Reforma e makinave dhe shteti ligjor

 

Shteti ligjor dhe "reforma e makinave"

Në kohën kur Bashkimi Evropian i kërkon Shqipërisë nxitim në realizimin e reformave të premtuara për anëtarësim, siç janë niveli i zbatueshmërisë së ligjeve, reforma në drejtësi, reforma administrative, masat antikorrupsion apo konkurrenca e ndershme, qeveria e re shpalli si reformë të saj të parë, nismën për heqjen e makinave për rreth 90% të zyrtarëve të lartë të shtetit.


Të mësuar me nisma të tilla mediatike, të shpejtuara dhe të pastudiuara, edhe nisma e djeshme e Qeverisë, la shijen e hidhur sesi një ide e mirë politike mund të shprehet përmes një forme populiste dhe në thelb, joligjore dhe jokushtetuese. 

Është e vërtetë, se është rritur ndjeshëm numri i zyrtarëve shtetërorë që zotërojnë makina zyrtare, apo numri i zyrtarëve që mbajnë siglën Z të targave zyrtare. Është gjithashtu e vërtetë, që ka pasur dhe ka abuzime, sidomos në periudhën jozyrtare të punës dhe sidomos nga persona që mbajnë poste të mesme në hirerarkinë shtetërore. Megjithatë, është po ashtu shumë e vërtetë se Shqipëria, ndryshe nga Franca, Suedia, Zvicra apo vende të tjera të referuara në ligj, mbetet vendi i vetmi vend evropian pa mjete moderne transporti.


Ne nuk kemi tramvaj, nuk kemi trena normalë, nuk kemi mjete lëvizëse ajrore, dhe para kësaj gjendjeje kaq problematike, mbyllim sytë për t'i detyruar zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, të shtyhen në autobuza e furgona linjash për të kapur orën zyrtare të punës, ku i njëjti zyrtar ka detyrën të marrë vendime që kanë të bëjnë me kushtetutën e Shqipërisë, rendin kushtetues, sigurinë kombëtare apo luftën ndaj trafikut dhe krimit të organizuar.


Kështu, nga analiza e projektligjit të ri krijohet bindja, se është i vërtetë konstatimi se ky ligj, jo vetëm nuk e zgjidh problemin, por për më tepër, e komplikon atë. Argumentet dhe arsyet janë të shumta.

Vendimi, i trumpetuar si reformë, në fakt nuk bën pjesë në asnjë pyetësor apo kusht evropian, nuk ka lidhje me axhendën e reformave dhe në formë e përmbajtje, nuk mund të quhet reformë. Alibia për të thënë se me ligjin e ri kursehen 30 milionë dollarë abuzime, është kontraverse.


E para sepse nuk ka fakte se është abuzim, e dyta sepse nuk ka studim nëse vërtetë kursehen apo tejkalohen, e treta sepse e njëjta qeveri për katër vite ka aplikuar këtë skemë "abuzuese" dhe e fundit sepse nuk ka garanci nëse projektligji redukton apo thellon format e abuzimit të zyrtarëve vendimmarrës.


Nga ana tjetër, zë zërin e shpenzimeve p.sh. shpenzimet telefonike apo të udhëtimeve jashtë janë 3-5 herë më të larta sesa shpenzimet e transportit.


Ruajna Zot, nëse me këtë logjikë qeveria mbështet edhe idenë që të ketë vetëm biseda telefonike urbane, të shkurtohet numri i celularëve, apo të kufizohen ndjeshëm lëvizjet e delegacioneve zyrtare jashtë shtetit!


Nga ana formale, projektligji është një vendim administrativ, i cili në dallim nga periudha e mëparshme nuk merret më me VKM, por tentohet të shndërrohet në ligj. Kalimi në ligj dhe përpjekja për ta imponuar në çdo hallkë të pushtetit, jo vetëm është e nxituar, por edhe krijon kundërshti me legjislacionin në fuqi dhe me vetë Kushtetutën dhe sistemin politik në vend.


Kështu, duke dashur të bëhemi shembull për mirë në nismat antikorrupsion, qeveria jonë e bën praktikisht Shqipërinë të vetmin vend në botë, ku me ligj tenton t'i përcaktojë orar pune Presidentit të Republikës. 

