S'dua të pikëllohet kush për fatin tim

Poeti, tregimtari dhe eseisti Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja (a Reshpja, të dhanat luhaten), i lindun më 1941 (a 1940, të dhanat luhaten) âsht nji legjendë për së gjalli. Njohësit seriozë të poezisë ia nisin kuvendit të entuziazmuem sapo përmendet emni i Fred Reshpes. Në jetën publike dhe në skenën letrare të Shqipnisë, ai nuk âsht i pranishëm. Përmbledhjet e poezisë së tij nuk gjenden mâ në shitje. Kritika letrare në Shqipní, me sa ekziston, nuk e merr mâ në dijeni poetin Reshpja. Nga "Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001" i Hasan Hasanit (Prishtinë, 2003) e mësojmë vendin e shkollimit dhe të studimeve si dhe vjetët e botimit të librave të tij, kurse nuk mësojmë me asnji fjalë qi Frederik Rreshpja ka kenë burgaxhi politik për 17 vjet, mu në moshën mâ produktive të çdo shkrimtari, mes moshës 30-vjeçe dhe 50-vjeçe, gjâ qi e mësojmë vetëm nga "Historia e Letërsisë Shqiptare" e Robert Elsie-t (Tiranë – Pejë, 2003). Reshpja dhe as nuk âsht i përkëdheluni i botuesve dhe përkthyesve. Jo pak vepra të tij duket s'janë të botueme dhe myken në kese najlloni nëpër hotele dhe miq të tij. Prapëseprapë, ai figuron me disa poezi në "Anthologie de la poésie albanaise" të Aleksandër Zotos (Chambéry, 1998) dhe në "Antologjinë e poezisë shqipe. Gjysmëshekulli i artë" të Ali Aliut (Tetovë, 2000) si dhe e rrumbullakson punimin e shkëlqyeshëm të Gazmend Krasniqit "Poezi. Sprovë antologjike" (Tiranë, 2003). Qysh prej do kohe pothuej nuk ke si me e takue personalisht Frederik Reshpen mbasi nuk ka mâ ndonji vendbanim të përhershëm.

Në intervistë, dhanë revistës "Zëri i Rinisë" më 1992, hasim në shprehjen e tij "nuk e di se ka mbetë ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjith ç’kam dashur e kam humbur. –Kur trishtohem shkruaj. Prandaj shkruaj shumë." Në po atë intervistë lajmroi se donte me hapë, se shpejti, nji gazetë të pamvarun për intelektualët. Kryesisht kulturë, art, jashtë politikës. Edhe të botote libra.

Se çfarë u bâ mbasandej, e mësojmë nga artikulli i arkeologut dhe poetit Moikom Zeqo te "Koha Jonë" e 15 dhetorit 2003: Frederik Reshpja punote dhe botote shkrime si kryeredaktor i gazetës "Ora". U bâ pronar i nji shtypshkronje, themeloi shtëpinë botuese "Evropa", botote revista dhe gazeta aq të bujshme sa dhe të jetëshkurta, fitote pasuni, nuk mundte me bâ idare me paratë e bollshme dhe e humbi shpejt pasuninë e vet. Edhe njiherë e humbi gati gjithçka. Reshpja filloi me rrnue paqetë dhe çrregullt, gjâ qi ia prishte gjithnji e mâ shumë shëndetin. Më 2001 pësoi nji hemorragji cerebrale ku për pak nuk shkoi në atë botë. Nuk kishte mâ se ku me ndêjtë. Shpesh ishte pa as nji lek. Moikom Zeqo dhe nji mik tjetër e vendosën Frederikun në nji azil privat në mes të gjelbërimit. Ai e mori veten dhe zu me shkrue pothuej pandërpré. Prapëseprapi, vetminë e azilit s'e duroi mâ shumë se 6 muej, e çuen te familja në Shkodër ku prapë thurte poezi me poezi, botote në periodik deri sa nuk e duroi mâ jetën atje dhe shkoi përsëri në Tiranë. Endej hotel me hotel, paratë i bâte tym dhe u bâ trandëlinë.

Disa ditë pa u botue artikulli i naltpërmendun, Moikom Zeqon e morën në telefon tue thanë qi Frederik Reshpja qe në gjendje të randë shëndetsore, i rrezuem mbi nji tavolinë në nji lokal. Zeqoja shkoi atje dhe s'e gjeti mâ.

Nji mike ime, gazetarja e kulturës te "Panorama", Admirina Peçi zu me kërkue Frederik Reshpen dhe i ra në gjurmë, mbas ca ditësh, në bar "Lux". Ai kishte gjetë strehim te nji mik. Përpara, prapë ka kenë në azil dhe prapë e paska marrë dheun ndër sy. Pse?! "Jam mësuar të arratisem, nga burgu, nga mërzia, nga njerëzit e padëshirueshëm, nga azili, dhe nga vajzat e bukura si Mona Liza e Davinçit" – i tha Admirina Peçit. Edhe te miku i tij nuk ndêjti shumë dhe iku prapë.

Frederik Reshpen mundesh me e quejtë mjeshtër në artin e rrnesës pa u shqetësue për punëra materiale. Ndërsa dështueka me qëndrue në realitetin trivial dhe grotesk të përditshmënisë, ai e zotnon artin e të shkruemit sa rrallëkush tjetër. I mjafton nji inventar për çudi të vogël motivesh dhe fjalësh kyçe. Zog, stinë, hënë, det, shi, pikëllim, zemër, bregdet, rërë, qiell ... këto dhe disa pak shtylla të tjera leksikore të botës së tij poetike i kombinon për imazhe gjithnji të reja e të freskëta plot intensitet dhe bukuri. Togfjalëshe dhe imazhe poetike duket i shkrepen sa Mozartit meloditë dhe harmonitë. Ndryshe nga shumë poetë të tjerë, te ai nuk ke me hasë në imazhe dhe metafora të kërkueme e të pispillosuna. Me gjithë origjinalitetin e tyne, poezitë e tij të duken si shprehja e natyrshme dhe stringente e gjendjes së tij shpirtnore.

Poezitë e Frederik Reshpes s'përmbajnë barra të panevojshme, fjalë të gzhollta. Çdo element teksti âsht me funksion. Tekstet, megjithatê, nuk të duken të turnueme dhe të mpira, por janë plot ngrohtësi dhe jetë. Sa e paqetë dhe e trazueme të jetë jeta e Frederik Reshpës për së jashtmi, aq i përshkon poezitë e tij nji frymë e qetë dhe e rregullt, ku rregullsia dhe qetësia e vjershave të tij aspak nuk të bâhen sikur kapak artificial mbi nji vulkan vlues.

Reshpja s'âsht poet i gazëllimit himnik, pa lëre ekzaltimin kombëtar. Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse. Larg gjithë toposëve avazesh albanocentrike, poezia e Frederik Reshpes âsht letërsi e dorës së parë të kalibrit europian.

Hans-Joachim Lanksch
02 mars 2004

 

61 Komente

 amin !

poezia e tij eshte e kalibrit europian... plotesisht dakort

Cudi! Per at Zot e kam menduar jo me larg se dje, me vargun "trendafilet e tu me mbeten ne duar si plage". Mbaj mend edhe vendin se ku, kryqezimin, duke pritur te hapej drita jeshile e semaforit. Me faneps me te vetmen foto qe i kam pare, me nje borsaline dhe nje si jelek me rombe.

