Si e vlerson PPU kete artikull?

Eshte zakon ne vendin tone te thuhet "  i ka shume te bardhe çarçafat, nga se i lan mire per inat te kunates".

Edhe ky artikull eshte kaq i bardhe per inat te "kunatit" ( Berishes).

 Mentor Nazarko 

Lëvizja e fundit e kryeministrit Berisha për të sjellë në Shqipëri eshtrat e mbretit Zog, duhet thënë që në krye të herës se është lëvizje që duhet përshëndetur. Galeria e personazheve historikë që mbushin sheshet tona, pra kujtesa historike për brezat në formën e monumenteve është shumë e mangët dhe kryesisht mbetet ajo e kohës së komunizmit. Në këtë kuptim, ngritja e shtatores në Burrel, pse jo dhe në kryeqytet, dhe sjellja e eshtrave për t’i lënë të prehen në mëmëdhe, duken lëvizje të drejta. Ama nisma për kthimin e eshtrave, për shkak se ishte lëvizje e papritur, për shkak të disa veçorive në sjelljen e atij që mori vendimin restaurues ndaj figurave historike si Zogu, për shkak të simbolikës që mbart ky restaurim, dhe në fund të fundit dhe pa patur në analizë ndonjë shtysë të përcaktuar, ia vlen të analizohet.
Pse Berisha e mori vendimin tani? Dikush do të thoshte se kurdo që të merrej ky vendim, skeptikët do të pyesnin. Jo, për rastin e Berishës ka vlerë pyetja. Ai ka patur momente të tjera të mira për ta marrë këtë vendim. Për shembull në pjesën e parë të mandatit të tij në përpjekje për të dëftyer distancimin e tij nga regjimi komunist, Berisha ndërmori shumë veprime të forta ndaj kastës komuniste apo veprime të tjera restauruese të të ashtuquajturave klasa të përmbysura dhe figurave intelektuale të saj. Pra, ishte në kohë për ta bërë një hap si ky. Pse nuk e bëri? Me shumë gjasa Berisha nuk e ndërmori rikthimin e eshtrave të mbretit Zog, pasi që kjo lëvizje do kontrastonte me sjelljen që ai i rezervoi pasardhësit të fronit Leka Zogut, që e përzuri nga dheu i të atit me një pretekst burokratik. Sjellje të tilla larguese, përjashtuese apo denigruese, Berisha i mbajti dhe ndaj shumë figurave të tjera të diasporës që kishin thurur boll ëndrra për t’u bërë të parët e vendit në momentin e rrëzimit të komunizmit, duke aspiruar praktikisht vendin e Berishës. Sjellja asokohe e eshtrave të mbretit do të ishte një lëvizje që do t’i shtonte kredencialet për pushtet apo restaurim të mbretërisë pretenduesit të fronit Leka I, diçka që Berisha kurrë nuk donte t’ia lejonte. Edhe vendimin për referendumin për formën e mbretërisë Berisha e mori vetëm në fund, kur e shikonte se ajo nuk mund t’i sillte asnjë pasojë negative pushtetit të vet. Madje nuk ishin krejt pa vend akuzat se njerëzit e Berishës u përzien në sulmet e armatosura ndaj KQZ-së, duke mashtruar pretendentin për fron, Leka Zog mbi rezultatin e votimeve të referendumit për formën e regjimit. Edhe qëndrimet e mëvonshme ndaj Lekës nuk ishin shumë të fisshme, po të kujtojmë sulmet e egra ndaj familjes mbretërore për shkak se LZHK-ja mund t’i krijonte probleme PD-së në zgjedhje. Vendimi për kthimin në atdhe të Mbretëreshës Geraldinë dhe familjes mbretërore ishte i qeverisjes socialiste, madje Nano, një ekzibicionist i pakorrigjueshëm kultivoi një farë miqësie me familjen mbretërore, ndërsa kërkonte dhe rivlerësim të figurës së Zogut. Pra në këtë kuptim, kjo lëvizje e Berishës duket diçka e vonuar, e paraprirë, madje nga lëvizje krejt kontrastuese me vendimin e fundit.
