Ju tregoj Sali Berishën në rini

Ëngjëll Gusho: Ju tregoj Sali Berishën në rini

VALENTINA MADANI

Valixhet prej druri i bënë gati dhe i mbyllën me çelës në të njëjtën kohë. Rrugët e veçanta të dy djemve bashkoheshin në Tiranë. U nisën drejt kryeqytetit me sytë e përlotur nga përqafimi i prindërve. Me vete morën porositë e tyre për jetën. Ishin vetëm 14-vjeçar. Njëri vinte nga Korça. Tjetri nga Tropoja. Engjëlli dhe Saliu, dy fëmijë që rastësia i bashkoi në pak metra katrorë. Për 9 vite me radhë, në një dhomë konvikti. Për Ëngjëll Gushon, ky rrëfim është i rrallë. Ekskluzivisht për “standard” doktori nga Korça që nuk e ndërron vendlindjen me metropolin shqiptar, tregon kujtimet e 51 viteve më parë. Është pasardhës i Lasgush Poradecit, të cilin emocionet e mbërthejnë edhe sot në moshën 65-vjeçare. Një udhëtim prej “mijëra miljesh” që fillon me një hap të vetëm... Marrëdhëniet me librat, femrat dhe shokët gjatë shkollës së mesme dhe fakultetit të Kryeministrit të Shqipërisë. Miku i vjetër me bindje të majta, tregon kujtimet pas 51 viteve. Ëngjëll Gusho thotë: “Rrugët tonë u ndanë në ‘90-ën, por më ka ndihmuar kur kisha nevojë”. Rastësia i takoi në Politeknikumin e kryeqytetit dhe më pas edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Zotësia e tyre për të jetuar mes kujtimeve të përbashkëta. Çasti i fillimit për Ëngjëllin dhe Saliun është hapja e çelësit të valixheve të jetës. Ajo nisi e mundimshme që në vitin e parë të shkollës së mesme. Një punë vullnetare, por e detyrueshme, ku kazma dhe lopata rrinin më të gjata se trupat e tyre, teksa mbushnin me dhe digën e liqenit të Tiranës. Dhe më pas, ditët të cilat u jepnin mundësinë t’i mësonin njëri-tjetrit pasionet, dëshirat, veset, të mirat dhe tekat e moshës së fëmijërisë. Ëngjëll Gusho, tashmë I mbuluar nga thinjat, ka të freskëta momentet me njeriun që ende nuk ishte bërë më i pushtetshmi i Shqipërisë. Ëngjëlli ia ka njohur zakonin e të studiuarit që në orën 4 të mëngjesit, fëmijë fare i vogël dhe orët e vona, kur nga dhoma e studimit vinte i fundit dhe fikte dritën kur 7 shokët e tjerë kishin bërë gjumin e parë. Ëngjëlli ia njeh kufizimin ndaj argëtimit, lojërat sportive në kohën e lirë, apo shmangien e Berishës ndaj sherreve me çdo lloj mënyre. Për herë të parë, doktori flet për rastet kur studenti nuk hezitonte të kundërshtonte profesorët, teksa shpjegonin sepse studimi me orë të gjata e bindte për të kundërtën. Kjo e kishte bërë atë një student, më të mirë se profesorin. Shoku i shkollës së 9 viteve, tregon për Berishën xhentil dhe indiferent ndaj femrave, që nuk i dinin asnjë të dashur, lidhja serioze me studenten Liri Rama, pikat e tij të dobëta, momentin kur djali nga Tropoja veshi i pari në fakultet kostumin e zi mbi trupin e gjatë dhe si mendonte vetëm të blinte libra për të cilat thoshte se përherë u gjendet një vend. Në gjykimin e Ëngjëllit, Berisha ishte një djalë korrekt, tepër studioz, që premtonte për të ardhme, plot vese dhe virtyte që e bënin të veçantë nga bashkëmoshatarët e tjerë. Studimi me “lepurin” në laboratorët e fakultetit dhe keqardhja se gjallesa e vogël ishte preja e shkencës. Që atëherë kanë kaluar shumë vite dhe takimet mes Berishës dhe Ëngjëllit u bënë gjithnjë e më të rralla, sepse udhët e tyre tashmë ishin ndarë. Politika kishte pjesën e saj. Megjithatë për Ëngjëll Gushon, Sali Berisha mbetet një shokë i rrallë i cili mundi t’i gjendet pranë në një çast tragjik për jetën e mbesës, sepse në fund të fundit, ata kishin studiuar për vite me radhë bashkë në të njëjtën klasë dhe më pas në të njëjtin auditor, humanizmin.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Gusho, kur vendosa të bashkëbisedoja me ju, mendova se adresën tuaj do ta gjeja në Tiranë, por ju gjej në një shtëpi private në qendër të Korçës dhe larg metropolit shqiptar. Një doktor në moshën 65-vjeçare që s’e imagjinoj dhe aq ditën e tij...

Ndihem mirë në qytetin tim, ndaj nuk e kam braktisur. Këtu kam jetën time, ditët e mia të 65 viteve. Kam shoqërinë time, familjen time. Ngrihem herët në mëngjes si zakonisht, për 42 vjet me radhë, paraqitem në punë në orar ekzakt (megjithëse me orar të reduktuar) dhe pasditja është në dispozicionin tim dhe krejtësisht të familjes. Pjesën më të madhe të kësaj kohe ma zë interneti (jemi apo jo në këtë moshë?). Kam kohë edhe për shëtitje, lexime librash, qoftë edhe jo mjekësore, si dhe t’u përgjigjem të gjithë atyre që kanë nevojë për mua (kuptohet - ndihmë mjekësore).