Sipas logjikës populiste të projekt ligjit, nëse Presidenti i Republikës e përdor automjetin jashtë orarit të punës (zyrtarisht orar pune është ora 08:00 - 16:00), pra nëse lëviz pasdite, në darkë, në fundjavë, në pushime etj, atëherë ai duhet të paguajë nga buxheti i tij personal.


Një gafë të tillë juridike, politike, administrative dhe kushtetuese nuk e gjen në asnjë vend të botës, qofshin ato vendet demokratike edhe ato antidemokratike. Presidenti i Republikës edhe kur punon, edhe kur pushon, edhe natën, edhe ditën, edhe jashtë shtetit edhe brenda tij, edhe në zyrë, edhe në familje, është President.


Ai nuk është drejtor shkolle apo drejtor personeli që paradite punon dhe në orën 16:00 shkon në shtëpi si qytetar i thjeshtë. Ai është kryetar shteti, është përfaqësues i unitetit të popullit, është komandant i Përgjithshëm dhe kryetar i organit qeverisës të gjyqësorit.


Detyra e institucioneve të varësisë së tij nuk është provokimi përmes masave ndëshkuese administrative dhe financiare, por respekti kushtetues i pozitës, integritetit dhe sovranitetit të tij kushtetues e vendimmarrës.
E njëjta logjikë vlen edhe për zyrtarë të tjerë të lartë, specifikë në detyrat dhe pozitën e tyre kushtetuese.


P.sh. nëse projektligji miratohet, atëherë ne bëhemi shteti i vetëm në botë, në të cilin drejtori i shërbimit sekret, drejtori i përgjithshëm i policisë, prokurori i përgjithshëm apo shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, pas orarit zyrtar të punës, nuk janë më në detyrë zyrtare, nuk mund të kenë automjet lëvizës dhe nëse duan të lëvizin, duhet të paguajnë nga të ardhurat e tyre personale.


Ose, sipas projektligjit, kemi një situatë paradoksale, ku numrit dy të shërbimit sekret i ndalohet të ketë makinë zyrtare. Ai duhet të lëvizë me mjete publike transporti, gjë që nuk ndodh as në librat me përralla të Andersenit.


Ky aspekt i ligjit do të kishte vlerë, nëse qeveria do të kishte rënë dakord p.sh. me kriminelët dhe keqbërësit, kontigjentët e kërcënimit të sigurisë publike dhe të territorit të vendit, që aktivitetin e tyre ta ushtrojnë brenda orarit zyrtar, jo pas tij apo më keq, në fundjavë apo natën! 

Kategoria e atyre që preken nga ky ligj është sa e gjërë aq edhe në kontrast me legjislacionin kushtetues në fuqi. Për shembull, qeveria e cila përfaqëson një pushtet, përpiqet t'i imponojë statuset administrative dhe oraret e punës së pushteteve të tjera, kryesisht gjyqësorit, legjislativit dhe pushtetit vendor.


Një përpjekje e tillë dy vjet më parë për t'i përcaktuar edhe rrogat e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, çoi në konflikt ligjor dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, me rrëzimin e nismës së qeverisë. Sepse një pushtet politik si qeveria nuk mundet në asnjë rrethanë t'i përcaktojë një pushteti të pavarur (gjyqësorit) p.sh. numrin e makinave dhe sasinë e tollonave të karburantit.


Kur muaj më parë u tentua atentat ndaj një anëtari të Gjykatës së Lartë, qeveria premtoi rritje të nivelit të sigurisë së tyre personale. Tani kalohet në të kundërtën.


Për më tepër, ne kemi struktura specifike, siç janë Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila në bazë të ligjeve në fuqi, gëzon imunitet të veçantë, lëvizje dhe mbrojtje 24 orë nga forcat e sigurisë.


Tani, me nismën e "reformës së makinave" ky status ligjor injorohet, krijohet konflikt ligjor e kushtetues dhe konkretisht, edhe cenohet rëndë siguria e jetës dhe aktivitetit të gjyqtarëve të krimeve të rënda, të Gjykatës Kushtetuese apo të Gjykatës së Lartë.