Pa dashur te devijoj, po a e mban mend njeri emrin e atij poetit te varfer qe i kushtoi nje emision Edison Ypi?

Mos e mallko me ndarje kete nate

Mos e mallko me ndarje kete nate!
S'duhet te ndahemi ne kete peizazh me ere,
Nen keto re te qiellit rrenoje.
Argjendi i dhembshur i ketij peizazhi.
Ne shpirt si medalion do te te rendoje.

Se ne ditet me te trishtuara
Te kam mbrojtur nga pikellimi i qiejt me shi.
Dashuria ime mund te behej cati e tere botes.
E cdo vjeshte. E cdo stine.

Jam i trishtuar. Trendafilat e tu
Me mbeten ne duar si plage

Dhe perendimi rend pas molleve me pishtar
T'i vere flaken kesaj nate.

Ndoshta do te kthehesh nje dite,
Por pas molleve e viteve,
Atebote perendimi do te kete djegur cdo gje.
Ah! ne kete bote te madhe, vetem une e ti
Nuk do te jemi te lumtur me...

Ne Shkoder. 

Por kthehet cdo stine ...

Më pëlqeu shumë fjala "të gëzhollta".

Eshke, ne kemi dhe fjalen tone te bukur shqypnisht : fjale te "dhëjta".

Qe fatkeqesisht, nje pjese e mire e poezise shqiptare eshte perplot me to. Per ata qe s'e dine çfare do te thote fjale te "dhëjta", duhet te provojne te mbathin ndonjehere ne jeten e tyre çorape prej leshi dhie.

______

Kam pase perkthyer ne frangisht nja dy poezi te Reshpjes, dhe di qe i kam postuar ketu, por nje zot e di ne ç'teme. Nese ndonjeri bie rastesisht ne to, le te me njoftoje me anen e nje mesazhi privat, dhe do te kete shperblim nje leter dashnie te klasit I per femrat, dhe nje falemnderit te thate per djemte. Kjo e fundit eshte kot sepse e di mire se ato do te gjenden nga nje femer, ngaqe femrat kane nuhatje me te mire per gjerat e bukura.

______

Ne lidhje me Reshpjen, vertete eshte poet i madh. Ndoshta me i madhi i letrave shqipe. Por se kush dreqin ia kishte shkaterruar poezite duke i kthyer ne nje sarandidiotçe te shpifur, nuk e di. Mire, ky Gjermani e shkruaka shqipen me mire se shume Partizane qe verdallisen kendej.  

PRELUD

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të
vdes përsëri.

Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Për varkat e lotve.

Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të
vdes përsëri!

Frederik Rreshpja

Ô l’air du soir, enveloppe-moi, l’heure de mourir

a sonné.

Quand mes yeux seront fermés, les barques de larmes

n’auront plus de mer à sillonner.

Je vais partir et les pluies, je les laisse verrouillées.

Mais je vais revenir à n’importe quelle saison, à ma guise.

Moi, j’ai été la tristesse du monde.

Ô l’air du soir, enveloppe-moi, l’heure de mourir

a sonné !

 

"Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua."
Lapidar.

 

FAT

Unë për fatin tim pikëllohem vetë
S'dua të pikëllohet kush për fatin tim,
Më ndjek pas Perëndia e Humbjes
Me mermerin e thyer në luftra pakuptim.

Mirëpo unë jam pagan i vjetër;
Pa këtë fat të keq nuk ndjehem mirë,
Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet
Kam dhe unë për prehje dhembjen time.

E çdo të preferoja tjetër përveç luftës
I ndjekur pas nga ky fat budalla?
Vërtet që kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha.

S'dua të trishtohet kush për fatin tim,
Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes:
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë!

pa paragjykime per autorin apo shkrimin:

âsht nji legjendë për së gjalli.

kujdes me keto shprehje se ngaterrohet Xhaferri pastaj smiley

F.RESHPJA

Ku ishe ti?

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç'hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

thote mire Lanksch. Frederik Reshpja me nje inventar fare te vogel sendesh eshte i afte te ndertoje skenografi te dhimbshme lirike.

Ku eshte Hunter, te shkruaje me shume per jeten e Frederikut.

Në intervistë, dhanë revistës "Zëri i Rinisë" më 1992, hasim në shprehjen e tij "nuk e di se ka mbetë ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjith ç’kam dashur e kam humbur. –Kur trishtohem shkruaj. Prandaj shkruaj shumë."

 

 

?????????????????????????????????????????????????????

 

Vjeshte 1990

Qan dreri ne korije dhe lotet behen shi
Trishtohet era mbi shkemb
Nuk ka me gjethe te gjelbra. Po bien
Enderrat e pyjeve nje nga nje

Ikin zogjte nga shkretimi i drureve:
Lamturmire, o pyje te Ballkanit!
Vec nen nje ferre kalteron ende
Vjollca e fundit e kenges se bilbilit

Ardhte nje vjeshte pa shtegetim zogjsh!
Ardhte nje Zot, vente dore mbi stinet!

 

PS: Rreshpja eshte i rralle, teper i rralle.  Jerusalem, Faleminderit. 

KUR TRISHTOHEM SHKRUAJ, SHKRUAJ...
-- Zëri Rinisë, 25 Nëntor 1992--

1. Zoti Frederik, çfare te gezon dhe çfare trishton me shume ne jete?

F.Reshpja: Nuk e di se ka mbete ndonje gje ne kete bote, qe te me gezoje. Gjith ç’kam dashur e kam humbur. Por “Le te pyesim nese ai luftoi, para se bota ta mundtte” thoshte Pol Elyar. Pra çdo gje e kam humbur ne menyren me serioze dhe nuk ankohem nga fati im.
Kur trishtohem shkruaj. Prandaj shkruaj shume. Nese rri me njerez, kete e bëj vetem per edukatë. Vizitat dhe mbledhjet i kam inat. Pergjithësisht kohen e kaloj ne dhomen time, i vetmuar. Pastaj “sa me shume te shkruash, aq me i vetmuar je” thote Heminguej. Eshte nje rreth vicioz.

2. Pergjithesisht ke shkruar ne shtypin “e majt”. Ndonje gazete dhe te ka “sulmuar”, ju vete s’beni pjese ne ndonje Parti politike. Do te donim te dinim si e çmoni ju sot situaten politike?
F.Reshpja: Po unë jam i majte. Si tere artistet dhe shumica e partive evropiane. Por tek ne s'ka si i shpjegon keto gjëra.
Mua nuk më ka sulmuar ndonje gazete serioze. Ka patur vetem ca pseudonime. Verejtja qe me bejne eshte kjo: ”ti Fred u persekutove nga diktatura, tani hymnizon pushtetin e ri”! Mua me çudit kjo gje. Si shkrimtar une e kam patur per detyre te mos bëj hymne. Hymnet i bejne sharlatanet. Vendi im eshte tek populli, tek hallet, tek buka, tek dhembja e tij.
Jo nuk kam qene kurre ne parti, se partite jane alternativa qeverisjeje. Mua nuk me intereson politika. Arti eshte me i gjere. Ngado qe ta shikosh situaten politike e bejne se shumti kuadrot qe na la diktatura. S'kish si behej ndryshe. Ka nje tendence per ta filluar edhe ketu si industrine, nga kuota zero, pra me shkaterrim. Me shqetesues eshte moszbatimi i ligjit. Njerezit, jane te pasigurte per ekzistencen e tyre ndaj behen servile dhe mashtrues. Vendet e punes jane te pakta. Na duhet një qeveri që te na japi buke e jo miliona. Na duhet një “Politike e gjelber”, kete e kam persëritur.

