Malaj:Energjia, qeveria po i mbart konsumatorëve krizën

Deputeti i PS kundër rritjes së çmimit të energjisë: Kredibiliteti i qeverisë është i cenuar, ajo synon të rrisë të ardhurat nga TVSH-ja e energjisë

Ish-ministri i Financave gjatë qeverisjes së socialistëve analizon në një Intervistë për "Shekullin" kërkesën e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe çështjen e përfolur së fundmi në media për aplikimin e pagesës ndaj autoveturave që do të kalojnë në rrugën Durrës-Kukës. Sipas Malajt, para se të kërkojnë rritje çmimi, investitorët e rinj të OSSH-së, duhet të marrin masat për mirëmenaxhimin e kompanisë.

Z.Malaj dy ditë më parë, OSSH bëri publike masën e rritjes së çmimit të energjisë që i ka kërkuar ERE-s, e cila për konsumatorët familjarë arrin deri në 31 %. Në raport me të ardhurat e qytetarëve është e mundur përballimi i një rritjeje të tillë?

Ky nuk është thjesht një debat për rritjen e çmimit. Rritja e kërkuar ka pasoja negative mbi familjarët mbi biznesin dhe mbi vetë kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Në vendosjen e rritjes së çmimit marrin pjesë tre palë me status të qartë. Kompania private që ka si qëllim final të maksimalizojë fitimin, qeveria që zgjidhet nga votuesit dhe duhet të mbrojë interesat e tyre dhe ERE që ka për detyrë të ruajë konsumatorin nga abuzimi i kompanisë për shkak të etjes për fitime të mëdha dhe mundësisht sa më të lehta, aq më tepër në një treg ku konkurrenca mungon. Në një treg të rregulluar dhe të mbikëqyrur siç është energjia, ERE gjithashtu ka për detyrë të garantojë funksionimin e tregut, duke e ruajtur nga ndërhyrjet e tepërta apo populiste të qeverisë, që mund ta dështojnë edhe një kompani private

Qeveria nuk duhet të fshihet, ajo duhet të mbrojë interesat e konsumatorit dhe biznesit, duke i bërë oponencë të plotë çdo propozimi të kompanisë private. Në këtë rast kredibiliteti i qeverisë aktuale është i cenuar rëndë edhe për faktin që ajo garantoi privatizimin të suksesshëm, jo rritje të çmimit.

Për sa i përket kompanisë private, ajo duhet të bindë institucionet mbikëqyrëse të tregut të energjisë por dhe konsumatorët se rritja e çmimit është mundësia e fundit dhe e vetme.

Në qoftë së kompania e ka argumentuar këtë përpara privatizimit dhe qeveria e ka fshehur, kjo është një krizë që po kërkohet t'iu mbartet konsumatorëve dhe biznesit shqiptar.

Për nga kostot e prodhimit energjia nga burimet hidro është nga më rentablet, kostoja e rritur është kostoja e dështimeve në manaxhim dhe mungesë investimesh. Këtu duhet të ishte avantazhi i një kompanie private.

Kompania duhet ta fillojë strukturimin e saj nga reduktimi i kostove abuzive dhe jo nga rritja e çmimeve. Nëqoftëse do të kemi rritjen e çmimit të energjisë me 31%, marrëdhëniet e saj me konsumatorët mund të bëhen më të vështira, kjo është eksperienca e disa privatizimeve jo të suksesshme në disa vende të tjera.

Në tabelën e publikuar nga OSSH-ja, vërehet heqja e konceptit të pagesës me blloqe duke e unifikuar çmimin për çfarëdo sasie të konsumuar. Si e shihni heqjen e pragut prej 300 kËh?

Jo vetëm në kushtet e krizës por përgjithësisht rekomandohet që shtresat e varfra të mbrohen nga rritja e çmimeve të mallrave jetike. Edhe sot faturat e energjisë në raport me të ardhurat në trajtë pagash dhe pensionesh janë të larta dhe një shqetësim i madh për varfërinë e shtresave me të ardhura të pakta.

