Mbi linjat kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë

Fjala e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, në Forumin e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë të organizuar nga AIIS

26 tetor 2009
Shpërndarë nga Instituti Kombëtar i Diasporës

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë për mua sot t’i drejtohem këtij Forumi të nderuar  dhe të paraqes pikëpamjet e mia mbi linjat kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë, përqasjen mbi ngjarjet më me rëndësi në rajon e më gjerë, si dhe sfidat që na presin.

 Shqipëria ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë llogjike e partneritetit në rritje me të gjithë strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO, në prill të këtij viti. Jemi në një proçes të rëndësishëm dhe konstruktiv me Bashkimin Evropian pas hyrjes në fuqi më 1 Prill të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat, si dhe në një periudhë intensive të plotësimit të kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në.

 Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës. Politika jonë e jashtme është e vendosur të rrisë këtë rol dhe kontribut, si një faktor me peshë rajonale për rritjen e sigurisë, për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal. 

 Është fakt i njohur për të gjithë se gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtetformuese.  Më i fundit prej tyre, shteti i ri Kosovës, pavarësia e të cilit ishte vendimi më i drejtë për t’i siguruar rajonit paqe dhe stabilitet afatgjatë.

Në gjykimin tim, Kosova përballet sot me një sfidë të dyfishtë. E para, konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve të saj të reja e të pavarura. Dhe e dyta, po aq e rëndësishme, institucionet e shtetit të ri të Kosovës duhet të ngrihen, zhvillohen dhe konsolidohen në përputhje të plotë me standartet që kërkon perspektiva e saj integruese evropiane, e cila në progres raportin e fundit të Komisionit Evropian është më e qartë dhe konkrete.

 Unë besoj se autoritetet e Kosovës kanë dhe do të kenë vullnetin maksimal për të bashkëpunuar ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe EULEX-in, për të koordinuar ngushtësisht në aplikimin e standarteve më të larta të shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të pakicave.    

 Shqipëria mbështet njohjen e mëtejshme të Rëpublikës së Kosovës dhe përshëndet anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

 Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Këto marrëdhënie duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. Ne do të punojmë në mënyrë intensive dhe konstruktive me Qeverinë e Serbisë, për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal.

Shqipëria inkurajon dhe mbështet integrimin e Serbisë në të gjitha nismat dhe iniciativat rajonale, së fundmi Ministeriali i Mbrojtjes të Evropës Jug-Lindore, pasi beson se pa një pjesëmarrje, bashkëpunim dhe integrim të plotë të saj në këto organizata, vetë kuptimi dhe ekzistënca e tyre do të ishtë e paplotë.

 Bashkëpunimi konstruktiv mes Shqipërisë dhe Serbisë, sjell një impakt pozitiv për të gjithë rajonin.

 Në raportet ndërshtetërore me Maqedoninë, Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë me konsekuencë politikën e saj të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit të ndërsjëlltë, të mbështetjes për integrimin e saj të shpejtë në NATO, ashtu sikurse mbështesim edhe procesin e anëtarësimit të këtij vendi fqinj në Bashkimin Evropian.

 Njëkohësisht besoj se edhe Maqedonia fqinje do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, çka do të krijojë një klimë të re dhe më të përforcuar të bashkëjetesës ndëretnike, ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive në administrimin e punëve të vendit dhe në procesin e integrimit.

 Tensionet e fundit me karakter të referencave të gabuara historike, nuk i shërbejnë rajonit dhe as vetë Maqedonisë, pasi kjo retorikë mund të rrezikojë të akselerohet në nivele të padëshiruara, që do të na kthente të gjithëve vite pas. Reagimi i autoriteteve shtetërore maqedonase për të tërhequr nga qarkullimi enciklopedinë që ngjalli aq debate është përshëndetur prej nesh, ashtu sikurse kemi dënuar edhe deklaratat për ekstremizëm. Unë beoj se duhet të harxhojmë shumë më pak energji për historinë dhe më shumë energji për integrimin e përbashkët evropian.

 Duke marrë shkas nga prezenca ime në këtë Forum, dëshiroj të ripërsëris edhe një herë vlerësimin tim maksimal për vendimin e rëndësishëm të autoriteteve dhe parlamenteve të Kosovës dhe Maqedonisë për Marrëveshjen Kufitare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si një hap në drejtimin e duhur për forcimin e klimës së fqinjësisë së mirë, paqes dhe sigurisë në rajon, që ndihmon procesin e integrimit.

