Realizohet harta e arkeologjisë nënujore shqiptare

Shqipëria tashmë do të ketë hartën e saj arkeologjike nënujore, e cila në formatin e saj tredimensional përcakton qartë vendndodhjen e pasurive nënujore arkeologjike. Anije të mbytura, amfora, qeramikë dhe objekte të tjera që prej shekujsh dergjen në thellësinë e ujërave shqiptare, falë kësaj harte do të mund të zbulohen, të përmirësojnë të dhënat për lashtësinë e vendit tonë, të shfrytëzohen nga shteti, të ruhen nga thesarkërkuesit e antikes, por mbi të gjitha kjo pasuri tashmë do të ketë një vendndodhje të përcaktuar qartë dhe të studiuar nga specialistët e fushës. E gjitha kjo falë një projekti, i cili sipas të dhënave po realizon qëllimin e tij.
Projekti
Harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar realizohet falë një projekti që po zhvillohet me arkeologë amerikanë të Institutit Amerikan të Arkeologjisë Navale. "Kjo hartë e bregdetit shqiptar është në formatin elektronik dhe i përket teknologjisë më të avancuar të kohës, sepse hartat janë dixhitale e tredimensionale", -shprehet Adrian Anastasi, njëri prej arkeologëve që marrin pjesë në projekt. I filluar prej kohësh, ky projekt ka si supervizor prof. Neritan Cekën, ndërsa bashkëdrejtor i tij është Jeff Royal, e koordinator Auron Tare. Siç tregon Anastasi, "realizimi i kësaj harte në nivel kombëtar siç po e aplikojmë ne, e bën Shqipërinë të vetmin vend në Mesdhe që zotëron këtë hartë arkeologjike. Asnjë vend në Mesdhe nuk e ka një hartë kombëtare të arkeologjisë nënujore. Vendet e tjera po realizojnë pjesë harte për fragmente të bregdetit të tyre, e këto vende janë Izraeli, Franca, Italia dhe Turqia, ndërsa këtë vit filloi edhe Kroacia e Mali i Zi", - tregon Anastasi. Në këtë rast Shqipëria është edhe një lloj promotoreje e kësaj pune që është e dallueshme në nivel shkencor. Skanimi i bregdetit është procesi i parë i realizimit të hartës. Procesi i dytë është një software i programit që tregon ose shfaq anomalitë që janë në fund të detit. Këto anomali, sipas Anastasit, janë pikat që evidentohen si të dyshimta e ku mund të ketë material arkeologjik. Më tej arkeologu tregon se anomalitë analizohen. Deri në 50 metra analizën e bën grupi i arkeologëve nënujorë, ndërsa më thellë se 50 metra testimin e bën roboti nënujor.
Harta dhe zbulimet
"Si skanim kemi arritur deri në veri të Porto Palermos, diku afër Dhërmiut. Pjesën tjetër të projektit do ta realizojmë vitin tjetër. Gjatë këtij viti janë gjetur zona me të dhëna arkeologjike të cilat janë mjaft të rëndësishme", - tregon arkeologu. Testimet e këtij viti u përqendruan në veri të Sarandës diku në Kepin e Qefalit dhe gjetja më e suksesshme që pati ky grup pune, pati një jehonë të madhe shkencore botërore. Bëhet fjalë për një relit i cili i përket gjysmës së dytë të shekullit të IV-t pas Krishtit, pikërisht viteve 350-400. "Është një ngarkesë e plotë, kryesisht me amfora afrikane dhe materiale qeramike. Ne nuk kemi bërë ndërhyrje në sajt akoma, por kemi bërë vetëm analiza që nuk dëmtojnë relitet. Janë realizuar disa filmime dhe verifikime sipërfaqësore pa ndërhyrje të hollësishme", - tregon Anastasi. Sipas tij, përveç amforave u gjetën edhe pjesë të enëve që i përkisnin ekuipazhit. Këto të fundit përbëjnë një kompleks të bukur e të kompletuar, e po ashtu mbase më interesantin që mund të jetë zbuluar këto 10 vite në Mesdhe. Kjo u zbulua në mesin e majit. Krahas këtyre është gjetur edhe një material i shpërndarë arkeologjik, që ka qenë i hedhur ose ka rënë gjatë