Nje Harvey Milk per Shqiperine...?

Elaine Noble, e para politikane lezbike e deklaruar në SHBA viziton Shqipërinë në një përpjekje për të inkurajuar lëvizjen gay. Noble, bashkëpunëtore e Harvey Milk, personazhi karizmatik i aktivizmit gay që u dekorua nga Obama. Ambasada amerikane shfaq filmin për jetën e tij “Milk”. Uidhers: Vjen një kohë kur shoqëria duhet të përballet me çështje të mëdha morale, drejtësia e të cilave nuk duhet vënë në pikëpyetje. 

Elaine Noble, e para politikane amerikane e deklaruar lezbike që u zgjodh përfaqësuese në Legjislaturën e shtetit Massachusetts në vitin 1974, vizitoi Tiranën këtë javë në një përpjekje për të inkurajuar lëvizjen për të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri. Ajo ishte e ftuar nga Ambasada Amerikane gjatë shfaqjes në sallën Black Box të Akademisë së Arteve të “Milk”, një film fitues i dy çmimeve Oscar që tregon për jetën e Harvey Milk, një prej aktivistëve më të njohur amerikanë për të drejtat e homoseksualëve. 

Harvey Milk, personazhi i të cilit në film interpretohet nga fituesi i çmimit Oscar, Sean Penn, ishte një mik i ngushtë i znj. Noble. Kjo politikane e njohur, e zgjedhur dy herë rradhazi në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të saj, foli pas shfaqjes së filmit, për vështirësitë që ajo ka hasur gjatë aktivizmit të saj. Një zonjë “e hekurt”, tashmë e moshuar por ende me një karakter luftarak, Noble ndau me të pranishmit momente të ndryshme gjatë periudhës kur së bashku me Harvey Milk çanë akullin e diskriminimit në SHBA dhe i mundësuan komunitetit gay që të ketë disa nga të drejtat bazë të njeriut.

Në këtë event, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers vuri në dukje se në histori vijnë gjithmonë kohëra kur shoqëria duhet të përballet me çështje të rëndësishme morale drejtësia e të cilave nuk mund të vihet në dyshim. Madje Uidhers, pasi përshëndeti kryeministrin i cili inicioi së fundmi një debat në lidhje me të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri, uroi që Berisha ta mbajë fjalën e tij në lidhje me respektimin e të drejtave të këtij komuniteti në Shqipëri!

MAPO qëndroi me znj. Noble gjatë gjithë eventeve në të cilat ajo mori pjesë këtë javë në Shqipëri dhe mori prej saj në një intervistë ekskluzive disa prononcime jo vetëm për aktivizmin dhe angazhimin e saj në këtë fushë të të drejtave të njeriut, por edhe në lidhje me shqiptarët, presidentin Obama, por edhe me kryeministrin Berisha…

Noble: Berisha do mbahet mend nga homoseksualët për aktivizmin e tij…

Në fillim të viteve ’70-të, dy shoferë taksie i vunë zjarrin një lokali gay në Luiziana. Një prej të rinjve që ishin brenda lokalit atë natë doli jashtë dhe pasi nuk e gjeti të dashurin e tij, hyri sërish brenda… Pas shuarjes së zjarrit Elaine Noble e gjeti trupin e tij të shkrumbuar mbi trupin e të dashurit. Familjet e tyre nuk u paraqitën për të tërhequr trupat dhe vetë komuniteti gay organizoi ceremoninë mortore të të rinjve. Ishte ky moment që e shtyu Elaine Noble që t’i përkushtonte jetën e saj çështjes së të drejtave të njeriut. Së bashku me Harvey Milk, i ekzekutuar pas aktivizmit të tij në San Francisko, Noble mbahet mend tashmë si një prej njerëzve që falë punës së saj e bëri më të lehtë jetën për të gjithë homoseksualët në SHBA. 

 

Mapo: Ju ishit e para lezbike, aktiviste e të drejtave të njeriut e cila u zgjodh në dy Legjislatura të shtetit Massachusetts. Si ishte për ju kjo përvojë dhe si ndiheni sot, para këtij fakti?