 Mali i Zi, si një ndër elementët e tjerë shtetformues të dalë nga ish-Jugosllavia dhe fqinje e Shqipërisë, përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Vetëm në një dekadë kemi kaluar nga marrëdhënie inekzistente në marrëdhënie dinamike shumëplanëshe.

 I përmenda jo pa shkak që në fillim marrëdhëniet e Shqipërisë me këto vende, pasi me to ndajmë dhe një problematikë të përbashkët: ekzistencën e shqiptarëve etnikë në secilin prej tyre, çka unë besoj se është një faktor kyç që duhet të na bashkojë në përpjëkjet tona të përbashkëta, për të lënë pas krahëve të kaluarën dhe për të parë drejt së ardhmes, e cila nuk mund të jetë ndryshe veçse integrimi evropian i rajonit, çka do të thotë bashkëjetesë, tolerancë dhe bashkëpunim.

 Politika e jashtme e Shqipërisë mbështet integrimin e Bosnje-Hercegovinës në NATO dhë BE. Por, unë vlerësoj se për të arritur një dinamikë të re në proçeset integruese, Bosnje-Hercegovina duhet të realizojë ato reforma që e bëjnë një shtet më koheziv dhe funksional.

Unë besoj së bashkëpunimi rajonal do të jetë më i plotë, më konstruktiv, më i qëndrueshëm dhe më i dobishëm në procesin e integrimit, duke mos mbetur vetëm në rrafshin e dialogut politik dhe në frazat për fqinjësinë e mirë. Ky bashkëpunim duhet të jetë konkret dhe i shtrirë në të gjitha fushat që krijojnë një magnitudë të re rritjeje dhe fuqizimi ekonomik për rajonin.

 Duke filluar nga lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet respektive, sepse e konsideroj si anomali dhe jashtë kohe faktin se ndërsa kërkojmë që të shkojmë pa viza në Bashkimin Evropian, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi regjim vizash ndaj njëri - tjetrit.

 Rritja esenciale e shkëmbimeve dhe flukseve që krijojnë një njohje më të mirë reciproke e që veçanërisht vjen nëpërmjet komunikimit mes elitave akademike, kulturore e sociale duhet nxitur dhe institucionalizuar.

 Rritja e shkëmbimeve tregtare nëpërmjet krijimit të një hapësire ekonomike rajonale që lehtëson dhe eleminon barrierat përmes implementimit real të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik të rajonit.

 Fuqizimin e një rrjeti infrastrukturor rajonal, me akse që përshkojnë linjat kryesore të qarkullimit dhe fluksit të shkëmbimeve, si dhe lidhjen e tyre me rrjetet infrastrukturore evropiane e euro-aziatike, çka besoj se do t’a shndërrojë pozitivisht dhe përfundimisht rajonin jo vetëm nga pikëpamjagjeostrategjike, por do t’a bënte atë më të sigurtë, duke rritur edhe dimensionin e tij gjeoekonomik, duke zgjeruar në përmasa të konsiderueshme tregun dhë rritur interesin për investime të huaja.

 Një Ballkan i ndërvarur dhe i ndërlidhur ekonomikisht me vende dhe rajone fqinjë dhe me interesa të përbashkëta dhe historike si Italia, Greqia, Turqia, me të cilat kemi marrëdhënie të natyrshme, tradicionale dhë strategjike, fuqitë tradicionale dhe anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, por edhe me qendrat aktuale të zhvillimit ekonomik botëror, do t’i jepnin atij një dinamikë të re zhvillimi dhe prosperiteti, e nevojshme për integrimin e tij evropian, por edhe për garantimin e tregjeve rajonalë dhe ndër-rajonalë për Bashkimin Evropian.

 Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë të ri në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standarteve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejtë nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku më asistencën e vetë Bashkimit Evropian.

 Siguria në sektorin e energjisë përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimi i rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike do të rrisë rolin specifik të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së dhe garantimin e sigurisë së saj nga vartësia ndaj energjisë, por mbi të gjitha në aspektin e sigurisë, paqes dhe mirëqënies s vetë popujve të tij.