mbytjeve të anijeve. "Prezenca e tij në fundin e detit tregon për tipologjinë e qeramikës që qarkullonte në bregdetin shqiptar në periudha të ndryshme kohore. Nëpërmjet informacionit arkeologjik të shpërndarë në fundin e detit, ne arrijmë të krijojmë ide të qarta. Krahas materialit të shpërndarë u përqendrua puna në thellimin e studimit të hartës së sitit, të një reliti që ne e kemi evidentuar në vitin 2007", - tregon Adrian Anastasi. Sipas tij, është një relit që i përket fundit të shek. 3 dhe fillimit të shekullit të 2-të para erës sonë. Këtu është punuar me krijimin e një foto-mozaiku dhe krijimit të planimetrisë së këtij siti. Në një relit të shek. 4 para erës sonë, janë marrë dy kampionatura që i përkasin dy tjegullave me dimensione 75 me 52 cm, për të parë në mënyrë më të afërt këtë lloj ngarkese që ka pasur ky sit.
Përfitimet
Por cilat janë përfitimet reale që shteti ynë dhe organet që merren drejtpërdrejt me këtë fushë, kanë nga harta dhe të dhënat që sjell ajo? Për sa i përket relitit të lartpërmendur, Anastasi thotë se "ky është reliti i vetëm në Mesdhe që ka qenë i ngarkuar me tulla dhe këto janë gjetje që evidentojnë vendin tonë në fushën shkencore të arkeologjisë navale". "Kjo, sepse ne flasim për tipologji relitesh që mungojnë në shumë vende mesdhetare dhe në këto kushte afirmojnë edhe idenë se bregdeti ynë nuk ka ndonjë dallim nga bregdeti i Italisë apo ai i Greqisë, të cilët në atë periudhë kanë qenë superfuqitë e kohës", - thekson arkeologu. Përmes këtyre kërkimeve dhe studimeve, specialistët e fushës arrijnë të kuptojmë se cilat kanë qenë rrugët detare të bëra drejt vendit tonë. Këto nuk shihen si lundrime të thjeshta në vetvete, por si rrugë detare tregtare që konfirmojnë se cilat ishin lidhjet ekonomiko-shoqërore të bregdetit shqiptar me qendra të tjera në kohëra të ndryshme. Përmes kërkimeve mundësohet zbulimi i të dhënave të reja. Pra, çfarë përfiton shteti shqiptar nga ky projekt? "Duke e theksuar edhe njëherë se ky është një projekt kombëtar, produkti final është harta arkeologjike nënujore tredimensionale dixhitale, që do të thotë se bërja e këtij kontenitori në të cilin pozicionohemi me një saktësi të madhe, kam parasysh që luajmë me centimetra sa i takon të gjitha pasurive tona nënujore kulturore", - sqaron arkeologu. Këtu fillojmë që me shekullin e VI-të, në të cilin është evidentuar në bregdetin tonë, për të arritur deri tek anijet e Luftës së Dytë Botërore. Duke i evidentuar në hartë, në fund ne do të kemi një pasuri kulturore. Sipas Adrian Anastasit, po të pyesësh instancat shtetërore, askush nuk është në gjendje të flasë apo të shtojë më shumë gjëra se sa kemi bërë ne deri tani. Ai thotë se ky produkt ka vlera të padiskutueshme shkencore, dhe në këtë aspekt sjell gjithmonë të renë, të krahasueshmen me gjetjet e vendeve të tjera. "Ne akoma nuk kemi filluar të gërmojmë, por kur ta bëjmë, këto të dhëna që ne i kemi të përgjithshme do të detajohen. Informacioni do të jetë më i plotë, më i gjerë dhe mundësitë për ta rindërtuar historinë do jenë më të mëdha dhe të sakta. Në aspektin shkencor ne kemi tërhequr deri tani institucionet më të rëndësishme të fushës së arkeologjisë navale në botë, dhe këtu në mënyrë të drejtpërdrejtë i referohem Institutit Amerikan të Arkeologjisë Navale", - deklaron Anastasi.

2 Komente

do ishte interesante sikur te publikonin ne internet nje harte interaktive bazuar mbi google maps psh per te pasur nje ide me te qarte...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).