Sa i mbani mend perrallat e gjyshes, gjyshit...?

Sillni ketu perrallat e gjyshes, gjyshit ato me qeroza smiley

NJËQIND GËNJESHTRA PA NJË TË VËRTETË
(Përrallë shqiptare)

Na ishte seç na ishte. Ishte një herë një baba me tre fëmijë që s’kishte gjë tjetër veç shpirtit dhe një kasolle të shkatërruar, një kalë, një shalë dhe një fre. Kur i erdhi çasti i vdekjes, thirri të tre bijtë e u tha:
-Unë jam duke vdekur dhe gjë e mall s’po u lë; por jetoni me nder, mos e lëshoni njëri tjetrin dhe, si mbas moshës që keni, kalin ta marrë më i madhi, i dyti të marrë shalën e i treti frerin.
Plaku dha shpirt. Mbas pak kohe vëllai i madh u tha:
-Po dal me kalin që më ra në pjesë të fitoj, mbase ia gjej edhe shalën edhe frerin.
Del dhe piqet me një tregtar të madh:
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç! Ç’e mirë të solli nga këto anë? – e pyeti tregtari.
-Doja t’i gjeja kalit shalë dhe frerë – përgjigjet ai.
-Ti jap unë – i thotë tregtari – shalë e fre, në qoftë se di të më rrëfesh njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë; përndryshe kali që ke bëhet imi.
-Mirë, e thënë e bërë – thotë vëllai i madh.
Fillon të rrëfejë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të rrëfente më shumë se tridhjetë dhe kështu që e humbi kalin.
Mbas pak kohe i shkon mendja vëllait të dytë të dalë me shalën për të fituar, që t’i gjejë kalin dhe frerin. Takon tregtarin me të cilin ishte ndeshur i vëllai.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam ardhë - i thotë vëllai i dytë - të fitoj; ndoshta i blej edhe kalin edhe frerin.
-Kalin dhe frerin t’i jap unë – ia kthen tregtari – në qoftë se je i zoti të më tregosh njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; përndryshe shala bëhet imja.
-Mirë – i thotë vëllai i dytë.
Fillon të tregojë njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë; por s’mundi të tregonte më shumë se pesëdhjetë dhe kështu që e humbi shalën dhe u kthye në shtëpi duarthatë.
Vëllai më i vogël ishte qeros, por shumë i zoti. Një ditë prej ditësh merr frerin dhe del për të fituar për të gjetur kalë e shalë.
Piqet në rrugë me tregtarin e madh, që ua kishte punuar të vëllezërve.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Kam dëgjuar – i thotë qerosi – se ti fiton me gënjeshtra dhe ti më merr frerin, unë të marr kalë e shalë.
-S’ka më mirë – ia kthen tregtari – por nisja, në qe se më nxjerr njëqind të gënjeshtërta pa një të vërtetë.
“U çova një ditë, filloi qerosi, e s’ish ditë, kishte bletë e s’kishte, i numërova e s’i numërova, i numërova e s’i numërova e s’mund t’i numëroja; hyra dhe numërova mizat e bletës e më doli një më pak. U mërzita edhe më fort pse kishte humbë një mizë blete, e mora një gjëlpërë dhe një bërthamë e shkova në breg të detit. Kur mbërrita në breg të detit, kqyra mos e shihja kund mizën e nuk e pashë; ngula atëherë gjilpërën në tokë e hypa majë gjilpërës e pashë përtej detit të zi një bujk që po e lëronte tokën me një buall e me një mizë blete. E njoha se ishte miza ime; por s’kisha si ta kaloja detin. Mbolla atëherë farën e kungullit e u ula e fjeta.
