Në Çorovodë, duke pritur...për një punë

Në një si qendër kulture, por që duket se në hapësirën e saj ka dhe funksion tjetër, na duhet të kërkojmë një zyrtar. Është miku, i dikujt prej grupit tonë, që në këtë ditë vjeshte ka ardhur të ndajë pak orë me ne- në Çorovodë. Edhe kryetari i bashkisë, për një punë të ngutshme, është në Tiranë. Më parë dhe shefi i policisë ishte në Tiranë. Madje, edhe një nga mësuesit, që e kërkuam më parë...Ndërkohë, tre djem të fillores, me stekat më të gjata se shtati i tyre, shahen dhe luajnë. Më i rrituri na e bën me kokë sikur të jetë në një klub West, se ku mund ta gjejmë, atë për të cilin pyesim. Ajme, edhe njeriu ynë i kulturës është në Tiranë...Katër orë më pas, ndërsa ne kemi mbërritur në Çorovodë, miqtë dhe të kërkuarit tanë janë bashkërisht në Tiranë. Ndihmoj djalin më të shkurtër, që tashmë me duart e mia dhe sipër bilardos e gjuan çokun nga havaja. Si të gjithë njerëzit e këtij qyteti, edhe fëmijëve-natyra u ka skalitur shëndet të mirë... dhe shumë kohë.

Në qytet
Pak kohë para se të futesh në qytetin e Çorovodës nuk ke më asnjë mëdyshje. Je në bastionin e LSI-së dhe ngjyrat e saj do të shoqërojnë kudo. Në fakt, sa merr kthesën dhe futesh në qytet- ngjyrat e ndezura të Ilir Metës e humbin funksionin, sepse ke rënë në një nga fosilet e zbërdhylura urbanistike të socializmit. Në të djathtë, një ndërtesë tipike e arkitekturës drejtkëndore socialiste, ku është bashkia- dhe përtej saj një rrugë, ku një rresht pallatesh pesëkatëshe, të japin ndjesinë që je personazh në një nga reportazhet e dikurshme. Njerëz dhe njerëz pafund, që të gjithë janë derdhur rrugës dhe i rrotullohen një qerthulli. E gjitha kjo përbën qendrën. Sytë tanë mbesin tek një treshe e çuditshme në mes të qytetit, të cilët qëndrojnë para një memoriali. Të patrazuar. Memoriali, që përkujton ditën e çlirimit të qytetit, ka të skalitur një datë të vitit 1942 dhe një grup figurash. Që atëherë, sipas vendasve s’ka hyrë më pushtues në qytet. Kurse, vetë skraparllinjtë kanë gjetur kohë dhe u derdhën të pushtojnë gjithë Shqipërinë me oficerë dhe zyrtarë. Një dervish, që mbahet te një bastun jep e merr me dy bashkëmoshatarë 70 vjeçarë- para memorialit. Jam kurioz t’u dëgjoj muhabetin, por kur preken aq natyrshëm me duar, besoj që do jetë ndonjë gjë e përditshme. Në statistika, deri më Korrik 2008, në këtë qytet numëroheshin afro 8400 banorë, të mjaftë për të mbajtur zulmën e qytetit të gjallë. Shumë prej tyre tashmë rrotullohen. Të tjerët, kujtohen, përmes thashethemeve. Që kur Çorovoda ka mbetur si xhep dhe industria e saj është shuar, duket se edhe qyteti nanuritet njësoj. Kompleksin më të madh si qytet, e kanë prej qenësisë në Qarkun e Beratit, ngaqë tashmë aty u duhet të falen për të gjitha. Në Çorovodë s’bëjnë dot as lindjen normale dhe nuk kryejnë me asnjë hall tjetër. Shkojnë në Tiranë për punë dhe në Berat për firma. Në pak momentet që jemi në qendër, po mundohemi të bëjmë lidhjet me disa të njohur të tjerë. Përgjigjen. Na premtojnë se do të vinë. Ajo kohë e pakët pritje të mjafton që të ndjesh paqen natyrore të këtij vendi, kur mendon se gjendet midis kufijve të rretheve Korçë, Gramsh, Berat dhe Përmet. Vetë Çorovoda përfshin mes vete dhe 8 komuna (Qendër, Vendreshë, Bogovë, Zhepe, Gjerbës, Leshnje, Potom e Çepan) dhe 105 fshatra, në një lartësi që ngrihet nga 240 m dhe vazhdon deri në 2416 m, mbi nivelin e detit. Por, të gjitha s’mjaftojnë. Edhe pse ka një klimë të këndshme, e cila e fut në zonat klimatike mesdhetare kodrinore mesdhetare paramalore dhe mesdhetare malore në pellgjet ujëmbledhës të Osumit dhe të Devollit. Edhe pse këta njerëz ruajnë shëndet të mirë dhe shumë kohë...Çorovoda fle gjithë kohën...

