Mandatet fantazmë të PD

Qershor 2009. Kryeministri Sali Berisha shkon për fushatën elektorale në Klos. E shoqëronte kryetari i bashkisë së këtij qyteti Bedri Hoxha. Hoxha mbante veshur shiritin ceremonial kuqezi të bashkiakut. Kronikat e kohës e kanë transmetuar një gjë të tillë dhe ajo është bërë publike në të gjithë ekranet televizivë të vendit. Por në të njëjtën kohë, Hoxha ishte dhe një nga kandidatët në listat e PD-së për zgjedhjet e përgjithshme. Në të njëjtën periudhë, Gerd Bogdani, vazhdonte të hynte dhe të dilte nga zyra e tij në njësinë bashkiake numër 10 në Tiranë si titullar i saj. Një televizion privat në Tiranë e ka filmuar një fakt të tillë. Edhe Bogdani ndodhej në listat e PD-së dhe konkuronte për deputet, ndonëse Kushtetuta e konsideronte statusin e tij prej të zgjedhuri vendor, të papërputhshëm me konkurimin në zgjedhjet e përgjithshme.

Asgjë e ligë, çdo gjë me ligj. Dyshime të arsyeshme, të paktën për momentin, dëshmojnë se nëse respektohet ligji suprem i vendit, Kushtetuta, Kuvendit të sotëm të Shqipërisë mund t´i ndodhë një gjë shumë e ligë: Kuvendi ka në përbërje të tij pesë deputetë me mandat të paligjshëm. Si rrjedhojë, për shkak të shifrave, Kuvendi mund edhe të mos ekzistojë fare sepse i bie të jetë kompozuar nga vetëm 69 deputetë. Dhe për këtë shkak, që nga hapja e punimeve të tij në shtator, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, miratimi i qeverisë Berisha 2 e deri dhe i gjithë korpusi i ligjeve të votuar deri më tani, të rezultojnë të gjithë nul. Pa asnjë vlerë juridike dhe pasojë. Njëlloj si të mos kenë ekzistuar kurrë.

Situata që i ngjan tërësisht një kolapsi të plotë, si mbas një shpërthimi atomiko-politik, ka në thelb një shkak pothuaj qesharak, që rrezikon ta shndërrojë periudhën nga shtatori e në vijim, në periudhën me qesharake të historisë politike të Shqipërisë.
A ka sot në Kuvend të paktën 71 mandate të ligjshme deputetësh? Sipas rregullores së Kuvendit dhe procedurës së betimit të tyre, ky numër është më i lartë dhe shkon në 74, por sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ka dyshime të arsyeshme që nuk është kështu. Dhe se Kuvendi ka nisur punimet nën shumicën e thjeshtë të tij, pra me vetëm 69 deputetë. Sepse pesë nga ta, kanë mandat antikushtetues.

Cilët janë deputetët e dyshimtë?
Pak kush e mban mend sot një mbledhje të tensionuar të KQZ-së, ndërkohë që vazhdonte fushata elektorale. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë komision, Genc Gjonçaj ngriti shqetësimin se në fushatë merrnin pjesë, të rreshtuar në listën e Partisë Demokratike e LSI, pesë kandidatë të cilët mbanin funksione shtetërore, të papajtueshëm me mandatin e deputetit. Ata ishin Bedri Hoxha, bashkia Klos, PD, Ndue Paluca, kryetar i komunës Fushë Arëz PD, Gert Bogdani, kryetar i njësisë 10, Tiranë, PD, Besnik Dushaj, Fierzë, PD, Lefter Maliqi, kryetar i komunës Otllak, Berat, LSI (PD). Ky shqetësim u pasua nga ndërhyrja e komisioneres Dëshira Subashi e cila e mbështeti. Dhe u duk se askush nga KQZ-ja nuk ishte kundër këtij shqetësimi në parim. Vetë kryetari i KQZ-së Arben Ristani atëherë deklaroi se një fakt i tillë u duhej bërë e ditur kandidatëve për deputet, kurse përfaqësuesi i PD-së në komision Njazi Kosovrasti shkoi edhe më tej: Edhe sikur ta japin tani dorëheqjen që gara ka filluar, nuk ka më asnjë vlerë. Mandati i tyre nuk është i ligjshëm. Vetë Kosovrasti tha për MAPO-n se reagimi i tij i dikurshëm ishte një sqarim për ligjin. Ai tha se dorëheqja e këtyre kandidatëve, sipas Kodit Zgjedhor, nuk depozitohet në KQZ, por Komisioni vetëm merr njoftim për një fakt të tillë. Kosovrasti tha se nuk kishte dijeni nëse kishte ndodhur apo jo dorëheqja sipas kërkesës taksative të kushtetutës. Të njëjtin pohim bën dhe Subashi, e cila kujton se në mes të muajit të fushatës elektorale, Gerd Bogdani ka dërguar një letër në KQZ ku njoftonte se kishte dhënë dorëheqjen e tij.