Elaine Noble: Nuk besoj se unë isha e para lezbike që shërbeu në zyrat e larta shtetërore. Unë isha e para lezbike e deklaruar e tillë, e cila pavarësisht kësaj u zgjodh për të shërbyer në një detyrë të tillë. Ishte përvoja e parë e këtij lloji. Unë mendoj se në përgjithësi nuk është shumë e lehtë të bësh diçka për herë të parë. Dhe kjo vlen në çdo fushë. Për të parët është gjithmonë e vështirë.

 

Mapo: Cfarë është më e rëndësishme në të qënit i pari apo e para në diçka?

E.N: Në rastin konkret, siguria e jetës ka më shumë rëndësi…

 

Mapo: Megjithatë, ju arritët të zgjidheshit, ndonëse votuesit e dinin që ju ishit lezbike…

E.N.: Në fakt, përpara se të kandidoja, unë kisha dalë hapur, nuk e fshihja më orientimin seksual. Kështuqë unë nuk mund të kthehesha më mbrapa.

 

Mapo: Ishte vërtet e vështirë t’ia arrinit këtij qëllimi?

E.N.: Sigurisht. Fushata zgjedhore, mund të them se ishte një fushatë e shëmtuar, në tërë kuptimin e fjalës. Gjatë gjithë kohës unë merrja kërcënime dhe ballafaqohesha me forma të ndryshme të dhunës. Duke filluar që nga thyerja e xhamave në dritare, shpimi i gomave të makinës, apo kërcënime të tjera direkte për jetën. Një gjë tjetër që mua më ka dëmtuar shumë gjatë asaj fushate ka qenë edhe fakti që e kisha pothuajse të pamundur të kisha një staf të përhershëm në shtabin tim elektoral pasi që të gjithë, pa përjashtim kërcënoheshin dhe nuk ishte e lehtë për ta që të qëndronin në fushatën time.   

 

Mapo: Cfarë ju shtyu të kandidonit për një post publik?

E.N.: Unë besoj se kushdo që ka mundësi duhet të shërbejë njëherë në një post publik. Sepse vetëm kështu ne mund të sjellim ndryshimin që kërkojmë. Kjo, si të thuash, është një detyrë. Megjithatë, gjatë kohës kur unë shërbeva në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit tim, sigurisht nuk u mora vetëm me të drejtat e komunitetit LGBT (lezbike, gay, biseksualë, trans-seksual&eumlsmiley. Zona ime ishte një zonë me banorë nga të paktën 60 kombësi të ndryshme dhe kështu, kishte probleme pa fund për t’u zgjidhur.

 

Mapo: Pas zgjedhjes tuaj, si ishte marrëdhënia me komunitetin? Cfarë priste ai nga ju?

E.N.: Kërkonin të komunikonin me mua 24 orë në 24! Ishte, sigurisht e pamundur! Por ishte e natyrshme që pritshmëritë e tyre të ishin tepër të larta ndaj meje. Megjithatë, siç ju thashë, unë i kisha vënë vetes si qëllim që të punoja për të gjithë komunitetet në distriktin tim, jo vetëm për komunitetin gay. Këtë parim unë pata mundësi ta diskutoja shpesh edhe me Harvey Milk. Ai e kuptoi gjithashtu se nuk mund t’i përkushtohej vetëm çështjeve të komunitetit gay, por duhej të alternonte këto çështje me çështje që prekin edhe interesat e komuniteteve të tjera. Milk ishte i suksesshëm në shumë nisma të tilla që nuk i përkisnin vetëm komunitetit gay.

 

Mapo: Duket situatë e ngjashme me pritshmëritë që komuniteti gay sot në SHBA pati ndaj presidentit Obama… Por ky komunitet duket disi i zhgënjyer. Eshtë e vërtetë?