Miqtë
Më në fund i gjejmë, ata që mendonim se nuk do t’i gjenim në kohë. Janë gati që të na shoqërojnë drejt Kanioneve, që janë vetëm pesë kilometra nga qyteti, por edhe për çdo gjë. Ne interesohemi fillimisht për qytetin dhe prej profesioneve të tyre mundohemi të abstragojmë pak për atë që bëhet në qytet. Muhabetin e kon rakia e tyre, për të cilën ata kanë një krenari lokale. Është e vetmja gjë, për të cilën shqiptarët ulin kokën pa fjalë para skraparllinjve. Por, qytetarët e saj janë edhe shumë mikpritës. Na ftojnë në një bar, që është përballë një shkolle të mesme dhe që poshtë e përshkon një si përrua. Shpejt bëhen disa burra dhe muhabeti kalon në disa tema. Përreth ka rrepe madhështore, por fare pak dorë njeriu. E megjithatë, është qytet i pastër dhe me hijeshi. Zoti i ruajtë gjelbërimin, që për fat duket se e ka ruajtur varfëria, ngaqë ende s’është mundur të ndërtohet masivisht. Pas 10 minutash muhabet të përgjithshëm, skraparllinjtë na bëjnë leksion për politikën e Tiranës. Na qesëndisin, sepse shumicën e gjërave, që dinë ata, ne as nuk ‘i dimë fare’. I dëgjojmë me kujdes. Kaq mjafton që të hapen krejt. Si ka mundësi, që vini nga Tirana, duket sikur thonë. Njëri, syresh, ka një biznesin e tij dhe tashmë pak i bën përshtypje, se ç’bëhet këtej e rrotull. Tjetri, i papunë?! I kënaqur. Ata flasin në kohë tjetër, ne kemi mbetur në këtë kohë. Po listat nëpër dyqane, i them befas naivisht. E gjithë Shqipëria është më listë, më kthen ‘biznesmeni’. Po, çfarë ka bërë politika me Ju. Përtypen. Po se te ne do e ketë mendjen, e gjen shpëtimin i papuni. Kush do ndihmë e gjen, më thonë me një gjuhë të tërthortë. Ai që punon nuk vuan. Ai që është mësuar pa punuar, kurrë s’do të ketë, më sqaron një si mësues. Në këtë qetësi, na mbetet t’u bashkohemi të thënave të tyre për natyrën, kanionet, rakinë... dhe ujin: Sesi lumenjtë që përshkojnë kilometra të tëra arrijnë dhe bashkohen poshtë qytetit, për të nisur së bashku pastaj rrugën drejt Adratikut dhe duke i lënë qytetarët e Çorovodës, këtu mes maleve. Peizazhi është krenaria e tyre e pagojë. Por, ai s’të jep bukë. Në fakt, atyre u ka falur shëndet. I kanë derdhur këngë pafund dhe kjo i bën pak donkishoteskë me pjesët e tjera të Shqipërisë. Mbase nga kjo trevë, do i shkonin më shumë historisë- personazhet e ‘Vitit të Mbrapshtë’ të Kadaresë. Jo më kot, në kohën e Luftës së Parë Botërore, ky vend u pushtua nga ushtritë e fuqive të Italisë, Austro-Hungarisë dhe Francës, të cilat ishin të vendosura në krahun e majtë të Osumit e deri në Sevran e matanë në Dëshnicë. Patriotët vendas, për t’iu ruajtur grekëve duket se e gjetën gjuhën me ta: Ali Koprencka, Mustafa Spathara, Avni Kapinova, Riza Kodheli, Ali Farmaqi, Servet Zaloshnja edhe pse nuk shkonin aq me njëri-tjetrin, duket se para të keqes së përbashkët e gjetën gjuhën me të huajt...Që atëherë Skrapari është mbajtur vetëm për burra të fortë dhe luftëtarë.
Burrat kanë me çfarë të krenohen dhe e hapin pak thesin më shumë sesa duhet. Në fakt kanë të drejtë më shumë për Osumin, bukuria e të cilit përgjatë rrugës së tij, vazhdon të çajë që nga shekujt biblikë e tutje shkëmbinjtë dhe i ka dhënë peizazhit një pamje të veçantë është shumë imponuese. Shtuar me pemët frutore dhe rrapet shekullore me ujin e ftohtë të Varishtit dhe të Guhakut, ku njerëzit zakonisht relaksohen nga kohët e nxehta, të themi se je në një qetësi të paqme. Për rakinë s’flitet. Ata kanë domenin që vetëm ata mund të prodhojnë rakinë më cilësorë të Shqipërisë. S’ka diskutim për këtë.