Për doktorët thuhet se janë njerëz të pasur. I tillë jeni edhe ju?

Sigurisht, kur bëhet fjalë për anën shpirtërore. Kam dy vajza (dhe kush ka vajza, ka botën), nënën e dy vajzave si dhe kohët e fundit një mbesë të vogël. Pra, plot e më plot. Nga ana materiale atë që kam e kam trashëgimi nga nëna dhe babai, kanë qenë të dy arsimtarë në qytetin e Korçës, me pak prona në Korçë e Pogradec.

Ishin dëshira juaj studimet për mjekësi?

Ne moshën 14-vjeçare, kur sapo mbaroja klasën e shtatë për të marrë dëftesën e lirimit, pra viti 1958, mësuesja kujdestare e klasës, Meropi Face, na tha që kush ka dëshirë të shkojë për studime në Tiranë në një shkollë profesionale, midis të tjerash edhe për mjekësi për ndihmësmjek, të bëjë një lutje e ta depozitojë pranë drejtorisë së shkollës. Sot nuk mund të them dot se sa dëshirë kisha atëherë për mjekësinë që as nuk e njihja, pra një dëshirë adoleshenti për t’u larguar nga shtëpia e prindërve dhe për të provuar veten sa i zoti isha. Nga prindërit nuk pata kundërshtime, megjithëse do të ishin në vështirësi ekonomike mbasi nuk më akordohej bursa, duke qenë se dy vëllezërit e mi ishin studentë, njëri jashtë shtetit në Bullgari, tjetri në Tiranë. Motra e nënës (tezja ime) i thoshte asaj të më bënte doktor e ta shëroja kur të sëmurej, por ajo nuk ia arriti kësaj dite, pasi vdiq para se unë të mbaroja studimet. Vetë ajo nuk kishte fëmijë.

Shoqëria është si ajri, e nevojshme për frymëmarrjen, por e pamjaftueshme për jetën. Por në rast se për disa është si një “shuplakë” në fytyrë, si ishte ajo për Engjëllin fëmijë ku rastësia i solli të kishte 9 vjet në një dhomë konvikti, njeriun që sot është Kryeministër i Shqipërisë, Sali Berishën? Cili ishte çast-fillimi i shoqërisë suaj?

Janë kujtime të 51 viteve më parë, që edhe sot kur flasim bashkë, më ngjallin emocione. Koha ka bërë të vetën, disa i ka zbehur, disa i ka fshirë nga kujtesa, por shumë të tjera ruhen në mendjen time. Në vitin 1958 Politeknikumi Mjekësor ishte në ndërtesën ku sot është Medreseja, bile edhe atëherë tiranasit ashtu e quanin (kanë disi të drejtë ata që në ndonjë rast kanë thënë për Sali Berishën se ka mbaruar shkollën e Medreses&eumlsmiley. Në konvikt, një ndërtesë 1-katëshe përbri shkollës, jam paraqitur me vëllanë, student në Gjuhët e Huaja me një valixhe prej druri të mbyllur me çelës, kështu i kishim të gjithë atëherë. Na dhanë çarçafë, batanije, bile edhe dyshek. Na treguan një dhomë të madhe ku kishte 12 deri 14 krevate dërrase, 2-katëshe tip marinari. Zumë një krevat dhe shtruam ndërresat, me valixhen tek koka e krevatit. Në njërin prej tyre ishte dhe Saliu që rastësisht ose detyrimisht ka qenë në këtë dhomë konvikti. Sa për takimin e parë me të dhe se si jemi njohur, mund të them nuk e di tamam! Si mund të them që mbaj mend si mësova të ec, si mund të mbaj mend takimin e parë me vëllezërit, pra thjesht e mbaj mend që kemi qenë në një dhomë konvikti e në një klasë shkolle me shumë bashkëkonviktorë e me shumë bashkënxënës. Njohja ka qenë diçka e zakonshme, e pranueshme, pa një çast fillimi. Më vonë, me kalimin e ditëve dhe të muajve, më pas kemi venë re dallimin midis njëri-tjetrit në gjuhë e zakone, nga veriu apo nga jugu, gegë apo toskë dhe çka na bashkonte apo çka na ndante. Ajo që na bashkonte, pra me sa duket ishte më me rëndësi, prandaj dhe u bëmë shokë, dhe ajo që na ndante nuk merrej në konsiderate nga ne.

Çfarë ju bëri përshtypje kur e patë fillimisht?

Tani që rri e mendohem për këtë pyetje, më kujtohen tri gjëra të vogla. E para, nxënësve që vinin me bursë nga veriu (Tropoja apo Kukësi), konvikti u jepte një xhaketë e pantallona si dhe një pallto prej shajaku me ngjyrë blu. Nuk e mbaj mend, mori apo jo Saliu, por për t’i veshur nuk i ka veshur se do ta mbaja mend. Përshtypja e dytë. Në vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme profesori i nderuar i gjuhës dhe i letërsisë, Peter Elezi, kur korrigjonte hartimet tona, i bënte atij dy vërejtje, për shkrimin dhe keqpërdorimin e gërmës “e”. “Për të tjerat, ishte i mirë në imagjinatë”, - thoshte ai.

Përshtypja e tretë. Ishte nga të pakët nxënës që pinte duhan fshehurazi se po ta zinin, e përjashtonin

Çfarë e bënte të dallueshëm Sali Berishën mes nxënësve të tjerë?

