Mediatizimi i historisë

Me rastin e përvjetorit të festës kombëtare të Kinës, në shtypin shqiptar nuk munguan komentet pozitive për ecurinë ekonomike të këtij shteti të madh dhe përpjekjet e veçanta për të kaluar nga sistemi i centralizuar ekonomik në atë të ekonomisë së tregut. Nuk mund të mungonte natyrisht dhe një historik i shkurtër i marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ku midis shumë episodeve të miqësisë tradicionale nuk u la pa përmendur dhe kontributi i Shqipërisë në hyrjen dhe pranimin e Kinës në OKB, me të drejta të plota. Gazetarët i referoheshin vitit 1971 dhe propozimit të Shqipërisë ndaj Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të pranuar Republikën Popullore të Kinës si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe një nga vendet me të drejtë vetoje. Republika Popullore e Kinës zëvendësonte në këtë mënyrë Republikën e Kinës, atë çka njihet sot si Tajvan. Ky pranim e rriti shumë peshën specifike të Republikës Popullore të Kinës në politikën ndërkombëtare, e përgjithësisht i parapriu zhvillimit të saj ekonomik.

Në këtë kontekst, sipas gazetarëve, roli i Shqipërisë në pranimin e Kinës në OKB është i patjetërsueshëm dhe diplomacia e Shqipërisë ishte e aftë të bindte 15 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të vitit të largët 1971 dhe 4 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit për rëndësinë e pranimit të Kinës në këtë organizëm ndërkombëtar. Për ta bërë sa më bindës këtë lajm, disa media e ilustruan edhe me foto të përfaqësuesit tonë, kur bënte propozimin e famshëm.

Por a ishte kjo arsyeja e vërtetë e pranimit të Kinës në OKB? A kishte Shqipëria kaq peshë diplomatike sa të influenconte në marrjen e një vendimi të tillë? Në fakt, duke vëzhguar diplomacinë shterpe të Shqipërisë në vitet ‘70 skllave të ideologjisë marksiste dhe aspak pragmatiste siç rëndom ndodh të jetë diplomacia e një shteti të vogël, vështirë mund të mendosh se mund ta realizonte një objektiv të tillë. Por atëherë si ka hedhur rrënjë ky perceptim i tillë?

Në fakt, arsyeja e përmendur më lart për pranimin e Kinës në OKB me të drejta të plota dhe vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit nuk është arsyeja e vërtetë, por është një skup gazetaresk i krijuar në fillim të viteve ‘90 për të treguar sesa i verbër ishte ideologjikisht shteti komunist shqiptar, që nuk tregonte kujdes të denonconte shtypjen nacionale që i bëhej popullsisë shqiptare në Jugosllavi, por kujdesej për fatet e revolucionit botëror. Si i tillë, ai ka kohë që ka hedhur rrënjë në ligjërimin politik shqiptar, saqë është e pamundur që të mos trajtohen marrëdhëniet shqiptaro-kineze dhe ky fakt të mos citohet e vlerësohet si hap përcaktues në integrimin e Kinës komuniste në OKB.

Nga dokumentacioni historik rezulton që, para se Kina të pranohej në OKB, ka pasur një aktivitet të dendur diplomatik midis SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera të interesuara. Kështu që, para se të ishte një aksion i imponuar në një seancë të OKB-së, ishte një aksion i diskutuar dhe menduar thellë në tavolinën e bisedimeve, ku Shqipëria luajti vetëm rolin e prezantuesit dhe hedhjes së propozimit për miratim.

Shpjegimi i ngjarjes diplomatike sipas arsyes së parë është interpretimi gazetaresk i historisë, i cili për fat të keq, shfaqet kohë pas kohe në mendimin historik shqiptar. Kjo ndodh, pasi një mori opinionistësh, gazetarësh, sociologësh dhe njerëz të fushave të tjera të studimit kërkojnë të shkruajnë dhe prodhojnë histori, duke prezantuar metoda të përcipta të kërkimit shkencor dhe deri diku amatore. Është e vërtetë që "historia", siç thotë Herodoti, "është nëna e dijeve", por natyrisht kjo nënë nuk dëshiron të trajtohet si njerkë. Kjo klimë trajtimi e historisë ushtron një trysni të padukshme mbi historianët profesionistë të hasur shpesh dhe nëpërmjet debateve televizive ku historianit i duhet të pajtohet me ndërtimin e miteve në historinë tonë që sociologët dhe gazetarët analizojnë, kur në fakt detyrimi i tij është që të studiojë nëpërmjet dokumenteve dhe vetëm dokumenteve zhvillimin dhe vërtetësinë e ngjarjeve historike.

