Domosdoshmeri hapja e dosjeve?

Hapja e dosjeve te Sigurimit te Shtetit po behet nje domosdoshmeri edhe me e madhe ne kushtet aktuale kur kreret e ish-regjimit diktatorial po tentojne te falsifikojne te kaluaren ne daljet e tyre publike ne mediat shqiptare. Mora shkas nga publikimi ne media i dosjes se ndjekjes qe i bente Sigurimi i Shtetit shkencetarit Eqerem Cabej, per te pergenjeshtruar Nexhmije Hoxhen dhe ato qe kjo perfaqesuese e ish-regjimit diktatorial ka thene per "miqesine" e E. Hoxhes dhe E. Cabejt apo tentativen per te barazuar ne syte e shqiptareve E. Hoxhen dhe E. Cabejn.

Hapja e dosjeve dhe berja e disponueshme per publikun e gjere duke i publikuar ne internet, do te ishte sherbim i madh ne sqarimin e te vertetes se te kaluares komuniste dhe personazheve te asaj kohe, qe do te ulte ndjeshem mundesine e falsifikimit dhe shtremberimit te asaj qe ka ndodhur nga njerez te rregjimit dhe sherbetore te tyre. Si mendoni?

Me poshte eshte shkrimi i Panorames per kete ceshtje:

Zbulohet dokumenti, si e ndiqte Sigurimi i Shtetit Eqerem Çabejn me urdhër të Enverit

Afrim Imaj

“Enver Hoxha dhe Eqerem Çabeji janë dy personalitete të shquara të realitetit politik dhe kulturor të Shqipërisë, për të cilët duhet të krenohemi të gjithë”
E shfaqur ditët e fundit në publik me rrëfimet për të shoqin, Nexhmije Hoxha, rreket të zbulojë vlerat e tij, duke hulumtuar në retrospektivën e miqësisë së diktatorit me profesorin e shquar Eqerem Çabej, si dy vërsnikë nga Gjirokastra, me bashkëshorte dibrane(!) Me qasjen për të baras vlerësuar kontributet e dy bashkëmoshatarëve nga qyteti i ngurtë, gruaja më e fortë e regjimit komunist, orvatet të gjejë fabulën e rastit për t’u ofruar shqiptarëve të pavërtetat e radhës. Qysh në krye të shënimeve të saj, e veja e diktatorit, bën me dije lidhjet e hershme të Enverit me profesorin e nderuar, duke artikuluar takimet spontane dhe përkujdesjen e të shoqit për Çabejin e shquar. Sakaq, nuk harron të rrëfejë për respektin që ushqente Enveri ndaj vërsnikut të tij, të cilit siç pohon Nexhmija, i ka kërkuar disa herë ndihmën e vyer për të bërë shqipërime të ndryshme në librat me kujtime. Po kështu, Hoxha nuk mund të harrojë interesimin e veçantë të së shoqit për shëndetin e Çabejit dhe ndihmën e tij për familjarët e tjerë në raste sëmundjesh e fatkeqësish. Pak a shumë e gjithë “miqësia” midis dy vërsnikëve fokusohet në kuadrin e këtyre detajeve që gjithsesi mbeten të dyshimta dhe rrëfenja vazhdon me kontributet historike të Enverit për zhvillimin e vendit drejt progresit dhe lirisë, çka është dhe qëllimi i saj. Mashtrimi këtë radhë është dyfish djallëzor. Pa u zgjatur me “kontributet” e diktatorit për Shqipërinë dhe shqiptarët, të ditura tashmë për gjithkënd me sy në ballë është me vend leximi i kujdesshëm i fabulës, që bën fjalë për “miqësinë” e Enverit me profesorin e shquar. Për të provuar sa e vërtetë ka qenë kjo lidhje vërsnikësh, mjafton të lexosh vetëm pak radhë nga dosja e sigurimit për Eqrem Çabeji e hapur me urdhër të Enver Hoxhës, ku zbulohet se gjatë tërë jetës studiuesi i shquar është gjurmuar nga Policia Sekrete dhe ka qenë nën vëzhgimin e agjentëve të fshehtë. “Dosja Çabej” është nga më të hershmet në historinë e sigurimit të shtetit komunist. Fill pas çlirimit, me përkujdesjen e lidershipit politik për të pastruar radhët e intelektualëve nga kundërshtarët e regjimit dhe pjesa e dyshuar e korpusit të së shkolluarve në Perëndim, Policia Sekrete ka nisur gjurmimin dhe ndjekjen e studiuesit Eqerem Çabejit. Të parat dokumente që janë arkivuar në të janë raportet biografike të siguruara në rrugë agjenturore, ku artikulohet me saktësi profili antiparti i Eqerem Çabejit, si njeri me prirje antimarksiste dhe kundërshtar i regjimit. Në të gjitha rastet, sipas platformës përkatëse, këto raporte përfundonin në zyrën e Sekretarit të Parë dhe prej aty ideohej vijimësia e operacioneve të fshehta për kryqëzimin e protagonistit të tyre. Po çfarë dokumentohej në to?