Ishte i përkushtuar më shumë se të tjerët në studim (studim i detyruar në klasa nga ora 16-19). Gjatë kohës së lirë nuk parapëlqente shumë lojërat sportive, si futbollin apo basketbollin, për të mos thënë që nuk i preferonte fare. Kishte disi vështirësi në fizkulturë, sidomos me ecjen në rresht me hap rreshtor. Në vitin 1959 u bë spartakiada e parë kombëtare, shumë shpesh pasditeve na çonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para hotel “Dajtit” për të bërë provat e manifestimit. Kush i ka provuar këto, i mban mend se ç’kemi hequr. Për kushtet në konvikt, nuk kishim ngrohje, mungonte edhe uji për t’u larë në mëngjes, nxënësit konviktorë shpërndaheshin nëpër rrugët e lagjes për të gjetur ndonjë çezmë buzë rrugës, për të larë fytyrën dhe duke shtyrë njëri-tjetrin nxitonin për të ngrënë mëngjesin në mensën e konviktit për të filluar mësimin në orën 8 dhe sigurisht kështu bënte edhe Sali Berisha.

Si e bënit jetën konviktore, e kishit të vështirë përshtatjen me të? Me sa di unë, kishit rregulla të forta dhe pak liridalje…I kapërcenit shpesh muret e konviktit për më shumë liri?

Në jetën konviktore kishte vetëm dy ditë liridalje në qytet, të shtunën dhe të dielën pasdite. Në moshën që ishim atëherë, s’ishte e vështirë që të kapërceje muret e avllisë së konviktit për të dalë pa leje në qytet. Portën e ruante xha Saliu, rojtari plak që nuk bënte lëshime për asnjë, sidomos për vajzat.

E theu ndonjëherë këtë rregull Saliu nxënës? Bëri ndonjë marifet për ta kaluar avllinë?

Nxënësi Sali nuk e bëri asnjëherë këtë marifet që të largohej pa leje apo të laheshim në lumin e Tiranës dhe më vonë në Liqenin Artificial, ku kishim marrë pjesë në ndërtimin e digës së tij.

Po më çudisni, ju fëmijët keni ndërtuar digën e Tiranës? Kur ka ndodhur kjo konkretisht?

Po, po. Kështu ka ndodhur. Në vitin 1958, vitin që filluam vitin e parë të shkollës së mesme, filloi të ndërtohej diga e Tiranës. Ne si nxënës ishim të detyruar të bënim punë vullnetare. Kujdestari i konviktit që në orën 5 të mëngjesit, çdo ditë na zgjonte nga gjumi, na jepnin nga një paçe koke dhe me kazmë e lopatë në krah niseshim pa gdhirë që nga Medreseja në këmbë deri tek Liqeni i Tiranës. Atje merrnim dhera dhe e mbushnin.

Por ju ishit fëmijë, si mund ta bënit një gjë të tillë? Ishte e mundimshme?

Sigurisht, ishte shumë e lodhshme, nisur nga fakti se ne ishim fare të njomë. Sapo kishim mbushur 14 vjeç dhe po të na shikoje atëherë rrugës përgjatë bulevardit në këmbë, kazma dhe lopata ishin më të gjata se trupat tanë. Por s’mund të kundërshtoje, sepse ishte punë vullnetare e detyrueshme. Dhe sapo mbaronim orët e punës, ktheheshim në shkollë dhe nga shkolla niseshim sërish këmbë për tek Liqeni.

Sa zgjati kjo punë?

Derisa u mbush diga e Liqenit. Bashkë me ne ishin edhe shkollat e tjera të Tiranës. Ishte një detyrim që nuk e shmangnim dot. Kështu që bashkë me Saliun dhe shokët e tjerë të dhomës mbushnim me dhera digën e Tiranës.

Si reagonte Berisha gjatë atyre ditëve?

Nuk bënte fjalë. Ishte goxha punëtor. Edhe si fizik ishte më i gjatë se ne. Punonte pa fjalë.

Po raportet me mësuesit si i kishte?

Mësimet na i zhvillonin pedagogë-mjekë të nderuar që kishin mbaruar studimet kryesisht jashtë shtetit, na shpjegonin me pasion dhe na vlerësonin për atë çka kishim mësuar. Sigurisht që Saliun e kishin marrë me sy të mirë, pasi mësonte shumë.

Shpesh Berisha ka thënë se e kishte pasion letërsinë...

Në shkollën e mesme, përveç mësimeve, që për sa di unë, nuk ishte e vështirë t’i mësonte ato për të qenë nxënës i dalluar, kishim kohë për t’u marrë me letërsi. Saliu kishte dëshirë të lexonte dhe shpesh shkonte vetëm në bibliotekë dhe ulej dhe lexonte me orë të tëra. Kjo preferencë për letërsinë me sa duket na afroi ne 7-8 shokë të klasës së shkollës së mesme të vazhdonim shoqërinë edhe në Fakultetin e Mjekësisë.

Sa i ndjeshëm ishte ndaj muzikës?

Një shoku ynë, Thoma Ketri, meqë dinte t’i binte fizarmonikës, u caktua përgjegjës i bibliotekës së shkollës. Nuk kishte shumë libra dhe romane të ndryshme dhe si qendër kulture që ishte në tingujt e fizarmonikës mësuam të kërcenim. Sali nuk është se ishte ndonjë merakli i madh i kërcimit. Për sa i përket leximit të librave, Saliu gjeti ambientin e përshtatshëm, por për sa i përket vallëzimit, as që e mori mundimin ta mësonte. Në Tiranë zhvilloheshin aktivitete kulturore në Teatrin Kombëtar apo në Teatrin e Operas dhe Baletit si dhe kinematë në të cilat nuk linim shfaqje pa parë duke siguruar me vështirësi biletat.

