Përkrenarja

Nga cikli Shqipni e Harrume

Tiranë, 1939-1943. Që ta shohim Skënderbenë me përkrenare në kokë, jemi mësuar e s’na bën përshtypje por, ta shohës atë përkrenare mesjetare në kokën e një njeriu të shekullit të XX, me xhaketë, këmishë e kravatë, kjo nuk është aspak normale. Ndoshta pikërisht kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja që ky bust i mbretit të posa kurorëzuar të Shqipërisë, Viktor-Emanuelit III nuk pati sukses dhe nuk u përhap. Këtu duhet të kemi parasysh që, edhe vetë Skënderbeu, zor se do ta ketë mbajtur në kokë përkrenaren dhe, të gjitha imazhet që e paraqesin atë me përkrenare në kokë, janë realizime të vona të periudhës neo-romantike të shekullit XIX. Kjo përkrenare, luante simbolikisht rolin e Kurorës së Shqipërisë, kurorë që i ishte ofruar Mbretit të Italisë nga Asambleja Kushtetuese e Tiranës në prill të vitit 1939, pasi ja kishte hequr nga koka mbretit Zog. Goxha patriotizmë medemek treguan të njëjtët njerëz që deri atëhere i qenë betuar për besnikëri Ahmet Zogut. Katër vjet e gjysëm pas kësaj oferte, në tetor të vitit 1943, një tjetër Asamble Kushtetuese e mbledhur me të shpejtë në Tiranë pas kapitullimit të Italisë, vendosi të mos njohë më bashkimin me Italinë. Për rrjedhojë, edhe Kurora e Shqipërisë “zbriti” nga koka e Viktor-Emanuelit III për t’u “kthyer” në Shqipëri. Karrikatura e dytë është botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe i bën jehonë pikërisht kësaj ngjarjeje.

2 Komente

Cfare mund te thuash per kete!

Bir Selman i nenes,

ke te qaj me pare,

nje e kesha nip,

e tjetrin djale!

Gjithsesi, nuk eshte se ka ndryshuar shume situata jo, Jam shume i sigurte se ka shume politikane "bashkekohore" qe jane te gatshem te shkojne e ta dorezojne prape tek i pari president i "rendesishem" qe do u shfaqet e trokase ne dere: Bush/Obama, Karamanlis/Papandreu, Berluskoni, apo dreqi me te birin qofte.... Ndoshta mallkimi i te qenit te vogel!? Ndoshta mungesa e nje ndjenje te forte kombetare!? Ndoshta llahtarite qe kemi hequr ne shekuj, e ndoshta perdhumimet e shumta nga ushtrite e huaja!? Ku ta dish... ndoshta, por gjithsesi te trishton shume ky realitet ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).