Niveli i pragut duhet të jetë një debat sa më profesional i orientuar nga aspekti social. Heqja e një pragu për një nivel konsumi që përfitojnë grupet sociale më të varfra të shoqërisë do të bëjë të domosdoshëm një skemë kompensimi që funksionon, pasi skema e mëparshme dështoi për rreth 4 vite. Skemat e reja të faturave pa prag minimal bëjnë të domosdoshme një skemë kompensimi. Shuma e subvencioneve ndoshta do të jetë një zë i rritur në buxhet.

Qeveria mund të ketë interesa konkrete nga rritja e çmimit sepse ajo rrit të ardhurat nga TVSH-ja dhe fsheh rënien e të ardhurave. Në praktikën e vendeve europiane që kanë TVSH të diferencuar 5 apo 10 % për mallrat jetike përfshihet shpesh edhe energjia. Kjo mund të jetë një rrugë që rritja përfundimtare e çmimeve të mos rendojë më shumë buxhetet familjare të shqiptarëve. Duhet të jetë një vendim shumë i kujdesshëm ku aspekti social dhe pasojat negative mbi konsumatorin dhe biznesin duhet mbajtur mirë parasysh, aq më tepër që këto shtresa dhe biznesi shqiptar ndodhen në një situatë të vështirë ekonomike.

Krahas rritjes së çmimit për familjarët, një shtrenjtim pothuajse në të njëjtat shifra kërkohet edhe për energjinë e konsumuar nga bizneset. Mund të themi që në këtë rast konsumatori do të goditet dy herë, një herë nga fatura që i dërgohet në shtëpi dhe herën tjetër nga shtrenjtimi i pritshëm i disa mallrave të konsumit?

Jo çdo rritje, automatikisht shkon me të njëjtin efekt në rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe të mallrave, por për specifikën që ka energjia dhe për mungesën e një konkurrence në këtë shërbim, risku është i madh. Çdo rritje e kostove të energjisë do të ketë efekt zinxhir në rritjen e çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve, ku energjia është një zë i rëndësishëm i kostove të tyre.

Gjatë negociatave për blerjen e OSSH-së, kompania private kërkoi një kredi-garanci nga qeveria prej 60 milionë eurosh. Po ashtu vetëm një javë pas dorëzimit të kërkesës për rritjen e çmimit të energjisë, OSSH dorëzoi pranë ERE-s një raport që flet për shifra më të lartë të humbjeve. A shihen këto dy lëvizje si një lloj presioni ndaj qeverisë që të miratojë një çmim sa më afër asaj që është kërkuar?

Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë publike të mbrojë konsumatorët dhe biznesin nga rritja e barrës së çmimeve të larta. Çdo privatizim ka të paktën tre objektiva themelorë: së pari, të rrisë konkurrencën në treg, së dyti, të rrisë cilësinë e shërbimit dhe së treti, të ulë çmimin e mallit apo të shërbimit që ofron. Në qoftë se këto tre përfitime konkrete mungojnë, atëherë privatizimi është jo i suksesshëm, qeveria thjesht largon veten nga një dështim. Privatizimi nuk është një formulë magjike, aq më shumë nqs procesi para privatizues i ka përkeqësuar treguesit e kompanisë. Jo të pakta janë rastet që kompani të tilla përpara zgjedhjeve shërbejnë për punësime elektorale. Këto kompani dëmtohen jo pak nga investimet korruptive përpara privatizimit apo edhe nga rënia e treguesve të mbledhjes së të ardhurave nga institucionet buxhetore, biznesi dhe një pjesë e konsumatorëve.

Nëse kërkesa e OSSH-së miratohet ashtu siç është, çfarë ndikimi pritet të sjellë rritja e çmimit të energjisë në xhepat e qytetarëve dhe në ekonominë e vendit?