Keni bërë ndonjëherë sherr me të? Ishte natyrë sherrxhiu?

Si në shkollën e mesme, ashtu edhe në fakultet, marrëdhëniet midis studentëve të tjerë dhe Saliut ishin krejtësisht korrekte, dinte të shmangte sherrin fare bukur, nuk shante. E vetmja fjalë e keqe që mund të thoshte në raste të tilla, ishte bestia, bestia (kafsh&eumlsmiley dhe largohej. Kjo ishte e vetmja fjalë fyese që Saliu përdorte. Edhe atëherë kur tentonte ta ngacmonte ndonjëri, ai i shmangej me çdo kusht sherrit dhe ikte. Aq më tepër, Saliu nuk ngacmonte kurrë i pari. Madje, shmangej me çdo mënyrë.

Në një nga fotot që më treguat, shoh që jeni me kokë të qethur zero, si ushtar…

Edhe qethja e kokës ishte një detyrim në konvikt. Na qethnim për të mbajtur pastërtinë e kokës, pasi në konvikt vuanim për ujë.

Cila ishte koha mes shkollës së mesme të Politeknikumit dhe Fakultetit të Mjekësisë?

Mbaruam shkollën e mesme dhe nuk bëmë dot mbrëmjen e maturës. Na mbeti peng dhe siç ishim ne shokët e dhomës, organizuam një mbrëmje bashkërisht. U kënaqëm. Ne ishim tetë shokë dhome dhe pjesa më e madhe synonim studimet e larta. Por, para se të merrnim vesh nëse do të uleshim apo jo në auditorët e Universitetit, na dërguan 3 muaj praktikë nëpër rrethe. Mua më kthyen në Korçë, kurse Saliun, me sa mbaj mend, e çuan në Shkodër. Pas 3 muajve praktikë, dilnim ndihmësmjekë dhe kishim të drejtë vizite dhe lëshim recete, gjë që sot i ka vetëm një mjekë i shkollës së lartë. Pas praktikës, u kthyem në Tiranë, tashmë me të drejtë studimi dhe në fakultet.

Dhe tashmë vjen koha e fakultetit. Besoj është koha kur të gjithë donit të bëheshit mjekë, apo jo?

Sigurisht, ne kishim synimin tonë të përbashkët, të vazhdonim studimet e larta. Fillimisht, gjetëm një dhomë të përbashkët në konviktin e sapondërtuar, pra tetë veta në një dhomë, me qëllimin e vetëm për t’u bërë mjekë. Tani në këtë konvikt mund të thoshim që kishim dhomën tonë, edhe këtu krevatet ishin stil marinari veç jo prej druri, por prej hekuri, me susta prej teli të ashpër, me të cilat njëri nga shokët e dhomës, Haziri, bënte rezistenca për t’u ngrohur në ditët e ftohta të dimrit, por edhe radio “Megalen” për të dëgjuar ndonjë stacion.

Dhe vijnë leksionet. Berisha ishte tip që mbante shënime?

Leksionet mbaheshin me shënime pothuajse të gjitha dhe shkrimin më të mirë e kishte Thomai, shoku tjetër i dhomës. Fletoret e leksioneve të tij ndaheshin në tetë pjesë, kurse shënimet që mbante Saliu, nuk mund t’i shfrytëzoje se nuk lexoheshin dot. Mbas vitit të parë, Thomai s’mbante dot më shënime se rrinte pranë shoqes sonë të nderuar Pandora që më vonë u bë edhe bashkëshortja e tij. Këtë barrë deri në mbarimin e fakultetit, për të mbajtur shënime, e mora unë. Vështirësitë për t’u përgatitur për dhënien e provimeve na bënë që të diskutonim gjithnjë e më shumë për një gjuhë të huaj. Rusishtja ishte e detyrueshme, nga letërsia ruse poezitë e Eseninit, Lermontovit dhe Pushkinit mësoheshin dhe recitoheshin përmendësh në dhomën tonë.

Blinte shumë libra Berisha kur ishte student?

Saliu ishte blerësi më i madh i librave mjekësorë dhe artistikë. Ne e ngacmonim në fund të vitit se si do t’i çonte në Tropojë atë mal me libra të grumbulluar.

Dhe si përgjigjej?

Thoshte se për librat gjithmonë gjendet një vend...

Ishin gjuhët e huaja pasion i tij?

Viti 1962, viti i parë i fakultetit, miqësia me Bashkimin Sovjetik kishte përfunduar dhe gjithnjë e më tepër sytë po ktheheshin nga anglishtja dhe frëngjishtja. Në këtë kohë u lejuan mësues që jepnin kurse me pagesë në të ashtuquajturat kurse të gjuhëve të huaja. Unë dhe Saliu në frëngjisht, të tjerët në anglisht. Në dhomë tashmë filluan të recitoheshin edhe poezi të Shekspirit dhe të Hygoit.

Besoj ka studiuar shumë?

Saliu nuk mund të studionte më në dhomën tonë, por në sallën e studimit, rrinte aty deri vonë. Vinte i fundit për të fjetur. Kur vinte ai për të fjetur, ne të gjithë ishim në gjumë dhe për këtë zakon të tij nuk e ngacmuam asnjëherë.