Shpjegimi i ngjarjes diplomatike ashtu si ka ndodhur është misioni fisnik i historianit. Logjika e ngjarjeve që shpjegon, jo vetëm ngjarjen që ndodh, por dhe një seri të tërë ngjarjesh që e pasojnë, krijojnë sfondin e duhur për të kuptuar qartë dukurinë apo çastin historik. Në këtë kontekst nuk mund të kuptohet afrimi amerikano-kinez në fillimet e viteve ‘70, që kulmon me vizitën e Presidentit amerikan, Nikson, në Kinë, pa të ashtuquajturën diplomacinë e "pingpongut", siç është emërtuar politika afruese midis SHBA-së e Kinës dhe ku pranimi i Kinës në OKB është një gur plotësues në mozaikun e këtyre marrëdhënieve.

Një aspekt tjetër, ku ndikimi i gazetarisë ndihet së tepërmi në shkrimin e historisë është dhe gjuha akademike që supozohet ta përdorin historianët në veprat e tyre. Historianë të shquar në vendet ballkanike përmenden me nderim edhe sot, jo vetëm për punën e tyre kërkimore, por dhe për kontributin që kanë në gjuhën letrare të vendeve të tyre, ndërsa tekstet tona historike, për fat të keq, vazhdojnë të jenë të mbushura me fraza të tipit zhdavonist, si "çeli një epokë të re", apo zhargon gazetaresk të huazuar, si shprehja "zhvillime të papara". Për më tepër, adaptimi i mendimit gazetaresk militant për ngjarjet e freskëta, që s‘kalojnë kufirin as të 20 viteve dhe këmbëngulja në mendimin historik të trashëguar, ku ngjarje të rëndësishme të historisë sonë 60-vjeçare vazhdojnë të shkruhen sipas klisheve që i ndajnë personazhet e historisë në bardhë e zi, në të mirë e të këqij, krijojnë një histori të sforcuar, e cila para se të jetë kombëtare mbetet një histori lokaliste dhe e njëanshme. Ka ardhur koha që mendimi historik shqiptar, me kurajë civile dhe qytetare, të fillojë të thotë fjalën e vet për historinë tonë të debatuar, duke krijuar premisat e një rilindje të vërtetë shpirtërore, tashmë jo vetëm për të mësuar nga gabimet e së kaluarës, por dhe për të ndërtuar mirë të ardhmen.

3 Komente

Shkrimi është i mirë, por që në fillim kjo ma vrau veshin: 

Me rastin e përvjetorit të festës kombëtare të Kinës

Do ishte historikisht më e saktë të thuhej që është 60-vjetori i republikës popullore të Kinës. S'është thjeshtë një "festë kombëtare" neutrale, është festa e Kinës komuniste.

Penar, te them te drejten 'i just skimmed this' (si m'duket, sikur kam mbushur nje tas me yndyre), po kjo puna e Kines si shume shtrember eshte kapur, se roli ine s'qe aq ne futjen e Kines ne OKB sesa ne shprehjen e shqetesimeve/mendimeve te saj ne kohen kur ajo s'ishte anetare ... keshtu me kane thene librat e historise te pakten. Tani, kryerja e 'misionit fisnik te historianit' per t'iu pergjigjur nje hamendesimi bazengushte me duket pak e nxituar.

Trop me vjen keq po nuk po thua ndryshe nga sa ka qene e verteta...Dmth zeri i yne kur KINA nuk qe anetare ishte zeri i vetem  ne shprehjen e shqetesimeve/mendimeve te saj .... Me pas Kina u fut ne OKB si rezultat edhe i luftes e perpjekjeve te preshtura te SHqiperise dhe zeri i saj u DYZUA smiley apo JO ?

Sot po , ka shume zera dhe nje nga ata qe s'ja ka haberin fare po fare ama asaj qe shkruan ,eshte edhe autori i prurjes surrogato.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).