Përçartja e INSTAT-it

Instituti ynë i Statistikave, një institucion publik, që shpenzon miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë dhe qindra e mijëra eurosh të donatorëve ndërkombëtarë, sapo publikoi raportin me të dhënat e zhvillimit ekonomik të vendit gjatë tremujorit të dytë.

Ai deklaroi se ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 5.3 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008 dhe 1 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009, i cili nga ana e tij shënoi një rritje prej 6 për qind.

Pra, sipas INSTAT-it, ekonomia është në rritje të vazhdueshme galoponte, si në asnjë vend tjetër në botë. Ky përfundim i INSTAT-it është në një linjë me deklaratat me gjysmë zëri të kryeministrit dhe të ministrit të Financave, të cilët thanë se ekonomia vazhdon të rritet në tremujorin e dytë, por që në programin e Qeverisë i kanë fshehur qëllimisht shifrat e rritjes ekonomike.

Me fjalë të tjera, Shqipëria vazhdon të jetë fanar ndriçues për të gjithë ekonominë botërore dhe shembulli i saj është frymëzues për të gjitha ekonomitë e përparuara. Këtë Qeveria e mbështet në të dhënat e një institucioni pseudo të pavarur që është INSTAT-i. Përçartje më e madhe se kjo nuk është dëgjuar asnjëherë që nga koha e regjimit komunist.

Ky përfundim bie ndesh në radhë të parë me raportin e sapopublikuar të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit të dhënat statistikore apo të tërthorta flasin për një ngadalësim të ecurisë së aktivitetit ekonomik në tremujorët e parë dhe të dytë të vitit 2009.

Kjo bazohet në rënien e kredisë dhe të ofertës monetare, ngadalësimin e eksporteve, pakësimin e remitancave dhe të të ardhurave fiskale, si dhe në konsumin e energjisë elektrike veçanërisht nga bizneset.

Ky përfundim mbështetet edhe nga rezultatet e vrojtimeve të besimit, të cilat japin sinjale të qarta për dobësimin e kërkesës së brendshme dhe ulje të ritmit të aktivitetit prodhues. Bizneset e intervistuara sinjalizojnë për ngadalësim të prodhimit industrial.

Për Bankën e Shqipërisë prodhimi në sektorin e bujqësisë vlerësohet të jetë në rënie për vitin 2009 dhe industria është tkurrur tashmë rreth 13.2 për qind, gjë që tregon qartë frenimin e ekonomisë.

Dërgesat e emigranteve vazhdojnë tendencën rënëse të tre viteve të fundit, nga 14.6 për qind të PBB-së në vitin 2005, në rreth 10.6 për qind në vitin 2008, apo nga një rënie vjetore prej rreth 6 për qind në vitin 2008 kundrejt vitit 2007, në 7.7 për qind në vitin 2009. Kjo vështirëson financimin e konsumit në ekonomi dhe rrit koston e investimeve, duke ngadalësuar dukshëm rritjen ekonomike.

Por, për INSTAT-in pothuajse të gjitha degët janë rritur. Dega e shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 pati rritje me 15.9 për qind, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008 dhe 1.1 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009.

Prodhimi bujqësor në tremujorin e dytë është rritur me 0.3 për qind, industria me 3.9 për qind, ndërtimi me 3.6 për qind dhe po kështu shërbimet, transporti e postë-telekominikacioni.

Ajo që i ka shpëtuar INSTAT-it është se ka pohuar një rënie prej 3.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rënie prej 0.7 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009 në grupin tregti, hotele dhe restorante, e cila bie në kundërshti me deklaratat e Qeverisë për bumin e turizmit gjithvjetor të këtij viti në Shqipëri.

Përfundimet e INSTAT-it bien ndesh me raportin global të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar para disa ditësh. Sipas këtij raporti, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2009 do të jetë vetëm 0.7 për qind apo më e ulëta e dhjetë viteve të fundit për shkak të krizës ekonomike.

Në vitin e ardhshëm ekonomia mund të rikuperojë deri në një rritje prej 2.2 për qind dhe ritmet e mëparshme rrotull 6 për qind mund të rikthehen vetëm rreth vitit 2014. Ndërsa deficiti do të arrijë në rreth 11.5 për qind të PBB-së, kundrejt rreth 3.1 për qind që vlerësohet të arrijë mesatarisht deficiti në vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Pra, Shqipëria jo vetëm nuk është fanar ndriçues, por ajo është duke vuajtur qartësisht pasojat e krizës ekonomike,njëlloj si vendet e tjera të rajonit.

Ky përfundim bie ndesh edhe me vetë të dhënat e Qeverisë. Pak ditë më parë Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime t rëndësishme në buxhetin e shtetit, nisur nga gjendja alarmante e të ardhurave.

Të ardhurat faktike t vitit 2008, sipas raportit vjetor të Kontrollit të Lartë t Shtetit, nuk u realizuan me një vlerë prej 6.9 miliard lekësh dhe mosrealizimi ka vazhduar edhe gjatë vitit 2009. Kështu që Qeveria u detyrua jo vetëm të ulë shpenzimet, por edhe të prekë investimet e këtij viti.

Përçartja e INSTAT-it nuk duhet parë thjesht si inkompetencë profesionale e specialistëve të tij,apo si bindje e këtij institucioni për t'u bërë altoparlant i Qeverisë. As thjesht si moskoordinim i institucioneve që furnizojnë të dhënat, apo diversifikim opinionesh të atyre që i analizojnë këto t dhëna. Kjo duhet parë si përçartje e Qeverisë dhe duhet vlerësuar nga pasojat që mbart.