Ku ishte problemi atëherë me të?

Vështirësia me të ishte në mëngjes. Donte të zgjohej herët që në orën 4 të mëngjesit dhe të lexonte, por nuk zgjohej dot vetë. Porosiste ndonjërin nga ne për ta zgjuar. Në fillim e zgjonim ne, pavarësisht se e kishim bezdi dritën, ndërkohë që atij që e zgjonte, Saliu i thoshte: “Të faleminderes mor burrë, më ke ba nder t’madh”.

Cilën lëndë preferonte më tepër?

Studionte dhe lexonte tani më shumë. Lëndët e preferuara të tij ishin pa diskutim ato të mjekësisë, por dhe lëndët shoqërore: filozofia, ekonomia politike, materializmi ishin të preferuarat e tij, për të cilat mund të diskutonte edhe të kundërshtonte edhe profesorët, gjë që e bënte atë të njohur nga ata.

Mos doni të thoni se studenti Berisha ua kalonte dhe profesorëve?

Kishte plot raste kur u kundërvihej dhe jepte argumente bindëse, pasi studionte shumë. Kjo e bëri të dallueshme studentin Sali Berisha në Fakultetin e Mjekësisë. Ditë pas dite po bëhej gjithnjë e më i zoti.

Dhe si e përshkruanit atë në fakultet?

Nga karakteri tashmë të formuar ne e përshkruanim atë si tip sanguin. Atë që donte ta arrinte, e arrinte; e çonte deri në fund punën e nisur apo studimin që kishte në dorë.

Më thoni një rast sanguin të tij?

Një rast për të treguar këtë karakter ka ndodhur me pedagogun e Ekonomisë Politike, poetin Fatos Arapi. Ai nuk ishte pedagog i Fakultetit të Mjekësisë, por i Ekonomikut, nuk e njihte Saliun si student, kështu që në provimin e fundit të vitit të katërt në Ekonominë Politike Saliu nuk ishte në listën e studentëve për të dhënë provimin dhe mbas një kohe të gjatë këmbënguljeje dhe grindjeje me fjalë të ashpra nga të dyja palët, profesori pranon ta marrë në provim, por me kusht të rrijë në fund. Ne pritëm pranë derës derisa të mbaronte provimin. Shohim që dalin që të dy së bashku. Profesori i kishte hedhur dorën në qafë, afrohen tek ne që ta dëgjonim dhe i thotë: “Sali, këtë që bëre me mua, mos e përsërit me profesorët e tjerë, sepse ata nuk do të të kuptojnë siç të kuptova unë, se çfarë studenti je (i kishte vënë notën 10 që sigurisht Saliu e meritonte).

Dhe si ia ktheu Berisha?

Saliu ia kthen: “Profesor, vetëm ju nuk më keni kuptuar, të tjerët po”.

Ishte një djalë i zellshëm, studiues, energjik, punëtor, autoritar apo çfarë? Cila nga këto i shkonte më për shtat Berishës student?

Tri të parat: i zellshëm, studiues dhe energjik. Sa për punëtor, në kuptimin e zakonshëm të punëtorit (për të fshirë dhomën dhe larë korridorin, kur kishim shërbimin) mund ta ngelje në klasë; autoritar u bë më vonë, kur e mbajtën pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Me shokët e tij nuk e shfaqi autoritetin asnjëherë, por edhe ne as që menduam që do të kishte këtë drejtim që ka sot. Si mjek me perspektivë, sigurisht e kishim menduar, sepse ishte i përgatitur tashmë profesionalisht.

Në një tjetër fotografi që ju më treguat, ndryshe nga ju të tjerët, vërejta që Berisha kishte veshur pardesy...

Mbaj mend që në vitin e tretë të fakultetit, Saliu për herë të parë dhe më përpara se ne të tjerët, preu një kostum. Lekët ia dërguan nga shtëpia. Bashkë zgjodhëm një copë në dyqanin e modës, si quhej atëherë dyqani poshtë mapos, tek hotel “Vjosa”. Gjithashtu, bleu një këmishë dhe një palë këpucë të reja. Më kujtohet ky episod, sepse në atë kohë doli romani “Tuneli “ i Dhimitër Xhuvanit, ku personazhi i inxhinierit kishte një kostum të zi që nuk e veshi asnjëherë dhe për këtë ne e ngacmonim se edhe kostumi i Saliut ishte i zi.

Ishte tip që mërzitej shpejt? Çfarë e mërziste më shpesh?

Në vitin e katërt të fakultetit zhvilloheshin rrethe shkencore. Saliu u fut në grupin e neurologjisë që drejtohej nga prof. Bajram Preza. Në atë kohë profesori studionte efektet e preparateve foosfoorganike tek lepujt. Saliu duhej të kujdesej për ta, t’i ushqente, t’u bënte analizat e gjakut dhe të nxirrte rezultatet e efektit të lëndës së injektuar. Pra, i duhej edhe t’i sakrifikonte ato kafshë. Dëshpërohej kur duhej ta bënte këtë, por njëkohësisht gëzohej kur merrte rezultatet e duhura. Kjo gjë bëhej me përkushtim të lartë për shkencën, duke duruar vështirësitë që paraqiteshin në bodrumet ku mbaheshin lepujt. Profesori ia njohu përkushtimin e tij. Kur mbaruan studimet, Saliu filloi si pedagog i lëndës së Fizpathologjisë.