3. Dhe ne fund ç'plane keni per te realizuar vetveten?
F.Reshpja: Do desha te shkruaja romane e poezi, por nuk kam asnje te ardhur. Nga ky shtet nuk pres asgje. Ne Lidhjen e Shkrimtareve dhe Artisteve, po dihet, tere kuadrot dhe ato qe paguhen si shkrimtare profesioniste jane ata qe la monizmi. Po te mos flasim per LSHA, une dua qe te ekzistoj si organizate, kjo eshte arsyeja qe deri me sot nuk kam dale publikisht nga kryesia e saj.
Merreni me mend: dikur veprat e mia jane grisur nga tekstet shkollore me vendim te KQ te PPSH. Sot ne asnje tekst a projekt s'eshte emri im.
Pra komunistet s'ma falin dot.
Dua te hap, se shpejti nje gazete te pavarur për intelektualët. Kryesisht kulture, art, jashte politikës. Do te filloj edhe te botoj libra. Zoti e di sa me vjen keq, qe edhe keto vite qe me kane mbetur do te shkruaj artikuj, siç duket ky qe fati im!

Ne Lidhjen e Shkrimtareve dhe Artisteve, po dihet, tere kuadrot dhe ato qe paguhen si shkrimtare profesioniste jane ata qe la monizmi. Po te mos flasim per LSHA, une dua qe te ekzistoj si organizate, kjo eshte arsyeja qe deri me sot nuk kam dale publikisht nga kryesia e saj.

Kemi ne shkrimtar te mire boll. Psh. Diana Culin qe me "Drerin e Trotuarve" i ben konkurrence telenovelave me te mira braziliane.

 

Deklaratë shtypi

Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,
Dhe më keni quajtur mua skandaloz
Për fjalën time të lirë.

Enveri lëshonte urdhër-vdekje
Por prangat m'i keni vënë ju
Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta
Dhe i varni si prangat nëpër mure

Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë
Kope hipokritësh servilë,
Unë muret dhe prangat ii pështyj,
unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.

E ftova për kafe, aq më tepër se ishim nisur për në kafenen aty në sheshin e pasëm të Pallatit të Kultures me atë grup shkrimtarësh. Frederiku u mpi. Më pa me ata sytë e tij, krejt të pangjashëm me sy të tjerë, e që mua më bëheshin si sytë e një kaprolli, sy të lëngështuar nga lotët e heshtjes dhe mundimit për të mos folur me fjalë por me veshtrim.
E njihja Fredin që në rini të tij. E kuptoja çfarë do të thoshte ai vështrim gjysëm lutës për të mos ardhur. Mesaduket as ai nuk dëshëronte të rrinte me ata shkrimtarët e Tiranës por as dhe shkrimtarët nuk e deshën praninë e tij, një bohemi gjeni, lirikat e të cilit sfidonin tërë krijimtarinë bajate pseudopoetike të gjysëm shekullit që shkoi. Fredi mesa dukej e ndjente veten më lirshëm me njerëz të thjeshtë që nuk e dinin se kush ishte e me të cilët rrëkëllente ndonjë gotë pa teklif.
I kërkova adresën se ku flinte, në çfarë hoteli...Desha ta takoj në veçanti ... U rrek duke thënë se nuk ka një hotel të caktuar, por ...do shihemi...
E pashë të ikte ashtu si dhëmbje e një shekulli, një shelg lotues në lëvizje, pashë të ikte me atë kostumin e vjetër prej endacaku, lirikun më të madh të poezisë bashkëkohore shqipe....Të ikte pa kthim, sepse nuk do ta shihja më kurrë në këtë botë...
E më dukej si të ishte jo njeri por metaforë, si të ishte vetë poezia shqipe e shqyer e grisur prej kohës absurde në të cilën arti mbijeton si handikap e jo dhunti njerëzore...

* * *

Dikush mund të hamendsojë se ky shkrim me titull të pazakontë "Nobël për së vdekuri" i bën karrshillëk dëshirës popullore për të parë nën triumfin e Nobelit një shkrimtar tjetër. Jo kurrrësesi për atë Zot, nuk është fjala ti hiqen vlerat të gjallëve e tu ipet të vdekurve (siç u bë me Koliqin duke mohuar Rreshpen) por, të mos i privohet krijuesit sadisfaksionin sa kohë që është gjallë. Dhënia titujve të lartë të vdekurve është vetëm plotësim i egoizmit tonë, sarkazma e të gjallëve me të vdekurit, a ndryshe, ta ngresh në qiell nga varri, pasi ta kesh pështyrë një jetë për së gjalli.
Në këtë kuptim "Pena e Artë" apo "Mjeshtër i madh" i Punës a Mospunës a çdo teneqe tjetër presidenciale me të cilat laurohen artistët, dhënë për së vdekuri Frederik Rreshpës, (nëse dikush do të kujtohet për kët&eumlsmiley, nuk do të jetë veç një cinizëm i stërholluar i atyre që gëzojnë pushtet e privilegje, por nuk kanë në shpirt kurrfarë ndjesie njerëzore, përkundër faktit që poeti lirik Frederik Reshpja kishte në shpirtin e tij të madh, një dashuri mitike mpleksur me një një pikëllim hyjnor, jo vetem per fatin e tij për edhe për cilindo njeri vogëlith që e ndjente vehten herë zot e herë rob. Rreshpja, poeti i madh, e mbylli jetën në Shkoder loce me 17 shkurt 2006, e jo në azil siç e dramatizojnë gazetat, kish pranë njerzit e afërt të familjes shkodrane Rreshpja, e jo i braktisur e i harruar siç fantazojnë, por veç në një gjë kanë të drejtë, vdiq pa një dyshkë, vdiq në fatin e De Radës dhe Serembes, si njeriu më i varfër i kësaj toke, të cilën ai e veshi me ar, argjend e fildish metaforik prej shpirtit të tij...Poezisë shqipe i dha atë frymë atë shkelqim që nuk e kishte të paktën prej një gjysëm shekulli.
Nobel për së vdekuri për Frederik Rreshpen?...Pena e Artë a diç tjetër?!... Ah, jo për atë Zot!….Për kësisoj xhinglash kanë nevojë veç të gjallët. Për kurrëfarë laure, tituj apo dekoracione presidenciale nuk ka më nevojë pas vdekjes një lirik i madh si ai. Ashtu siç nuk ka nevojë për tituj mjeshtri i vargut Ndre Mjeda për të qënë Mjeda i madh që njohim në letersinë shqipe.
Frederik Rreshpja nuk ka nevojë për asgjë veç emrit te vet shkruar mbi libra e skalitur mbi gurin e varrit…madje edhe varri në humbtë nga mungesa e përkujdesjeve njerëzore, kurrgjë nuk pëson shkelqimi i atij, që në të gjallë shfaqej si një diell pikëllimi në perëndim, e në të vdekur një diell në një rilindje të madhërishme, sic… / rri kyçur në gur zemra ime /njëmijë vjet dhe dymijë vjet./...sepse që nga Homeri e më pas, kurrë nuk ka vdekur poezia.