Kur një kompani private e fillon aktivitetin e saj me kërkesën për rritjen me 31 % të çmimit, kredibiliteti i saj publik dhe marrëdhëniet me klientët e saj dëmtohen jo pak. Mospërputhja në kohë e rritjes së çmimit me skemat kompensuese mund ta bëjë shqetësuese gjendjen sociale të një pjese jo të vogël të konsumatorëve. Reagimi i tyre në mospërballimin e faturave nuk do të jetë i lehtë. Qeveria dhe ERE duhet të ndjekin nga afër çdo problem të lindur deri në konsolidimin e kompanisë me objektivin që ajo të jetë e suksesshme. Çdo dështim i saj shndërrohet në një kosto më të rënde për ekonominë dhe buxhetin.

Z.Malaj, nga kompania menaxhuese e tunelit të Kalimashit, kanë ardhur sinjale se pasi të mbarojnë punimet, kalimi i automjeteve do të bëhet kundrejt një pagesë. Nga ana tjetër, deri më tani funksionarë të lartë të financave janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni të këtij fakti ose se nuk mund të paguhet për një rrugë që është bërë me taksa. Si e shihni mundësinë e pagesës për të kaluar në tunel?

Ne ndodhemi përballë sfidës për të modernizuar infrastrukturën tonë ekonomike, e cila nuk është thjesht dhe vetëm rrugë. Kostot e ndërtimit dhe modernizimit janë jo të lehta, mundësitë e buxhetit janë të limituara.

Një problem jo i lehtë do të jetë edhe mirëmbajtja e investimeve. Deri sot ne ndërtojmë dhe nuk mirëmbajmë, reduktojmë mirëmbajtjen dhe shpejt harxhojmë shumëfish për riparimin e vonuar të tyre. Kostot e mirëmbajtjes së këtyre investimeve të konsiderueshme do të jenë në rritje. Si mund të ndërtohen, modernizohen dhe mirëmbahen më mirë investimet tona publike është një sfidë jo e lehtë, partneriteti sektor publik dhe privat është një mundësi që duhet përdorur më mirë, dhe jashtë përzgjedhjeve korruptive.

Nuk gjej ndonjë pengesë konceptuale ekonomike për mundësitë që të aplikohen edhe në vendin tonë forma të ndryshme të partneritetit që garantojnë mirëmbajtjen e investimeve infrastrukturore dhe i ndajnë këto kosto me përfituesit e investimeve të reja nëpërmjet tarifave të logjikshme. Shqiptarët paguajnë jo pak për rrugët e reja kur udhëtojnë edhe në vendet fqinje.

Në media janë hedhur teza se ekziston mundësia edhe e privatizimit të rrugës Durrës-Kukës për të përballuar shpenzimet e mëdha të saj. Sa i mundur është ky skenar?

Besoj se po bëhet fjalë për format e ndryshme të menaxhimit dhe të mirëmbajtjes së rrugës. Kjo rrugë është ofruar të ndërtohej me koncesion nga kompani private, shkalla e rentabilitetit të saj nuk ishte bindëse për kompani private që të investonin shuma të konsiderueshme dhe rikthimi i tyre të bëhej në një kohë të gjatë jashtë treguesve të efektivitetit të një investimi. Shqipëria akoma nuk është pjesë integrale e korridoreve ekonomike europiane, ndaj koncesionet private mungojnë në ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës sonë. Ndoshta është momenti për partneritet në mirëmbajtjen e rrugëve të ndërtuara me anë të investimeve publike. Mundësitë e partneriteteve publike-private do të jenë në rritje në ekonominë shqiptare. Është koha që nëpërmjet kritereve seleksionuese të krijohen mundësi konkrete për angazhimin edhe të biznesit vendas në këtë partneritet, tani biznesi ynë ka arritur të jetë konkurrues.

3 Komente

Siç duken bathet, konsumatori i varfer shqiptar do te paguaj me teper per energjine vitin tjeter.  

Po e ndien Malaj krizen dhe shtrenjtesine tani,nuk ka faj nuk e lejon Rama te marre rrogen.

 Brad, Malaj nuk ka nevoje per rroge se merr çdo dite te ardhurat/fitimet e firmave te tijat. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).