Për kë fliste më me shumë dashuri?

Në qoftë se e kini fjalën për ndonjë vajzë, kjo gjë deri në këtë kohë nuk ka ndodhur. I respektonte ato dhe këtë respekt karshi tyre e bënte siç di ta bëjë një xhentëlmen - me indiferencë.

Për sa i përket njohjes së tij me studenten Liri Rama?

Nuk di absolutisht asgjë. Kjo ka ndodhur kur ai ishte pedagog dhe ajo studente, lidhjen midis tyre e kam marrë vesh nga takimet me shokët e tjerë e që më kanë thënë që ka qenë një lidhje shumë e përshtatshme për Saliun.

Përfundimi i studimeve të larta është koha kur u ndanë rrugët e jetës, por a mbajtët më pas lidhje me Berishën?

Kemi shkëmbyer për disa vjet me radhë nga një kartolinë urimi për Vitin e Ri. Një vit pasi kishim mbaruar fakultetin, vij nga Korça për një seminar në spitalin e Tiranës, kam takuar Saliun që më fton për të marrë pjesë në leksionin që do jepte për studentët. Dëgjova prej tij një leksion të një shkalle të lartë shkencore, me një elokuencë të veçantë dhe plot autoritet, tani të mirë formuar. Në vitin 1974 pranë spitalit nr. 1 po në Tiranë, kam kryer specializimin për Endokrinologji. Jemi takuar shpeshherë dhe rastësisht në korridoret e spitalit, përshëndeteshim, pyesnim për shëndetin dhe ndaheshim shpejt e shpejt, si gjithmonë, pasi Saliu e kishte kohen gjithmonë të kufizuar. Veç pedagogut, vizitonte edhe të sëmurët e shtruar në Kardiologji dhe si mjek kishte bërë emër.

Kishte shfaqur ndonjëherë ndonjë pikëpamje politike?

Bëhet fjalë kur ishim student. Ishte koha kur lidhja me Kinën ishte në kulm dhe prishja me BS-në po ashtu, kishin filluar fletërrufetë nëpër muret e fakultetit dhe Ismail Kadare do të shkruante “Për se mendohen këto male të larta?” Saliu thoshte si me humor: “Kur nuk e dinin malet për se mendoheshin, nga do ta dinim ne studentët 22-23-vjeçarë?” Kuptohet që revolucionin kulturor dhe citatet e Mao Ce Dunit, për ne që dinim përmendesh gjithë ato vargje të klasikëve të letërsisë botërore, nuk mund t’i mësonim e aq më pak t’i pranonim, por nuk e thoshim me zë.

A kishit menduar ndonjëherë se Sali Berisha një ditë do të bëhej jo vetëm dikush, por do të vihej në krye të lëvizjes antikomuniste, atë të dhjetorit,1990?

Që mund të bëhej dikushi deri në vitin 1990, kjo tashmë kishte ndodhur në fushën e mjekësisë. Ishte bërë pedagog, kardiolog, kandidat i shkencave mjekësore (i ftuar nga ana e tij unë kam marrë pjesë në mbrojtjen e kandidaturës) dhe në sferat e larta mjekësore të vendit dhe jashtë shtetit si dhe mjek i përmendur dhe i zoti në marrëdhëniet me të sëmurët. Për lëvizjen antikomuniste mund të them se Saliu në Korçë nuk kishte ardhur deri atëherë. Në zhvillimet e vitit 1990 ka ardhur në Korçë, është takuar me persona të ndryshëm që më vonë aderuan në PD, por me mua nuk u takua asnjëherë derisa u bë President. Po të më kishte takuar, ndoshta rrugët tona nuk do të ishin ndarë në aspektin e qëndrimit politik. E majta apo e djathta për mua janë të dyja demokratike.

Në Korçë njiheni si qytetar i respektuar, por me bindje të majta… Mos kjo ishte arsyeja që Berisha nuk ju takoi në Korçë?

Kur u njohëm bashkë, ne ishim fëmijë dhe nuk ishim as komunistë dhe as socialistë dhe as demokratë. Megjithatë, është një pyetje që ma bëjnë shumë vetë, sidomos ata me pikëpamje të djathta. Përgjigjem kështu: “Në këto kohëra jo çdo gjë ndodh ose bëhet siç dëshirojmë ne të ndodhë, mund të jem i majtë kur më takonte e djathta dhe një i djathtë (që për mendimin tim janë të shumt&eumlsmiley t’i takojë e majta”.

Megjithatë, a keni përfituar ndonjëherë nga lidhjet shoqërore me z. Berisha?

Ka ndodhur vetëm një herë, kur vajza e vogël e vëllait u sëmur rëndë në Pogradec. I kërkova ndihmë Saliut që ajo të nisej me urgjencë në Tiranë e të shpëtojë nga vdekja. Nuk ia harroj kurrë. Më shpëtoi jetën e mbesës.

E uruat kur u rimandatua Kryeministër?

Sali Berisha ka arritur atë që ka dëshiruar, lideri i PD-së, President dhe tani Kryeministër bile me mandat të dytë. Kur u bë President, i kam dërguar një telegram urimi. Kujtoja se isha i pari nga Korça që i dërgoja një telegram, por telegrafistja me tha: “Je pak i vonuar, je vetëm i dyti”.

A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend që t’i kërkoni takim në zyrë, qoftë me dëshirën për të rikujtuar vitet e dikurshme të shkollës apo për ndonjë hall tuajin?