 Pozicioni gjeografik i rajonit, interesat strategjike të të cilit si një rrugë kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Përëndimit, do të përforcoheshin me një dinamikë të re që do t’a bënte integrimin e tij të shpejtë, të domosdoshëm për vetë Evropën, pasi pozicionimi i tij aktual si një rajon i rrethuar nga kufij të BE-së, por i paintegruar në këtë të fundit do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si nje vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike.

 Vokacioni evropian i Shqipërisë mbetet i pandryshueshëm dhe politika jonë e jashtme ka si prioritet madhor integrimin në BE. Ne presim që vendimi për fillimin e negociatave për statusin e vendit kandidat të merret sa më shpejt dhe pa hezitim dhe po punojmë intensivisht në këtë drejtim për të përmbushur të gjitha standartet e kërkuara, duke bashkëpunuar ngushtë me gjeneratorët kryesorë të ekonomisë dhe politikës së saj, si Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Spanja, por edhe vende të anëtarësuara rishtaz, pasi dhe eksperienca e tyre është më e freskët dhe më pranë problematikës me të cilën ne ballafaqohemi.

 Me këtë rast, dua të shpreh një vlerësim maksimal për punën dhe entuziazmin e Presidencës Suedeze në avancimin e axhendës së lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit, dhe jam i bindur se Presidenca e ardhshme Spanjolle do t’a çojë këtë proçes përpara. Ne mirëpresim idenë e një samiti të ri për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane.

Gjej gjithashtu mundësinë për të përshëndetur në këtë Forum, idenë e Kryeministrit të ri të Greqisë, z. Papandreu, për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2014, në 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore.

 Po kaq i rëndësishëm është për Shqipërinë proçesi i Liberalizimit të Vizave, jo vetëm si një mundësi për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, por edhe si çlirim psikologjik për qytetarët e të gjithë rajonit. Unë shpreh bindjen time se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe krijonte një perspektivë realisht të prekshme për cilindo prej vendeve tona.

 E theksoj këtë fakt sepse 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit që i hapi rrugë procesit të krijimit të një Evrope unike, muret që na mbajnë ende të ndarë nga ky realitet duhet të shëmben në të mirë të sigurisë, paqes dhe prosperitetit tonë të përbashkët.

 Shqipëria e meriton këtë bashkim pas anëtarësimit të saj në Aleancën Veri-Atlantike, në sfidat e së cilës ne jemi përfshirë dhe kemi kontribuar pa asnjë hezitim. Shqipëria është një vlerë e shtuar e NATO-s dhe kontribuese reale me mundësitë dhe kapacitetet e saj, në të gjitha çështjet e nxehta të politikës rajonale dhe globale, duke u mbështetur në eksperiencën dhe traditën pozitive të krijuar ndër vite, si një faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal.

 Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i besueshëm dhe i rëndësishëm i SHBA-ve dhe NATO-s në sfidën globale kundërterrorizmit ndërkombëtar. Këtij qëllimi i shërben edhe shtimi i trupave shqiptarë në Afganistan, kontribut i cili do të rritet edhe në të ardhmen.

 Niveli i ri i rolit ndërkombëtar të Shqipërisë reflektohet në cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe me faktorët tradicionalë dhe ata të rinj.

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojnë të jenë aleati ynë strategjik në çështjet e politikës dhe sigurisë rajonale dhe globale. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e investimeve amerikane në Shqipëri do të mbeten një prioritet kyç.

 Marrëdhëniet me Italinë janë në nivelin e tyre më të lartë dhe së shpejti ky bashkëpunim do të institucionalizohet me nënshkrimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy vendeve.

 Marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera dhe të një rëndësie strategjike. Unë vlerësoj avancimin pozitiv në drejtim të trajtimit të disa çështjeve të trashëguara dhe besoj se me vullnet të mirë dhe në frymën e integrimit ato do të gjejnë zgjidhjen e duhur.