Raporti i parë: Çabeji ka miqësi të dyshimta

Dokumenti parë i Sigurimit të Shtetit për profesor Eqrem Çabeji mban datën 29 shtator 1947 dhe është ndërtuar në formën e raportit biografik me të dhëna të hollësishme për jetëshkrimin e tij. Në të bëhet e ditur se Profesor Çabeji kishte mbaruar studimet në Austri dhe dinte shumë mirë gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe latinisht. Me ardhjen në Shqipëri ushtroi profesionin e mësuesit, në fillim në gjimnazin e Shkodrës (1934-1935) dhe më vonë në Normalen e Elbasanit (1935-1936). Gjatë periudhës 1936 – 1937 punoi në Ministrinë e Arsimit dhe pas shërbimit ushtarak ku u gradua aspirant, u kthye profesor në Gjirokastër. Në vitin 1939 u emërua drejtor i Liceut në Tiranë, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1940. Prej aty, nënvizohet në raport, Eqrem Çabeji me interesimin e Ernest Koliqit shkoi në Itali me mision nga fashizmi, i fshehur pas një burse studimi. Teksa ndodhej në Romë, në maj të vitit 1943, emërohet ministër i Arsimit dhe merr tre rroga të majme, por “nga frika e luftimeve në Shqipëri” nuk u kthye për të marrë detyrën. Nga Italia mbërriti në Tiranë në korrik të vitit 1944 dhe në vitin 1945 u emërua nëpunës teknik në Institutin e Shkencave. “I gjithë rrethi familjar dhe shoqëror i Çabejit, saktëson raporti, është i përbërë nga elementë kundërshtarë të pushtetit, të prekur nga reformat e ndryshme, që urrejnë partinë dhe regjimin politik”. Në vijim, dokumenti i policisë së fshehtë, vë në dukje se burri i motrës së Eqerem Çabejit (Selim Damani) kishte qenë eksponent i Ballit Kombëtar dhe ishte arratisur jashtë shtetit menjëherë pas çlirimit, ndërsa i vëllai Selahudin Çabej ish-prefekt i Gjakovës ishte vrarë nga forcat partizane në janar të vitit 1944. Sa biografia familjare, sipas raportit përmbledhës të sigurimit, Eqrem Çabejin e komprometonte rrethi shoqëror dhe lidhjet e intime. Marrëdhëniet me Selaudin Toton e Gjergj Ashtën dhe miqësia me Sokrat Dodbibën, Vedat Kokonën, Abaz Xhomon, Mark Ndojën etj., risillej në vëmendje të funksionarëve vigjilentë të shtetit komunist si një rrethanë dyshuese në profilin e profesorit të shquar. E gjithë kjo lëndë përligjte sipas platformës së sigurimit regjistrimin e dosjes së Çabejit në kategorinë 2B, kategori kjo që i përkiste personave që kishin zhvilluar veprimtari armiqësore, por aktualisht shfaqeshin jo aktivë, ku bënin pjesë kryesisht pjesëtarë të shtresave të përmbysura nga regjimi komunist, ish-bashkëpunëtorë të okupatorëve, ish-kulakë, ish-pronarë, zyrtarë politikë të regjimeve të kaluara etj. Po dosja “Çabej”, siç konstatohet nga dokumentet, vetëm pak vite e ka mbajtur siglën sekrete 2B dhe ka kaluar tek 2A-ja, që nënkuptonte kategorinë e “elementëve armiq” që veprojnë aktivisht kundër pushtetit popullor. Autoriteti i vetëm që zyrtarizonte kapërcimin nga njëra kategori tek tjetra, ishte sekretariati i KQ, ku sekretar i Parë ishte Enver Hoxha...