Që do të më ndihmonte, këtë as që e vë në dyshim, por si unë dhe ai e dimë që nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Nuk do të takohemi asnjëherë në zyrë për ndonjë hall. Jashtë zyre si shokë që kemi qenë, mundet. Madje, ka ndodhur dy herë. Herën e parë kur ishte President, kishte ardhur në Korçë për festën e Pashkës dhe herën e dytë në Pogradec me pushime si Kryeministër. Të dy takimet kanë qenë të shkurtra dhe episodike.

Në rast se Berisha do t’i binte telefonit tuaj dhe t’ju thoshte: “Engjëll, hajdeni dhe bëhuni pjesë e PD-së dhe të punojmë se bashku”, cila do të ishte përgjigjja juaj?

Kjo gjë ka mundësi të ndodhë vetëm kur z. Berisha të mos ketë asnjë post zyrtar, telefonit t’i bjerë nga shtëpia e tij, të më ftojë apo ta ftoj unë për të kujtuar kohën kur u formuam si shokë dhe si qytetarë të këtij vendi, të cilit ai dhe unë i kemi dhënë atë që kishim mundësi t’i jepnim. Dhe secili sipas aftësive të veta, ai në mjekësi dhe politikë dhe unë vetëm në mjekësi.

Si po i qeveris shqiptarët shoku juaj i fëmijërisë, Sali Berisha?

Po përgjigjem me një shprehje metaforike: Pemën që lidh kokrra në anë të rrugës, njerëzit e qëllojnë me gurë, për t’ia marrë kokrrat, plepin jo! Ai ka qenë për mua një shok dhe në të ardhmen do të jetë i tillë.

Kam përshtypjen se ndiheni mirë që keni qenë bashkë në shkollë dhe se njerëzit janë kureshtarë për të mësuar nga ju ndonjë të pathënë për Berishën, apo jo?

Sigurisht që ndihem mirë. Sa u përket njerëzve, ata kanë shumë kuriozitet, madje më pyesin shpesh për të. Duan të dinë çdo të mirë dhe “të keqe” të Sali Berishës. Janë kureshtarë.

24/10/2009  

Gazeta Standard

20 Komente

 Hajde Korce me edukate dhe njerezillek. smiley

Me pelqeu dhe mua Saliu ketu.

Edhe mua me beri pershtypje edukata e kti zoterise. Shume interesante si interviste.

Interesant artiklli, mgjths do ishte akoma me interesant nese gazetarja do kishte bere me pak pyetje me permbajtje pozitive (sa nxenes i mire ishte, sa shembullor ishte, sa i papare ishte, dmth leading questions) dhe te kishte bere dhe ca pyetje me tendence negative per te zbuluar ndonje cen apo huq te cuditshem te Birishes ne rini. smiley

P.sh. ngaqe e tregojne tip akademik dhe te ftohte/korrekt ne mardhenie me femrat, do isha shume kurioz ta di si i ka propozue Lirise, nqs s'i ka propozuar ajo atij. Dicka e tipit Une due me u martu me ty, apo Liri si je sot? A martohna? apo Deduksionet e teorise se Darvinit sugjerojne qe ne te dy duhet me u interkorsue, keshtu qe sot vendosa me t'propozue per me u martue se spo mund me me durue, apo ndonje varian tjeter te cilin jam i bindur qe juve do ta shkruani me poshte? smiley

Ky artikull tregon se nuk ka rendesi ne se ke lindur ne malesi apo ne qytet,por njeriu qe ka vullnet te forte dhe deshire per te bere ate qe mendon e ben, i tille ishte pra edhe S Berisha. I ardhur nga qyteti i larget verior ai me pune me perkushtim u be nxenesi,studenti,mjeku,pedagogu me i respektuar, mori guximin dhe ishte i pari intlektual qe i kundershtoi R Alise dhe u priu studenteve per rrezimin e diktatures.Ne 92-shin,ne 96-ten erdhi ne pushtet me voten e popullit,ne 97-ten u rrezua nga pushteti me dhunen komuniste,dhe pas 8 vjet ne opozite erdhi perseri ne pushtet me voten e lire,dhe tani ka mandatin e dyte po me voten e lire,qe komunistet po perpiqen te bejne perseri rrebelim komunist por kesaje radhe gabohen.

Nuk e di si u ka kaluar admineve te PPU ky artikull pa censuruar uroj te mos e lexoje Edvini se pastaj te gjejne vend ku te futen keto adminat komuniste te thekur te PPU.

Urraaaaaaaaaa

Urraaaaaaaaaa

Urraaaaaaaaaa

smiley

Pse qesh o administrator krahsoje E Ramen te ri nudo me rinine e S Berishes student i shkelqyer pastaj zgerdhiu por te lutem mos i fshi komentet ne se nuk ke frike nga padroni yt Edvin

Eh, qesh se s'ja vlen te qash smiley

Ma boni hallall po una nuk arrita te lexoj me tutje se kjo fjalia

Na dhanë çarçafë, batanije, bile edhe dyshek

Sidoqofte Sala paska gjet nje shok qe te tregoje se rinine e tij, ndryshe nga "Ardit Rada" qe ja del edhe me nje dore.

Te ardhurit nga provinca shpesh kane me sukses se te tjeret. Kane nje vrull, nje zjarr perbrenda.

tirana province e katund ka qene ne ate kohe, dallimi i vetem qe mund te kishte me trapojen eshte se ndodhet ne fushe

 sa keq, 

Me cfare merret shtypi shqiptar, me retrospektiva te kota, kur te vertetat jane te medha e te dukshme para syve, kur e perdtishmja eshte 100 here me e rendesishme dhe 100 here me domethenese se filmat bardh e zi te dhjetra vjeteve te shkuara.