Kjo lëvizje duket diçka e improvizuar për të prodhuar lajme ekzotike në kohët tona dhe për një arsye tjetër. Ajo nuk është pjesë e një reflektimi më të gjerë për të nderuar figurat historike më të rëndësishme të kombit, duke i sjellë eshtrat në atdhe. Ishte reflektim thjesht për mbretin Zog, por jo dhe për të tjerët. Aq e vërtetë është kjo, sa pikërisht mbreti Lekë I propozoi që krahas të atit të ktheheshin në atdhe dhe eshtrat e figurave të tjera të rëndësishme të kombit, diçka që e nderonte pasardhësin e mbretit Ahmet Zog dhe nxirrte si spontane apo propagandistike lëvizjen e Berishës.
Por lëvizja e Berishës në këtë moment duket se ka dhe një shkak tjetër veç nevojës shtypëse të Berishës për të krijuar ngjarje çdo ditë, me të cilën duhet të merremi ne apo populli në tryezat e improvizuara të klubeve të ditës. Duket se Berisha në këtë moment nuk ndien ndonjë shqetësim për pushtetin e vet prej Lekës së I, apo dhe prej errësimit eventual të figurës së tij në histori prej asaj të Zogut. Në fakt, pa dashur të bëjmë ndonjë projektim sesi do të duken pas shumë vitesh krerët e shtetit shqiptar të tranzicionit, Berisha në mënyrë të veçantë krahasuar me Zogun, diçka mund të thuhet që sot.
 Krahasimi me pasardhësit
Ahmet Zogu është themeluesi i shtetit modern shqiptar dhe me këtë përfundim po bien dakord dhe historiografët e majtë. Në kushte shumë të vështira për ekzistencën e kombit shqiptar, Zogu me gjithë luhatjet e mëdha dëfteu një përkushtim të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit serioz të shqiptarëve. E bëri këtë nëpërmjet zgjedhjes së drejtë të njerëzve në krye të institucioneve të shtetit, figura me klas të lartë intelektual, por dhe në kuadrin ligjor që krijoi. Madje dhe në frymën e njëlloj lirie funksionimi që ai u la këtyre institucioneve. Është e vërtetë se familja mbretërore ishte e paprekshme, por përtej kësaj, gjithë zyrtarët e tjerë ishin të atakueshëm prej një sistemi gjyqësor që u ndërtua sipas modeleve më të mira dhe ligjeve më të mira. Po a është kështu sistemi shtetëror që ngre apo modelon Berisha? Krejt e kundërta. Modeli i parë i ngritur prej tij, i ndërtuar mbi baza personale dhe klanike u shemb tragjikisht bashkë me piramidat. Por ndërkohë Berisha i dytë me bashkëpunimin naiv të Ramës është duke zhbërë ato që ishin arritja kryesore e socialistëve në dy mandate: krijimi i institucioneve deri diku të pavarura si gjykatat, prokuroria, presidenca, etj. Veçanërisht në mandatin e dytë edhe për shkak të rotacioneve institucionalë shteti do të bjerë thuajse tërësisht në duart e kryeministrit dhe të shumicës së tij, duke u bërë më vulnerabël. Shteti i Zogut i bëri njëlloj rezistence madje dhe njërës prej ushtrive më të mëdha të kohës.