Çfarë thotë Kushtetuta?
Eshtë fare e qartë dhe nuk lë vend për asnjë interpretim alternativ të saj. Neni 69 i Kushtetutës sanksionon kategoritë e punonjësve të administratës shtetërore apo të zgjedhurve që nuk mund të kandidojnë apo të zgjidhen deputetë. Ata janë: a)gjyqtarët, prokurorët; b) ushtarakët e shërbimit aktiv; c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; &ccedilsmiley përfaqësuesit diplomatikë; d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
Pika D. e këtij neni prek pikërisht pesë kandidatë që tashmë kanë marrë mandatin e deputetit. Konkretisht Hoxhën, Palucën, Bogdanin, Dushajn dhe Maliqin. Paragrafi dy i të njëjtit nen është gjithashtu i drejtpërdrejtë: “Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm”.
Por Kushtetuta nuk është mjaftuar vetëm me këtë pengim. Siç duket, hartuesit e saj në vitin 1998 kanë pasur parasysh dhe “kushtet shqiptare” të zbatimit të ligjit themelor të shtetit në Shqipëri. Dhe mbas filtrit të parë të nenit 69, shtojnë dhe një filtër të dytë. Po aq domethënës dhe të pakalueshëm ligjërisht dhe pa asnjë ekivok. Neni 71 i Kushtetutës përcakton veç të tjerash se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur “...vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3”.

Pikërisht këto dy nene dhe zbatimi i tyre në praktikë, rrezikojnë ta shndërrojnë të gjithë kuvendin dhe çfarë pasojash ka sjellë deri më tani konstituimi i tij, në gjendjen e pavlefshmërisë absolute.

Dorëheqjet
Në të pestë rastet kanë munguar. Ose në rastin më të mirë, të pestë ish-zyrtarët e zgjedhur lokalë nuk e kanë bërë një akt të tillë publik.
Ligji Nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, është gjithashtu i qartë. Neni 41 i tij përcakton se: “Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë”, ndodh kur i zgjedhuri lokal: “kandidon ose zgjidhet deputet”.

Procedura e ndërprerjes së mandatit nuk është fare e thjeshtë. I zgjedhuri vendor, në rastin tonë, pesë deputetët e përmendur, duhet të ndiqnin këto hapa sipas ligjit: “Kryetari i komunës ose bashkisë në rastet e dorëheqjes, e depoziton atë pranë këshillit komunal ose bashkiak përkatës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, dhe më tej, “Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli komunal ose bashkiak, njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.” A ka ndodhur kështu. Vështirë të thuhet.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nëse të pestë deputetët e sotëm i kanë hedhur hapa të tillë të detyrueshëm në ligj. Qoftë dhe një nga këto hallka të mungojë, dorëheqja e tyre – nëse ekziston – nuk do të kishte vlerë juridike dhe si pasojë, edhe mandati i tyre si deputetë, nuk do të kishte asnjë vlerë gjithashtu juridike. Për të saktësuar këto dyshime të arsyeshme, tani që ka rrjedhur shumë ujë nga konstituimi i Kuvendit, ka vetëm një rrugë: ankimimi i ndonjë partie politike në Gjykatën Kushtetuese për të zbardhur legalitetin e këtyre pesë mandateve.

Kuvendi
Për Kuvendin e Shqipërisë duket se të paktën në sipërfaqe dilema të tilla nuk ekzistojnë. I mbledhur në mungesë të opozitës në fillim të shtatorit, ky ishte një detaj që afërmendsh do të kalonte pa u vënë re. Rregullorja e Kuvendit përcakton se në mbledhjen e parë të tij, Kuvendi ngre Komisionin e përkohshëm për Verifikimin e Mandateve. Ky komision, sipas rregullores: “...shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.

Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin”.
Pra, komisioni ka shqyrtuar vlefshmërinë e mandateve dhe nuk ka gjetur paligjshmëri në to, përfshi dhe çështjen e të pestëve. Por nuk mbaron këtu. Nuk ka asnjë afat kohor, të paktën sipas Kushtetutës, që verifikimi i pavlefshmërive të mandateve të kufizohet. Në çdo kohë, një ankimim i mundshëm në Gjykatën Kushtetuese do të hapte një hetim kushtetues për mandatet e dyshimta të të pesë deputetëve.