Dokumenti: Çabej element armik

Dosja “2A” me numër 8870, ka një dokument të nënshkruar më 13 tetor 1953, në të cilin bashkë me raportin biografik të Profesor Çabejit të pasuruar me të dhëna të reja rreth profilit si element kundërshtar i regjimit, ndodhet dhe plani i masave operativo-agjenturore për gjurmim të tij. Pjesa më e madhe e çështjeve që parashikohen për tu verifikuar, ka të bëjë me një informacion të depozituar në strukturat e sigurimit nga njëri prej bashkëpunëtorëve me pseudonimin “Tisi” (J.B). Ai ka konstatuar se Profesor Çabeji në vitin 1943 kishte marrë tre rroga të larta nga qeveria dhe kishte ndërhyrë gjatë luftës për të liruar Stefo Grabocën dhe Mina Uçin. Sakaq, në planin e masave parashikohej sqarimi i të dhënave të tjera për lidhjet e fshehta të Çabejit me Edith Ndroqin e Dom Zef Bicin dhe rolin e tij në një organizatë reaksionare që inkurajon arratisjet jashtë shtetit. Po si precizoheshin masat agjenturore. Ja çfarë përmbante plani i hartuar nga ekspertët e policisë së fshehtë...
1. Në të gjitha degët operative në qendër dhe në degën e Tiranës të gjendet ndonjë bashkëpunëtor i kualifikuar, që lidhet me profesor Eqerem Çabejin. Të kontrollohen fletë-lidhjet e këtyre bashkëpunëtorëve.
2. Në qendrën e punës ku punon të përdoret agjentura e objektit për të kontrolluar qoftë në punë, në kontakte të ndryshme etj. Të përdoret sidomos për këtë bashkëpunëtorja “Edija”
3. Në shtëpinë ku banon profesor Eqrem Çabej të vendoset një bashkëpunëtor, me qëllim që të kontrollojë të gjitha hyrjet dhe daljet që bëhen në shtëpinë e tij.
4. Duke qenë se në Bibliotekën e cila frekuentohet nga profesor Eqrem Çabej si dhe nga të huajt që ndodhen këtu (të legatave të huaja) nuk kemi bashkëpunëtorë, duhet të vendosim një informator.
5. Bashkëpunëtores “Drojtja” nëpërmjet Rrok Zojzit me të cilin lidhet t’i jepet detyrë që t’i afrohet profesor Çabejit.
6. Të nxirret nga procesverbali i Sabiha Kasimatit implikimi për profesor Çabejin.
7. Dëshmitari R. Hila të pyetet hollësisht rreth asaj që i ka thënë i burgosuri Vangjel Zoto për Eqrem Çabejin. Të përpilohet procesverbali me dëshmitarë të rregullt.
8. Të studiohet dosja e ish bashkëpunëtorit “Tisi”, i cili ka dhënë dhe më parë të dhëna për Eqrem Çabejn dhe të shikohet nëse mund të pyetet si dëshmitarë.
9. Të informohemi për lidhjet e tij aktuale me të quajturën Shyrete Turkeshi dhe të hetojmë për karakterin e tyre.
10. Të merren të dhëna të hollësishme mbi mënyrën e jetesës që bën (anët pozitive dhe negative).
11. T’i kërkohet seksionit të Skraparit informacion i hollësishëm rreth objektit të tyre me tendencë arratisje dhe që lidhet me Eqrem Çabejin.
12. Me qëllim që të provojmë më mirë lidhjet e tij, të vihet në survejim për pesë ditë.
13. Të studiohet agjentura ekzistuese me qëllim të gjetjes së një bashkëpunëtori të përshtatshëm për përpunim aktiv të tij. Nëse nuk do të gjejmë bashkëpunëtor të tillë nga agjentura ekzistuese, atëherë të studiojmë gjetjen e një kandidati për rekrutim dhe ta rekrutojmë.
14. Përpunimi i Çabejit të koordinohet me përpunimet që ndjek dega e ushtrisë.
Përgjegjës për zbatimin e këtij plani kapiten Koli Shuke nën kontrollin direkt të major Rasim Dedja.