Shpelarje truri  !

Uaa po edhe une para 20 vjetesh kam qene o zot o zot, por me moren mesysh smiley  smiley  

Po mor, Berisha eshte nje specie per tu analizuar, proceset qe ka kaluar ky individ, domosdo gdhendin per mire a per keq personalitetin e tij, por dhe rrethanat e diktojne sjelljen e tij. Nje Sale Berishe eshte goxha pune per tu analizuar. Por mund te pritet gjersa te perendoje, sepse nderkohe qe merremi me faktin nese ishte i turpshem apo rrugac ne te njezetat e tij , Sala firmos nen cilesine e Kryeministrit.

Karikaturisti karikaturoi nje karikature karakteristike.

shqipo, shqipo, se mesove kurre qe politikanet jane ata qe duhet te jene ne sherbimin tend dhe jo ti ne sherbim te tyre

Shume faleminderit gazetares se Standard (smiley) per artikullin me teme "Kur ishte Sala ne kolipocka!".

Per meritat e tij si mjek, nuk besoj se e kane kritikuar shume deri me sot, puna eshte me vone... Kjo me ngjan se bie ere si libri "Vitet e vegjelise" qe e shkrojti komandanti i Saliut te atehershem...

si eshte puna me gazetaret ne shqiperi? paguhen shume qe shkruajne shkrime te tilla apo jane krejt te thartum nga trute? interesant, femrat shume te dhena pas sales, te jete aq attractive nga afer thua...

te jete e para epo hajde de, se vjen nje moment qe i thua sikter edhe parave, por po qe e dyta, ai vend eshte hopeless.

Sala eshte shume i mire nga afer, edhe une me perpara e paragjykoja, por ne nja dy raste qe e kam pare balle per balle me eshte dukur shume i mbajtur, i gjate dhe i krekosur, nuk ka asnje fije floku jashte radhes smiley. Eshte nje xhentilmen i vertete !!!

epo, paragjykimet do i paska ngaqe nuk eshte fotozhenik. smiley

Une e kam pare shume here nga afer, dhe si te thuash arritem deri aty sa u mesuam me njeri-tjetrin. Njehere biles ngrita dhe doren per t'i perkedhelur koken dhe ai nuk me kafshoi. 

dro ngaqe nuk ke qillu karramele ??? smiley

Ncncncnc... me detyruat me ne fund te zbuloj dhe une kujtimet e mia, te verteta dhe ato te paverteta. Pyetje : ç'eshte nje kujtim i pavertete ?

Pergjigje : nje kujtim i pavertete eshte nje kujtim i nje ngjarjeje qe ti e ke harruar, por qe gjithsesi ti e mban mend se ka ngjare.

Nje kujtim i ngrohte me Sali Berishen, nje kujtim i njerezishem dhe qe s'do ta harroj kurre, eshte kur u gjenda vetem 1.5 meter larg tij, ne nje miting te zhvilluar ne qytetin N. te Jugut. Asokohe banoja ne Jug, tek nusja. Im ate me kishte flakur nga shtepia per "martese te papershtatshme". Nejse, qe mos flas per jeten time, po kthehem tek Saliu. Po, jam gjendur 1.5 meter larg tij, pellembet me digjeshin nga duartrokitjet, zeri me ishte ngjirur nga te brohoriturit, por ai, ai, qendronte si nje shqiponje e vertete, pa me pare !

Ne fillim mendova se kjo ishte e natyrshme sepse Saliu ishte ne miting dhe duhet te shohe gjithe popullin, por pastaj mendja me vajti tek shtatlartesia ime 1.98 m dhe thashe me vete se e pamundur qe te mos shohe. Atehere i thirra : Zoti President ! Zoti President ! Pastaj e shkurtova thirrjen : President ! President ! Pastaj e bera dhe me shkurt : Zoti ! Zoti !

Ketu, me ne fund, Saliu me degjoi. Me tha : Zoti te bekofte ! Zoti te do ty, Zoti do gjithe popullin e qytetit tend, gjithe Shqiperine. Atehere, duke mos ditur ç'te thosha, bera thjesht perpara dhe doja ta perqafoja kur papritur ia behen dy zoterinj dhe me kapen. Me mbanin per kostumi dhe nuk me lini.

Zoti buzeqeshi, iu beri shenje dy zoterinjve dhe ata me leshuan. Atehere e perqafova Zotin, u shkreha ne lote, dhe i thashe : O Zot ! Kam enderruar aq shume te te shoh nje here ! Dhe rashe ne gjunje duke bere nje shenje dygishtash mbi zemer. Zoti me tha : ngrihu zoteri, ngrihu, se Zoti te do ty ne kembe, Zoti i do te gjithe ne kembe, Zoti e do gjithe popullin ne kembe.

C'kujtime te bukura. Me ne fund kisha pare Zotin. Ate te vertetin.

... se te them te verteten, kam pare dhe ca zoter te tjere, por me dolen te rreme. E nejse, muhabet dhe une, sa vajti ora ? 14.53 ? OK, ne oren tre kemi dy oreshin e shetitjes se detyruar. Gjendem ne burg per proselitizem te acaruar, nje dite shpalla ne mes te Parisit se Zoti i ri ka ardhur. Keta me thane se jo, e quajne Gjizës Krajsti. Ika pra, salut.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).