Ndërtuesit: Qeveria po na kthen në komunizëms

Të gjitha çmimet po përcaktohen nga tatimet dhe jo më nga tregu, thotë Shoqata e Ndërtuesve

Përdorimi i çmimeve referencë për të gjitha mallrat dhe shërbimet në sektorin e ndërtimit është një "është kthim mbrapa, centralizim ekstrem dhe arbitraritet i pakuptimtë". Ky është qëndrimi i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, ndaj një praktike tashmë dyvjeçare të ndërmarrë me vendim qeverie dhe që ka bërë të detyrueshme zbatimin për efekt të përcaktimit të detyrimeve fiskale, të çmimeve të përcaktuara nga qeveria.

"Për një vend që synon të instalojë ekonominë e tregut të lirë, ideja për fiksimin e centralizuar të çmimeve të punimeve dhe mbi këtë bazë për përcaktimin e detyrimeve tatimore e kontrollin e këtyre detyrimeve, që në koncept është plotësisht e gabuar dhe pa kuptim", deklaroi dje shoqata.

Në maj të vitit 2007, qeveria miratoi një vendim të propozuar nga Ministria e Transporteve. Vendimi kategorizonte një pafundësi mallrash e shërbimesh që i hyjnë në punë sektorit të ndërtimit, si dhe përcaktonte një çmim për njësi për secilin prej qindra mallrave e shërbimeve të kategorizuara. Vendimi përdoret aktualisht nga administrata tatimore për të përcaktuar detyrimet fiskale të kompanive të ndërtimit, qofshin këto prodhues të materialeve të ndërtimit apo ndërtuese.

Vendimi ishte një nga masat e shumta që qeveria ndërmori me synimin për të mbledhur më shumë taksa, ndërsa shpallte se po i ulte.

"Siç dihet nga kompanitë e ndërtimit, prej kohësh kërkohet zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ka miratuar manualin e punimeve të ndërtimit dhe çmimet e tyre të centralizuara e të fiksuara, mbi bazën e të cilit të bëhet llogaritja e detyrimeve tatimore për të gjitha shoqëritë e ndërtimit. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë është shprehur shumë qartë se ky vendim, i cili bën të detyrueshëm zbatimin e manualit për llogaritjen e kostos dhe të çmimeve të punimeve të ndërtimit", në kushtet e ekonomisë së tregut, është plotësisht jashtë kohe, është kthim mbrapa, centralizim ekstrem dhe arbitraritet i pakuptimtë", thonë ndërtuesit.

Sektori i ndërtimit në Shqipëri qarkullon rreth 1.5 miliardë euro në vit, duke qenë përgjegjëse për rreth 50 mijë të punësuar.

Afrofe gjithandej

Taksimi i ndërtuesve me metoda afrofe ka qenë një praktikë e parapëlqyer për qeverinë gjatë dekadës së fundit. Ligjërisht ndërtuesit nuk paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi vlerën e apartamentit apo dyqanit të shitur, por e paguajnë atë mbi koston. Dhjetë vjet më parë, qeveria përdori një studim të Institutit të Statistikave dhe doli në konkluzionin se një metër katror në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 25 mijë lekë. Ndërtuesit paguan TVSH të inkorporuar mbi këtë shifër, pa marrë parasysh koston reale. Me kalimin e kohës, qeveria e harroi studimin e INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, dhe e shtoi koston minimale zyrtare. Por edhe kjo nuk e kënaqi. Me lobimin e Shoqatës së Ndërtuesve, në vitin 2003 qeveria ra dakord të përcaktojë çmime minimale shitjeje për apartamentet dhe dyqanet në të gjithë Shqipërinë. Shoqata e Ndërtuesve u ankua dje mbi çmimet referencë për kostot, por jo për çmimet finale të shitjeve. Këto të fundit po përdoren aktualisht si referencë për përcaktimin e taksës së fitimeve kapitale mbi pronat e paluajtshme, e cila është vendosur në vitin 2007. Kjo taksë takson me 10 për qind diferencën mes çmimit me të cilën një qytetar e ka blerë një pronë dhe çmimit me të cilën e ka shitur. Taksa ka efekt edhe mbi pronat e blera dhjetë apo njëzet vjet më parë.

Qeveria ka përcaktuar përveç taksave referuese mbi koston e imputeve dhe çmimit final të shitjes, edhe norma referuese fitimi për kompanitë e ndërtimit. Mbi këto norma paguhet tatimi mbi fitimin.

Ndërtuesit ankohen edhe për pagat referuese, të cilat janë bërë edhe problemi kryesor në kompanitë e biznesit. Pagat referuese u vendosën gjithashtu në vitin 2007, me qëllim që të rrisnin artificialisht të ardhurat e qeverisë për sigurimet shoqërore e shëndetësore, si dhe te hyrjet në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale.

"Shoqata e Ndërtuesve ka shprehur shqetësimin e saj të thellë se ide të tilla për fiksimin e centralizuar të çmimeve të proceseve të punës në ndërtim, të materialeve të ndërtimit, etj. dhe përcaktimi i detyrimeve tatimore mbi bazën e këtyre çmimeve, në fakt janë mentalitet i qeverisjes. Mjafton të përmendim këtu Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 285, datë 04.05.2007 të pagave referuese, në bazë të të cilit janë fiksuar një herë e mirë të gjitha nivelet e pagave për punonjësit e të gjitha kategorive dhe për të gjithë sektorët e ekonomisë, për efekt të llogaritjes së detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe për tatimin mbi të ardhurat personale", deklaroi dje Shoqata e Ndërtuesve.

Sipas ekspertëve, një model i tillë taksimi krijon deformime të rënda në treg pasi redukton korrelacionin mes produktivitetit të punës dhe kostos së saj, gjë që krijon të njëjtat probleme sistemike që sollën dështimin e sistemit komunist.

"Në mjaft raste, nivelet e këtyre pagave janë përcaktuar edhe më të larta nga sa realisht janë, gjë që me fjalë të tjera do të thotë se shoqëria dhe individi janë të detyruar të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale dhe kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për një pagë të pa marrë në fakt. Në të njëjtën linjë me këtë është gjithashtu edhe zbatimi në praktikë i çmimeve të referencës në dogana (ku referimi në këto çmime, praktikisht mbisundon mbi çdo mënyrë tjetër vlerësimi të vlerës doganore, për efekt të llogaritjes së detyrimeve doganore të mallrave të importuara)", thonë ndërtuesit.

Pasojat mbi çmimet

Ekzistenca e kaq shumë taksave referuese në të gjitha hallkat, nga lëndët e para deri te çmimi final, duket se ka pasojë qoftë psikologjike, qoftë reale në çmimet e pronave të paluajtshme në Shqipëri. Kështu, ndonëse kërkesa për prona të paluajtshme ishte pothuajse zero për më shumë se katër muaj në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, çmimet në Shqipëri njohën një ftohje të lehtë. Zyrtarisht për tatimet, çmimet e apartamenteve e dyqaneve as nuk janë rritur dhe as nuk janë ulur, gjë që ka krijuar një kosto fikse fiskale për kompanitë e ndërtimit dhe shitësit privatë. Kjo gjë në përfundim sjell rezistencë të çmimeve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).