 Shqipëria dhë Turqia kanë mes tyre marrëdhënie tradicionale dhe të shkëlqyera, të cilat po konkretizohen me një dinamikë të fuqishme në bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

 Politika jonë e jashtme ka hyrë e sigurtë në një stad të ri tëdinamikës dhe rolit të Shqipërisë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Pjësëmarrja dhe kontributi në rritje në të gjitha organizatat ku bëjmë pjesë, nëpërmjet marrjes së angazhimeve të reja në institucionet dhe nismat e përbashkëta rajonale e më gjerë, janë tregues i fleksibilitetit tonë në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive, sikurse kërkesa për drejtimin në një kohë të përshtatshme të Kryesisë së Rradhës së OSBE-së, apo vendit të anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 Shqipëria beson në një OKB të fortë, dinamike e të reformuar, e aftë t’i përshtatet dhe përgjigjet me efikasitet sfidave në rrafsh global, në funksion të paqes, zhvillimit të integruar, mbrojtjes të të drejtave të njeriut apo ndryshimeve klimaterike. Ne jemi të angazhuar dhe kemi mbështetur nismën për të shkuar në Kopenhagen më një “sealed deal” për çështjet e ngrohjes globale. 

 Në epokën e re të zhvillimeve globale, qendra të fuqishme të politikëbërjes dhe zhvillimit ekonomik si Japonia, India, Brazili, Afrika e Jugut, Australia, etj, nuk ka sesi të mbeten jashtë vëmendjes së rritjes të nivelit të komunikimit dhe dialogut politik dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat me interes reciprok.

 Ne do të rrisim prezencën tonë diplomatike në këto vende, siç është hapja së fundmi edhe e ambasadave tona në Japoni, Brazil, Indi, sepse besojmë që kjo prezencë do t’i shërbejë më mirë rolit të ri të vendit në arenën ndërkombëtare dhe interesave të tij ekonomike.

 Ne kemi vullnet të mirë për të zhvilluar më tej marrëdhënietme Rusinë, si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë globale.

 Kina, si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por edhe si një fuqi ekonomike e vend mik, përfaqëson një tjetër prioritet të rëndësishëm. Më këtë rast, dua të theksoj si një kontribut në forcimin e këtyre marrëdhënieve të hershme, vizitën që do të zhvillojë gjatë kësaj jave në Tiranë, me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Zv.Kryeministri i Kinës.

 Unë besoj se njohja më e thellë e kulturave të gjithësecilit ndihmon në zbutjen e dallimeve dhe ndryshimeve që ka qenë pasojë e komunikimit mes palëve. Por zhvillimi teknologjik dhe globalizmi i kanë shkurtuar ndjeshëm distancat dhe diferencat. Prandaj, Shqipëria është posaçërisht e angazhuar në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Dialogut Ndërkulturor në kuadër të Aleancës së Civilizimeve dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Por edhe afirmimi i Shqipërisë si një vënd mesdhetar dhe me interesa në këtë rajon do të jetë një prioritet.

 Nuk mund të lë pa përmendur në këtë rast, rolin shumë të rëndësishëm që ka për Shqipërinë diaspora e saj e vjetër dhe ajo e re. Përkujdesi ndaj këtij dimensioni esencial të shtetit shqiptar, nëpërmjet informimit aktiv mbi zhvillimet dhe mundësitë e tregut për investime, por edhe ruajtja dhe forcimi i identitetit të tyre në vendet ku banojnë përmes krijimit të mundësisë reale të një komunikimi permanent, ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku janë, pajisja me dokumenta identifikimi dhe pasaporta si një detyrim ligjor i shtetit, si dhe ngritja e qendrave kulturore si vatra të ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës dhe komunikimit me vendin amë, përbën një prioritet në funksion të së cilit shteti dhe diplomacia do të alokojnë fondet, kohën dhe komunikimin e nevojshëm.

 Duke ju falenderuar për këtë mundësi, dua të theksoj rolin e jashtëzakonshëm që mund të luajnë në këtë drejtim edhe organizatat e pavarura jo-fitimprurëse, si një dimension i rëndësishëm i shoqërisë, të cilat do t’i kenë gjithnjë hapur dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të vendosur dhe institucionalizuar një komunikim intensiv mes saj dhe “think tank-eve” të fushës së politikës së jashtme, të të drejtave të njeriut, ekonomisë, dhe botës mbarëshqiptare.

 Në përfundim dua të theksoj edhe një herë se sfida jonë kryesore në fushën e politikës së jashtme mbetet integrimi evropian, i cili duhet të vijë së pari nëpërmjet një integrimi më intensiv rajonal në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të popullit shqiptar dhe të gjithë popujve të rajonit, Evropës dhe Botës.

 

Ju faleminderit.