Nga K.Traboini

lirikat e të cilit sfidonin tërë krijimtarinë bajate pseudopoetike të gjysëm shekullit që shkoi.

E mire. Duket pa kto nuk rrime dot ne. I gezohemi vec ahut te fuqishem, por kurrsesi ahishtes smiley

I ngushte shpirti, nuk ka vend per shume.

Whatever!

Rri sonte te unë

Hëna mbi lumë vizaton
Një urë për ëndërrat e yjve;
Reja gri, si mall i harruar
Vë kryet mbi duart e pyjeve.

Ti erdhe nëpër udhën e hënës,
Çeli gonxhe edhe pragu i portës.
Rri sonte te unë
Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur!

***
Shqiponja

Një avion ikën diku dhe zogu suprem
Vështron me përbuzje shpirtin prej duralumini
Që rënkon, nga një dhëmbje metalike.

Qetësohu, avion i lashtë i rapsodive!
Është ndarja njerëzore që ulurin qiejve
Ndjekur nga kavaleria e shirave. 

***
Zemra ime

Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi.
Isha mësuar me kokën në duart e tua.
E ke ditur që kam diçka nga deti;

Breg me breg dhe gjumi s'më zë.

Dua të shtrihem dhe të vdes
Por vjen ti dhe nga balta më ngre:
Kur male te tërë dot s'na ndanë,
Si do na ndajnë dy grushta dhe?
Ah, isha mësuar me kokën në duart e tua;

Tani edhe brigjet më gjumi nuk i zë.

***
Moment

Qielli absurd, ëndrra ime se do të fluturoja
një ditë!
Qëllon që nganjëherë bëhet mars
Por vetmia është e dimërt.
Sytë e tu më vështrojnë përtej horizontit të
borës.
Te kroi ku flenë stinët, vallëzon mermeri i
legjendave.
Ti sonte do të bëhesh gur.
Nuk ke për të dashuruar më!
Qielli absurd, lodra e fëmijëve të ajrit!
Pra unë kam kujtuar se do të fluturoja një
ditë...

poet koti  

Reshpja nuk eshte i vetmi lirik i denuar me heshtje dhe mungese vemendjeje. Kujtoj nje lirik tjeter si Ali Asllani dhe habitem sesi nuk eshte regjistruar ne kujtesen time te viteve te gjimnazit. Nuk ishte vetem e kaluara e tij biografike qe e penalizonte por edhe natyra e tij prej "qefliu" sikurse konsiderohej prej bashkekohesve. Kurse Repshja eshte ilustrimi me elokuent i faktit se vetem nje shpirt i mbushur me zhgenjime mund te krijoje perla poetike. Sigurisht, ka disa qenie te gjalla qe nuk kane nevoj per perla.

gu gu gu gu gu ftu/ un i yti flas ketu smiley... 'o me vish a s'do me vish/ me qerpik te syrit tim, do fshi vendin ku do rrish  smiley

Dhe un' lus e kerkoj ty,
Ate vetull, ate sy!
Se ne syrin tend te zi
N'ate sy te zi, mazi
Shenj' e buzes sime duket
Si nje prush ne re kur muget!
 

ja edhe kte dhe e mbyll une (kto per Asllanin dhe per pak arome dafine Jugu, afer zmeraldeve fin te FR):

Para kartes rri e kqyr…

Midis ty dhe mua, hej, gjysm e botes paska hyr!

Syri syrit i esht larg, zemra zemres i esht afer,

Un kurbani yt i varfer

HISTORIA E NJË DASHURIE TË PAMUNDUR
Kur flet për të, vetëm qan. Thotë se është dashuria e madhe e jetës së tij, dashuri që i ka dhembur deri në palcë. "E kam dashur se më deshi shumë. Pas nënës ajo më ka dashur më shumë në këtë botë". E quanin Lora. Vetëm për të dhe për nënën qan e dridhet pafund sa herë flet. Por në historinë e asaj gruaje fijet ngatërrohen shumë herë. Me të pati një djalë që sot nuk e di ku është. Ai, në fakt, vetë ka shumë zona të errëta në kujtimet e tij për këtë histori. Por vlen ta dëgjosh, sidomos ta dëgjosh e të prekësh emocionet e pafund që e kaplojnë kur flet për të. "Ajo ka qenë vajza e një oficeri të lartë të Sigurimit. Fati na solli në një klasë. Unë kam qenë gjithmonë i pari i shkollës. Ajo më deshi mua … (Ndalon. Zëri i dridhet sërish e përlotet). Ma sollën një ditë në bankën time. I thashë: "Si erdhe këtu?". Dhe më foli me një zë çapkëneje: "Mësuesja më tha, ai është ma i urti i të gjithëve…". "Ku e ke shtëpinë", më pyeti. Dhe ia tregova. "Po aty rri unë", më tha. "Po ti rri në shtëpitë e mia me qira", i thashë, "e kanë sjellë babanë tënd me dhunë aty. Ai s'e paguan as qiranë…". Kështu nis t'i rrëfejë dialogjet e para me këtë vajzë që erdhi në jetën e tij krejt rastësisht. "Kjo ka ngjarë në klasë të shtatë. Duke shkuar rrugës ajo më ngacmonte, bënte lojëra… "Të vij sonte tek ti?", më tha. "Ç'do të bësh ti tek unë… mos o Zot… na vret babai", i thashë. "Po unë të dua", më tha. "Ç'janë këto fjalë", ia ktheva. "Nuk duhet të flasësh kështu, ti je vajzë, e i bie të bëhesh rrugaçe kështu… Pastaj, unë jam njeri shumë i ndershëm, këtë edukatë kam, jam katolik…". Po nuk më shqitej ajo. Kurrë.. Arriti të më vinte në shtëpi, derisa një ditë e kuptoi i ati dhe dha porosi që ta vrisnin, mjekët… "Nuk më duhet ajo vajzë, që lidhet me një armik…". Na ndanë, megjithëse unë s'kisha bërë asgjë, nuk isha armik… asgjë nuk kisha bërë. Pastaj më vonë, nëna ime duke vdekur më tha diçka. Nuk di sa duhej ta besoja. Ajo kishte kaluar dy hemorragji celebrale në tru. Por më tha: "Djali të lindi. E quajta me emrin tënd, Frederik". Djali u rrit u bë burrë. E çuan në shkollë për oficer sigurimi. Një ditë erdh e më tha: "A ka një Frederik tjetër?". "Po", i thashë. "Është Frederik Rreshpja, babai yt". "Po ku është ai", i kishte thën time zonje… "Është në Burrel, në burg…". "Po unë i kam thyer këmbën atij, e kam rrahur… Po qe kështu, atëherë unë do të vras veten…". Kështu ma tha ime zonjë, po nuk di sa duhet ta besoj. Tani pyes të tjerët. Më thonë shumë gjëra për atë fëmijë…që e kanë rritur derisa është bërë 7-8 vjeç, por ka ikur…më kanë thënë se ka ikur në Kinë… nuk e di… Por Lorën e kam dashur, sepse më donte shumë, më donte mbi çdo njeri…"

 

(pjese nga intervista e Admirina Pecit)

Histori shume e çuditshme, Jeruzalem. Nga fundi m'u duk sikur trillimi mpleksej me realitetin. Te lutem, di gje, si eshte puna me te birin ?