“Miqtë” e Çabejit: Është antimarksist

Pjesa më misterioze e dosjes “Çabeji”, janë raportet e bashkëpunëtorëve të fshehtë, pjesa më e madhe e të cilëve janë kolegë, shkrimtarë, kritikë e zyrtarë të administratës së Institutit të Shkencave.
Një taborrë me spiunë e gjurmoi për vite me radhë duke mbushur faqe të tëra me raporte për sjelljet e dyshimta dhe prirjet antiparti. Në të gjitha rastet vigjilentët e përzgjedhur nga strukturat e sigurimit të shtetit, nuk u shfaqën me inteditetet e tyre, por me emërtimet “Dhelpra”,”Gjevreku”, “Prursja”,”Edija”, “Plepi” etj. Çfarë raportonin ata?

“Dhelpëria” AV
Denoncimi i poetit AV i njohur ndryshe nga Policia Sekrete “Dhelpra” mban datën 24 janar 1948. Ja çfarë shkruhet në të: “Kur i kam folur me entuziazëm për themelonjësin e linguistikës sipas koncepteve marksiste, për profesorin e famshëm sovjetik Mar, ai më është përgjigjur ftohtë dhe gati me buzëqeshje ironike se ata nuk kanë rëndësi”
“Gjevreku”
“Eqrem Çabeji është indiferent dhe me tendenca konservatore” Raporti i tij mban datën 10 prill 1950
“Prurësja”
Në një raport tjetër agjenturor të vitit 1950 vihet në dukje profili antimarksist i Profesor Çabejit. I vëmendshëm një miku i gjuhëtarit të shquar, nuk mund të rrijë pa ia raportuar partisë atë që konstaton në sjelljet e tij. Ja çfarë raporton “Prurësja” “Eqrem Çabeji thotë se kultura marksiste konsiderohet si hiçgjë, veprat e Leninit jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit... Është shumë i pakënaqur për mënyrën e jetesës së tanishme, por është shumë i rezervuar. Pakënaqësitë i shfaq tek njerëzit e rrethit të vet dhe aty me shumë rezerva. Miqësi mjaft të ngushtë ka me Shyrete Turkeshin. Miqësia ndryshon nga ajo e para. Sot për sot nuk ka qëllime martese, por më vonë në qoftë se situata ndryshon, si e mendojnë ata, mund të përfundohet”. Sakaq “Prurësja” është indinjuar, siç thotë kur Çabeji i ka konfirmuar: “Në Shqipëri ose shtetet e tjera me demokraci popullore, kulturë për masat e popullit ose njerëzit me arsim të mesëm dhe të lartë përqendrohet vetëm te kultura Marksiste–Leniniste.”
“Edija”, 1952
Raporti i parë i bashkëpunëtores “Edija” që mesa duket është punonjëse e Institutit të Shkencave, mban datën 29 shtator 1952. Ajo pasi përshkruan punën e tij me Buzukun, Budin dhe Bogdanin, nënvizon se shprehej indiferent për linguistikën sovjetike të Stalinit për të cilin shprehej se kishte ide të marra. “Edija” konfirmonte me qetësi se në të gjitha sjelljet Çabej shfaqej si “nacionalist borgjez”. I frekuentonte të gjitha mbledhjet sindikale, por nuk diskutonte. Përcaktohej me ego të madhe, prekej shpejt në sedër, por ishte gjithnjë i matur e serioz”.
vijon nesër...

16 Komente

Para disa muajsh ne njerin nga ekranet e nje televizori nje i perndjekur politik i cili mbante ne dore nje foto te tij me kafken e te atit,dhe nga ky ekran i beri thirrje P Majkos me keto fjale:ti je i lumtur se babain e ke gjalle dhe mund te keni plot foto bashke,ndersa une nuk e mbaj mend tim ate,dhe te vetmin kujtim kam kete foto me kafken e tij,eshtrat e te cilit i gjeta pas shume vite kerkimesh.Pa dyshim qe duhet te hapen ato dosje qe mbajne shume sekrete mbrenda,me hapjen e tyre mund te gjenden edhe eshtrat e qindra personave te zhdukur nga ish sigurimi.Te perndjekurit politik nuk kekojne hakmarrje por duan te verteten. 