10 Komente

Nje nder te paktet qendrime politike qe ministria e jashtme ka bere per shume vite duke shpjeguar themelet e politikes se jashtme te vendit tone. Ajo qe bie ne sy mendoj eshte se shqiperia ka filluar te nxjerre kryet nga kafazi dhe te zoterohet per ate qe eshte, por akoma jo ne nivelin e duhur. Per shembull, si shoqeria si shteti e kemi cilesuar veten si inferior ndaj te tjereve dhe kur cdogje shkonte keq i drejtohemi fatit duke dhene argumenta te pabazuar ne logjike, thjeshte duke menduar se duhet te kete te beje dicka me rracen tone. Sic duket hyrja ne NATO i ka dhene tjeter kuptim asaj dhe programimit te saj. Hapja e njesive diplomatike ne shtetet e siperpermendura eshte nje hap i madh vertete per te njohur boten dhe per rritjen e mardhenieve me keto shtet qe po behen gjithnje e me shume aktor te rendesishem ne sferen globale. Kerkesa e shqiperise per te mbajtur kryesine e OSBE-se apo nje vendi te perkohshem ne keshillin e sigurimit jane hapa te rendesishem, por akoma me ritme te ngadalta.

 

Shqiperia duhet te kete nje politike te jashtme te qarte, me efektive dhe shume me te angazhuar. Siguria e europes e sidomos ballkanit varet nga faktori shqiptar. Shqipetaret jetojne ne 5 shtete kufitare me ne dhe shqiperi (Shteti). Zeri i tyre s'ka qene i bashkuar sa duhet, s'ka qene i organizuar dhe drejtuar drejt menyrave efikase per te ndikuar mbi vendimarrjen e evropes dhe vendeve te saj ndaj nesh prandaj eshte ndjere edhe nje fare sensi inferioriteti ndaj nesh. eshte shume e thjeshte nese nuk i del zot vetes askush s'do te zevendesoj ne kete. Pra shqiperi duhet te kete nje rol shume me te zgjeruar sepse i ka te gjitha mundesite per ta patur ate. Duhet te jete me e indinjuar per te ruajtur te drejtat e shqiptarve brenda dhe jashte kufijve dhe te jete jo vetem e pranishme ne vendimarrje te proceseve te rendesishme rajonale e europiane por nje faktor i rendesishem per vendosmerine e tyre.

 

Politika e jashtme shqiptare duhet riorganizuar qe nga themelet e saj. "Burokratet e rinje" te edukuar jashte shtetit duhet te luajne rol me te rendesishem ne kete dhe te behen pjese e saj per ti dhene asaj drejtimin e duhur. Qeveria duhet te marre masa konkrete per ta bere politiken e jashtme me efikase, duke punesuar njerez te kualifikuar ne postet e ministrise se jashtme, te krijoje grupe studimi per riorganizimin e politikes se jashtme dhe te marre rolin qe i takon ne rajon dhe bote persa i perket procesit te vendimarrjes.

Iliri paska ngaterruar fjalimin me listen e deshirave te kalamajve per plakun e vitit te ri

Marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera dhe të një rëndësie strategjike. Unë vlerësoj avancimin pozitiv në drejtim të trajtimit të disa çështjeve të trashëguara dhe besoj se .

 

C'ceshtje jane keto mo Like? Ceshtjet tona, apo te grekeve?

Kam hall se tani qe leshut aq kollaj ujerat, kushedi c'na kerkon greku para se te hyjme ne Evropi. Dro na kerkon autonomi per Jugun se sipas greqerve ka voriopidhuriote aty, e ju "me vullnet të mirë dhe në frymën e integrimit do të gjejni zgjidhjen e duhur", sic e gjetet dhe per dëtin  smiley   

Cfare idjotesish!!! Faqja e zeze... a thua se ketij marredeniet me Serbine i kane mbetur...!!! Nje njeri idjot, idjot budalla dhe budall idjot i tranum krejt. Se kujt ka shkuar t'ja shese keto, se kujt dashka t'i beje reklame per Shqiperine, nuk po merret me vesh. Faqja e zeze.

Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit, Mesdheut dhe Evropës.

Uot dhe faking fak daz dhis miin??? Cili vend ne bote nuk eshte vend strategjik? Cfare lesh prosperiteti ballkanik u varka nga Shqiperia? Faqja e faqes se zeze! Ne jemi thjesht nje vend qe i ul pike Ballkanit kur merret se bashku... i ulim mesataren!