Perndryshe, kjo cope historie duket e dale nga sketerra.

kjo eshte interviste e tij 29 Mars 2005, pothuaj nje vit para se te vdiste i vetem, ne Shkoder.

Falemnderit, me duket se mora vesh diçka.

sa per precizim, i vetem por jo i braktisur.

 

 Une e kisha hasur dy tre here ne lexime kete poet, po te them te drejten, kaq skic sa kisha nje bindje qe ishte nga Kosova. Rrofsh Jeruzalem qe e solle ketu. Njerez te mire si ky na duhen kaq shume. Pse nuk hap nje rubrike tek pytjet, dhe te sjelli secili gjick mundet nga poezia e tij. Frederikut vec qejfi do i behej ma merr mendja.

Rekuiem

Noton në përrua, me gjethe mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë
Me sytë e verdhë, në heshtje.

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës,
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës vënë kujën me dhembje,
Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi si kjo ditë
Qefinin me gjethe të tharë...
O dimri i drerëve me brirët në erë,
Kë vjeshtë të qajmë më parë?

O Lost. o mik o vella. pak drite. kupton c'ka thene Poeti?

O dimri i drerëve me brirët në erë,
Kë vjeshtë të qajmë më parë?

 

 

Poezia e Ferderik Rreshpes, e thjeshte, e thelle, e pakomplikuar, e ndjere. Per mua, poeti nr1 shqiptar me nje fat krejt tragjik.

Vdiq ne shkurt 2006 krejtesisht i vetmuar ne Tirane.

Eklogë

Po kthehen barinjtë por hënën e harruan ndezur në mal.
Yjet vënë qirinj nëpër udhët e zogjve
mbi delet e heshtura.

Kur isha fëmijë bisedoja me delet
që më flisnin gjëra të mënçura.
Çudi! Kur rritemi dhëntë nuk flasin më.

 

Në dritaren e avionit

Shoh një palmë në gjunj rrëzë dunave,
mbështjellur me pëlhurën e hijes së vet.

Në qiell retë sajonin perenditë e Egjiptit,
këmbehen retë, këmbehen zotat,
kurse ajo rri aty nën enigmën e avionëve.

 

Metamorfozë

Një pemë në horizont si një njeri i braktisur.
Bien shirat mbi vetminë e saj.
Tringëllijnë telat e shiut
kur i bie violinës era.
Kjo pemë ka qenë poet apo vetë Pitagora?

 

 

 

Shiu i fundit

Trak-truk. Shi i verbër si at i poetëve
Duke kërkuar kështjellat.
Mijëra dashuri rendin nën qiellin e ultë,
Takohen dhe ndahen si vetëtimat.
Te dritarja çeli si dhembje trëndafili.

O Zot, sa lule të humbura!
Një këtu, një aty trëndafilat e vdekur.

Pikë-pikë bien shpirtrat dimërorë
Nëpër muzgun e ngjyer me ajër.

Dikur djalë i ri dhe i lumtur, e pata kuptuar
Që tërë shirat e botës binin për mua.

Por tani, pas kaq vitesh, sigurisht
Nuk ka kuptim që bie shi.

 

SHI HËNE

Si arlekin që del për shëtitje
Në kopshtin e harruar të fëminisë,
Hëna e pikëlluar nëpër re
Shkel mbi degët e shirave.

Liqeni i vetmuar në breg të natës
Shqetësohet në krahët e erës
Dhe thellë, sirena e dallgës së kaltër
Loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.

Yjët në asfalt si perëndim i thyer
Dhe plepat si murgjër të zinj.
Fshehur pas drurëve, diku përgjon
Vrasësi i vjetër: trishtimi.

Eh, mundet që thika e trishtimit
Diku përdhe ka për të më lënë.
Fshehur nën një perëndim të thyer.
Fshehur nën shira hëne...

 

DHEMBJE

Ngjitet malli nëpër rrënjë dhe bëhet lule.
O druri i qershisë që të mbolli nëna ime
Unë jam vëllai yt!
Të dy me duart e saj na përkundi ajo:
Rritu rritu o biri im!
Rritu, rritu o druri i qershisë!

Eh, nëna ime nga njëra klasë tek tjetra:
- Bir, janë zemëruar perënditë.
Sa mirë kur ishit të vegjël
Dhe i faleshit tok Shën Mërisë.

Përkund era pikëllimin e luleve
A ndoshta duart e nënës vizatuar në erë.
Rritu, rritu druri i qershisë!
Unë s'kam për të lulëzuar më...

 

Dita e Gjahtareve Na zuri mëngjesi në udhë.Moj kapelja ime e vjetër. Rrugë, re. Përpara hieroglifja e madhe e ditës.Kyçin e saj e mban nata. Lumi Je është shumë larg. Po mua pse më zë malli për toka që nuk i kam parëKurrë?Vetëm zërin e tyre kam parë te Li Bo. Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te përroiI vjetër.Do vijnë zogjtë do të bëjnë fole,dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar,Moj kapelja ime e vjetër. Deri në ditën e gjahtarëve.Gjahtarëve të mallkuar. 

 

 

METAMORPHOSE

> >

Un arbre à l’horizon comme un homme abandonné.

Les pluies tombent sur sa solitude.

Les cordes de pluie résonnent

Quand le vent joue au violon.

Cet arbre, est-il un poète ou Pythagore lui-même ?

 

Kjo e fundit nuk e di pse nuk del ne vargje....

Deklaratë shtypi

Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,
Dhe më keni quajtur mua skandaloz
Për fjalën time të lirë.

Enveri lëshonte urdhër-vdekje
Por prangat m'i keni vënë ju
Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta
Dhe i varni si prangat nëpër mure

Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë
Kope hipokritësh servilë,
Unë muret dhe prangat ii pështyj,
unë kam lindur skandaloz dhe i lirë

E bukur!

..."unë kam lindur skandaloz dhe i lirë"...

ere Remboje, ne nje trup te plakur.

Paragrafi i fundit i Lankshit eshte i tille qe mund ta krahasoj me nje qershi te krimbur qe te qellon ne fund te pjates. Ka qershi mbi torte, ka edhe qershi krimbace te fundit.

Mendoj qe eshte i tille pasi le vend per keqkuptime, moskuptime, interpretime te cilat per shumekend mund te jene te hidheta.

Une kam komunikuar dikur shkurt me Lankschin per nje dicka te ngjashme qe m'u duk po ashtu lajthitje. Pergjigja e tij ate kohe ishte nje mbyllje fine argumenti, te cilen une e respektoj (madje e pelqej si qasje); keto rradhe ishin vetem nje fyi per te. Kjo s'ka te beje asfare me FR, i cili eshte aq i madh, saqe keto muhabetet tona ketej poshte, as qe e cekin fare.