Me skraparllinjtë
Por larg etydit të natyrës, banorët mbesin në një gjumë të frikshëm. E prishin thashethemet e qytetit, ndërsa në të vërtetë: kafeja dhe gota e rakisë janë e vetmja mënyrë për të ngrysur ditët. Ashtu si edhe ne me ta. Larg sloganeve, dikur një publicisti shkruante për qytetin se kur ishte gati 10.000 banorë s’kisha as edhe një të papunë, ndërsa tani më gati 2000 më pak banorë -ka plot 3000 vetë. Dhe, këta qyqarët në mëshirë të politikës së Tiranës dhe të miqve, që shkojnë e vinë, s’mund të thonë asgjë. Në një evidencë dikur shkruhej se janë 450 familje që trajtohen me përkrahje. Për fat, thuhet se po rivitalizohen dy apo tre ndërmarrje, por tashmë të kthyera gati në relikte muzeale, ato është e vështirë që t’i kthejnë njerëzit sërish në punë. Ngjitja sërish e LSI-së i ka bërë shumicën e njerëzve që të turren në kryeqytet për të gjetur ndonjë gjë më shumë...

Bashkia
Po, thotë Altin Lamçe, nënkryetari i Bashkisë-është pak e vështirë jeta këtu. Është me profesion gjeodet dhe shumë i gjindshëm. Është me këmbët në tokë dhe ai na korrigjon për të gjitha. Ka një specifikë qyteti dhe ju nuk duhet ta gjykoni nga fjalët...na sqaron.”Nëqoftëse në rrethe të tjera, zonat rurale zbritën në qendra administrative, nga 1991-92 zonat e Skraparit pak zbritën në Çorovodë, sepse qytetin nuk e kanë konsideruar si trampolinë. Ata ikën direkt e në qendrat e zhvilluara, Durrës, Tiranë..”. Për të ka një zgjidhje tjetër. Qyteti realisht ka ndryshuar. Si në çdo qytet, edhe aty po punohet me shërbime, biznese të vogla familjare, merkatat e vogla, shërbime, qoftë mirëmbajtje apo prodhime, por gjërat realisht kanë ndryshuar. “Ka prej herësh një punishte vere të madhe. Ka dhe një tjetër të madhe..Ka një gjë nga përpunimi i drurit. Kurse për sa i përket gurit: Çorovoda nuk e ndjen shumë investimin në këtë fushë“. Në fakt për bashkiakët problemi më i madh mbetet se investimet kanë qenë të pakta. Tatimin e marrim thjesht nga biznesi i vogël dhe vetëm dy subjekte të mëdha. 4+5 firma ndërtimi në qytet, gjithsesi s’kanë mundur t’i fitojnë dot tenderat për punët, që janë në qytet. “Investime ka pasur pak..dhe fuqia punëtore vjen nga jashtë. Ka qenë dhe një periudhë ndërmjet 2002-2005 ishte për faqe të zezë. Tashmë, diçka ka ndryshuar dhe po shfrytëzojnë dhe rrethinat. Prodhohet rrushi, frutikultura...dhe diçka po lëviz”.
Në fakt, Çorovoda e dikurshme mbahet mënd se ka pasur disa subjekte të konsiderueshme. Ajo që sot është bërë fabrikë vere. Më parë ka qenë dhe një ndërmarrje përpunimi. Kishte përpunime të alkoolit. Kishte një ndërmarrje konservimi të frutave, që e kemi parë në ardhje të skeletuar, që tashmë po duan ta rivitalizojnë e kështu me radhë. Pas ’90, ndodhi ajo që ndodhi kudo dhe njerëz të pamësuar, që patën mundësi të privatizonin, e realizuan keq ndryshimin drejt kapitalizmit. E morën disa njerëz që nuk e bënin dot, tund kokën burri. Pastaj për një periudhë, që përkonte me fajdet, u duk se kishte një zhvillim por edhe kjo