8 Here permendet fjala "strategjike" --- uot dhe hell daz dhet miin??? ia di kuptimin kesaj fjale ky qaflesh Skrapari?

Ky Ilir Meta eshte shume i pa fytyre, kur ne nje konference shtypi,i pyetur per ceshtjen e ratifikimit te marveshjes se kufijve detare me Greqine, kundershtaret e kesaj marveshje,ekspertet te pavarur te shoqerise civile,qe ishin me tituj dhe grada shkencore ne fusha perkatse,i quajti "pseudo studiues!!!"

Mund te thoshte ndonje fjale tjeter,por fjala pseudo mund ti shkonte me mire Ilir Metes nje pseudo   Minister i Jashtem,nje karierist i semure per pushtet,qe per te shet baben dhe nonen e vet!

NJE BAST NE POLITIKEN E JASHTME

Dritan Hila
Gazeta Shqip
28 tetor 2009

Duke shfrytëzuar forumin e organizuar nga Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shfrytëzoi rastin për të bërë një paraqitje më të zgjeruar të programit të politikës së jashtme dhe të boshteve që do ndjekë institucioni që drejton gjatë muajve në ardhje.

Nuk është e re nëpër botë shfrytëzimi nga ana e ministrit të Jashtëm i një tribune të një organizate joqeveritare për shpalosjen e prioriteteve të tij, por risia qëndron në Shqipëri, kur kjo deri më tani është bërë nga tribuna e Parlamentit. Dhe për më tepër, e veçanta është se theksimi i kryeradhëve të politikës së jashtme bëhet në një auditor ku përbërja me profesionistë të politikës së jashtme e bën më impenjative dhe serioze iniciativën dhe argumentet që trajtohen në të, e në një farë mënyre kërkon bashkëpjesëmarrjen.

Por risia kryesore e kësaj iniciative qëndron në përmbajtjen e objektivave.

Së pari, është ridimensionuar roli i politikës së jashtme të vendit tonë, në përputhje me kapacitetin njerëzor dhe ekonomik që ka vendi ynë në skakierën botërore, duke u marrë më shumë me politikat rajonale, ku Shqipëria mund të ketë ndikimin e saj, dhe më pak me botën në përgjithësi, ku fuqitë tona janë modeste dhe pak të kërkuara nga lojtarët e mëdhenj. Ky është edhe një rikthim në identitetin fillestar të detyrave të Ministrisë së Jashtme, ku ato bazike janë marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe me organizatat ndërkombëtare. Elaborimi korrekt i këtyre marrëdhënieve sjell natyrshëm edhe pjesëmarrjen e këtij institucioni të politikës së jashtme në politikat integruese, ku ka një rol komplementar në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Integrimit.

Padyshim që përmenden në këtë fjalim-program edhe partnerët tanë të mëdhenj europiano-perëndimorë, por me modestinë e duhur dhe të vetëdijshëm për spektrin që zëmë në objektivat e politikës së jashtme të tyre, por edhe për t‘ju dhënë garanci në luajalitetin e miqësisë sonë, dhe garancinë se ndër të pakta gjëra që mund të lavdërohen se kanë një tendencë lineare përmirësimi dhe përparimi në botën shqiptare, ajo e politikës së jashtme është ndër më të spikaturat.

Gjithashtu, shmangia e gjuhës së drunjtë në trajtimin e subjekteve të marrëdhënieve ndërkombëtare, si Rusia dhe Kina, ishte tregues se politika shqiptare po del nga psikoza provincialiste. Të paktën ne e shtrijmë dorën e bashkëpunimit për aq sa na takon dhe aq sa mundemi, pavarësisht se rreshtimi ynë është qartas në kampin perëndimor.

Dhe futja në rrezen e shikimit të politikës sonë me jashtë të shteteve si Brazili, India dhe Japonia, tregon jo vetëm ndryshimin e psikologjisë lidhur me sipërfaqen që duhet të mbulojë nga harta e botës shërbimi ynë i jashtëm, por edhe ambicien e një shteti, i cili tashmë e ka lënë pas përfundimisht periudhën e emergjencave ekonomike dhe qenien klient i organizatave ndërkombëtare të ndihmave, dhe rreshtimin ndonëse të ndrojtur në shtetet me dinjitet dhe pretendentë për partneritet.