O Elton, ju o bo aq fobi ajo kerkesa idiote e Rames per hapjen e kutive sa qe edhe kur flitet per gjo krejt tjeter (dosjet) menien e keni te kutite :

Po te hapen kutite 80% e njerezve tek peshku duhet te shkojne e takojne baballaret neper burgjet e vendit..

Rrezik ene kur bleni  gjona qe shiten ne kuti i thoni shitses qe tua nxjerri nga kutia se e dini qe vete s'ua bo zemra me e hap. Thuj shyqyr qe ka ene qumesht me shishe se nryshe do na kishit perfundu me mungesa te theksume kalciumi.

O sindrome e cuditshme kjo e robve te fiksum pas Rames. Nuk rrijne dot pa u qajte, dite per dite, aty e kan menjen. Atraksion fatal!

Penaro, una kom vetem nji hall. Car do nodhi pis-kollogjikisht me robt e fiksume (per mire a keq me Ramen) kur ky t'u thote si te filmi

"Po kutite ishin loja more!"

Se me budalleqet e Rames po gajaset bota,ai deklaronte se nuk jam politikan,pertej se majtes e se djathtes,lakuriq plazheve te botes,as mish as peshk,as ne qiell as ne toke.Po behet turpi i botes.

Kurse une kam fiksim fjalen 'kelysh', kaq e denatyruar e shkreta fjale nga kuptimi i zakonshem 'gje e bute me lesh'. Eshte gje nga fjalori i vjeter enverist kjo?

s'me kishte rene ne sy, kelyshi, po tani qe e permende, vallaj, kurioz jam.

eltonkola - 28 Tet 2009 - 4:17pm

nga pergjigjet qe jepni ne pergjithesi, kam idene nj pjese e madhe kety jane kelyshet e atyre qe shkaterruan shqiperine ne 50 vjet !

- me sakte, Penar, shprehja 'kelysh komunisti', a mos ka kuptimin 'komunist i vogel i lezetshem'?

kelysh do te thote FEMI. kot beni poezi.

perdoret kelysh sepse kafshet e duan prindin instiktivisht, ato nuk kane llogjike. ndersa tek njerezit, ka plot, qe nuk i ndjekin me prinderit e tyre, as ne ideale e as ne karriere profesionale. 

pra kelyshat i ndjekin prinderit pas me bindje.

ca hoqem dore nga "rebelimi komunist" tani smiley

Per dosjet, une propozoj te hapet e para dosja e Ismail Qemalit smiley

Me kete mendje qe kane keta qe jane ne krye do i nderrisin dosjet...

Sec jane ca talibane ketu - birishiane te flakte, qe per me teper bejne edhe si antikomuniste. Ja disa fakte ne lidhje me dosjet:

Birisha nuk i hapi dosjet edhe kur kishte shumicen absolute ne parlament. Dhe e dini pse? Sepse i mbante ne sirtar dhe ia tundte para syve atyre qe nuk i bindeshin.

A dini ju talebane qe spiune me dosje, sot jane keshilltare te afert te k/ministrit?

A dini ju talibane qe nje spiuni te sigurimit automatikisht i eliminohej dosja nese ai behej anetare i PPSH? Presupozohej qe spiuni tash e tutje cdo gje do ia besonte partise, pa ngucjen e oficereve te sigurimit. E pra baca juej ka qene 15vjet anetar PPSH qe e ben automatikisht te pakten spiun potencial.

 ti duhet ta kesh patur babin fuks, qe i dike kaq mire keto punet. 

dosjet jane me interes vetem per ata njerez qe kane qene te denuar ne ate kohe, per te marre vesh me me saktesi, dosjen e tyre, spiunet ose deshmitaret e çeshtjes se denimit, etj. 

sepse une asnje interes nuk kam t'i njoh dosjen pershembull ketij lart. nga shkrimet e tija ja bej vete ashtu si dua. dmth e formoj vetevetisht nje pikepamje mbi te, qe me pas ta simpatizoj ose jo.

ti duhet ta kesh patur babin fuks, qe i dike kaq mire keto punet

Aspak jo, bile e kunderta ka ndodhur. Baba im e "hongri" nga nji fuks pa e dit' fare..... vec kur i doli deshimimtar legeni.

