Ndreka, leksion nga karroca e invaliditi

Një pjesë e konsiderueshme e shtypit dhe medias vizive, ka ditë që flet për "ARMO"-n dhe "Taçi"-n. Në fakt, flitet për dhjetëra miliona euro, që janë taksa të papaguara, borxhe ndaj shtetit, që po përgatiten t‘i falen, privatizim skandaloz, dhjetëra miliona euro që shteti ia dhuron një biznesmeni etj.

Po ashtu, ka ditë që flitet për Orikumin, protestën e një grupi qytetarësh që kërkojnë, sipas tyre, tokën që u takon sipas ligjit, por që qeveria ua ka njohur disa pronarëve të tjerë. Ata do të bëjnë aty pallate e vila turistike, fare pranë bregdetit.

Flitet për prishjen e marrëveshjes me pronarin e minierës së kromit dhe përflitet për lidhjen e kontratës së re me një tjetër sipërmarrës. Sërish shumë para në mes. Miratohen ligje e VKM-ra, që ligjërojnë shitjen dhe blerjen e trojeve e fshatrave turistikë, nga Gjiri i Lalëzit deri në Ksamil.

Flitet për kontrata dhe marrëveshje, të bardha e të zeza. Ujdi të vjetra që prishen për t‘ua rishitur licencën të tjerë pronarëve, të cilat ashtu si tutorët me femrat fatkeqe, do të bëjnë shfrytëzimin e radhës të pasurive kombëtare. Flitet për shumë para, miliona, dhjetëra miliona e qindra miliona, jo lekë, por euro. Njerëz me pushtet, qeveritarë e familjarë të tyre, politikanë e deputetë të të gjithë sojit, janë sulur në mënyrë të pangopshme të marrin çfarë t‘u pëlqejë. Një babëzi e pafre për toka, troje, vila, pallate, fshatra turistikë, sipërmarrje, miniera e gjithçka tjetër, mbi dhe nën tokë. Ndërsa mësojmë gjithnjë e më shumë se etja e ca njerëzve për pasuri e para nuk ka të sosur kurrë, përballemi edhe me të tjerë njerëz, që i përkasin një bote krejt tjetër.

Pak ditë më parë, "Fiks Fare" transmetoi një seri reportazhesh, që tregonin varfërinë me të cilën jetonin disa familje në Veri të vendit. Të thuash varfëri është pak. Mjerimi dhe mizerja nuk kanë njësi matëse për të përshkruar atë që shfaqej në ekran. Njëra prej tyre, një familje me pesë persona, ushqehej vetëm me pensionin e invaliditetit që merrte një prej fëmijëve të sëmurë paraplegjikë. Një ditë më pas, te hyrja e "Top Channel", një burrë me karrocë invalidi kërkonte takim më drejtuesit e "Fiks"-it. Ai quhet Ndrekë Ismaili. Rreth 20 vjet më parë ka qenë një djalë i gjatë dhe i fortë. Por një aksident bëri që jeta t‘i ndryshojë kryekëput. Fati e mposhti dhe e uli në karrocën e invalidit, por ai nuk iu nënshtrua fatit. Ndoshta, shumëkush në vendin e tij do t‘i drejtohej thjesht lëmoshës dhe do të shtrinte dorën e bamirësisë te shteti. Por Ndreka, jo vetëm që e mposhti fatin, por dhe e sundoi atë. Sot ai punon në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe është vënë në krye të përpjekjeve për të siguruar më shumë të drejta për njerëzit të cilët kanë nevojë për përkujdesje dhe vëmendje shtetërore.

E njoh që në bankat e universitetit Ndrekën dhe më kërkoi ta ndihmoja të takonte drejtuesit e "Fiks"-it. I thashë se jo çdo gjë mund të marrë zgjidhje duke e denoncuar në media. Por Ndreka nuk kishte ardhur për hallin e tij, apo të atyre që kanë të njëjtin fat si ai. Njeriu, i cili për të lëvizur duhet të përdorë duart, me to vë në lëvizje rrotat e karrocës, kërkonte të ndihmonte një nga familjet e varfra, që ishin shfaqur në ekranin e "Top Channel". Ndreka kishte vendosur që çdo muaj t‘i kalonte kësaj familjeje 50 mijë lekë të vjetra nga rroga e tij. Pasi ky vendim i tij u transmetua në emisionin "Fiks Fare", Ndreka nuk reshti së telefonuari, derisa "Fiks"-i e finalizoi dëshirën e tij, i hapi një numër llogarie familjes së varfër nga Shkodra dhe Ndreka kaloi këstin e parë të ndihmës.

Ndreka nuk ka fshatra turistikë, rafineri nafte, miniera, fabrika e biznese. Nuk ka dhjetëra miliona euro e as dhjetëra miliona lekë, madje tashmë do të dërgojë më pak para në shtëpinë e tij. Por thotë se ndjehet më i qetë, duke ndihmuar një familje që kishte më shumë nevojë se ai. Ndreka, i cili udhëton rrugëve të Tiranës me karrocë, në vapë e në shi, na jep ne të tjerëve një leksion shumë të madh, një shembull humanizmi që ngrihet mbi çdo ambicie dhe etje për pasuri, pushtet e lavdi. Dhe kur them ne të tjerëve, këtu nuk kam parasysh sojin e të babëziturve, që nuk ngopen as me tokë, as me det e as me nëntokë. Ata janë gati t‘ia marrin edhe karrocën Ndrekës, nëse do t‘u nevojitet.

1 Komente

Ndreka punon ne Ministrine e Punes dhe Ceshtjeve Sociale dhe shkoi te FIKSI per te ndihmuar kete familje??  :rolleyes:

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).