Zogu ishte model për t’u ndjekur dhe në shumë aspekte. Për shembull në marrëdhëniet e ekuilibruara me komunitetet fetare dhe distancën higjienike që ai mbajti prej tyre. Pra, pa privilegjuar asnjërin prej tyre, madje duke ndërmarrë dhe veprime modernizuese për shoqërinë e kohës. Brenda këtij kuadri marrëdhëniesh duhen parë p.sh. dhe marrëdhëniet me komunitetin ortodoks. Zogu refuzoi çdo ndërhyrje nga jashtë, pra prej Greqisë në emërimin e kryepeshkopit, me gjithë premtimet e mëdha që iu bënë në këmbim të këtij emërimi. Është jo aq shumë i njohur për të gjithë se Zogu refuzoi kompensimet greke për pronat e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Greqi, në këmbim të një kryepeshkopi grek. Duke u parë në këtë lloj pasqyre, krerët politikë të tranzicionit shqiptar nuk duhet të ndihen mirë nga çdo krahasim me Zogun. Berisha veçanërisht si mikpritësi i parë i Janullatosit.
Mbërritëm kështu tek një pikë tjetër e vlerës së Zogut si kryetar shteti. Marrëdhëniet me fqinjët. Është e vërtetë se Zogu u mbështet te jugosllavët për t’u rikthyer në pushtet, diçka që e kanë bërë dhe pasardhësit e tij si Hoxha veçanërisht, apo Berisha dhe Nano që u mbështetën te grekët. Zogu përflitet për shitjen e Shën Naumit, tezë dominante kjo në historiografinë tonë, por ndoshta jo aq shumë si versioni më realist, por sepse teza alternative nuk ka patur aq hapësirë apo mbrojtës cilësorë. Sipas kësaj teze alternative, Zogu vërtet dha Shën Naumin, por ama mori qoftë sipërfaqe toke në Vermosh, qoftë dhe çliroi nga atakimi, territore të rëndësishme në zonën e Starovës, të destinuara Jugosllavisë dhe që cenonin sigurinë e lidhjes Elbasan-Korçë. Në fund të fundit jugosllavët ishin aleatët më të zhgënjyer prej Zogut. Zogu vërtet mori kredi të mëdha prej Italisë, por ama dhe ndërtoi vepra që mbetën në infrastrukturën institucionale dhe rrugore të Shqipërisë, bonifikime etj., diçka që pasuesit e tij duan t’i kenë, por nuk arrijnë të kenë gjithnjë sukses. E vërtetë është se Zogu nënshkroi traktate bashkëpunimi ushtarak me Italinë në funksion antijugosllav dhe antigrek, që dukeshin robërues në dritën e zhvillimeve të mëvonshme të Luftës së Dytë Botërore, por askush nuk mund të parashikonte kursin e ngjarjeve të kësaj Lufte. Për më shumë ikja e Zogut të vendosur para një ultimatumi italian, nuk dëften atë se Zogu ishte shërbyes i italianëve, përkundrazi. Mosqëndrimi i tij në krye të rezistencës antifashiste është vërtet një dobësi e Zogut, dobësi që e treguan dhe oborre të tjerë mbretërorë europianë, por Zogu në Londër, njerëzit e tij në terren, siç dëftejnë historianët realistë Fisher dhe Neuwirth, punuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe çlirimin e saj. Zogu madje bashkëpunoi për këtë pavarësi me armiqtë e tij politikë, apo dhe mbajti qëndrim korrekt ndaj regjimit komunist në vitet ‘50, ndërsa kundërshtoi planet greke ndaj Shqipërisë. Zogu mbajti gjithnjë të hapur problemet e pakicave shqiptare në Jugosllavi dhe Greqi, veçanërisht madje dhe në arenën ndërkombëtare, me njëlloj suksesi. Zogu frenoi ambiciet e fqinjëve në jugun e vendit, me gjithë koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare marrë në tërësi, pra politika e jashtme e Zogut ishte e ekuilibruar në raport me fqinjët, por a mund të thuhet kjo për pasardhësit e tij? Mjaft të kujtojmë marrëveshjen e fundit për ujërat, për të kuptuar sesa larg Zogut janë pasardhësit e tij në rolin e kryeministrit.
Ardhja e eshtrave të Zogut vë në vend një padrejtësi historike ndaj një figure komplekse. Pavarësisht se kush e hodhi hapin dhe përse.