Së dyti, fokusimi në marrëdhëniet dypalëshe ka sjellë edhe shqyrtimin shtet për shtet të këtyre marrëdhënieve, ku dukshëm spikaste trajtimi i problemeve me Serbinë.

Vetë përmendja e emrit, natyrshëm shkakton tkurrje në dëgjuesin shqiptar, por e veçanta e kësaj radhe është se shikimi i Serbisë nga pala shqiptare këtë radhë bëhet me syze të prodhuara në Bashkimin Europian.

Kjo ndihmon së pari si një siguri në BE, se vendi i ri që ka paraqitur kandidaturën për anëtar, Shqipëria, do përdorë në politikat e saj mjete të standardeve europiane dhe jo të politikave të ndryshkura ballkanike të shekullit të shkuar.

Thënë kjo nga një vend anëtar i NATO-s, japin garanci se deklarata të tipit "në të ardhmen, ne mund t‘i vëmë veton Serbisë për t‘u anëtarësuar", të bëra nga disa politikanë të ekzaltuar në momentin e pranimit të Shqipërisë në organizatë, nuk janë veçse disa opinione periferike të politikës shqiptare dhe jo mendim i përpunuar i politikës së jashtme të vendit tonë. Gjithashtu janë edhe garanci se vendi ynë ka ndryshuar mentalitetin dhe do jetë i prirur drejt bashkëpunimin me fqinjët.

Por, shtrirja e dorës në rrugën e bashkëpunimit drejt integrimit europian është edhe një ndihmë për forcat progresiste në Serbi, që duan të lënë pas të kaluarën nacionaliste, dhe një argument ndihmës për ta bërë më të tretshme humbjen e Kosovës për publikun serb. Dhe mbi të gjitha, ndihmon që marrëdhëniet të vendosen mbi atë që rëndom në diplomaci quhet besimi reciprok dhe mbi të gjitha që marrëdhëniet Shqipëri-Serbi të kalojnë në hullinë institucionale.

Në fund të fundit, për dekada me radhë, nga pikëpamja ekonomike, ish-Jugosllavia ka qenë partneri ynë kryesor tregtar. Nuk ka asgjë të keqe që nëse e kërkojnë instinktet e tregut, mos t‘ju lihet rrugë e lirë shkëmbimeve me Serbinë, si trashëgimtarja kryesore e ish-federatës.

Pika e tretë interesante e qëndrimit të titullarit të institucionit të politikës së jashtme ishte qëndrimi ndaj Maqedonisë.

Padyshim është një qëndrim që i shkon kostumit europian, por mbetet për t‘u parë se sa do realizohet, pasi duhet të kihet parasysh se përveç shtetit shqiptar, ka edhe lojtarë të tjerë si ekstremistët dhe të moderuarit shqiptarë e maqedonas në terren. Shto këtu edhe stilin e çuditshëm të Kryeministrit aktual maqedonas, bëhet e vështirë të vësh bast për një të ardhme të shpejtë europiane të Maqedonisë, dhe a do jetë në gjendje të sillet në të ardhmen, sipas kodit europian ndaj të tretëve, por ajo që është më e rëndësishme, të sillet me parametrat e sipërthënë, ndaj përbërësit shqiptar të këtij shteti.

Në mbyllje, mund të thuhet se kjo është pika e hapjes së politikës sonë të jashtme për vitet që vijnë. Ne shqiptarët kemi proverbin se "nga e thëna në të bërë, shkon në mes një lumë i tërë", që nënkupton zgjuarsinë tonë në identifikimin e objektivave, por edhe dembelizmin në arritjen e tyre.

A do jetë në gjendje politika e jashtme të realizojë maksimalisht gjithë sa janë parashtruar në programin e saj të paraqitur së fundmi? A do jetë në gjendje të jetë në ditët që vijnë po kaq sistematike dhe e koordinuar në kapjen e objektivave të saj, që përkthehet afrim me standardet evropiane, të paktën për sa i takon asaj? Këtë do na e tregojnë ditët që vijnë.

Ilir Meta mund te kete qindra te keqija, nga nusja e Berishes, tradhtar i se majtes etj etj, por ama eshte i vetmi politikan shqiptar qe ne fushen e diplomacise eshte me i i miri.