 Emigrant ja një këngë që në njëfarë mënyre, me emocionin që përcjell,  e ilustron shijen e keqe që lë Lankshi me cinizmin e tij në paragrafin e fundit.

Jericho - Tâm'lin e Nânës - Teksti / Lyrics

Lindje, Perendim
Perendim pa Lindje 
si dele n'pazar për sânë 
mes dy qytetrimeve
dy konopë n'qafë t'v'num 
t'dyt po t'ngrehin 
e ti po qet shkum'ë 
je shum i lodhun 
gjatë ke n'ejt n'gjumë
e ki nevojë me marrë frymë 
se jân tu t'ngulfatë
zâni s'po t'del 
e don me piskat 
krejt vonshëm n'kry t'kan hallakat Aahh edhe sa ka me zgat 
deri sa t'coptojnë
deri sa t'dajnë sa t'përvlojnë 
deri sa ta kupton se s'un vazhdon me konfuzion 
e beba s'un e han nji pulë t'pjekt 
as sun e han nji spec djegs
e ti po don me e shti me ngajt hala pa e mësu me hec 
ti n'daç jepi cucëll t'Arabisë 
n'daç jepi cucëll t Francës 
ajo ka me e lyp tâm'lin e nânes, BAL
tâm'lin e nânes BAL,
BAL

Kjo këngë e përshurrë atë qershinë e krimbur që thua ti.

E ke fjalen per kete?

"Reshpja s'âsht poet i gazëllimit himnik, pa lëre ekzaltimin kombëtar. Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse. Larg gjithë toposëve avazesh albanocentrike, poezia e Frederik Reshpes âsht letërsi e dorës së parë të kalibrit europian."

Mah, Lankschi mesa di une adhuron gjithçka vjen nga Shkodra, qe ka te beje me gegerishten, Martin Camajn e keshtu me radhe... Mendoj edhe se i njeh mjaft mire "avazet albanocentrike", sic shume mire i njohim edhe ne vete, apo jo?

Bukuri te gjitha, s'i fal vetem nje levdate, sipas meje krejt te pamerituar, letersise se Elvira Donesit. Po kush eshte pa difekte fundja? smiley

Për një vjollcë

Çeli vjollca e vogël mbi gurishte
si një ylber mbi planete të panjohura

Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër
po tërë ato që thashë
u tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.

Më me fat janë perënditë
që kthehen tek toka të skalitur:

Ti s'ke për t'u skalitur kurrë
e veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit

Ky qe fati yt prej ylberi
me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
të shumtë si rëra,
vjollcë e vogël, o shpirt.

***

Këngë Lahute

Më zuri gjumi i balladave
Dalin etrit pleq në prag te rapsodive
Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet.

O ti zogu i zi i amanetit,
Për ku vrapon të bësh shi, o zog?
Dy tre shira ranë e u be dimër,
Dy tre net u deshëm dhe u harruam.

Do të ngrihem e do të marr dynjanë
Por gjumi i balladave nuk me lë.

Dy tre shira ranë e u bë dimër,
Dy tre net u deshëm dhe u grindem.

***

Vizatime

I.

Mos i beso magjisë së mallkuar
Të telefonit të zi
Dërgomë një fjalë nëpër telat e vetëtimave.

II.

Një dorë plumba mbi xhamin e stendës.
Metal vrasës! Atje te rrënjët e tërmeteve.
Vallë nuk e ke ditur që në këtë botë ka edhe statuja?

***

Lermë të vij me ty

Në fushë ecin ciganet dhe mbi supe
Daullet u varen si kufoma
Kur shpirtrat e shkretëtirës
S'kanë për t'u zgjuar më kurrë.

Nga çerdhja e shiut fluturoi
Kënga e reve tërë gjëmë.

Lermë të vij me ty!
Ky është muzgu im i fundit.
Unë vij tek ti të vdes, s'e ke kuptuar?

Më duhet të vdes dhe më duhet pastaj
Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat
Nën një hënë Jeruzalemi.

***

Djemtë e detit

Yjet e detit në varrët e kaltër
Mbështjellë nga nata e ujrave...

Tani jam bir i ajrit, si në ditën e parë të botës,
I mallkuar në mënyrën më biblike.

Tani jam bir i hënës.
Tërë ishujt e tjerë janë të rremë.
Jo, nuk ka Itakë në këtë botë.

Nuk kam për t'u kthyer më kurrë,
Sepse nuk kam besim në asnjë breg!

***

Shiroka ne dimër

Nuk ka më zogj. Fluturimet u fshinë.
Asgjë veç grunti primitiv i shiut.

Bregu mendohet tek këmbët e ujrave
Duke ëndërruar verën që shkoi.
Në rërën e harresës unë mbledh
Qeramikën e portetit tënd.

Sa e shkurtër kjo verë, o Zot!
Një grusht rërë dhe një grusht diell.
Tërë kalendari i verës vetëm me një të shtunë
Dhe tërë e shtuna vetëm me një puthje.

***

Det

Hëna ikën nëpër mjegulla
Si varka e dhëmbjes sime.
Ëndrra ime për ishujt e kaltër
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë!

Gdhënda në breg të detit pikëllimin tim.
Vijnë dallgët dhe bëhen lotë
Si lotët e miteve tek statuja ime
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.

Perëndimi si vrasës me thika ndër duar
Nëpër dhëmbje, nëpër hënë.
Tërë jeta ime si këto ujra nën thika,
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.

***

Kur vdesin hënëzat

Xhindi i vogël i përrallës
Hedh yje në pellgun e hijeve;
Te dritarja e gjetheve pashë
Hënën e shuar nga shiu.

Kur vdesin hënëzat, kur vdesin yjet
Jam si dikur fëmijë i dhëmbshur:
Qëllon që qaj i vetmuar
Mbi dritën e duarve të hënës.

Qëllon që qaj edhe për zogjtë
E trokas te gërmadhat e çerdheve
Pastaj u shpjegoj zogjve
Që edhe unë jam në këtë botë pa fole.

"

ÇFARË KENI FITUAR NGA KJO JETË?
Asgjë… Ishte një udhëtim i kotë. Perëndia ka hyrë në gjynah që ka krijuar njerëzit. Shën Agustini thotë: Perëndia i ka krijuar njerëzit për t'i vënë në provë. Ata që janë njerëz të mirë, t'i marrë në qiell. Por s'besoj të ketë një Zot, dhe ai të jetë egoist. Asgjë, pra. Mua nuk më lidh më asgjë me jetën.
"

Nga nje interviste F. R-se

Finisterre, skematizmi hyn nga penxheret kur dikush kujton se ia ka mbyllur dyert me 100 kyce. Ja nje kandidate per skeme: Letersia e mire dhe nacionalizmi/patriotizmi jane "mutually exclusive".

Kerkoj ndjese ne pergjithesi per keto dy komentet e fundit te miat qe jane pak a shume si "open mouth, insert foot".