E.N.: Eshtë e vërtetë që edhe sot komuniteti gay krijoi pritshmëri të larta ndaj presidentit Obama. Por mos harroni që Obama është president prej më pak se një viti. Kështuqë ne duhet t’i japim atij kohën e duhur. Ndërkohë, unë jam shumë e inkurajuar për këtë president dhe besoj se ai po punon shumë mirë. Mos harroni që po përballet me disa nga problemet ekonomike më të vështira në vend, e ndërkohë ka ndërmarrë një reformë të thellë në shëndetësi.

 

Mapo: Kryeministri shqiptar para pak kohësh ndezi një debat për homoseksualët në Shqipëri dhe pohoi se nuk është kundër martesave gay në vendin tonë. Si e komentoni këtë fakt?

E.N.: Mu duk pak e çuditshme, në fakt. Por tashmë besoj se ai e hodhi atë hap dhe nuk mund të kthehet më pas. Cili ishte motivimi i tij? Tani kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që kryeministri juaj tashmë do të mbahet mend edhe si një aktivist për të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri.

 

Homoseksualët në Shqipëri, më kreativë

Gjatë përpjekjeve të tij për të luftuar diskriminimin dhe paragjykimet e amerikanëve ndaj komunitetit homoseksual, Harvey Milk i inkurajonte bashkëpunëtorët e tij që të dilnin hapur, të bisedonin për seksualitetin e tyre me familjet, me shoqërinë, me kolegët e punës dhe më këdo. Ai besonte se fshehtësia dhe privacia e tyre e dëmtonte kauzën e tyre. Po a mund të aplikohet një strategji e tillë aktivizmi në Shqipëri? Mindy Michels, një prej aktivisteve lezbike që jeton në Shqipëri prej 3 vjetësh thotë se një gjë e tillë është e vështirë për Shqipërinë. “Megjithatë, së bashku me aktivistët e Aleancës Kundër Diskriminimit ne kemi gjetur mënyra të tjera më kreative për kauzën tonë”, thotë Michels për revistën Mapo. Aleanca kundër diskriminimit, është në fakt e vetmja organizatë aktive në Shqipëri që lufton sot për të drejtat e homoseksualëve. “Ne bëjmë deklarata për shtyp dhe ato botohen. Ne ndërkohë po përpiqemi të krijojmë ndjesinë e komunitetit, pra të krijojmë një familje të dytë për këta të rinj. Besoj se në këtë formë ne jemi tani të suksesshëm dhe na presin përpara sfida më të mëdha, por që ne do t’i përballojmë”, thotë Michels, e cila jeton në Tiranë së bashku me partneren e saj lezbike dhe me djalin e tyre 4 vjeçar.  

3 Komente

Nje Harvey Milk per Shqiperine, nje Obama nje Carlin, po pse re te gjithe keta do i mbajme me buke ne?

p.s titulli i temes pervec shume shume klishe eshte dhe teper idiot.

Noble: Berisha do mbahet mend nga homoseksualët për aktivizmin e tij…

Llafi tend ne vesh te zotit.

Titulli m'u duk i papershtatshem per shkrimin.

Asgjekundi nuk u duk nje krahasim i rrethanave dhe situates historike ne te cilen Milk dha kontributin e vet, me pjesemarrjen e homoseksualeve, lesbikeve, biseksualeve apo transseksualeve ne jeten politike shqiptare.

As intervista me E. Noble nuk nxjerr ndonje fakt ne drite, bile nuk e kuptoj cuditjen e saj ne pyetjen e fundit me debatin e hapur per kete ceshtje.

As pjesa e fundit e artikullit nuk jep ndonje te dhene per perfaqesimin e ketij grupi shoqeror ne jeten publike ose politike te vendit. Vetem nje deklarate e pergjithshme e nje te huaje tjeter kunder diskriminimit (pa dhene fakte mbi kete diskriminim) nuk me ben te kuptoj me shume.

A ka nje diskriminim te tille? Ne cilat fusha eshte me e ndjeshme?

Pyetjeve te tilla artikulli nuk i jep pergjigje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).