ishte më shumë fiktive, pohon. Në këtë kohë ndodhi dhe boshatisja e Skraparit. Pak vite më pas, gjendja do i rikthehej sërish kërkimit. Po ringrihet fabrika e rrushit, funksionimi i kësaj fabrike pritet të punësojë disa njerëz. Skraparlliut të sotëm duket se i hanë duart për punë, sipas tij. “Ai nuk pranon lëmoshë, dhe Çorovoda mbetet e pastër nga dinjiteti. Ndërkohë shumë prej skraparllinjve janë derdhur në Tiranë dhe në Durrës, ku gjenden më shumë, por ka dhe në Fier dhe në Vlorë. Është për tu theksuar se kanë ikur fisi dhe ka një tendencë se kur janë përmirësuar ekonomikisht dhe vinë e rregullojnë shtëpinë ose vinë e marrin gjërat e tyre”. Për të kuptuar rëndësinë e qytetit mund të llogarisësh se një banesë shitet 1.7-2 milion për apartamente 2+1. Këtu nuk ka shtëpi me shumë parametra, por duket se vendasit e dikurshëm po i kthehen qytetit. Të paktën për pushime, sepse në muajt e dimrit, qyteti është sërish i vdekur. Nuk ka jetë kulturore?-e pyesim. “Kemi një qendër kulturore, që janë heronj për punën që bëjnë. .Ka dhe bibliotekë dhe funksionon. Kemi edhe një sallë kinemaje që s’është vënë në punë...”, më thotë nënkryetari, duke nënkuptuar që është e zbrasët.

Çfarë mund të bëhej
Për të kuptuar stanjacionin, por edhe ngadalësinë e reagimit të administratës, mund ta kuptosh, kur në një telereportazh thuhej se kanionet janë 50 kilometra nga Berati megjithëse ato janë brenda vijës së verdhë të qytetit të Çorovodës?! Inteligjenca, që mund të bënte diçka, është larguar nga qyteti, kurse burimet njerëzore janë bjerur.
I vetmi ekipi i futbollit me president Hysen Cakën, që është në kategorinë e parë, mban krenarinë e qytetit.”E kemi bërë se me këtë rast, po të kesh një ekip në kategori të parë, do punosh dhe për ndërtimin e ekipeve zinxhirë. Asnjë lloj ekipi tjetër s’kemi dhe ka arritur që edhe fëmijët 12 vjeç luanin më parë domino”, thotë me trishtim 38 vjeçari Lamçe, që është shumë i dashamir me ne. Për Çorovodën, një lloj zgjidhje mund të ishte rruga me Përmetin, që mund të arrihet pas 20 kilometrave, kurse në Gjirokastër sot arrihet me fuoristradë për 2 orë nga kanionet. Zyrtari më flet se ka filluar një asfaltim dhe se ka shumë shpresë që rrugët do rregullohen, të paktën në këtë mandat të tyre. Kjo do ishte zgjidhje që do i jepte pak gjallëri. Atë, që sot e mban Berati. “Në Berat shkojmë dy orë me autobuz. Atje është qendër administrative dhe janë vulat e rëndësishme, kurse këtu s’ka as doktor dhe asgjë. Ka vetëm një mjek patalog, kurse kirurg s’ka. Drejtori i sotëm i spitalit ishte gjinekologu i fundit, por tashmë s’bëhet lindja. Duam të bëjmë dhe një peticion. Vërtetë shkojnë doktorët në qendra prefekturash por kemi fshatrat ku shkohet për 6-7 orë. Ne kemi mbetur e vetmja bashki e nivelit tonë që nuk na ka ndryshuar vija e verdhë që më 91...Qyteti ka mbetur në të njëjtën gjurmë që ka pasur në fund të 90. Jo si vende të tjera që ka marrë rrethina...”. Ky futet në një nga shqetësimet e strukturës, që ai bën pjesë.