Për momentin është e vështirë të bëhen parashikime. Por kjo çështje i ka të gjitha gjasat të shndërrohet në skandalin më të madh dhe më qesharak, për fat të keq, të të gjithë historisë së pluralizmit shqiptar e ndoshta dhe më gjerë. Për shkak të shifrave të pamjaftueshme, nëse këta mandate rezultojnë të pavlefshëm, atëherë, gjithçka ka ndodhur në Shqipërinë politike që nga mbledhja e Kuvendit, përfshi dhe krijimin e qeverisë dhe gjithë ligjet e miratara deri më tani, janë absolutisht të pavlefshme. Eshtë e vërtetë se në një rast të tillë, deputetët që do të humbisnin mandatin do të zëvendësoheshin nga lista e të njëjtës parti që i përkasin dhe në rastin konkret, PD nuk rrezikon shumicën, por Shqipëria do të ketë humbur në këtë mënyrë, pa asnjë mëdyshje sensin më minimal të të qenurit shtet. Do të ishte thjesht një shtet qesharak dhe ky rast, do të shënohej si një më shumë, në atë shumicë të padurueshme “homologësh” të tillë që shkelin Kushtetutën.

11 Komente

Si e ka thene dhe Asdreni "Cudia me e madhe tre dite zgjat"

Pogjykata kushtetuese cfare pret, pse nuk e analizon nje gje te tille? A eshte ajo per te mbrojtur kushtetuten?

 Made in Albanie. Nuk eshte çudi qe ata te peste qe kane shkelur ligjin ne kete rast, te shprehen se i kishin lene detyrat/postet me kohe dhe s'eshte çudi te paraqesin dokumenta te fallsifikuara. 

Ata te peste kane dhene doreheqje por nuk e kane per detyre qe te vene tellallin per kete dhe ta marre vesh ky gazetari. Po te ishte e kunderta automatikisht nuk mund ta merrnin mandatin.

Mandatet e ketyre deputeteve jane te ligjshme pasi 1) jane dhene nga KQZ ku perbehet nga anetare te PD dhe PS dhe 2) jane verifikuar keto mandate te dhena nga KQZ nga Komisioni i Verifikimit te Mandateve te Kuvendit. Pra jane "certifikuar" keto mandate.

O Lorenc.

Ti thua : "Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nëse të pestë deputetët e sotëm i kanë hedhur hapa të tillë të detyrueshëm në ligj. Qoftë dhe një nga këto hallka të mungojë, dorëheqja e tyre – nëse ekziston – nuk do të kishte vlerë juridike dhe si pasojë, edhe mandati i tyre si deputetë, nuk do të kishte asnjë vlerë gjithashtu juridike."

Po cfare gazetari je kur gjate gjithe shkrimit merresh me supozime pa sjelle asnje fakt.Nje gazetar i mire do te kishte kerkuar e gjetur qofte edhe nje dokument per theniet e tij,ndersa ti vetem citon kushtetuten (mire qe e ke gjetur edhe kete se eshte dokument shume sekret).lexon rregulloren e kuvendit (si ta dhene Jozi) dhe cdo gje e shkruan me po sikure.

Me fal,por gazetare te tille te bejne te vjellesh.

Speaker ka te drejte por ju se kuptoni...

Behet zhurme e kote se neser ose pasneser e shumta do i keni ne shtyp shkresat qe vertetojne doreheqjen nga mandati...bile nqs kane harruar ja u dergon speaker me DHL urgjent...

Nga artikujt me te llogjikshem dhe me te faktuarqe zberthejne rezultatin e procesit zgjedhor. Do te ndodhe ashtu sic argumenton Pjer. Ne shtetin ose regjimin Salist ndodh gjithshka. Deri sa nuk ishte ne pushtet , mengjes -dreke - darke ulerinte " Nuk e njohim Kushtetuten komuniste-socialiste" kur hypi ne kale bertiste " se Kushtetuta zotri eshte bibla e shtetit" ... Ai rob qe vjedh 30 % te votave , ku e ka per gje te vjedhe 5 Mandate Deputeti.

Pastaj e cfare vlere ka ne Arnautistan ne se jane te Ligjshem deputetet apo jo ? Aty ke dy nga njerzit me te pa Ligjshem biles jane edhe Ministra si Mediu e Basha .Dhe si per krshillek shqiptareve pa thare mire boja e Ligjeve Sala emron Jaken titullar !!!!!

" Se Kushtetuta , zoteri , me ka thane baba mue eshte liber pej letre " smiley

Po qe Kryetari i Bashkise se Tiranes donte te behej Kryeminister duke qene edhe kryetar bashkie - por duke mos u bere deputet, ajo ishte e ligjshme?

Edhe kjo duhet te ndodhte te komentohet por gjithsesi me " Dy paligjshmeri nuk argumentohet nje shkelje LIGJI flagrante"

Per te tjeret nuk e di po Gert Bogdani ka dhene doreheqjen para se te behet deputet. Sidoqofte ne jemi njerez me shume men qe rrime e merremi me artikujt e Lorenc Vangjelit.

Gjemo si te kom? Goca mire?

Guce ja ke keput kot se Vangjeli shkru mire dhe hollesishem. Edhe per rastin e Bogdanit eshte per tu shqyrtuar nese eshte ndjekur procedura e percaktuar ne ligj e jo thjesht dergimi i letres nga kandidati.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).