Sa fjeta unë, fara kishte mbirë e kishte lëshuar një degëzë të hollë e të gjatë mbi shpinën e detit deri në bregun përtej. U çova prej gjumit e nëpër degëz kalova detin e shkova te ai që po punonte tokën.
-Puna e mbarë!
-Mbarë e paç!
-Po si ma ke marrë mizën e bletës e punon me të? – i thashë. Be e rrufe ai, se “s’ta kam marrë, por ka ardhë vetë”.
-Mirë, - i thashë – nuk po prishemi për kaq gjë; por më laj dëmin që më ke bërë!
-Po ta laj, - m’u përgjigj –por prit sa të mbjell farën e të piqet kjo që mbolla, e ta korr, ta shij e ta hedh ndër thasë.
Sa e mbolli edhe atë që i pat mbetur, mbiu ç’ka hodhi, u rrit, u poq, e korri, e shiu e m’i mbushi thasët.
-Ja, -tha, -grurin për dëmin dhe miza jote.
Ngarkova grurin në të dy anët e mizës, hypa në mes të barrëve, u fala me bujkun e u nisa të kthehem. Kur mbërrita në mes të detit pashë se po rëndonte njëra anë e barrës, u ula në det, e numërova grurin kokërr për kokërr e më del një më tepër. Mora spatën e e çava më dysh, i bëra barrët baraz e u nisa për shtëpi. Kur hyra në oborr, mora vesh se më kishte lindur babai. Lumi kush po shkon, e lum kë po gjej. U gëzova fort e mendova t’i bëja djepin babait. Mora dyqind spatarë e i vura të presin në një pyll: por s’dolën dërrasat për djepin; mora një ashkël, që kishte mbetur në teh të spatës e doli e tepëroi edhe për një stol të vogël. Duhej të punoheshin edhe shpërgëjt. Thirra dyqind qethtarë e i vura të qethnin dymijë dhën, por s’doli leshi. Kishte mbetë një qime e vetme në teh të gërshërëve e me të mbarova shpërgëjt edhe një brez.
Një ditë më erdhi mendimi të dal për gjah. Kishim tri pushkë: dy të thyera e një pa çark, e tre zagarë: dy të ngordhur e një pa shpirt. Mora pushkën e paçark e zagarin e pashpirt e kërkova në mal e ndesha në tre lepuj: dy të ngordhur e një pa kurrëfarë jete. Me të parën herë që shtiva, vrava lepurin e pajetë e e vura në krahë. Duke ecë rrugës gjeta tri shtëpi: dy të rrënuara e njëra kishte rënë brënda; hyra në atë që kishte rënë brënda e gjeta tri plaka: dy qorre e një pa sy. Pyeta plakën e pasy nëse shihte kund ndonjë enë e ajo më dëftoi tre enë: dy të thyera e një pa bythë. Mora enën pa bythë e zjeva lepurin e pajetë; mishi më rrodhi, lëngun ma mbajti e hëngra vetë e hëngrën tri plakat.............................
-Mjaft, mjaft! –tha tregtari, -se i ke kaluar njëqind gënjeshtra pa një të vërtetë. Ja kalin, shalën, shtëpinë time e mallin tim e i gëzofsh me gjithë vëllezër.
Vajti qerosi, mori edhe dy vëllezërit e jetoi si më i miri zotëri.
Përralla në Lesh, shëndeti prej nesh.