Qeveria vazhdon me kokëfortësi të mohojë krizën ekonomike. Ndërkohë që numri i bizneseve të falimentuar rritet çdo ditë, duke nxjerrë pa punë mijëra njerëz - dhe ajo nuk merr asnjë masë për ta frenuar këtë dukuri. Qeveria vazhdon të injorojë, gjithashtu, mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qartazi nga frika e shifrave që tregojnë mosarritjet dhe inkompetencën e saj.

9 Komente

Rudina.Mos eshte dhe ky artikull si ai i hapjes se vendeve te punes ku ti thoje qe eshte e pamundur hapja e 160 mije vendeve te punes per 4 vjet,kur pak muaj me pare kishe thene se do te hapje 197 mije.

Pyete nje here Koco Kokdhimen.Ai tha ne emision me Fevziun qe kete vit per here te pare gazeta "Shekulli " ka dale me fitim.

Si mund ti kundershtosh Rudines te vetmin artikull ku ka folur ne rregull, me te dhena te hajrit dhe te kuptueshme? Edhe nese duhet t'ja kundershtosh, si mund ta besh kete ne parim e duke u bazuar ne c'ka thene ne te kaluaren, kur piken e dobet e ka ne vecanti tek paragrafi i fundit? Si eshte e mundur qe diskutimet edhe mbi ekonomine te jene te nje niveli kaq te politizuar? smiley

 

P.S. Si dreqin do ti hapi qeveria 160.000 vende pune brenda 4 viteve?

Ne fakt ky eshte artikulli i pare deri diku i sakte i Znj. Seseri. Deputetja me ne fund po meson si interpretohen e analizohen treguesit ekonomke. Efekti i Shqiperise ky!

Sala i tha INSTAT te gatiste pak shifrat para zgjedhjeve, po INSTATit i hyri ne qejf puna dhe nuk di te beje gje tjeter smiley

thjesht per sport, te ardhurat fiskale mund te ulen por PBB perseri mund te rritet nese qeveria ka shpenzuar shume

 

Hmmm 'e terthorta' vs. 'e drejtperdrejta'. Kush fito? smiley

të dhënat statistikore të tërthorta

Rudina "OkTiHarrojmeShifrat" Seserit eshte mire ti pergjigjemi me shifra.

Në vitin e ardhshëm ekonomia mund të rikuperojë deri në një rritje prej 2.2 për qind dhe ritmet e mëparshme rrotull 6 për qind mund të rikthehen vetëm rreth vitit 2014.

Nese shifrat e INSTAT jane pak te besueshme, atehere cfare nivel besushmerie kane shifrat e R. Seserit kur thote se sipas nje llogaritje te saj, rigorozisht personale "Në vitin e ardhshëm ekonomia mund të rikuperojë deri në një rritje prej 2.2" ?

Ndërsa deficiti do të arrijë në rreth 11.5 për qind të PBB-së, kundrejt rreth 3.1 për qind që vlerësohet të arrijë mesatarisht deficiti në vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Pra, Shqipëria jo vetëm nuk është fanar ndriçues, por ajo është duke vuajtur qartësisht pasojat e krizës ekonomike,njëlloj si vendet e tjera të rajonit.

E para e punes kur thote se deficiti do të arrijë në rreth 11.5 për qind të PBB-së, do te ishte mire ndonje reference se e vetmja qe arrita te gjej eshte kjo ku thote se guvernatori Fullani deklaron: Deficiti buxhetor për vitin 2008 vlerësohet të ketë arritur në 5.7 për qind të PBB-së. Dyfishim te deficitit publik brenda nje viti?

E dyta, kur thote, qe

"rreth 3.1 për qind që vlerësohet të arrijë mesatarisht deficiti në vendet e Evropës Qendrore e Lindore"

vlen te permendet per informacion te pergjithshem, lajmi i dates 7 tetor 2009 qe Komisioni Europian ka nisur formalisht proceduren per thyerje te deficit publik 3% kundrejt 20 vendeve europiane nga 27 gjithsejt. Te vetmet qe shpetohen jane Bullgaria, Qipro, Danimarka, Estonia, Finlandia, Luksemburgu, Suedia.

Nder 20 vendet ndaj te cileve KE ka nisur procedurat per thyerje te parametrave, shtetet si Letonia, Anglia, Irlanda, Spanja sipas parashikimeve jane siper 10%. Italia te 5%. Datat per rifutje brenda parametrave te Mastriht te 3%-it te ketyre shteteve variojne nga 2010 deri ne 2013/2014. 

Komisioni Europian kishte kritikuar ashper dhe Belgjiken, ndermjet 20 shteteve qe ishin fokusuar.  

I kane kritikuar te gjithe Pjer. Po jo aq ashper si me perpara. Duhet patur situata ne te cilen gjendet ekonomia, - kane thene. - i kemi te qarta arsyet e ketij deficiti.

Kurse kjo ketu me thote qe "mesatarisht deficiti në vendet e Evropës Qendrore e Lindore vlerësohet të arrijë rreth 3.1 për qind !!!"

Ne Shqiperi numerat jane opinione, e jo shifra.

Mire se INSTAT eshte e njeanshme, po Seseri e paanshme?

Nje e dhene eshte e sigurt, shekulli po falimenton.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).