Mastero-mania

Duke ndjekur prezantimet e temave të ...diplomave master i nivelit të parë (mësuesi) të degës së Fizikës, ku studentet radhazi lexonin për bukuri materialin i cili ishte thjeshtë një histori fizike apo fizikanësh, krijova përshtypjen se jemi duke diplomuar jo mësuese fizike, por spikere televizioni. 

Kjo situatë është pasojë jo vetëm e faktit që vit pas viti cilësia e studentëve që ndjekin studimet në degë të tilla si Fizika ka vite që po përkeqësohet vazhdimisht, por edhe i faktit që të gjithë studentët që kryen studimet e ciklit të parë (3-vjeçar) u regjistruan pa kriter seleksionues në master të nivelit të parë, duke ulur ndjeshëm cilësinë e temave të diplomës të tyre dhe, rrjedhimisht duke zhvlerësuar edhe këtë diplomë ashtu sikurse janë zhvlerësuar edhe shumë diploma të tjera.

Reklamat televizive për lloj-lloj masterash dhe diplomash të nivelit të parë apo të dytë (DNP, DND, MNP, MND) që ofrohen nga shumë universitete private, kryesisht në fusha të shkencave shoqërore, juridike, mjekësore dhe ekonomike, ushqejnë akoma më shumë atë tendencë, të kthyer tashmë në mani të të gjithë studentëve, për të kryer patjetër masterin apo ciklin e dytë të studimeve. Përse kjo tendencë?
Siç dihet, marrëveshja e Bolonjës e pranuar tashmë nga shumë vende europiane edhe me ligj, përveç qëllimit kryesor që ishte: uniformizimi i sistemit të arsimimit universitar në tre cikle studimi (ku cikli i tretë të ishte doktoratura), dhe lehtësimi i transferimit të studimeve midis universiteteve dhe vendeve të ndryshme, kishte edhe synimin e afrimit të diplomimeve të ndryshme, sidomos atyre të ciklit të parë, drejt tregut të punës. U mendua se diplomimi i ciklit të parë do të largonte nga universitetet një masë të madhe studentësh, që më parë zvarritnin studimet me shumë vite, duke i integruar ata në tregun e punës. Por nuk ndodhi kështu, jo vetëm për arsye të mungesave të tregut të punës, por edhe për shkak të tradicionalizmit të universiteteve, që nuk arritën të ofrojnë diplomime të ciklit të parë, të cilat të ishin atraktive në tregun e punës. Kështu që aktualisht ende shumë studentë të universiteteve evropiane që kryejnë ciklin e parë, kërkojnë që të kryejnë studime të ciklit të dytë apo mastera, që në shumë universitete evropiane njihen si cikël i dytë studimesh. 

Ligji ynë i arsimit të lartë i veçon masterat nga tre ciket e studimit, praktikisht në mastera të nivelit të parë (MNP) që mund të ndiqen pas ciklit të parë të studimit (DNP) dhe mastera të nivelit të dytë (MND), që mund të ndiqen pas kryerjes së ciklit të dytë të studimeve (DND). Në Europë dhe në botë mund të gjenden oferta të shumëllojshme masterash. Prindërit, që financojnë fëmijët e tyre në mastera të tilla dhe sidomos institucionet që merren me punësimin, duhet të kenë shumë kujdes në vlerësimin e tyre, pasi në shumicën e rasteve, këto mastera nuk aplikojnë kritere pranimi, mjafton që studenti të ketë një diplomë të nivelit të parë (DNP) dhe të paguajë taksën përkatëse. Ndërkohë që shumë universitete aplikojnë kritere pranimi në mastera siç janë rezultatet e provimeve (GRE, GMAT etj.) që vlerësojnë objektivisht nivelin e dijeve të nevojshme për të vijuar ciklin e dytë të studimeve. 
Tendenca për ndjekjen e studimeve master, në kushtet shqiptare u kthye në mastero-mani. Shumë institucione publike apo private e kthyen në kriter punësimi zotërimin e një diplome master. Kohët e fundit u dëgjua, madje u keqinterpretua edhe thënia e ministrit aktual të Arsimit dhe Shkencës se “nuk do të ketë mësues pa master” duke e theksuar më shumë mastero-maninë. Shumë mësues që janë diplomuar sipas sistemit të vjetër dhe zotërojnë diploma 4 apo 5-vjeçare studimi, të cilat, sipas ligjit të sotëm, ekuivalentohen me “diploma të integruara të ciklit të dytë”, kanë filluar të kërkojnë ndjekjen e ndonjë “master”, sepse kështu u thuhet nëpër drejtoritë arsimore. Ata mund të ndjekin mastera të nivelit të dytë, pasi masterat e zakonshëm të mësuesisë që janë të nivelit të parë dhe që janë hapur thuajse në të gjitha universitetet, për ta konsiderohen të kapërcyer. Por mund edhe të joshen nga ofertat e ndryshme të universiteteve private. 