Mos ishte me e mire Arta Dade qe nuk mbahet mend te kete bere ndonje gje si ministre e jashtme, apo mister buzqeshja, Lul Basha, apo Mustafaj dhe te atyre te tjereve qe nuk ua mbaj mend emrin sepse kane lene shume gjurme ne diplomaci.

Ky artikulli i Dritan Hiles hishte i papame fare. Mendoj se meriton vend nderi te kendi "ACARIM NERVASH". Te shkruash nje artikull mbi politiken e jashtme te Shqiperise dhe te mos permendesh Kosoven perveç se ne kete paragraf :

Por, shtrirja e dorës në rrugën e bashkëpunimit drejt integrimit europian është edhe një ndihmë për forcat progresiste në Serbi, që duan të lënë pas të kaluarën nacionaliste, dhe një argument ndihmës për ta bërë më të tretshme humbjen e Kosovës për publikun serb

Apo shqiptaret e FYROM vetem keshtu :

Pika e tretë interesante e qëndrimit të titullarit të institucionit të politikës së jashtme ishte qëndrimi ndaj Maqedonisë.

Padyshim është një qëndrim që i shkon kostumit europian, por mbetet për t‘u parë se sa do realizohet, pasi duhet të kihet parasysh se përveç shtetit shqiptar, ka edhe lojtarë të tjerë si ekstremistët dhe të moderuarit shqiptarë e maqedonas në terren.

Ne ne fakt nuk kemi hall tjeter per Kosoven. Vetem te qajme hallet me popullin e vuajtur serb. Gjynah te shkretet sa i kane ra n'qafe shqiptaret e Kosoves!

Edhe ne FYROM halli kryesor jane ekstremistet shqiptare. Jane ata qe shkruajne enciklopedira fyese per fyromsat. Jane ata qe duke keqperdorur shtetin, bastisin fshatra, rrahin e burgosin njerez te pafajshem. Jane ata qe tentojne te zhdukin çdo gjurme te kultures fyromse (u m'falni kjo eshte e pamundur se nuk mund te zhdukesh nje gje qe s'ekziston). Edhe marreveshja e Ohrit, per faj te ekstremistave shqiptare nuk aplikohet.

Une nuk e di kush ja ka bo peshqesh Urimit (kryeredaktorit te Shqip) ket budalla (per te mos thene nje shprehje tjeter, po ky e ka venin te Cani e jo te Shqip-i.

Po car mund te presesh nga nje konsull qe akuzohej se kishte vjedh nga kuleta e nje emigranti 3000 euro? Tani me sa duket i lepihet Metes qe te kapi nai ven e te shkoje e te vjedhi prape.

Sidoqofte nje shtjellim kaq i hapet i politikes se Jashteme te Shtetit Shqiptar , duhet pershendetur . Patjeter qe shume terma e terminologji nuk bien sic duhet ne veshin e sejcilit . Por ai pernben piken e referimit per te gjetur gjenezen e cdo veprimi te metejshem ne mardheniet Nderkombetare. , ndoshta per ne "nostalgjiket" e diaspores ,qe e ndiejme dicka me teper dhimbjen e fjales Shqiperi , se sa vendasit qe e perjetojne dite per dite kete rezultat! 

 Ja psh vazhdimi i Politikes se Thelle dhe te Mencur Sqiptare qe diti te beje aleate dhe MIKE ne nje kohe Teper , Teper te veshtire per te , pra Lidhjen e Miqesise me USA , eshte teper i Mjegullt ! Dmth , vetem nepermjet NATO-s , pra si Mercenare per Afganistan , ku dihet se USA-n e ka mbeshtete vetem Anglia me medyshje, me 500 trupa ? Te tjeret JO!

Por me i sakte duket konkluzioni qe ka perserite thenien e urte Shqiptare per te gjitha Fushat por sidomos per ato ku pretendohet shume e nuk ka kellqe ti realizosh " Nga e thena ne te bere , na ndan nje Lum i tere" .

I urojme Qeverise Shqiptare te perbere nga pikpamjet e integruara te te gjithe kraheve te Politikes ,nga te gjithe anet e kufirit , pa perjashtuar asnje kendveshtrim mbi te ARDHMEN , te beje sa me shume ne radhe te pare per Shqiptaret brenda Teritorit si tregus e nxites edhe per pjeset e tjera te mbetura padrejtesisht jashte teritorit e kompaktesimit te Popullit Shqiptar !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).