Rrjet prej merimange

Pak kush prej nesh do ta ketë pikasur faktin e të qenurit i privuar për të shijuar qiellin mbi kokën e vet, ashtu në formën më të bukur të tij, pikërisht nga prezenca e mijëra kilometrave kabllo e tela të çfarëdolloji që shtrihen serbez mbi kokat e secilit në qytetet e qëndrat tona të banimit.

 

Xhufka, xhufka të dala nga shtylla shpesh anemike dhe në forma nga më të ç’rregulltat, telat, përpiqen të përçojnë energjinë në vatrat tona duke krijuar një rrjetë të pambarim ku çdo merimangë do plaste nga zilia. Në këtë situatë qytetari shqiptar ndjehet i pushtuar për faktin se edhe ato copëza qielli që i bishtnonin siluetave të pallateve, telat e ndanin këtë hapësirë në formën e kuadrateve të ç’rregullta duke krijuar një psikozë burgu në liri.

 

Me pak fjalë një sistem komunikimi që mbahet në fije të merimangës. Kështu që, një mbidozë euforizmi kap adoleshentët tanë për faktin se ndoshta jemi i vetmi vend ku spiderman-i dhe spider-city do të materializoheshin në formën më kuptimplote. Nuk ka rrugë apo rrugicë e cila të mos ketë privilegjin e grumbullimit shpesh të ligjshëm por edhe kaotik të telave apo kabllove të cilat përshkojnë shtëpi e avlli, rrugë e dyqane, pallate apo lokale duke na detyruar të ecim aspak me kokën lart.

 

Tela që hidhen nga njëri pallat tek tjetri si ankorime anijesh pirate shkëmbejnë piraterinë energjetike në blloqet tona të banimit si zgjidhje e kolapsit tonë energjetik. Një zgjidhje në fije të perit.

 

Por, ajo që ndodh me kabllot mbi kokat tona s’është asgjë me atë që ndodh nën këmbët tona. Një katraurë tubash e kabllosh, telash e pusetash, telekomunikimesh që për nga rrëmuja dhe jo planifikimi ngjajnë me disa variçe nëntokësore duke bërë që nyja gordiane të duket si gjëagjëzë.

 

Punime, ripunime, hapje asfalti, mbyllje, rihapje, mbyllje, rihapje përsëri deri në pafundësi. Pirgje dheu e zhavori mbi trotuare, punime pa kohë dhe estetikë. Asfalti i ri tek ne rallëherë mbërrin moshën e qumështit pa u prekur nga sharra apo kova eskavatorësh, sepse diçka kish pas qenë harruar. Pra rrjet merimange nga sipër dhe merimangë nga poshtë.

 

Teksa një njeri i ditur komentonte se përse shtëpia më e dobët ishte ajo e merimangës, sqaronte se edhe pse fijet e merimangës janë katër herë më të forta se fijet e çelikut të së njëjtës përmasë, përsëri shtëpia e mërimangës ngelej shtëpia më e dobët. E gjithë kjo për faktin se merimanga femër në rast urije hante vezët e veta, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në fund fare kollofiste edhe të shoqin, merimangën mashkull. Pra, shtëpi e dobët pa ardhmëri dhe me intrigë vrasëse.

Po çfarë mund të thuhet për rrjetin tonë merimangë të energjisë, telekomunikimit, ujësjellësit etj. Një shtëpi e dobët komunikimi e të gjitha niveleve, jo për faktin se kabllot, telat, apo tubat nuk kanë fortësinë e duhur për një infrastrukturë të tillë, jo, por për faktin se kjo infrastrukturë është ndërtuar në më të shumtën e rasteve mbi grykësinë, gëlltitjen, korrupsionin, paftësinë dhe vjedhjen. Prandaj kjo rrjetë merimange mbi kokat tona dhe nën këmbët tona, dalëngadalë do na zërë të gjithëve brënda duke na transformuar kështu në prenë e preferuar të gëlltitësve të pangopur.

 

Ç’regullimi i infrastrukturës si vlerë e trashëguar u pasurua me një ç’rregullim edhe më të madh kësaj radhe jo vetëm të infrastrukturës por edhe të të menduarit dhe të bërit të kësaj infrastrukture. Për rrjedhojë zgjidhje pirate, imediate, të cekëta, provizore, jo afatgjate dhe jo profesionale, ndërtuan atë që sot mund të quhet me plot gojë një kaos i liçensuar infrastrukturor.

 

Ajo që më tepër e dëmton ardhmërinë dhe zgjidhjen e kësaj nyjeje është mentaliteti i merimangës së uritur i vënë re në institucione si Kesh, Ossh, Ujësjellësa-kanalizime, telekom etj. që për të gëlltitur prenë e vet shtron rrjetën infrastrukturore e cila të paktën nuk gëzon as estetikën dhe simetrinë e asaj të merimangës. Sa herë që kjo rrjetë e ç’rregullt do të duhej të modifikohej pasohej apo mbivendosej nga një po rrjetë tjetër edhe më keq se e para. Pra merimangë mbi merimangë.

 

Me qindra gëlltitje rryshfetesh për linja apo kabllo tensioni, për tela telefonash apo tubacione uji, kanalizimesh të personalizuara e grumbullime të paligjshme pusetash, bënin që shtëpia jonë infrastrukturore të ishte ajo më e dobëta. Sa kompani prodhimi e transporti uji, paguajnë nën dorë drejtues ujësjellësash që banorët të mos kenë ujë të rrjedhshëm të vazhdueshëm në mënyrë që të kthehen në blerës uji autoboti ? Merimangë e kaluar merimangës.

 

Privatizimet e disa sektorëve të telekomunikimit apo energjisë kanë bërë që pronarët e rinj në mes pendimit dhe shpresës për blerjet e tyre të merren me ç‘bërjen e nyjes sonë infrastrukturore me kosto të paimagjinueshme shtesë. Ajo që e bën më të ndërlikuar problemin është se ky rrjet nuk mundet të fshihet ashtu lehtësisht me fshesën e një amvise në murin e shtëpisë, siç ndodh rëndom me merimangat, ky rrjet është instaluar në këtë vend dhe do të duhej një mrekulli që të mund të sillej përfilli. Do të duhej që së pari të fshinim rrjetën e merimangës në mendjet tona që fëmijët tanë nesër të mos ndihen të kërcënuar nga shtëpitë e dobëta të merimangave me dy këmbë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).