Ndoshta ti Hajdar pranej si di kaq mire keto pune se baba jot se ka honger nonjehere, qe i bi t'ken qen 80leksh.

... vijon nga numri i kaluar

Epilogu i Dosjes “Çabeji”
I ka takuar punëtorit operativ Gëzim Bejko të nënshkruajë i fundit në dosjen voluminoze “Çabej”. Me shënimet që ka bërë në datën 11 janar 1981, në një farë mënyre, ka shënuar dhe epilogun e dosjes misterioze të tejmbushur me raporte e informata agjenturore të një periudhe gati 35-vjeçare. Vetëm pak muaj pasi protagonisti i dosjes ndërroi jetë, Bejko duke bërë ritualin formal për ta adresuar në burgun e arkivave sekrete, artikulon një raport përmbledhës rreth përmbajtjes së saj. Për aq sa i kërkon rregulli i detyrës, nis të përshkruaj me qetësi: Eqerem Çabej është i biri i Hysenit dhe i Lishesh, i datëlindjes 1908, lindur në Gjirokastër, në një familje shtresë e pasur, i martuar, i padënuar ndonjëherë, i paorganizuar, me arsim të lartë, ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, banues në lagjen nr.2, rruga “Qemal Stafa”, nr.395/12. Qëndrimi politik i familjes dhe të afërmve të tij gjatë regjimit të Zogut ka qenë pro atij regjimi, mbasi ishin me influencë dhe përkraheshin nga ai regjim. Okupacionin fashist e priti mirë dhe i shërbeu me besnikëri, duke propaganduar në favor të tij. Mbas çlirimit të vendit, ka vazhduar të propagandojë kundër pushtetit popullor dhe është shoqëruar me elementë të ndryshëm armiq. I vëllai i tij Selahudin Çabej ka qenë prefekt në Kosovë dhe është pushkatuar për veprimtari armiqësore. Vëllai i gruas së tij Selam Damani ka qenë eksponent i Ballit Kombëtar, në pragun e çlirimit u arratis në Itali. Gruaja e tij Shyhrete Turkeshi është përjashtuar nga partia dhe ka qenë në burg për veprimtari armiqësore. Vetë Eqeremi pasi kreu studimet e larta në Austri për filozofi kthehet në Shqipëri dhe ka punuar në gjimnazin e Gjirokastrës dhe si mësues në Normalen e Elbasanit, ndërsa në vitin 1940 është dërguar në Itali nga Ernest Koliqi për punë shkencore pranë Akademisë në Romë. Në shtator 1943 megjithëse ndodhej në Itali, emërohet ministër i Arsimit, detyrë të cilën nuk e ka pranuar. Mbas çlirimit ka punuar në Institutin e Shkencave dhe të Letërsisë deri kohët e fundit që ka vdekur. I përmenduri, më datën 4 tetor 1952 është marrë në përpunim aktiv 2A si agjent i mundshëm në shërbim të zbulimit gjerman... Në gusht të vitit 1961 Eqeremi duke qenë me pushime në plazhin e Durrësit është takuar disa herë me një femër turiste gjermano-perëndimore Karla Vidali dhe në një rast e ka marrë atë për vizitë në vilën e tij, ku ka qëndruar rreth 2 orë. Këto takime me të lartpërmendurit kanë lënë dyshime, duke qenë se vetë turistja kishte dyshime si kuadër e zbulimit... Sipas Xhavit Beqirit, ish-shifrant në ambasadën tonë në Austri, del se: “Në vitin 1970 profesor Eqerem Çabej ishte në Vjenë për të kuruar djalin e tij. Aty ai ka mbajtur kontakte me mjaft të huaj, si dhe me Shvaken, lidhje e ngushtë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili ka shkruar artikuj në gazeta kundër Shqipërisë. Me këtë person Eqeremi ka shkuar dhe është takuar në një vilë jashtë Vjenës e ka qëndruar më tepër se 4 orë me të. Eqeremi ka bërë në Vjenë shpenzime jashtë mundësive dhe veç të tjerave ka blerë 4 orë dore. Nga viti 1973 e këtej në ngarkim të së sipërpërmendurit nuk ka dalë ndonjë material që të bëjë fjalë se zhvillon veprimtari armiqësore... Duke marrë parasysh sa sipër, si dhe faktin që më datën 23 gusht 1980 Eqrem Çabej ka vdekur, dosja e tij e formularit 2B do të arkivohet.”. Këtu mbyllet misteri i një dosje që lë të hapur një histori misterioze. Po njerëzit e zbulimit të fshehtë nuk janë mjaftuar vetëm me gjurmimin profesor Çabejit. Njëherazi me të ata kanë ndjekur e vëzhguar me teknikat e tyre operativo-agjneturore edhe të shoqen dhe të bijën e tij për vite me radhë.