Vendimi, i justifikuar si premtim elektoral, në fakt vlen vetëm për Parlamentin. Me 28 qershor 2009 është votuar për Parlamentin, jo për Presidentin, gjykatat, prokurorinë, shërbimin sekret, ushtrinë, etj.


Nëse ai kufizohej si nismë parlamentare për vetë parlamentin do të kishte kuptim, sepse në fund të fundit, deputetët e kanë dëgjuar dhe e kanë premtuar në fushatë përpara se të zgjidheshin dhe se vetë ata, si produkt listash partiake dhe jo votimi direkt, janë të prirur të pranojnë pa kundërshti çdo vendim që u vjen nga hartuesit e listave.


Por, përpjekja për ta zgjeruar duke përfshirë kryetarin e shtetit dhe deri edhe kryetarët e njësive vendore, është e pagjetur, provokuese dhe e destinuar të mos prodhojë efektin politik të pritshëm.


Kryetarët e njësive vendore janë të zgjedhurit e vetëm në Shqipëri, që votohen direkt nga qytetarët. Kur hyjnë në garë ata vendosin emrin e tyre, bëjnë premtime personale dhe politike dhe mbajnë direkt përgjegjësi për qeverisjen e tyre.


Asnjë drejtues vendor nuk ka premtuar në fushatë lëvizje pa makinë, shkurtimin e shoferëve, etj, ndaj askush nuk ka të drejtë t'u diktojë sot ndryshimin e këtij statuti.


Ashtu si Presidenti dhe zyrtarët e tjerë të lartë kushtetues, edhe drejtuesit e bashkive janë kryetarë dhe e ushtrojnë këtë funksion edhe në fundjavë, edhe jashtë orarit të punës. Ata nuk janë vartës të qeverisë qendrore, janë partnerë të saj dhe në çdo formë të marrëdhënieve, partnerët nuk mund t'i diktojnë kushtet e punës së njëri - tjetrit.


Nëse qeveria nuk është dakord, në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2011 le ta bëjë premtim elektoral për kandidatët e saj, se në ato bashki ku fiton, drejtuesit do të lëvizin me këmbë, me autobus, me biçikletë ose me furgon.


Së fundi, projektligji u mbështet me argumentin se i kundërvihet praktikave të vjetra komuniste, të bazuara në privilegjet e drejtuesve të lartë. Kjo tezë qëndron, nëse produkti dhe forma nuk janë të njëjta me mentalitetet e asaj periudhe ose më keq, të nismave që u morën në kuadër të revolucionit kulturor.


Sepse në një shtet të së drejtës, kur tenton vendime që lidhen me institucione kushtetuese minimalisht nisma konsultohet dhe miratohet paraprakisht me këto institucione.


Duke ngatërruar nëpunësit civilë, zyrtarët vartës të qeverisë me institucionet kushtetuese të pavarura nga qeveria, nisma e "reformës së makinave" dashje - padashje të sjell ndërmend kohët kur inicoheshin nismat e dërgimit të kuadrove në prodhim, me idenë e forcimit të pushtetit popullor dhe marrëdhënieve me masat.


Në këto rrethana, zgjidhja e vetme dhe e logjikshme e realizimit të idesë së mirë, por formës dhe përmbajtjes së gabuar të projektligjit për transportin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, mbetet rishikimi i tij nga ndonjë grup juristësh, çlirimi nga konceptet dhe nenet antikushtetuese dhe joligjore, shndërrimi në nismë politike për pushtetin politik (Parlamentin) dhe kalimi i tij në formën e një ndryshimi në VKM për nëpunësit civilë apo në rregulloren e Parlamentit për deputetët.


Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse projekti vjen si produkti i imponuar politik, pa marrë në konsideratë produktin juridik të tij, atëherë do të kemi një periudhë tjetër ngrice ndërinstitucionale dhe një tjetër shans të humbur, në të cilin një nismë pozitive ngarkohet aq shumë me motive politike dhe populiste saqë shndërrohet në pengesë serioze për funksionimin e shtetit dhe të institucioneve.

1 Komente

Meqe jemi ne teme. A di kush gje, a kane nder mend ti ulin taksat doganore per makinat? Se te paguash takse doganore, pothuajse sa vlera e makines  eshte skandal. Pata lexuar para ca kohesh se BE apo kush ne emer te tyre, kishte rekomanduar ti ulte.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).