Zhgënjimi
Ndahem me burrin, ndërsa me miqtë, që tash janë shtruar në muhabet- ndajmë orët e fundit. Në një gjë, të gjithë janë dakord që Emigracioni mban peshën më të madhe, por duket se edhe ai për shkak të krizës globale nuk sjell më para si më parë. Ata kanë bërë familje dhe kanë hyrë në rrjedhën e tyre, më thotë ‘i papuni’. Përveç emigrantëve, për njerëzit një burim janë pllakat dhe bimët mjekësore, por edhe këto jo kushedi se çfarë. Po të rinjtë që mbarojnë?-i pyesim. Ah, kush do të vinte këtu, thonë burrat, që tashmë janë bërë pesimistë. Aktualisht në dy 9-vjeçaret janë 1200-1300 nxënës dhe një e mesme me 600 nxënës, e cila mbledh dhe rrethinat. Por, të rinjtë në qytet, të gjithë duken se mendojnë sesi të ikin. Kjo i ka bërë të gjithë, që të jenë shumë indiferentë ndaj kulturës së tyre. U kujtoj sopranon e njohur Ermonela Jahon, por edhe njerëz të tjerë që janë në qytet, që e kanë për nder që të respektohen, dhe pse ata nuk i përdorin si modele. Duket se nuk i njohin shumë. Ka ardhur koha të ndahemi. Më Altinin jam ndarë më shpejt sepse është i sëmurë...
Bëjmë një rikonjicion të qytetit nga rruga që të dërgon te kanionet. Është e mrekullueshme Çorovoda, kur e shikon nga e përpjeta...Por shumë pak dorë, mbi të. Kjo është sfida e tanishme e bashkiakëve. Të paktën, nga fjalët. Burrat na kërkojnë sërish të ulemi. Duhet të ikim pas kaq shumë orësh në Skrapar. Një grua, që e pyesim për një të njohurin tonë-në Qendrën Kulturore, atje ku rruga i ngjitet qytetit, na flet me një si përbuzje. E vini nga Tirana dhe çfarë ...Eh punojmë”. Po kjo piano,-e pyesim. “I bie unë”, më thotë. Pianos nuk i bihet zonjë, i them. Por ajo e ka me revan, në këtë ditë vjeshte. Neve na duhet të largohemi. Janë 171 kilometra deri në Tiranë, që duhet t’i llogarisësh për të paktën katër orë përmes shumë kthesave marramendëse...Humbin në muzg ndanë Osumit në vjeshtën e vitit 2009.

5 Komente

Shume interesante!

Pamvaresisht qellimit prezantimi qe i ben Ben Andoni qytetit te Corovodes me duket shume interesant dhe pse jo i bukur.Me beri pershtypje qe akoma eshte ruajtur vija e verdhe pas 20 vjetesh gje qe ne qytete sado qe te vogla jane e has shume rralle.Si kudo ne Shqiperi probleme ka,por ajo qe me beri pershtypje me shume eshte fakti se nuk degjova sic rendom degjon ne qytete apo qyteza te tjera qe mjerim i skajshem e ka pllakos por me sa kuptoj une emigracioni le gjurme per mire ne kete qytet.

Mire mer Ben, mire smiley

Kurse, ... skraparllinjtë ... u derdhën të pushtojnë gjithë Shqipërinë me oficerë dhe zyrtarë  smiley

FLM per ket shkrim!

corovoda anes lumit / pi raki e futja gjumit

anonim

 Rakia e Skraparit eshte me te vertete e shkelqyer. U njofta ketu ne Belgjike me babain e nje emigranti, nga çorovoda, dhe me tha qe nese vija ne Tirane te hidhesha dhe ne çorovode,  per te provuar rakine e tij. Vajta ne çorovode tek Petriti, (tani ka vdekur i shkreti nga zemra) dhe me dha nje shishe 1,5 l me raki nga e vetja. Akoma nuk kam pare raki aq te dashur dhe aq te forte si ajo e Petritit nga çorovoda. Tu hapshin mushkrite. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).