S'i kam frike skemat. Klishete po, keto e hane gjuhen nga brenda dhe bashke me gjuhen vate edhe mendimi. Poete e filozofe hyjne ne pune per kete higjene te gjuhes e jo per "te folur per ndjenjat" sic keqkuptohet rendom.

na depresuat

Lerme te vij me ty

 

Në fushë ecin ciganet dhe mbi supe
Daullet u varen si kufoma
Kur shpirtrat e shkretëtirës
S'kanë për t'u zgjuar më kurrë.

Nga çerdhja e shiut fluturoi
Kënga e reve tërë gjëmë.

Lermë të vij me ty!
Ky është muzgu im i fundit.
Unë vij tek ti të vdes, s'e ke kuptuar?

Më duhet të vdes dhe më duhet pastaj
Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat
Nën një hënë Jeruzalemi.

E solla kete me lart, me ty ne mendje, meqe solle "librin" e Rreshpes ne peshk smiley.

PS: Tushe, ndjese, pa qellim.  Te prek ama Rreshpja, ne vende qe kujton se "u ke kycur shirat" ...

e pashe Monde (por nuk e dija per mendimin tend, shume i kendshem, thxs)... jo per pune te nick-ut, por tek ajo me siper me therrasin shume gjera. ndaj e ripostova, me e terheq vemendjen mbi te...

E kam te veshtire te zgjedh nje.  Nga nje poezi ne tjetren tek i bej gati t'i postoj, njera prek, tjetra gerryen, dicka cifloset ...

Nuk ka shume vite qe jam hasur me F. R-n.  Por i kisha lexuar ca nga poezite e tij njehere, edhe e kisha mbyllur e vene menjane ate "liber."  Sic i thashe dhe Tushes me lart, te prek ne ca vende qe me kot mundohesh t'i ruash "te paprekura." 

vallai une sjam tip qe kyc nai gjo, dhe sme prekin poezite, sa me prekin fjalet nga goja e tij ne interviste, ...........se di.......mbase intervistat e tij i kalojne ca caqe qe sduhen kalu

PO sjell dhe une nje poezi timen .

 

IJES TIME

Isha i vogel atehere
Kur me more ne fshat tek ti
Te qarat e mia s'te shqetesonin
Por me rrite me dashuri

Dhe pse kishe shume halle
Ti asnjehere su ankove
Ije e dashur , Ije fisnike
Mes vuajtjesh jetove

Dhe sikur gjerat te shkojne keq
Kur te ke ty prane prape shpreson
Na ke rritur me copa buke
Portreti yt me pasuron

E pavdekshme do te jesh TI
Miresia jote nuk mbaron
Te kemi si drita e syve
Per ty vec dashuri , zemra buron

TI je shembull per tu ndjekur
Te cdo kush , te cdo femer
Hallemadhe e pafjale
Ije e dashur , Ije zemer

Ne cdo cast TY te kujtoj
Vec UNAZA ne na ndan
S'dua te kem asgje tjeter
Buke e Vaj e IJEN prane

Sikur te ish dhe LALBOMI gjalle
O zot sa me ka marre malli
Perkedheljet e TIJ me mungojne
- Ka ngrene buke djali ?

Ah sikur ta kisha ne dore
Endren ta beja realitet
LALBOMIN dhe IJEN ti shihja prape bashke
S'do doja gje tjeter ne jete

Kur kujtoj LALBOMIN
Syte me pikojne lote
Buzet zene e dridhen
PSEEEEE na e more o zot !

Ty IJE me shume se gocat te Dua
Ne zemren time ti banon
Jete pa fund , gaz e hare
Elvisi nga zemra ty te Uron

P.S Ija=gjyshja LALBOMI(bajromi)=gjyshi im

Frederik Rreshpja

 

Ave, nëna ime!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç'është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s'ka asnjë kuptim që bie shi

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!
.
.
.
.
Vinjete

Nje shelg i vetmuar, mbuluar me dimer
Braktisur nga zogjte dhe gjethet:
Era, si keter kercen mbi drurin
Me bocen e shiut nder dhembe

Netet e lumtura, si zilka
Tringellijne ne deget e kujteses…
Vizatohen ne sfond te vetetimave
Henezat qe hengren dhente e vjeshtes

Rene nga xhami i thyer i qiellit
Kristal i akullit yllezon neteve
Dhe mbi pastelet e bores mardht
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe
.
.
.
.
Pergjithmone

O ajr i mbremjes mbeshtillme,
erdhi ora te vdes perseri.
Kur te mbyllen syte e mi,
nuk do te kete me det
Dhe varkat e loteve kane per te ngecur ne stere.
Shkoj dhe shirat po i le te kyçura
Por do te ktherm perseri ne çdo stine qe te dua.
Une kam qene trishtimi i botes.
O ajr i mbremjes mbeshtillme,
erdhi ora te vdes perseri.
.
.
.
.
Tors

Dil nga mbreteria e gurit!
Kam kaq kohe qe trokas tek mermeret.
Njemije vjet dhe dymije vjet.

Jemi puthur neper iliadhet e vjetra
Kur lires i binin homeret.
0 hene e shiut, e verbera madheshtore!
Beje nje iliade per mua
Kur te rrezohet edhe Troja e fundit..

Rri kyçur ne gur zemra ime
Njemije vjet dhe dymije vjet.

.
.
.
.

Arlekinet

Iken arlekinet e trembur nen çatine e perralles
Kur putha per here te pare.

Qau vajza e vogel: por kushedi
Ndofta qante feminia. Ne kopesht
Nga dritarja e perralles, arlekinet
Veshtronin te trishtuar, tere lote.

Nuk desha t’i tremb arlekinet e mire,
Nuk desha por nuk bej ndryshe
Si nen çdo molle, bile nen çdo dru
Kurdohere nje eve me priste.
.
.
.
.
Dashuri e humbur

Dola nga guernika e kesaj nate
I vrare egersisht,
Kali i zi i pikellimit
Ne shtegun e vjeter me priste.

Kali i zi i pikellimit ç’me rrezoi
Dhe rashe si ne ballada;
Gdhendur ne gravurat e vjetra,
Permbys mbi shqytin e nates.

I vrare nga nje pranvere e kote,
Braktisur nga bota e tere,
Vetem kali i zi i pikellimit vjen rrotull
Dhe qan per te zotin e vjeter.
.
.
.
.
Qielli i djalerise

Qielli i djalerise ne sqep te nje zogu
Ra mbi korijen me perralla;
Nga kashta e kumtrit bie dhe bie
Terfili i arte i qiejve.

Kembanat e yjeve lekunden me hare
Prere nga hena e majit.
Qielli i djalerise ne sqep te nje zogu
U zhduk pas portes se ylbereve.

Zhduket pas portes se ngjyrave djaleria
Dhe mua trishtimi me mbulon
Nen nje hene qe nuk di te buzeqeshe,
Ne nje bote qe nuk me kupton.
.
.
.
.
Poeti ne shkretire

Absurditetet pa asnje mesazh per TV-te e botes.
Ralle ndonje re,
arratisur nga kopeja e reve
Iken e hutuar nga peisazhi arabik.

Ai rri aty me koken ne duart e shkretires.
U ben me dore avioneve.
Pret nje dallendyshe qe s’ka per te ardhur kurre.
.
.
.
.
Ul koken i lodhur

Me therret nje mjegull ulur diku
Mbi korijen e fjetur qe premton mars
Dhe pikellimi i debores me gjuj te burimi.

