Mbamendja nacionale

 Nga Gazeta Koha (MKD)

 

Kulla e Jasharëve nuk është rastësi. Është kujtesë, mbamendje nacionale. Faqet e para të historisë sonë më të re mund të fillojnë nga aty. Ajo ma kujton shkakun e ngritjes së kullës sonë, funksionimin nëpër kohëra, kodin e saj që ka kultivuar. Disi bashkon breza, fate. Kur gjendem ballë ndonjë kulle të tillë, më bëhet se dëgjoj zërin e dheut, të baballarëve; mesazhet që duhet përcjellë pasardhësve. Këtë përshtypje e kisha edhe ditën kur u gjenda në odën e Jasharëve. Fenomeni i ndërtimit të një kulle ka diçka të legjendave. E kisha përcjellë ngritjen e njërës në krye të lagjes sime. Më plaku kishte thënë nuk qëndron po qe se në themelet e saj nuk derdhim një pikë gjak. Dhe e kishin dëgjuar. Hedhja e gurit ishte përcjellë me një kurban. Kishin sjellë pastaj gurë gjithfarë formash nga Gryka e Drinit. Ishin gjetur dhe latuesit. Një mëngjes kishte nisur lidhja e çuditshme e gurëve dhe harqet plot fantazi. Në mbarim të stinës gati nuk e kishte prekur qiellin. Isha fëmijë atëherë. Botën e shihja me ngjyra. Gjendesha shpesh mes mjeshtërve. Përditë ngrehina prej gurit dallonte nga shtëpitë tona. Dikur ia kishin qitur kulmin dhe kishin nxjerrë oxhakun. Më vonë, në atë majë, ishte lëshuar një lejlek dhe nuk e kishte harruar kurrë çerdhen e re. Ky është fati, thonin, por kulla shpesh humbi nga diçka në përjetësinë e vet.

Guri është jetëgjatë, i shëndetshëm, na flitnin më të moçmit, që kishin pasur punë me të. Ngrihesha në majë të gishtërinjve, i lëmoja ata duke u renditur, vëja faqen e rjepur nga dielli në gurin që mendoja se fshihte magjinë e çuditshme. Dikur largohesha pa bëza. Nuk kisha mundur t'ia zbuloja fuqinë e tij. Më vonë tek flitej se filani ishte bërë guri. Ia lexonim emrin. Ai nuk ishte vetëm. Lëvizja e përgjakshme mes gurëve. Fillova të mësohem me heshtjen e të folmen e tyre. Pas ca vitesh kisha shkruar një poezi, ku përpiqesha të vëja në spikamë madhështinë e saj. Aty thoja: për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes babai im ka ngritur një kullë... (1970) Diçka për t'u admiruar pra, diçka për t'u vetëmbrojtur. Dhe kur gjendesh mes mureve të saja, ndjehesh njëfarë zoti që mund ta drejtosh fatin tënd. Nëpër dritare kisha përcjellë fluturimin e lejlekut, vrapin e fëmijëve të lagjes. Do e gjente çerdhen e dikurshme ai zog shtegtar dhe mos i kishte rënë peri i kuq nga këmba?

Kisha qëlluar në Vjenë. Bota përcillte nëpërmjet ekranit rrënimin e Kullës së Jasharëve. Paranoja serbe ishte në shkallën më të lartë. Nën një çati renditeshin trupat pajetë: fëmijë, gra e burra. Nxirreshin prapë nga dheu. Në heshtjen mortore kisha dalluar historianin trim, dr. Zekeria Canën. Në kujtesë me mbetën edhe lëvizjet e burrave të tjerë në atë muzg të ftohtë që kaplonte Kullën e Jasharëve dhe tërë Kosovën. Kisha mbyllur sytë. Barbaria serbe nuk mund të rrënonte edhe imazhin për kullën shqiptare, që për mua shndërrohej në një tempull të shenjtë. E Kulla e Jasharëve nuk ishte rastësi, që kishte tmerruar armikun. Nuk di ideja e kujt është as çmendon kryezoti i tashëm, por aty shqiptarët duhet të kthejnë më shpesh; të shohin ç'do të thotë të kesh një copë vend tëndin e të jesh i lirë. Para portave të saj të pushojnë të gjitha hasmëritë brendashqiptare. E, sidomos kur nuk dihet ende kur e si do ta mbyllim maratonën tonë. Është mirë të mësojmë edhe nga të tjerët; t'u përulesh atyre që nuk kursyen as jetën, nderon vetveten dhe të kaluarën tënde. Na duhet guxim intelektual e njerëzor. Në një kullë kombi vepron kodi etik, nuk ndahen etiketime. Në të parë, dikujt kthimi ynë aty i duket pakëz i tejkaluar, por efekt mund të ketë te populli në uljen e tensioneve e fërkimeve brendashqiptare. Armiku është tjetërkund. Para të tjerëve nuk bën të lëmë përshtypje se nuk jemi popull. Këtë e trumbetojnë edhe fqinjët tanë. Shikojeni ç'bëjnë maqedonët zbrazësit e tyre bëjnë çmos t'i mbushin me figura historike dhe vlera shpirtërore të fqinjëve. Këtë më së miri e dëshmojnë reagimet e shpeshta të grekëve, bullgarëve dhe ndonjë reagimi ynë i rrallë për ndonjë figurë. Nëse nuk e respektojmë të kaluarën tonë, kush ta bëjë këtë? Të mbesim popull pa kujtesë, të harrojmë Prekaz, Reçak, Bllacë, Çarshinë e Madhe të Gjakovës me një lashtësi 3-4 shekujsh. Kisha bredhur Kosovës dhe kisha veneruar se nga lufta e fundit më përshëndetnin vetëm oxhaqet e ndonjë çatie, që i kishin shpëtuar rrënimit serb. Në lagjen time kisha zgurdulluar sytë në një kullë gati të rrënuar. Isha sjellë rreth saj. Kërkoja fëmijërinë time, buzët e mia të çara në gurin e qëndrueshëm e të shëndetshëm, një rrënjë guri për t'u mbajtur edhe më tutje...

 


 


 

5 Komente

Me fal ti zoti Ali por sapo pashe titullin hapa fjalorin Shqip-Shqip por kete fjalen "Mbamendja" nuk e gjeta kurkund,atehere kur kete fjale kinezce nuk e marr vesht si mund ta lexoj artikullin?

Ej, ti besoj e di qe neologjizmat kryesisht jane prure nga poetet, qofte dhe ne gjuhen tone meme. Ali Podrimjen e ke degjuar ndonjehere si poet? Podrimjes "i lejohet" jo vetem "mbamendja", ai eshte i lutur ta pasuroje gjuhen tone... fjalori sherben per te tjera pune...

me pelqen pergjigja, hamendësisht, ke zgjuar diçka te vyer nga humbamendja smiley

E ka shkruar shume shume bukur.

@Brad, o mik ki durim, merre mundimin ta lexosh dhe sic dhe ta thash diku tjeter mos paragjyko. te siguroj ka per te te pelqyer.

M'duket se "mbamendjen" e shpjegon qe ne fjaline e dyte:

" Kulla e Jasharëve nuk është rastësi. Është kujtesë, mbamendje nacionale. "

Vjen nga folja "me mbajt" dhe nga "mend"...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).