Ky artikull eshte marre nga gazeta Panorama.

3 Komente

Pergezime per postimin e ketij artikulli,kujdes nga PPU se nuk i pelqejne artikuj te tille.

Ai ka patur momente të tjera të mira për ta marrë këtë vendim. Për shembull në pjesën e parë të mandatit të tij në përpjekje për të dëftyer distancimin e tij nga regjimi komunist, Berisha ndërmori shumë veprime të forta ndaj kastës komuniste apo veprime të tjera restauruese të të ashtuquajturave klasa të përmbysura dhe figurave intelektuale të saj.

Duke lexuar dhe vazhdimin e ketij paragrafi, me "pjesen e pare te mandatit te tij" Nazarko nenkupton kohen qe Berisha ishte President, jo katervjecarin 2005-2009 te qeverisjes te demokrateve.

Por lëvizja e Berishës në këtë moment duket se ka dhe një shkak tjetër veç nevojës shtypëse të Berishës për të krijuar ngjarje çdo ditë, me të cilën duhet të merremi ne apo populli në tryezat e improvizuara të klubeve të ditës.

Ndersa ketu duket sikur i referohet 4-vjecarit qe sapo kaluam. Nese ndjekim te njejtin deduksion (fjala shqipe?) llogjik, mund te themi se thjesht ne ditet e tjera ishte e veshtire te krijonte dy ngjarje ne nje dite.

Deri ketu artikulli eshte kot.

Interesante eshte pershkrimi i periudhes se Zogut nga pikepamja e autorit, qe duket legalist. Le te them qe ketu qe nuk kam asnje emocion negativ per sjelljen e eshtrave te Zogut ne Shqiperi. Biles shume mire qe po sillen si bashkekombas shqiptar qe eshte. Meqe lumidrin e solli ketu, (por nuk e mora vesh qendrimin e tij), po e kundershtoj pak pikepamjen e autorit me sa e kam kuptuar une ate historine qe nuk na eshte shkruar akoma:

Autori ia atribuon (perveteson?) krijimin e institucioneve Zogut. E permend qe kishte nje marreveshje me Italianet, por autori eshte i kujdesshem te thote qe marreveshja ishte vetem ushtarake. Ne fakt edhe sikur te lexosh nje liber te thjeshte kujtimesh (psh, Vedat Kokona me erdhi nder mend), te krijohet pershtypja qe juridikisht Shqiperia konsiderohej si province e Italise. Atehere, institucionet moderne qe permend autori jane te italianeve dhe Zogu ishte nje nenpunes (jo i thjeshte kuptohet). De-facto Shqiperia ishte me vete dhe Zogu shpresonte qe ajo qe ndodhi nuk do te ndodhte. Kur Italia erdhi me ushtri, Zogu e braktisi vendin. Pra, keto arritje institucionale te medha te Zogut, jane ne fakt te Italise (autori thote "Zogu vërtet mori kredi të mëdha prej Italisë&quotsmiley dhe Zogu manipuloi njerezit dhe veten e tij, duke krijuar pershtypjen se ai ishte mbreti qe i bente te gjitha.

Thjesht mendoj se ka shume gjera per tu diskutuar per ate periudhe dhe nuk duhet te pertypen keshtu lehte si "per inat te Berishes".

Une jam dakort me te gjitha c'thuhet per Zogun. Ka bere gjera fort te mira qe do eklipsonin edhe gabimet. Dhe per gabime kam ndermend faktin qe mund te kishte qene me mire per shqiperine nese do e kishte mbajtur Nolin ne krye te opozites dhe do kishte lejuar nje rotacion politik. Po edhe kjo justifikohet po ta lidhesh me kohen (rotacioni mezi po behet dhe sot nder shqiptare e jo atehere) Po nje gje nuk mund ti justifikoj atij. E kam te pamundur. Dhe kjo sepse ne shqiptaret pak gjera kemi te shenjta. Nje flamur e nje hym. Dhe ne ate hymn eshte shkruajtur:

Prej lufte vec ai largohet

qe eshte lindur tradhetar

Kush eshte burre nuk friksohet

po vdes si nje deshmor

Dhe ky besoj eshte fakti qe do e denoj Zogun nder shqiptare. Se eshte dicka llogjike qe s'mund ti fshihet arsyes. Femijet ne fillim do mesojne himnin dhe pastaj do mesojne zogun dhe, edhe nese do ua shpjegonim ne terma pozitive kete figure, vete atyre do u binte ne sy kontradikta. Nuk mund tu japesh nje vlere pozitive si ajo burrerise qe duhet te mos frikesohet nga lufta po te jepet i teri etj etj dhe ne te njejten kohe tu japesh edhe zogun. Do e eleminojne vete ne menyre te natyrshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).