Duke përfituar terren, universitetet private, ende pa konsoliduar ciklin e parë të studimeve dhe ende pa siguruar stafin e mjaftueshëm efektiv arritën të licencohen edhe për të ofruar diploma të ciklit të dytë apo diploma masteri të nivelit të parë apo të dytë. Në fakt, propozimi dhe implementimi i këtyre diplomave nga universitetet private është kontribut i profesorëve të universiteteve publike, të cilët duke qenë se nuk janë të motivuar financiarisht për t’u angazhuar në diploma të tilla në universitetet e tyre, iu kthyen atyre private. Këtij demotivimi i dha shtysë udhëzimi i vitit të kaluar i Ministrisë së Arsimit për të standardizuar ngarkesën mësimore-kërkimore të pedagogëve në universitet publike me 1500 orë mësimore vjetore, duke përfshirë këtu edhe mësimdhënien në mastera si edhe kërkimin shkencor. Pavarësisht se qëllimi i ministrisë mund të ketë qenë i drejtë, për të disiplinuar aktivitetin mësimor-shkencor në universitetet publike, praktikisht udhëzimi mund të krijojë hapësira për abuzim në raportim të kryerjes së kësaj ngarkese prej 1500 orëve. Siç dihet, shumica e profesoratit të universiteteve publike është kthyer thjeshtë në mësimdhënës dhe shumë pak janë ata që kryejnë aktivitet të mirëfilltë kërkimor-shkencor. Madje shumë vetë habiten kur u bëhet pyetja se çfarë e dallon një profesor universiteti nga një mësues në shkollën e mesme. Dallimi kryesor është pikërisht kërkimi shkencor, i cili jo vetëm i jep shtysë kualifikimit vetjak të vazhdueshëm të profesorit, por i shërben edhe kualifikimit të brezit të asistentëve, që fatkeqësisht po edukohen edhe ata thjeshtë si mësimdhënës.

Iniciativat e fundit të qeverisë, si ajo për hartimin e draftit të strategjisë kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, apo ajo për krijimin e Agjencisë shqiptare për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionin, janë tregues të rritjes së vëmendjes së qeverisë ndaj kërkimit shkencor. Por ende qeveria nuk arrin të gjejë mekanizmat e nxitjes dhe kontrollit të produktit të atij pak aktiviteti kërkimor që kryhet dhe deri tani nuk ka arritur të orientojë këtë kërkim sipas perspektivës së zhvillimit të ekonomisë të vendit.

Për sa kohë që në tregun privat do të ekzistojë mundësia e pagesave për orë leksioni shumë më të mira sesa në universitetet publike dhe puna kërkimore nuk do të motivohet financiarisht nëpër të gjitha universitetet, do të jetë e pamundur të ndryshojë mentaliteti i krijuar tashmë prej vitesh se pedagogu është thjesht një mësimdhënës.  

Kërkimi shkencor lidhet ngushtë me ciklin e tretë të studimeve që është doktoratura, për të cilën jo më kapacitetet e universiteteve private, por edhe ato të universiteteve publike janë të pamjaftueshme, sidomos në shkencat natyrore dhe teknike. Ndonëse qeveria në vendimin e fundit e përgjysmoi taksën e këtij cikli studimesh, ajo mbetet e papërballueshme për një student të papunësuar. Ashtu sikurse degjeneroi diploma master, rrezikohet të degjenerohet tani blerja e doktoraturës nga ata që kanë të ardhura të mjaftueshme. Imagjinoni, një student të shkëlqyer në degët fizikë apo matematikë, se sa i motivuar do të jetë ai të paguajë për një doktoraturë në këto fusha. Mungesa e kapaciteteve për drejtim të përbashkët të një shkollimi doktorature i shtohet në rastin e shkencave natyrore edhe mungesa e laboratorëve kërkimorë, si dhe mungesa e kooperimit midis kolegëve.

Mungesa e kapaciteteve për kërkim shkencor në grup në universitetet tona pasqyrohet edhe nga fakti që shumë pak projekte paraqiten apo fitojnë nga programe europiane të kërkimit shkencor si FP7 apo programe të tjera ndërkombëtare kërkimi.

Autori eshte profesor në Departamentin e Fizikës,
Fakulteti i Shkencave Natyrore
Universiteti i Tiranës
 

3 Komente

Fajin e ka Min e Asrimit qe me ate deshiren e vet idiote per masivizimin e te gjithe llojeve te arsimit e ka kthyer shkollimin ne nje turp te vertete ku edhe nje njeri me IQ prej -25 mund te mbaroje doktoraturen.

Bejo, ka dicka qe s'kuptoj nga shkrimi yt - c'te keqe ka nese ka tendenca masive per te marre master? Pse duhet kerkesa e madhe te ule nivelin? Normalisht duhet te ishte e kunderta! Si e keni ju kriteret e marrjes se masterave - me realizim plani te shprehur ne perqindje te atyre qe kane aplikuar ne keto programe? Do te ishte qesharake nese keni te tilla kritere! Vendosni standarte per cdo nivel masteri, ku te percaktohen qarte se cfare duhet te pritet nga studentet per te fituar cdo nivel masteri dhe me lart. Keto standarte duhet te pergatiten nga cdo departament ne fakultete duke patur parasysh dhe standartet e universiteteve te tjere ne Evrope, meqe keni nenshruar edhe marreveshjen e Bolonjes. Tek e fundit, jane komisionet e vleresimit te krijuara brenda departamenteve dhe te perbere me pedagoge qe duhet te gjykojne ne se cilesia e temes se diplomimit eshte ne nivelin e kerkuar apo jo. Jeni ju pedagoget qe e vendosni, ndaj s'e kuptoj se kujt i ankohesh. Fakti qe ka shume kerkesa per mastera eshte nje oportunitet i mire per te ngritur standartet, jo per te kunderten.

"Deri dje" te qenurit me arsim te larte vleresohej dhe jo shume ishin

 Sot shumica jane me arsim te larte (edhe pse vlen per tu diskutuar cfare arsimimi kane marre , nejse ) dhe diferencen e ben Masteri

 Sikurse po rrjellin ngjarjet, nje diplome Masteri ne te ardhmen do ta ta kete shumica e popullsise dhe diferencen do ta bej Doktoratura ...... eshte thjesht ceshtje kohe

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).