Përshtatur nga Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shkurt 2005)

6 Komente

MBRETI MATIA DHE FSHATARI PLAK

(përrallë hungareze)

Një herë mbreti Matia, ndërsa kishte dalë për të parë se si rronte populli i tij i varfër, takoi një fshatar plak. Mbreti kishte me vete tërë oborrin: të gjithë zotërinj të fuqishëm. Mbreti përshëndeti plakun:
-Nderim për ty, o plak!
-Nderim gruas sime.
-Sa lek fiton?
-Gjashtë lek, madhëri.
-Sa vetë jeni?
-Dy.
-Ç’i bën katër të tjerët ?
-I hedh poshtë.
Mbreti vazhdon ta pyesë :
-Dhe kur të bëhen tridhjetë e dy?
-Tashmë janë vetëm dymbëdhjetë.
-Dhe cjapi mundet të përtypë?
-Patjetër, madhëri.
-Mirë, plak,- tha mbreti,- zoti të bekoftë. -Kuptimin e bisedës sonë nuk duhet t’ia tregosh askujt, përder sa të mos shohësh përsëri fytyrën time.
Dhe duke vazhduar të ecë u kthye drejt shpurës që e shoqëronte :
-Atëherë zotërinj, cili është në gjendje të më shpjegojë ç’bisedova me plakun, do t’i fal një tokë të madhe.
Zotërinjtë donin të zbulonin kuptimin, por të gjithë që provuan nuk mundën dot. Kështu që u kthyen te plaku dhe filluan ta pyesnin. Por ai u tha :
-A nuk dëgjuat që mbreti tha se nuk mund të them asgjë, deri sa të mos e shoh prapë?
Por ata këmbëngulën dhe, për ta bindur, i premtuan se do ta shpërblenin mirë.
-Mirë, -tha plaku,- më jepni dhjetë monedha të arta.
-Atëherë përse i the mbretit “nderim gruas sime?”.
-Sepse gruaja më lan teshat dhe teshat e lara tregojnë nderim.
-Vërtetë, -thanë zotërinjtë, -po përse i hedh poshtë lekët?
-Do t’jua them për dhjetë monedha ari.
Pasi i dhanë lekët, u përgjigj:- Sepse me dy rroj unë, katër ia jap tim biri, njësoj sikur t’i hedh poshtë.
-Dhe tridhjetë e dy, si ka mundësi të bëjnë dymbëdhjetë?
-Ua them për dhjetë monedha ari.
I dhanë dhjetë monedha të tjera.
-Sepse kur isha i ri kisha tridhjetë e dy dhëmbë, kurse tani vetëm dymbëdhjetë.
-Pa shiko, as që e kishim menduar,- thanë zotërinjtë.- Po atëherë, cjapi si ia bën që përtypet?
-Ua them për dhjetë monedha ari.
Pasi i mori edhe ato, tha:
-Në këtë mënyrë si po përtyp paratë tuaja.
U turpëruan zotërinjtë dhe të zemëruar i thanë plakut :
-Prit kur t’i themi mbretit që na i tregove të gjitha, pa e parë prapë atë!
-Si nuk e kam parë prapë? Ja ku është, në të gjitha këto monedha ari është fytyra e tij. Ai pikërisht për këtë nguli këmbë, të mos jua tregoja, deri sa të më paguanit mirë.
Atëherë zotërinjtë nuk dinin ç’të thoshnin më, e lanë plakun dhe shkuan të arrinin mbretin.

Përktheu nga italishtja Hiqmet Meçaj

na kenaqe me kete kenge edhe ne you tube ti e paske hedhur smiley

Fshatari,gomari,dhe qeni.

Na ishte se c`na ishte,nje fshatar me gomarin dhe qenin e tij vajten ne qytet,mbasi beri te gjithe pazarin dhe ngarkoi gomarin me ushqime,fshatari u nis per ne shtepi.Ece,e ec,i zuri naaaataaa!Pastaj fshatari gjeti nje vend per te kaluar naten,hengri buke per vete e la gomarin te kullose aty prane,dhe e zuri gjumi,pa u kujdesur per qenin qe ti jepte ushqim.Qeni kishte uri dhe i thote gomarit:

-O gomar, ule pak samarin te ha dicka se imzot harroi!

-Jo,jo,tha gomari,se cohet imzot dhe me reh,kur te cohet ai,atehere edhe une do ta ule samarin!

-Aman o gomar mendo per mua,lere imzot te flere dhe me ndihmo pak,ule pak samarin!U lut qeni,sa u lodh,por gomari ne te veten,jo se jo,nuk e ndronte mendjen.

Pas pak u duk nje ujk i madh, mbrapa nje peme, shume  prane gomarit,gomari u tremb, dhe filluan ti dridhen leqet e kembeve, thiri qenin per ndihme:

-Aman o qen,me ndihmo,ka ardh ukju i madh te me haj te gjithin,me ndihmo te lutem o qen,uluriti gomari!Qeni e ndigjoi ulurimen e gomarit dhe iu pergjigj:

-Jo,jo o gomar kur te ngrihet imzot,atehere do te ndihmoj,jo se jo qeni nuk ndronte mendjen.Ujku atehere iu hodh gomarit dhe e shqeu te gjithin,e beri copa-copa.

Erdhi mengjezi fshatari u zgjua nga gjumi i rende,por c`te shoh,gomari ishte i shtrire ne toke,e kishte ngrene ujku,fshatari u merzit shume dhe vuri duart ne koke,pastaj mori nje dru dhe ju tur qenit per ta goditur dhe per ta vrare.Qeni pastaj i thiri fshatarit:

-Hej hej dale pak,mos godit se skam faj,ti nuk u kujdese per mua,dhe gomarit iu luta te me ndihmonte dhe nuk me ndihmoi.Por fshatari e goditi qenin dhe qeni ngordhi.

Morali:Ne rrezik dhe ne nevoje shoku shokun ta ndihmoj,sepse pastaj i humb te gjitha si fshatari.

Kjo ishte peralla e gjyshit,per sonte.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).