Spiunët që kryqëzuan Çabejin: Ka lidhje me agjenturat e huaja

“Element antiparti”, “Simpatizant i monarkisë”, “Agjent i zbulimit gjerman”, “Kundërshtar i regjimit komunist”...Dhjetra e qindra përcaktime të tilla i atribuohen Eqrem Çabejit nga armata e spiunëve të fshehtë. Janë kolegë, miq e bashkëpunëtorë të profesorit që e ndjekin këmba këmbës dhe vigjëlojnë me vëmëndje çdo sjellje të tij. Pastaj seleksionojnë atë që mendojnë se është e vlefshme për Partinë dhe rendin për ta denoncuar sa më parë te organet e sigurimit. Mjafton të sjellim një pjesë të tyre për të parë këtë “kontribut” të njerëzve hije...
“Dhelpra”
Në raportin e “Dhelprës” të datës 24 dhjetor 1953, informohej se Eqrem Çabej dhe Lagush Poradeci besonin në Zot, ndërkohë që gjurmuesi i fshehtë kishte konstatuar faktin e dyshimtë se profesor Çabeji shkruante shumë në gjermanisht.
Prurësja
“Prurësja”, në raportin e datës 24 nëntor 1953 shkruan se ka qenë për vizitë në shtëpinë e çiftit Çabeji dhe Eqeremi i ka propozuar të lidhte martesë me Sejfulla Malishovën. “Në rast se kërkon të martohesh me ndonjë komunist, mund të më thuash”, i ka thënë profesori. Gjatë asaj bisede ka rënë fjala për Naxhije Dumen dhe të dy bashkëshortët janë shprehur me konsiderata për kulturën e saj. “Prurëses” i ka bërë përshtypje deklarata e Shyhretit të shoqes së Çabejit e cila është shprehur: “Unë i njoh mirë si Nexhmijen (Hoxhën) dhe Fiqereten (Shehun), por Naxhie Dumja ua kalon të dyjave”. Punëtori operativ që e ka lexuar këtë raport, rikthehet tek informatorja me porositë e rastit: “Me Eqeremin vazhdoje miqësinë. Përfito nga ai çka mund të thotë kundër pushtetit. Në lidhje me propozimin e bërë për fejesë me Sejfullain (Malshovën), kjo është punë personale. Ta falënderoje që kujdesej, por të thoshte se kishte disa pengime familjare... Mundohu të mos flasësh keq për Naxhijen në sy të tyre”.
”Prurësja”,
“Prurësja”, informatorja që arrin të futet në shtëpinë e Eqerem Çabejit, në raportin e datës 15 shkurt 1955, bën të ditur se në bisedë e sipër për gruan, profesori ka pohuar që ata gjatë luftës nuk e zbrazën asnjëherë armën, ndërsa për hatrin e tyre ishin vrarë disa djem të mirë. Ndërkaq, “Prurëses” i kanë tërhequr vëmendjen rezervat që shfaqi Eqeremi për çështjen e idealit komunist: “Sot nuk ekziston në vendin tonë as dashuri ideale, as familje të tillë dhe as ideal, megjithëse shumë betohen për ideal”. Në një raport tjetër të kësaj informatoreje që mban datën 23 shkurt 1955, pasqyrohen mendimet e Çabejit dhe të shoqes Shyhretit për zhvillimet në Bashkimin Sovjetik, për të cilat dy bashkëshortët nuk janë optimistë. Madje “Prurësja” vigjilente nuk mund të rrinte pa shënuar dhe shprehjen e profesorit të shquar: “Bashkimit Sovjetik nuk i dhimben popujt”.
Aeroporti
“Aeroporti i Tiranës”, punonjëse e stabilimentit “Mihal Duri” raporton për sjelljet e kunatës së Çabejit, Neke Turkeshit. Nga bisedat që ka pasur me të, ka mësuar tronditjen dhe frikën me të cilën e ka përjetuar familja e profesorit rënien e Malenkovit dhe ardhjen në pushtet Bulganinit.
“Shigjeta”
“Shigjeta” Në raportin e datës 20 tetor 1957 informonte se profesorët e universitetit të Tiranës Eqrem Çabeji, Qazim Turdiu, Minella Karajani e Rrok Zojzi flasin keq për regjimin në Shqipëri.
LABINOTI
Labinoti: “Labinoti” i caktuar për kontrollin e korrespodencës dhe letërkëmbimeve të Eqerem Çabejit, informonte se profesori shkëmbente letra me Nexhip Allpanin, studiues me origjinë shqiptare në Turqi, Sulejman Kulçen albanolog, por edhe më studiuesit e tjerë Wilfred Fiedler, Vittore Pisanit, Hans Prosel, H. Mihalesku, Vito Borgia, Franc Babinger, Ernest Locker etj. Sakaq njeriu që ka kontrolluar gjithçka nga korrespodenca e Çabejit, bën të ditur se në përgjithësi tematika e tyre fokusohet në çështjet e albanologjisë dhe ato të Kosovës. Ndër të tjera, “Labinotit” i tërheq vëmendjen fakti që profesor Çabeji i kërkon me anë të një letre një personalitetit perëndimor librat e Ulrih Schmall “Mbi gjuhën e vjetër greke të Sicilisë”, dhe të Ë. Merlingen “Bazat e greqishtes së vjetër”...
“Moli”
Bashkëpunëtori tjetër me pseudonimin Moli mban lidhje me operativin Ropi Postoli dhe raporton rreth bisedës që profesor Eqrem Çabeji ka zhvilluar me doktorin austriak të gjuhësisë gjuhësi Herman Olbert. Ai ka pyetur nëse ishte e vërtetë se kinezët po ndërtonin port nëndetëse. Sipas tij e ardhmja e botës paraqitej e zezë dhe e paqartë. Olbert kishte deklaruar në takimin me Çabejin se Shqipëria ishte e izoluar dhe se nuk shikonte ç'ndodhte jashtë saj ndërkohë që vlerësonte nivelin e jetesës në Austri, i cili sipas tij ishte shumë i lartë. Sipas Molit takimet e Çabej me Olbertin kishin qënë të shpeshta dhe ata kishin shëtitur e kishin pirë kafe bashkë disa herë. Gjatë këtyre takimeve profesori austriak kishte pohuar se ishte fat që tani për tani Shqipërinë po e linin rehat fuqitë e mëdha. Siaps tij drejtimi i Shqipërisë do ishte i qartë për aq sa ishte gjallë Enver Hoxha. Pas tij gjërat do ndryshonin