Mbremja rend drejt qiellit’
Hena rend drejt nje shtepie resh.

O akuarel i levizshem! Ti mua me therret
Por me erdhi teper vone thirrja jote.

Koka ime e pabindur tek nje alarm gjethesh
Qe hedh persiper dy grushta nate!
.
.
.
.
Si ike kaq befas?

Kështu tërë ikje ke qënë dhe në rini...
Të kërkova nëpër hollet e hoteleve,
Vetëm diku në një bar të vjetër,
Si një krah i thyer pulëbardhe,
Kishte mbetur pak dimër nga ti.
.
.
.
.
Profetët e rremë

Dhe kemi qënë tmerrësisht të persekutuar
Dhe jemi biblikë me biografi të mirë

Mjer ju po i besuat çdo të kryqëzuari!

Dhe vetëm ne mund t'u çojmë në parajsë.
N.q.s. s'na besoni, ne mund të marrim edhe masa.
Injorantët e dreqit!
Amen!
.
.
.
.
Mike e vjetër

Jo, ti nuk je zbardhur mikja ime e vjetër
Por amalgami i çmendur i pasqyrave
Të ka mbuluar në dimër.

Ik nga pasqyrat,
Pellgjet janë më të ndershëm
Sepse të bëjnë narçiz.
.
.
.
.
Kronikë për zgjedhjet

Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.
Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
Rendën pas shpitrave që silleshin në ajër
Drejt Kashtës së Kumtrit.

Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA
Mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.

Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
Të lira dhe korrekte. Ashtu dhe TV-të.

Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja.
Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqa juaj e mallkuar!
.
.
.
.
Dimër

Bie dëborë. Rënkojnë
Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike
Në udhën e fshatit
Dhe mua m'u kujtua pabesia jote.

Sigurish dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë
Mëpastaj Zoti i tradhëtuar vështronte
Fushën e mbuluar me qefin.
Si për një të vdekur madhështor.

Ah, si të shkoi ndërmend pabesia!
Si të shkoi ndërmend dëbora!

Më ke dashur shumë.
Por erdhi një ditë që shpike dëborën.
Tani udhët janë zënë.
Dhe unë rri e vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria.
.
.
.
.
Fati im

Nje ujevare e vogel vetmon lart ne mal
Dhe lot me ylberet.
Mjegulla e holle, ndane dritares sime
Qan me lot shiu.

Shpirti i vjeshtes, ne shkretetiren e gurit
Ulerin i trishtuar.
Vdekja e ylbereve me ra ne qiell
Dhe vdekja e gjetheve ne duar.

Tere shtegetaret po ikin, ti o zog, mos shko!
Te gjithe e kemi nga nje palme qe diku na therret
Dhe udhe e vjeter rri varur mbi shkrepa,
Si patkoi i fatit tek dera e kenges.
.
.
.
.
Pasqyrim

Cdo pasqyre e ka nje statuje timen brenda.
Statujat fshihen pas amalgames.
Ne fshihemi pas statujave.
.
.
.
.
Bjeshket e Namuna

Bjeshket e Namuna,
Magji e gurte, vizatuar me shqetesim.

Dhembja e nje rapsodie te harruar
Renkon brenda eres, diku.
Dhjetori pikon neper pishat.
Qe mbine mbi rinine e Omerit.

Rete mbi hone
Tundin patershanat e shiut,
Zbardhin ne fund te perrenjve eshtrat e vetimave.

O, ku je tretur ti qe bere tere kete kob te zi
Vec per nje puthje te lene pergjysme?
.
.
.
.
Kopshti

Luanët e thyer të fëminisë
Pinë ujë tek pusi i vjetër;
Mbi zjarret e trëndafilave ngroh duart Saadiu
Me turbanin prej vese.

Shpesh nga mitet dalin satirët
Dhe hapin dyert e hijeve.
Vështron shtigjet e natës jasemini
Dhe drita i rrjedh nga gishtrinjtë.

Narcisi nxjerr supet nga gonxhet
I dashuruar nga bukuria e vet;
Unë ndiej në ballë daltat e pranverës
Që nga bari, sytë e mi gëdhënd.
.
.
.
.

Vijne ciganet

Vijnë ciganët me daulle dhe me hënë
Ah, qajnë dhe ulërijnë.
Shpejt e shpejt i ngritën çadrat
Rreth shpirtit tim prej uji.

Isha i ri dhe isha i bukur,
Isha i zjarrtë në dashuri.
Shumë gjëra tani i harrova,
Për hënë e për magji...

Ulërijnë ciganët me daulle
Për dhembjet e shkretirave të largëta.
Rri zgjuar unë në breg të lumit,
Mallkuar me dashuri dhe me hënë.

Kori i trëndafilave derdh lotë
Për daulle dhe për hënë, i trishtuar.
Ah, ç'isha i ri dhe i bukur dikur,
Dikur në një mars të shkuar.
.
.
.
.
Dita e gjahtarëve

Na zuri mëngjesi në udhe
Moj kapelja ime e vjetër
Rrugë, re. Përpara hieroglifja e madhe e ditës.
Kyçin e saj e mban nata.
Lumi Je është shumë larg
Po mua pse më ze malli për toka që nuk i kam parë kurrë?
Vetëm zërin e tyre e kam parë te Li Bo.
Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te prroi i vjetër.
Do vinë zogjtë, do bëjnë fole
Dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar
Moj kapelja ime e vjetër.
Deri në ditën e gjahtarëve.
Gjahtarëve të mallkuar.

 

Marre nga Zemra Shqiptare

Ketu mund te lexoni disa nga poezite te peshtatura ne anglisht nga Robert Elsie.

Ndjese nqs ka ndonje poezi te perseritur, pervec Dita e gjahtarëve qe s'shfaqej e radhitur mire me lart, dhe Tors qe eshte andej e s'eshte ketu. U perpoqa ti qeroj. smiley

P.S. Mbase do ishte mire ti bashkonit te dy temat, ose ti vini krijmtarine vec e artikujt vec, se ajo tema qe e ka titullin poezi ka vec nje, kjo ka me shume. smiley

Hera e pare qe kam  lexuar poezi te Rreshpes ka qene tek blogu i Avokados. ( gjej rastin ta falenderoj) E kisha degjuar, kisha lexuar intervista te tijat me pare, por vone ndesha ne kete shpirt te humbur e te ringjallur. Flm, Jerusalem.

Per vete, do vecoja:

Pasqyrim

Cdo pasqyre e ka nje statuje timen brenda.
Statujat fshihen pas amalgames.
Ne fshihemi pas statujave.

Me kujton "Obeliskun e Zi" te Remarkut, "ne c'pasqyre ka mbetur fytyra ime e pare"...

Bregu mendohet tek këmbët e ujrave
Duke ëndërruar verën që shkoi.
Në rërën e harresës unë mbledh
Qeramikën e portetit tënd.

Me bukur se kaq nuk eshte e mundur. Energjia e fjales e shtrydhur ne maksimum. Shikoj levozhgat e fjaleve te thata menjane, si arra dimri qe ua hengrem thelbn.

Mjeshter!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).