliu, i lëpihen nga ana tjetër ca pushtetarucëve të vegjël si Imami, Mediu, etj? Duke iu referuar Platonit në fakt, problemi i madhësisë është subjektiv dhe varet nga syri i atij që vëzhgon. Kështu, në qoftë se tigri është i vogël për elefantin, ai është i madh për miun. Në rastin konkret, mund të merret me mend vlera reale e atyre që na kollandrisin punët e fesë, kur sheh që ndaj personazheve të mësipërm sillen sikur Beni me Fatmirin të krijonin të dy bashkë vetë Imam Mehdiun.

Temenara, Hosanara, Barabara të tilla ndaj kollarisjeve pushtetnore përbëjnë imazhin më të keq që muslimanët mund të krijojnë për veten e tyre. Ky është imazhi i një bashkësie pa dinjitet, që shfaq përuljen dhe servilizmin publik ndaj sado pak grime pushteti. Asgjë më pak nuk kanë bërë edhe krerët e Komunitetit Mysliman Shqiptar gjatë luftës së dytë botërore kur pranuan fashizmin, dhe asgjë më pak nuk kanë bërë as ata që pranuan më pas shembjen e xhamive prej regjimit Komunist. Natyrisht nuk jemi në kohë të tilla, por njerëzit duken po ata.

4 Komente

Sesi mund te rrine ne te njejtin shkrim edhe Allahu edhe Platoni, kete vetem Ergys Mertiri e di.

Ergys,

Merre vesh njehere e mire : pushteti nuk i takon i teri Allahut. Mos e harro kurre kete. Po te ishte e vertete kjo, Allahu s'do te te linte te shkruaje budalliqe. Por ngaqe ai ta ka lene njefare pushteti, madje goxha te madh, atehere ti e perdor ate dhe vjen e shkruan ketu gerr-verre.

___________

Feja, perveç ne rastet kur mbetet nje relike ne fushen kulturore, eshte e papajtueshme me trurin e njeriut. Mos u lodhni me kete. Truri i njeriut shkallmon gjithçka gjen perpara. Madje po te doje, perdhos dhe Zotin. Dikur i digjnin keta tipat, kurse sot i keni gjithandej, deri dhe tek salçiçet e Irakut.

Kjo historia e fese, sidomos islame qe, duam apo s'duam ne, do apo s'do sheik Tarabukllari, nuk perkon aq mire me shpirtin e shqipes qe eshte mbreti i ajrit, eshte disi e kaluar dhe nuk ben qe t'i rikthehemi çdo dy-tre jave.

Shendet.

PPU nuk ndryshon shume nga gazeta e Mero Bazes. Eshte si bicim shtojce e saj. Gazeta e Mero Bazes nuk i jep vend vizites se Berishes ne Kosove, te njejten gje ben edhe PPU. Gazeta e Mero Bazes abuzon me fene dhe besimtaret dhe persona publike qe kane te drejte te besojne dhe praktikojne si gjithe qytetaret e tjere dhe te marrin pjese ne takime apo procesione fetare, per te thene shpifjet dhe thashethemet e rradhes per arsye politike. Te njejten gje ben edhe blogu PPU.

Po clidhje ka more Ergys????? Ceshte ky shkrim qe as medioker se meriton te quhet? Humba dhe une 7 minuta duke e lexuar.

Analize proletare e gazetes Tema. Ke do te godasesh me shume klasen politike (ne rastin tend Poziten) apo drejtuesit te komunitetit mysliman shqiptar?

Kur ska lajm --------- e bojm nje lajm

Mua me vjen keq qe partia per Drejtsi dhe Unitet (partia e camve) u legalizua kaq vone mbas Bajramit. ..  Kryetari i saj z. Shperim Idrizi  humbi ftesen e haremit per kete radhe ...

A nuk eshte shprehja me e madherishme shqiptare e te gjitha koherve ...: Ja ke lujt fene plako.....???!!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).