Dosje nr .... arkivi min brend ...viti 1989. Mbi veprimtarine kripto komuniste te personit X qe me vone do te marre pseudonimin ( Nikun ) Spiker tek Blogu PPU ! 

Ne nje bisede me Re , elko, etj nga keta te fundit raportohet qe ky njeri ...."eshte i pabesuar sepse pervecse ne rini ka mbajtur teseren e org. rinise dhe me vone ka qene komandant aksioni , ai eshte shprehur se " komunizmi i ka rrenjet e forta. Eshte veshtire ta ckulesh ate mentalitet"  

Ne nje informacion  te nenvizuar af .him ,ben denoncim per arratisje te nje personi ( mik i ngushte i Spikerit) sepse... "gjate kohes qe bisedonte me nje tjeter syte i mbante te perqendruar nga Liqeni . Kjo ka ndodhur ne vitin 1988 gjate pushimebve ne Pogradec"

Gjithashtu i thirrur nga perpunusi dosjes se Spikerit ne vitin 1989 , " i tredhuri "  raporton se "duhet patur shume kujdes ne afrimin e ketij te fundit me struktura ish komuniste si S.B qe pretendohet te futet nga Partia si udheheqes i levizjeve  studentore" 

Dhe poshte vijne nenshkrimet me firmetare e dedikim " Tuajet , merhumet e vitit 1988 te  mbartur per vitet 2000 , e vitet plot frymezim qe vijne "

Kjo tregon se nuk eshte vetem Cabej i survejuar per tendence arratisje smiley 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).